I nderuar Kryeministër Kurti,
I nderuar ambasador Hovenier,
I nderuar Ministër Mehaj,
Ministër Sveçla,
I nderuar Komandant i FSK-së, Gjenerallejtënant Jashari,
I nderuar zëvendëskomandant i divizionit të 34-tët të Këmbësorisë, Gjeneral brigade, Erens,
Gjeneral brigade Bozicevic,
Të nderuar partner të Republikës së Kosovës, partner të Forcës së Sigurisë së Kosovës,
Ushtarakë të forcave partnere dhe të Forcës së Sigurisë së Kosovës,
Të gjithë ju pjesëmarrës në këtë stërvitje historike,
Të dashur qytetarë të Republikës sonë,
Kam nderin që jam sot me ju në ceremoninë e fillimit të stërvitjes së përbashkët shumëkombëshe “Defender Europe ‘23” të drejtuar nga Komanda e Ushtrisë së SHBA-së për Evropë dhe Afrikë.
Sot, qëndroj para jush për të nderuar guximin, përkushtimin dhe angazhimin tuaj të palëkundur në këtë stërvitje ndërkombëtare.
Ju jeni mishërim i trimërisë dhe përfaqësimit të idealeve më fisnike të shërbimit, sakrificës dhe solidaritetit.
Ju jeni gardianë të paqes dhe sigurisë në një botë gjithnjë e më komplekse dhe në zhvillime gjithnjë e më sfiduese.
Në këtë stërvitje ndërkombëtare, ju jeni krahas ushtrive nga kombe të ndryshme dhe shtete të ndryshme.
Megjithatë, ju qëndroni të bashkuar nën një kauzë të vetme, kauzës së përbashkët—për ta forcuar bashkëpunimin, për ta ndërtuar besimin dhe për ta rritur ndërveprimin midis forcave aleate.
Ju jeni mishërimi i punës në grup, duke kapërcyer kufijtë dhe duke punuar së bashku drejt një qëllimi të përbashkët- sigurisë dhe mbrojtjes së vlerave tona.
Ky ushtrim ndërkombëtar është një simbol i vendosmërisë sonë kolektive për ta ruajtur paqen dhe stabilitetin në një botë që po sfidohet vazhdimisht. Është një kujtesë se forca jonë nuk qëndron vetëm në fuqinë e armëve tona, por në lidhjet që krijojmë, në aleancat që ne ndërtojmë dhe në vlerat e përbashkëta, të cilat çdo ditë po i kultivojmë.
Së bashku ne jemi më të fortë kundrejt forcave që kërkojnë të na ndajnë, duke dëshmuar se uniteti dhe bashkëpunimi ynë janë çelës për një të ardhme më të sigurt e më paqësore.
Objektivi kryesor i Defender 23 është ta shfaqë aftësinë ushtarake dhe luftarake të ShBA-ve dhe forcave aleate, kundër agresorëve të mundshëm dhe për t`i siguruar aleatët dhe partnerët evropianë se kontinenti është i sigurt nga sulmet e mundshme.
Ky ushtrim është historik në shumë aspekte, veçanërisht për ushtrinë më të re në kontinentin evropian, për Forcën tonë të Sigurisë.
Pikërisht para dy viteve me sukses shumë të lartë realizuam së bashku Stërvitjen “Defender-Europe’21”, dhe vazhduam pa u ndalur në përgatitjet për stërvitjen e radhës, e cila po fillon sot me ceremoninë në sheshin Gjergj Kastrioti- Skënderbeu, një ndër emrat më domethënës në historinë tonë.
Skënderbeu është hero jo vetëm për Kosovën, por edhe për Evropën. Njihet si strategu dhe udhëheqësi ushtarak ndër më të mëdhenjtë në historinë e luftërave për mbrojtjen e atdheut dhe mbrojtjen e vlerave civilizuese që ndikuan fuqishëm edhe në mbrojtjen e Evropës kontinentit tonë në përgjithësi.
Nga ana tjetër, ndodhet shtatorja e liderit historik, udhëheqësit tonë të lëvizjes për pavarësi, njëherit arkitektit të Republikës sonë, Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugova, vizioni dhe ideali i të cilit, gjatë gjithë rrugëtimit të vështirë, ishte i mishëruar në vlerat properëndimore dhe euroatlantike.
Defender 2023 përkon edhe me 24-vjetorin e çlirimit tonë, e cila është ditë po aq e freskët sa kujtesa e ndërhyrjes ushtarake të SHBA-së me forcat e vendeve tjera aleate të NATO-s, kundër gjenocidit të Millosheviqit ndaj popullit të Kosovës. Ne ishim viktima, kurse regjimi i Millosheviqit ishte agresori. E, lufta jonë ishte luftë për liri! Kjo është e vërteta e vetme, të cilën do ta mbrojmë çdo herë e kudo!
