Presidentja Osmani vizitoi Shtabin e Përgjithshëm të FSK-së: Pjesëmarrja në “Defender- Europe’23” konfirmon besimin e fuqishëm të partnerëve strategjik në ushtrinë tonë

Me qëllim të informimit me përgatitjet finale për ekzekutimin e stërvitjes fushore” Defender-Europe’23”, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, njëherësh Komandante Supreme, vizitoi Shtabin e Përgjithshëm të FSK-së në Kazermën” Adem Jashari” në Prishtinë, ku u prit nga Komandanti gjenerallejtënant Bashkim Jashari me gjeneralë dhe oficerë të FSK-së. Me këtë rast, Presidentja Osmani u njoftua nga gjeneral Jashari dhe stafi i tij me zhvillimet aktuale në FSK dhe aktivitetet në proces, me theks të veçantë në përgatitjet finale para ekzekutimit të stërvitjes fushore të forcave amerikane me forcat tjera partnere “Defender –Europe’23”. Nga ana e saj, Presidentja Osmani, përgëzoi FSK-në, për procesin e suksesshëm të planifikimit dhe përgatitjeve të duhura për Stërvitjen “Defender-Europe’23”. “Pjesëmarrja e mbi 1300 trupave të FSK-së në stërvitjen fushore “Defender- Europe’23”, përkrah forcave amerikane dhe aleatëve tjerë, si dhe statusi i Republikës së Kosovës në cilësi të vendit pritës, konfirmon besimin e fuqishëm të partnerëve tanë strategjik në profesionalizmin e FSK-së, si dhe besimin në vendin dhe popullin tonë në mbrojtjen e vlerave euroatlantike të lirisë dhe paqes rajonale e globale”, theksoi ndër të tjera Presidentja Osmani. Në cilësi të Komandantes Supreme të FSK-së, Presidentja Osmani shprehu mbështetjen e plotë për zhvillimin dhe avancimin e FSK-së, si dhe mbarëvajtjen e Stërvitjes, si një ndër ngjarjet më të rëndësishme jo vetëm për FSK-në, por edhe për Republikën e Kosovës dhe vizionin euroatlantik.
Presidentja Osmani përkujton Masakrën e Rezallës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar Masakrën e Rezallës në 24-vjetorin e saj. Më 5 prill të vitit 1999, forca të regjimit gjenocidal të Serbisë, rrethuan shtëpitë e fshatit Rezallë dhe në mënyrë mizore vranë 98 djem e burra, banorë të fshatit Rezallë dhe të fshatrave përreth. Më pas, forcat serbe kryen krimin e dytë çnjerëzor mbi ta, duke i zhdukur trupat e pajetë të 44 të vrarëve. Trupat e disa të vrarëve janë gjetur kohë më pas në Rudnicë të Rashkës, në Serbi. Masakra e Rezallës dëshmoi edhe një herë tipologjinë e masakrave të kryera, të planifikuara e të udhëhequra nga forcat shtetërore serbe, synimi i së cilave ishin sulmet përndjekëse masive, vrasjet, dhunimet, djegia dhe shkatërrimi i pronës, deportimi i dhunshëm dhe shfarosja e popullatës civile shqiptare. Secili nga civilët e vrarë në këtë masakër e ka historinë dhe trashëgiminë e tij. Të gjithë së bashku, ndërkaq, janë dëshmi e krimeve makabre që ka kryer Serbia në Kosovë. Ne nuk do të reshtim së kërkuari drejtësi për viktimat. Kujtim i përhershëm për to!
Presidentja Osmani ka përkujtuar 24-vjetorin e Masakrës së Kralanit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar 24-vjetorin e Masakrës së Kralanit. Sot kujtojmë 86 civilët e rrëmbyer nga forcat gjenocidale të Serbisë në Kralan të Gjakovës, të cilët u ndanë nga kolona e të zhvendosurve, të mbledhur në këtë fshat. Civilë moshash të ndryshme, pleq, gra, burra e fëmijë, u vranë mizorisht nga regjimi kriminal serb ose u zhdukën dhunshëm. Sot e kësaj dite, nënat, motrat e familjarët e tjerë presin në ankth ndonjë lajm për fatin e më të dashurve të tyre, të zhdukur me dhunë nga regjimi serb. Drejtësi për viktimat dhe kujtim i përhershëm për to!
Presidentja Osmani ka takuar të dërguarit e posaçëm të Gjermanisë dhe Austrisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin dhe Johannes Eigner

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim të dërguarit e posaçëm të Republikës Federale të Gjermanisë dhe Republikës së Austrisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin dhe Johannes Eigner. Në takim është biseduar për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, përfshirë dakordimin e arritur për marrëveshjen bazë, si dhe planin e zbatimit në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, si dhe zhvillimet e sigurisë në veri të Republikës së Kosovës. Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova vazhdon të angazhohet në mënyrë konstruktive për t’i kontribuar paqes afatgjate në rajon. Në këtë drejtim, Presidentja ka theksuar se veprimet e fundit kriminale në veri të Republikës së Kosovës, të orkestruara nga struktura ilegale të mbështetura nga Beogradi, kanë për qëllim frikësimin dhe kanosjen e popullatës lokale serbe, si dhe krijimin e një klime frike dhe pasigurie. Pavarësisht kësaj, Presidentja Osmani theksoi se Kosova do të vazhdojë të jetë plotësisht e koordinuar me aleatët ndërkombëtar për të vazhduar përpjekjet për paqe, siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm, ndërsa është e përkushtuar për zbatimin e rendit dhe ligjit në të gjithë territorin e Republikës. Tutje, Presidentja Osmani ka falënderuar z. Sarrazin dhe z. Einger për angazhimin e Gjermanisë dhe Austrisë për integrimin e plotë të Republikës së Kosovës në institucionet euroatlantike, teksa ka theksuar se koordinimi i Kosovës me aleatë do të vazhdojë.
Donika Kadaj Bujupi është emëruar këshilltare e Presidentes Osmani

