Presidentja Osmani, me ftesë të ambasadorit të SHBA-ve në OSBE, takoi përfaqësuesit e QUINT-it dhe BE-së në OSBE

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në OSBE Michael Carpenter, është takuar me përfaqësuesit e QUINT-it dhe BE-së në OSBE. “Diskutuam zhvillimet e fundit në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi, sukseset e Kosovës në forcimin e demokracisë, si dhe përpjekjet tona të përbashkëta për paqe dhe siguri të qëndrueshme në kontinentin tonë”, ka shkruar Presidentja Osmani.

Presidentja Osmani ka përkujtuar 24-vjetorin e Masakrës së Pastaselës së Rahovecit dhe atë të Burimit të Malishevës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar 24-vjetorin e masakrave në Pastaselë të Rahovecit dhe atë në Burim të Malishevës. “Sot kujtojmë masakrën e kryer nga forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë në Pastaselë të Rahovecit, me ç‘rast u  vranë dhe u masakruan  106 banorë të këtij fshati dhe fshatrave përreth. Në të njëjtën ditë në Burim të Malishevës, u vranë dhe u masakruan 42 civil. Dhembja vazhdon të jetë po kaq e madhe sikur në ditën e vrasjes së tyre, ndërsa kujtimi për ta i përhershëm. Drejtësia për viktimat e regjimit serb dhe zbardhja e fatit të të zhdukurve me dhunë janë kërkesa të përhershme tonat, nga të cilat ne nuk heqim dorë”.

Fjalimi i Presidentes Osmani në seancën plenare të Samitit për Demokraci mbi rolin e demokracisë në forcimin e institucioneve, të organizuar nga Shtëpia e Bardhë

Fjalimi i dytë i Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani mbajtur në Samitin e Dytë për Demokraci, të organizuar sot virtualisht nga Shtëpia e Bardhë. Në seancë plenare, Presidentja Osmani ishte folëse krahas liderëve botërorë: presidentit të Francës, Emmanuel Macron, kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, Rishi Sunak, kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz, kryeministrit të Suedisë, Ulf Kristersson, kryeministres së Islandës, Katrín Jakobsdóttir, presidenti të Kolumbisë, Gustavo Petro, si dhe krerëve të shtetesh e qeverive nga Zambia dhe Bahamas.

Deklarata shtetërore e Presidentes Vjosa Osmani

Deklarata shtetërore e Presidentes Osmani në Samitin e dytë për Demokraci: I nderuar President Biden, të nderuar kolegë, Demokracia është më shumë se thjeshtë një sistem qeverisjeje. Për Republikën e Kosovës, ishte dëshira jonë e fortë për demokraci që siguroi rrugën tonë drejt lirisë dhe pavarësisë. Dhe duke e forcuar atë sot, demokracia do të na hapë rrugën drejt një të ardhmeje më të ndritshme brenda institucioneve euroatlantike. Në vetë thelbin e saj, demokracia ka të bëjë me të drejtën për ta zgjedhur drejtimin, të ardhmen dhe fatin tuaj. Populli i Kosovës ka zgjedhur rrugën e vet. Samiti i këtij viti për Demokraci ka qenë sigurisht viti ynë i veprimit! Me forcë dhe entuziazëm të plotë kemi punuar për t`i zbatuar zotimet, të cilat i kemi përcaktuar vitin e kaluar. Por, “viti i veprimit”, ka qenë gjithashtu një vit i sfidave të konsiderueshme globale, me shkelje flagrante të të drejtave të njeriut, të cilat po ndodhin në mbarë botën përderisa ne jemi mbledhur sot. Kosova e di shumë mirë se si ndihet një popull i pafajshëm i cili në lëkurën e vet përjeton një lufte brutale dhe gjenocidale, dhe pikërisht sepse e dimë këtë,  pa asnjë mëdyshje vendosëm menjëherë sanksione kundër Rusisë dhe e kemi mbështetur pa ndalur popullin e Ukrainës. Vuajtja e pamasë e popullit ukrainas shërben si një kujtesë e fuqishme se asnjë çmim nuk është aq i lartë për të paguar për liri dhe demokraci – dhe ne do të vazhdojmë të qëndrojmë bashkë me aleatët tanë për t`i mbrojtur këto vlera kudo në botë. Gjatë vitit të kaluar, kemi bërë progres të jashtëzakonshëm në avancimin e demokracisë, forcimin e sundimit të ligjit dhe luftimin  e korrupsionit. Jemi duke e zbatuar Strategjinë Kombëtare për Sundimin e Ligjit, krahas reformave të pakompromis dhe me ritme rekorde për ta garantuar një qeverisje llogaridhënëse, të barabartë dhe efektive në të gjitha institucionet publike. Përpjekjet tona janë njohur në mbarë botën. Së bashku me miqtë tanë nga Republika Dominikane ne kemi bashkudhëhequr kohortën e Sundimit të Ligjit në kuadër të Samitit për Demokraci. Përveç kësaj, sipas Freedom House, Kosova në vitin 2022 është renditur si demokracia e tretë më e përmirësuar në botë, dhe në vetëm dy vite është ngritur për 20 vende më lart në indeksin antikorrupsion të Transparency International. Që nga takimi ynë i fundit, ne kemi punuar pa u ndalur për ta avancuar diversitetin dhe gjithëpërfshirjen si themel për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. U zotuam për krijimin e Këshillit Presidencial për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut dhe ia arritëm. Ky Këshill ka siguruar mbikëqyrjen e zotimeve dhe angazhimeve tona nga institucionet më të larta në vend dhe në çdo shtresë të qeverisjes, dhe puna e këtij Këshilli do të vazhdojë edhe përtej edicionit të dytë të Samitit. Ne jemi gjithashtu krenarë të raportojmë mbi miratimin e një strategjie të guximshme kombëtare kundër dhunës me bazë gjinore dhe për ndërmarrjen e hapave domethënës për të garantuar vendin e merituar të grave në institucionet publike dhe role vendimmarrëse. Një demokraci e fortë është një demokraci që vepron edhe për gratë. Ne kemi bërë hapa të rëndësishëm, por përderisa gratë vazhdojnë të përballen me mizogjininë në vendet e punës, dhunën në shtëpi, heshtjen me forcë në klasë ose keqtrajtim gjatë ecjes në rrugë – kjo betejë është larg përfundimit. Gjatë këtij “viti të veprimit”, Kosova ka udhëhequr diskutimet globale për avancimin e të drejtave të grave duke qenë nikoqir i Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë me mbi 500 pjesëmarrës me ndikim në këtë fushë nga 6 kontinente, dhe në tetor të këtij viti do t’ju mirëpresim të gjithëve në edicionin e dytë në kryeqytetin tonë, në Prishtinë. Te nderuar kolegë, Përkushtimi ynë për demokraci nuk është vetëm një zotim i Samitit, është ekzistenca jonë e përditshme në vijën e parë të frontit përballë autokracive. Përkushtimi ynë ka qenë dhe do të jetë gjithmonë i pathyeshëm. Përkushtimi ynë për të punuar me partnerë në mbarë botën për ta mbrojtur dhe ushqyer atë, është po ashtu i pathyeshëm. Siç tha kohët e fundit Presidenti Biden: “Në momentet e trazirave të mëdha dhe pasigurisë, gjëja më e rëndësishme është të dish se çfarë përfaqëson. Dhe të dish se kush qëndron me ty, e bën gjithë dallimin.” Vetëm përmes bashkimit të forcave mund ta ndërtojmë një të ardhme ku demokracia është një realitet për të gjithë. Faleminderit!

