presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjala e Presidentes Osmani në Akademinë përkujtimore të 24 vjetorit të masakrës në Studime të Vushtrrisë

Shumë të nderuara familje të Studimes dhe gjithë Vushtrrisë

I nderuar kryetar Konjufca,

I nderuar kryetar i Komunës Idrizi,

I nderuar kryetar Krasniqi,

Të nderuar deputet,

I nderuar kryetar i fshatit,

Përfaqësues të familjeve të dëshmorëve, martirëve dhe veteranëve të UÇK-së,

Të nderuar ish-kryetar të Komunës,

Të nderuar përfaqësues të Organizatave të dala nga lufta,

Shumë të nderuar të pranishëm,

Jemi këtu që sot të gjithë së bashku të kujtojmë 116 martirë shqiptarë të pambrojtur, të cilët ranë për lirinë tonë ndër ta edhe shumë fëmijë e shumë gra, përfshirë edhe nënat shtatzënë, të cilët 24 vjet më parë, në më pak se dy orë u masakruan barbarisht nga regjimi gjenocidal i Serbisë.

Jam gjithashtu këtu edhe për ta ndarë dhimbjen me ju dhe për t`ju thënë se dhimbja të cilën ju si familjarë e keni përjetuar atë ditë të kobshme, por edhe në secilën ditë të mëpastajme, është edhe dhimbje e gjithë Kosovës.

24 vjet më parë në fshatin tuaj ndodhi një ndër masakrat më të tmerrshme e më të mëdha të luftës në Kosovë, e cila dëshmoi qartë brutalitetin dhe egërsinë e regjimit gjenocidal të Serbisë.

Dëshmitë tregojnë se masakra ishte e organizuar paraprakisht, nga mekanizmat politikë e vrastarë të  regjimit serb. Shumë nga viktimat civile janë ekzekutuar nga afër e me gjakftohtësi, nga automatikët apo bajonetat.

Sot, duhet t`i kujtojmë jetët e pafajshme që u morën me dhunë dhe t`u ndodhemi afër familjeve që humbën më të dashurit e tyre.

Sot, gjithashtu duhet ta kujtojmë edhe guximin dhe qëndrueshmërinë e atyre që mbijetuan dhe të cilët dëshmuan çdo ditë për ditët e errëta.

Studimja, por edhe secili vend ku janë kryer masakra nga regjimi gjenocidal i Serbisë në gjithë Kosovën, dëshmuan fuqinë e ringritjes, të qëndresës dhe të përtëritjes.

Sot ne jetojmë me dhimbjen e të gjithë atyre që u bënë fli për lirinë e Kosovës, por jetojmë njëkohësisht edhe me testamentin e tyre, Republikën e Pavarur të Kosovës.

Në themelet e shtetit tonë qëndron sakrifica heroike e vajzave dhe e djemve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të gjithë atyre që luftuan dhe mbi 3 mijë dëshmorëve që ranë për liri.

Ne u jemi përjetë mirënjohës secilit ushtar të Ushtrisë sonë Çlirimtare të Kosovës për lirinë që e gëzojmë sot. Ata mbrojtën dinjitetin, rikthyen shpresën dhe bën lirinë realitet.

Republika e Kosovës mbanë vulën e tyre, ndaj, përpjekja jonë e pareshtur është që krahas kujtimit për të gjithë të rënët, po ashtu autorët e krimeve serbe t`i sjellim para drejtësisë.

Të nderuar të pranishëm

Kujtesa historike do të jetë në funksion të respektimit të së kaluarës sonë, të dokumentimit, sikurse edhe ndërtimit të një të ardhme të qëndrueshme.

Kjo që ka ndodhur në Studime, para 24-vjetësh, është argument i fuqishëm se historia nuk mund të rishkruhet dhe se në vitet 1998/99, faktet historike ishin të qarta. Njerëzit tanë u vranë vetëm pse ishin shqiptarë. Ata u vranë në shtëpitë e tyre, në trojet e tyre, në trojet e paraardhësve të tyre.

Prandaj, sot si asnjëherë më parë duhet ta themi qartë dhe prerazi se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë dhe se paqja e qëndrueshme e afatgjate është e mundshme vetëm kur autorët të dalin para drejtësisë dhe kur të zbardhet fati i mbi 1600 të zhdukurve me dhunë e kur të gjithë ata që kryen këto krime monstruoze të paguajnë për krimet që i kryen.

Nuk duhet t`i harrojmë kurrë mësimet e historisë sikurse as mizoritë që janë bërë për gjatë luftës.

Ne do ta nderojmë përherë kujtimin për dëshmorët tanë, por edhe për të gjithë martirët, për të gjitha viktimat e krimeve të luftës, sepse lufta jonë ishte e drejtë, ishte për lirinë, ishte për shtetin e për të cilat kontribuuan breza të tërë.

Plagët e mizorive sikurse kjo që ka ndodhur në Studime, mbeten të skalitura në kujtesën tonë kolektive, duke na sjell të gjithëve në vëmendje çmimin e lartë të lirisë.

Studimja është simbol i barbarisë së krimeve serbe, i policëve që ndanin fëmijët nga prehrit e nënave e që masakronin gratë shtatzëna, por Studimja është po ashtu simbol i mbijetesës, simbol i krenarisë për ata që ranë për këtë tokë, është simbol i ringritjes sonë si komb.

E kemi obligim që kujtimin për Studimen dhe të gjitha masakrat gjithandej Kosovës ta mbajmë të gjallë si një dëshmi të qartë për rrugën e vështirë të cilën e kaluam.

Falë luftës sonë çlirimtare të UÇK-së, të dëshmorëve dhe të gjitha viktimave që ranë martirë, ne sot jetojmë të sigurt, të lirë dhe në Kosovën shtet.

Qoftë i paharrueshëm kujtimi për ta!

Lavdi!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.