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka emëruar sot znj. Donika Kadaj Bujupi, këshilltare në Kabinetin e Presidentes. Znj. Kadaj Bujupi ka përvojë të gjatë parlamentare, si deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës në pesë mandate, ku ka shërbyer në komisione të ndryshme, përfshirë atë të politikës së jashtme, integrimit evropian, arsimit. Përgjatë përvojës së saj profesionale, znj. Kadaj Bujupi ka punuar në organizata të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare, ndërsa është angazhuar vazhdimisht në tema të të drejtave të njeriut, barazisë gjinore, ambientit dhe arsimit. Në Presidencë, znj. Kadaj Bujupi do të angazhohet, ndër të tjera, në fushën e komunikimit publik dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. Presidentja Osmani, i ka uruar mirëseardhje znj. Kadaj Bujupi, dhe ka theksuar se përvoja e saj e gjatë profesionale do të kontribuojë edhe më shumë në arritjen e objektivave të Kabinetit të Presidentes dhe avancimit të mëtutjeshëm të punës së Presidencë.
Presidenca dhe Kuvendi ndriçohen me ngjyrë të kaltër për Ditën Botërore të Autizmit

Ndërtesa e Presidencës dhe ajo e Kuvendit është ndriçuar në mënyrë simbolike me ngjyrë të kaltër, në shenjë të solidaritetit me personat me autizëm dhe në funksion të ndërgjegjësimit për autizmin në të gjitha nivelet e shoqërisë.
Fjalimi i Presidentes Osmani në ceremoninë e hapjes së edicionit të 30-të të Willem C. Vis Moot në Vjenë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë qëndrimit të saj në Vjenë, para mijëra pjesëmarrësve nga 380 universitete e 89 shtete të botës në Vjenë, ka folur për rëndësinë e arsimimit në ndërtimin e së ardhmes si për individët, ashtu edhe për shoqërinë e për shtetin. Gara për të Drejtën Ndërkombëtare Komerciale dhe të Drejtën e Aribtrazhit (Willem C. Vis International Arbitration Moot Court) është gara më e madhe e drejtësisë në botë ku çdo vit bashkon mijëra profesionistë të drejtësisë, profesorë, arbitra, gjyqtarë e studentë, një garë që nga BBC është kualifikuar si “Olimpiada e Drejtësisë”. Presidentja Osmani ka theksuar se studentët e Kosovës për vite me radhë kanë shkëlqyer në këtë garë, duke i sjellur Universitetit të Prishtinës disa ndër çmimet më të rëndësishme në historinë e tij. Fjalmi i plotë i Presidentes:
Presidentja Osmani ka përkujtuar 24-vjetorin e Masakrës në shtëpinë e familjes Vejsa

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar 24-vjetorin e Masakrës në shtëpinë e familjes Vejsa 24 vjet më parë, familjet Vejsa, Caka, Haxhiavdija, Nuqi, Hoxha dhe Gashi, të strehuar në bodrumin e familjes Vejsa, përjetuan egërsinë e regjimit gjenocidal të Serbisë, i cili vrau mizorisht dhe më pas i dogji 20 gra, fëmijë dhe një burrë. Drejtësi për viktimat dhe kujtim i përhershëm për to!
Presidentja në Ditën Botërore të Autizmit: Të drejtat dhe mirëqenia e personave me autizëm janë objektiv i yni i çdoditshëm

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se Dita Botërore e Autizmit është një mundësi për ta promovuar ndërgjegjësimin për autizmin. Deklarata e plotë e Presidentes Osmani: Dita Botërore e Autizmit është një mundësi për ta promovuar ndërgjegjësimin për autizmin, për t`i sfiduar stereotipet dhe stigmat dhe për t`i mbështetur personat me autizëm dhe familjet e tyre. Në këtë ditë, ne duhet ta promovojmë mirëkuptimin dhe gjithëpërfshirjen për personat me autizëm, sikurse edhe t`i japim mbështetje perspektivës unike të tyre për botën. Të drejtat dhe mirëqenia e personave me autizëm janë objektiv i yni i çdoditshëm. Ata nuk janë vetëm. Në shoqërinë tonë secili duhet të ketë mundësi të barabartë për zhvillim të potencialit, pra edhe për ata që kanë aftësi ndryshe!
Presidentja Osmani ka përkujtuar 24-vjetorin e Masakrës së Lubeniqit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar 24-vjetorin e Masakrës së Lubeniqit. 24 vjet më parë, forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë vranë barbarisht 80 civilë të Lubeniqit, në mesin e të cilëve edhe fëmijë nga 18- muajsh e deri në 17- vjeçar. Egërsia e regjimit kriminal serb u manifestua edhe ndaj një gruaje shtatzënë. Drejtësi për viktimat dhe kujtim i përhershëm për to!