Prandaj, sot teksa i shohim ushtarët e FSK-së të radhitur në këtë shesh, dua të sjellë në vëmendjen e secilit edhe sakrificën e paraardhësve të tyre, vajzave e djemve të UÇK-së, të cilët e bën të mundshme lirinë tonë, mbrojtën dhe rikthyen dinjitetin tonë. Ata janë mishërimi i vetëmohimit, sakrificës dhe guximit. Të prirë nga komandanti legjendar, Adem Jashari, ata dhe mbi 3 mijë dëshmorë të UÇK-së janë personifikim i lirisë dhe i shtetit tonë.
Prandaj, falënderim dhe mirënjohje e përjetshme për vajzat dhe djemtë e UÇK-së!
Faleminderit edhe për burrat e gratë e popujve të aleancës së lirisë, aleancës së NATO-s dhe gjithë ushtarëve të ShBA-ve për sakrificën në përkrahje të përpjekjeve tona për liri dhe pavarësi!
Përgjatë, 24 vjetëve të pasluftës na qëndruat pranë me mbështetjen tuaj, duke mbështetur edhe Ushtrinë e Republikës së Kosovës, të cilën e ngritëm dhe zhvilluam së bashku me ju, e tani në këtë stërvitje do të demonstrojnë praktikisht se ata janë të gatshëm për të realizuar detyrat në kuadër të operacioneve shumëkombëshe të paqes dhe stabilitetit kudo që ka nevojë.
Të nderuar të pranishëm,
Pjesëmarrja e Republikës së Kosovës, me statusin e vendit pritës në mesin e 25 vendeve në këtë stërvitje me gatishmërinë dhe ndërveprueshmërinë e rreth 1400 trupave të FSK-së përkrah edhe shumë trupave ushtarake amerikane dhe trupave të tjera shumëkombëshe të vendeve aleate dhe partnere e shteteve tjera të NATO-s, konfirmon më së miri edhe besimin e fuqishëm të partnerit tonë strategjik, SHBA-së ndaj Republikës së Kosovës dhe ndaj Ushtrisë sonë.
Rruga jonë përpara është e pandalshme e ne jemi të vendosur fuqishëm në konsolidimin dhe forcimin e institucioneve demokratike të shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit si faktorë jetik në fuqizimin e sistemit të sigurisë dhe të mbrojtjes në vendin tonë.
Në një mjedis shumë të ndjeshëm të sigurisë, kur sfidat dhe kërcënimet sa vijnë e bëhen gjithnjë e më komplekse, rëndësia e bashkëpunimit me aleatët në fushën e mbrojtjes, krahas të gjitha fushave tjera, është e domosdoshme dhe ekzistenciale.
Këtë e konfirmon fuqishëm edhe niveli i lartë i ndërveprueshmërisë gjatë fazës planifikuese të stërvitjes, e cila besojmë se do të kurorëzohet me sukses maksimal edhe në fazën e ekzekutimit me integrimin në operacion të përbashkët stërvitor të forcave tona me vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Krahas stërvitjes “Defender-Europe’23”, kjo shtron edhe nevojën e krijimit të përbashkët të frontit politik, sikurse edhe atij të sigurisë e të mbrojtjes, duke filluar me Kartën e Adriatikut, SHBA- A5, ku është e domosdoshme të ecet përpara me anëtarësimin e Kosovës, pastaj me hyrjen e Republikës sonë në Programin e Partneritetit për Paqe, e deri tek anëtarësimi në NATO.
Ky fakt, duhet të jetë tregues i fuqishëm për të gjithë shkaktarët e sfidave, të gjithë shkaktarët e destruktiviteteve dhe tendencave për destabilizim se ata do të dështojnë çdoherë, në përpjekjet e tyre për minimin e paqes dhe sigurisë në vendin tonë dhe të rajonit në përgjithësi.
Vendet tona kanë dëshmuar dhe po dëshmojnë, sikurse edhe me këtë stërvitje, qëndrueshmëri të plotë falë orientimit të qartë euroatlantik dhe partneritetit të ngushtë me SHBA-të, me vendet e BE-së dhe me vendet tjera anëtare të NATO-s si dhe bashkëpunimit të rregullt e të koordinuar të bazuar mbi vlera dhe objektiva të përbashkëta.
Ushtarë të forcave mike dhe të Forcës së Sigurisë së Kosovës,
Sot do ta kurorëzoni angazhimin tuaj maksimal dhe vetëmohues gjatë fazës së gjatë përgatitore.
Kam besimin e plotë në aftësitë dhe kapacitetet tuaja profesionale dhe nivelin e forcës, qëndrueshmërisë dhe përgatitjeve tuaja intensive.
Le të shërbejë kjo stërvitje ndërkombëtare si një dëshmi e fuqisë së bashkëpunimit, si triumf i shpirtit njerëzor dhe i vullnetit të paepur të ushtarëve si ju. Le të jetë kjo edhe një tregues se sa e fuqishme është aleanca jonë me SHBA-të.
Qëndroni të palëkundur në qëllimin tuaj, mbajuni fort pas vlerave tuaja dhe kthehuni nga ky ushtrim me krenari, përvojë dhe shkathtësi të reja!
Së bashku jemi gjithmonë më të fortë me forcat aleate!
Suksese dhe ju priftë e mbara!
Zoti e bekoftë aleancën tonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës!
Ju faleminderit!