Presidentja Osmani në Samitin e Dytë për Demokraci në seancë plenare me presidentin Macron, kryeministrin britanik, Sunak dhe kancelarin gjerman Scholz

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në Samitin e Dytë për Demokraci, të organizuar sot virtualisht nga Shtëpia e Bardhë. Në një seancë plenare, e cila do të zhvillohet në orën 15:00, Presidentja Osmani do të jetë folëse krahas liderëve botërorë: presidenti të Francës, Emmanuel Macron, kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, Rishi Sunak, kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz, kryeministrit të Suedisë, Ulf Kristersson, kryeministres së Islandës, Katrín Jakobsdóttir, presidenti të Kolumbisë, Gustavo Petro, si dhe krerëve të shtetesh e qeverive nga Zambia dhe Bahamas. Samiti për Demokraci do të hapet nga Presidenti Joe Biden në orën 12:00 dhe do të bashkojë vendet anekënd globit në përpjekjet e tyre për të konsoliduar vlerat demokratike dhe për t’i promovuar e fuqizuar tutje ato. Republika e Kosovës, përgjatë vitit që shkoi, ka arritur suksese të rëndësishme në të tri zotimet të cilat kishin për qëllim fuqizimin e sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit, luftimin e autoritarizmit, avancimin e të drejtave të njeriut, diversitetin dhe gjithëpërfshirjen me fokus në avancimin e të drejtave të grave dhe barazisë gjinore. Për shkak të këtij suksesi, nga më shumë se 100 shtete pjesëmarrëse, Presidenca e Republikës së Kosovës, si institucion udhëheqës në Kosovë përgjatë “Vitit të Veprimit”, në kuadër të Samitit për Demokraci, është përzgjedhur nga Shtëpia e Bardhë që të bashkudhëheqë me grupin tematik për sundim të ligjit.

