Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e lansimit të Ditëve të Tokës në Kosovë, iu drejtua sot qytetarëve, e në veçanti fëmijëve aktivist për mbrojtjen e mjedisit me një mesazh për rëndësinë e mbrojtjes së planetit tonë, urgjencën për t’i trajtuar sfidat mjedisore, si dhe rëndësinë e veprimit kolektiv për to.
Presidentja Osmani tha se përderisa shihet angazhim i shtuar për të punuar në këtë drejtim dhe ka ekspertizë vendore e ndërkombëtare për t’i adresuar këto sfida, nevoja për bashkëpunim të rregullt në të gjitha nivelet dhe mbështetje të vazhdueshme është e domosdoshme, duke potencuar se mbrojtja e mjedisit duhet të jetë angazhim i yni i çdoditshëm.
Zyra e Presidentes është partnere e Ditëve të Tokës në Kosovë, program, i cili do të ketë aktivitete në vazhdimësi për inkurajimin e aktivizmit qytetar dhe ngritjen e vetëdijes për mbrojtjen e mjedisit.
Fjalimi i plotë i Presidentes Osmani:
Faleminderit shumë Fatmir,
Faleminderit të gjithëve që jeni sot prezent,
Ka një kohë që kemi filluar me aktivitete që i dedikohen tokës, por ashtu siç e kam thënë kur para disa ditësh jam takuar me studentët, me nxënësit tanë, Dita e Tokës duhet të jetë çdo ditë për ne.
I nderuar Ministër Aliu,
E nderuar Maria,
Znj. Suokko, udhëheqëse e UNDP-së,
Ambasador i Luksemburgut,
Të dashura media,
Të gjithë ju të pranishëm,
E në veçanti të dashur nxënës,
Ditë më parë, siç e përmenda shënuam Ditën e Tokës në shoqërinë e disa nxënësve të jashtëzakonshëm. Trajtimi dhe elaborimi i temave mjedisore nga ana e tyre më dha vërtetë shumë shpresë për të ardhmen.
Nëse vite më parë, çështjet mjedisore shiheshin si tema të dorës së dytë, tani po vërejmë nga viti në vit se ato po bëhen gjithnjë e më prezente në diskursin publik.
Në këtë drejtim, po aq sa ndikon natyrshëm fakti se zhvillimet e fenomenet globale mjedisore po bëhen gjithnjë e më sfiduese, po kaq po kontribuon edhe mobilizimi edhe angazhimi i gjithanshëm për të ngritur vetëdijen për këto çështje. Fakti që ne jemi mbledhur të gjithë sot bashkë dhe po shënojmë Ditët e Tokës në Kosovë është një dëshmi e drejtpërdrejt e kësaj.
Në disa hulumtime që janë bërë në drejtim të identifikimit të sfidave më të mëdha mjedisore në rrafshin global, ka rezultuar që problemet më të mëdha ndërlidhen me ndryshimet klimatike, me ndotjen e ajrit, me trajtimin e mbeturinave gjë që po bëhet edhe sot, shpyllëzimin si dhe me ndotjen e ujit. Të gjitha këto në një mënyrë apo në tjetrën e prekin edhe vendin tonë.
Ashtu siç nuk njohin kufij ndryshimet klimatike, po ashtu shtrihen përtej kufijve edhe efektet e pothuajse secilit problem tjetër mjedisor.
Një gjë duhet ta kemi të qartë: në trajtimin e këtyre çështjeve, qasja individuale nuk mjafton. Na duhet bashkëpunim dhe koordinim i rregullt si në nivel nacional, ashtu edhe në atë rajonal, por edhe në nivel global, në mënyrë që t’ia dalim me sukses.
Në një botë të dominuar nga mbikonsumi, mbiprodhimi, migrimi i vazhdueshëm e mbipopullimi; efiçienca, menaxhimi dhe trajtimi i mbeturinave, si dhe ekonomia qarkore gradualisht shndërrohen në kryefjalë. Ato janë garanca jonë për t’u përballur suksesshëm me sfidat mjedisore të ditëve tona.
– A kemi vullnet për të punuar në këtë drejtim? Konfirmoj se PO.
– A kemi njohuri për të punuar në këtë drejtim? Nuk kam asnjë dyshim se po.
– A kemi resurse të mjaftueshme? Konsideroj se na duhet mbështetje, bashkëpunim dhe koordinim.
– A kemi alternativë që mos të merremi me mbrojtjen e mjedisit? Absolutisht JO. Nuk ka asnjë alternativë tjetër.
Të kujtojmë gjithnjë se të mbrosh tokën dhe mjedisin, do të thotë të mbrosh shëndetin, të mbrosh jetën dhe të mbrosh mirëqenien në tokë. Ju faleminderit!