Presidentja Osmani ka përkujtuar 24-vjetorin e Masakrës së Belegut të Deçanit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar 24-vjetorin e Masakrës së Belegut të Deçanit, kur forca policore, ushtarake dhe paramilitare të regjimit gjenocidal të Serbisë vranë dhe masakruan 46 shqiptarë. “Kjo masakër është një kujtim i dhimbshëm për jo vetëm për Belegun, por për gjithë Kosovën. Ajo tregon egërsinë e regjimit serb kundër popullit të Kosovës. Kujtimi i kësaj masakre është jo vetëm në funksion të mbajtjes gjallë të së vërtetës, por edhe motiv për të mos ndaluar së kërkuari drejtësi”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Presidentja Osmani priti kryetarin e Linzit, z.Klaus Luger

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim kryetarin e Linzit, në Austri, z.Klaus Luger, me të cilin bisedoi mbi bashkëpunimin e mirë të cilin e kultivojnë dy vendet tona, mbi modelet e bashkëpunimit në nivel lokal, si promotor i integrimit të shoqërisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, si dhe rolin të cilin mërgata e Kosovës në komunën e Linzit, por edhe në gjithë Austrinë, e ka pasur tradicionalisht. Presidentja Osmani theksoi përkrahjen e vazhdueshme të Austrisë ndaj Kosovës, qoftë gjatë vitet ’90, kur i njohu diplomat e Kosovës dhe ndihmoi në formimin e gjeneratave të tëra, qoftë pas luftës së Kosovës, kur ndihmoi në rindërtimin dhe zhvillimin e saj. Në takim u diskutua edhe për mundësitë e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Austrisë, veçanërisht në ekonomi, teknologjinë informative dhe arsim. Presidentja e falënderoi po ashtu kryetarin Luger për bashkëpunimin e frytshëm të Linzit me Podujevën dhe theksoi peshën që këto lloj bashkëpunimesh kanë në përmirësimin e ekonomive lokale dhe mirëqenien e qytetarëve tanë. Kryetari i Komunës së Linzit, z. Luger, ndërkaq, u shpreh i lumtur për vizitën dhe e falënderoi Presidenten për partneritetin e Kosovës me vendin e tij dhe qytetin e Linzit. Ai tha se mërgata e Kosovës është integruar shkëlqyeshëm në shoqërinë austriake dhe është shndërruar në faktor të rëndësishëm zhvillimi.

Presidentja: 24 vjet më parë, grupi paramilitar serb Scorpions, vrau 19 anëtarë të familjeve Duriqi, Bogujevci, Llugaliu dhe Gashi, kryesisht gra e fëmijë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar masakrën e kryer 24 vite më parë ndaj familjeve Duriqi, Bogujevci, Llugaliu dhe Gashi. Në vijim gjeni të plotë deklaratën e Presidentes Osmani: 24 vjet më parë, grupi paramilitar serb Scorpions, vrau 19 anëtarë të familjeve Duriqi, Bogujevci, Llugaliu dhe Gashi, kryesisht gra e fëmijë. Motivi i vetëm i tyre ishte se ata ishin shqiptarë. Po atë ditë, serbët kryen masakra edhe në vende të tjera të Kosovës duke dëshmuar se synim i vetëm i tyre ishte krijimi i tokës së djegur, nëpërmjet vrasjeve, masakrimit, zhdukjes së civilëve shqiptare dhe depërtimit të të tjerëve. Kjo masakër, sikur edhe të tjerat, është dëshmi e gjenocidit të kryer ndaj nesh. Sot, në 24-vjetorin e vrasjes, ne i kujtojmë më dhimbje viktimat e këtij terrori dhe i përkulemi kujtimit për ta.

Presidentja: Izbica është ndër dëshmitë e shumta të gjenocidit të shtetit serb që kishtë për qëllim ta shfaroste popullin shqiptar

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me kryeministrin Albin Kurti kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Izbicë. Presidentja Osmani ka thënë se sot në Izbicë përkujtojmë 147 të vrarë nga forcat gjenocidale serbe. “Kjo ka qenë një ndër masakrat më të tmerrshme të Serbisë, të shtetit gjenocidal serb ndaj popullit shqiptar. Dhe krimi nuk përfundoi me vrasjen dhe masakrimin e qytetarëve tanë në Izbicë, por u dyfishua atëherë kur forcat serbe zhvarrosën të vrarët dhe i rivarrosën ata në varreza masive nëpër vende të ndryshme në Serbi dhe në Kosovë. Trupat e tyre u gjetën vite më pas, duke përfshi edhe gjashtë muajshen Dafinën, që e tregon mizorinë e krimeve që Serbia i ka kryer në Kosovë”, ka thënë Presidentja Osmani. Tutje, Presidentja ka thënë se edhe Izbica është në ndër dëshmitë e shumta që shteti serb ka kryer gjenocid. “Edhe Izbica është në ndër dëshmitë e shumta që shteti serb ka kryer gjenocid dhe qëllimin e kishte që të shfaroste popullin shqiptar. Prandaj, edhe sot këtu e ndajmë dhimbjen me të gjitha familjet që kanë humbur më të dashurit e tyre, sepse dhimbja e tyre është dhimbje e Kosovës. Liria u bë e mundshme shkaku i të gjitha këtyre viktimave, shkaku i luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe natyrisht sakrificës së gjithë popullit tonë. Prandaj, lavdia për të gjithë ata që dhanë jetën për liri do të jetë e përjetshme”, ka theksuar Presidentja.

This site is registered on wpml.org as a development site.