presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i Presidentes Osmani në hapjen e konferencës “Diaspora Flet”

Faleminderit shumë!

Të nderuar organizatorë të konferencës “Diaspora Flet”,

Të dashur vëllezër e motra,

Të nderuar të pranishëm,

I nderuar Avni, mirë se je rikthyer në Kosovë,

I nderuar z. Mike, dhe të gjithë ju sot që jeni bashkuar në hapjen e kësaj konference kaq të rëndësishme që i dedikohet bashkëpunimit tonë me mërgatën tonë të çmueshme!

Është vërtet kënaqësi e jashtëzakonshme që të jemi bashkë me ju, duke ju drejtuar në lidhje me një temë që është thellësisht në zemrat e secilit prej nesh, pra mërgata jonë, e cila vazhdon të jetë një katalizator i ndryshimit pozitiv, jo vetëm në Kosovë, por anekënd botës.

Si shtet, kemi një histori të gjatë të individëve që kanë dëshmuar vazhdimisht se kontributi i tyre ka prekur pozitivisht jetën e shumë njerëzve. Sot, dua të theksoj mirënjohjen time ndaj secilit prej jush për angazhimin e pakursyer ndaj Republikës sonë. Mërgata jonë është sublimim i përpjekjeve të gjata e të kahershme për liri, për pavarësi dhe për shtetndërtim.

Shteti i Kosovës mban në vete edhe vulën e mërgatës sonë të çmuar, të cilët dikur e kanë mbështetur kauzën tonë, nëpërmjet aktivitetit politik e financiar, duke hapur dyert në qarqet vendimmarrëse në shtetet më të fuqishme të botës, duke krijuar raporte të cilat janë edhe sot të rëndësishme për Kosovën. E më pas, duke vazhduar me pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në luftën tonë çlirimtare duke u radhitur në radhët e UÇK-së, e duke lobuar edhe në shtetet ku janë duke vepruar, e duke vazhduar edhe sot investimin në atdheun e tyre.

Sot, mërgata jonë është burim i stabilitetit socio-ekonomik në Republikën e Kosovës. Kjo mërgatë ka nxjerrë emra të ndritshëm të historisë sonë kombëtare, disa nga të cilët u flijuan për Kosovën shtet.

Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Kadri Zeka, Agim Ramadani, Sali Çekaj, ushtarët e batalionit Atlantiku, Enver Hadri, e shumë e shumë të tjerë, janë emrat dhe heronjtë tanë që i japin kuptim lirisë dhe nëpërmjet të cilëve njihet botërisht edhe kontributi i diasporës në përpjekjet tona të gjata për liri. Shqiptarët e Amerikës të grumbulluar në shoqata të ndryshme kanë dhënë, e akoma japin ende kontribut të madh për shtetin e Kosovës. Krahas tyre është edhe mërgata jonë në Zvicër, Gjermani, Mbretëri të Bashkuar, e shumë e shumë shtete të tjera të Evropës e në mbarë botën.

Por, mërgata jonë edhe sot bën aq shumë për ne. Sipas të dhënave të BQK-së, mbi 3 miliardë euro është shuma e të hyrave nga mërgata gjatë vitit 2022. Kjo përbën një mbështetje të madhe jo vetëm për ekonomitë familjare, por mbi të gjitha për shtetin, për shtetin e Kosovës dhe fuqizimin e tij.

Por, përtej kësaj, mërgata është edhe vetë imazhi i Kosovës. Sukseset e saj janë suksese tonat. Sot është mburrje për ne që Ylfete Fanaj është ministre kantonale në Zvicër, Kosovare Asllani, e cila ka arritur majat më të larta në futboll, e futbollistët tanë të tjerë si: Xhaka, Shaqiri, Behrami, Muriqi, Rrahmani, e shumë të tjerë, që po shkëlqejnë me lojën e tyre. Boksierët Luan Krasniqi e Robin Krasniqi, që gjithashtu kanë arritur suksese të jashtëzakonshme në sportin e boksit.

Vazhdojmë pastaj me muzikën që është natyrisht një prej të arriturave të jashtëzakonshme të mërgatës sonë me yjet tona Dua Lipa e Rita Ora, të cilat tashmë janë bërë sinonime të sukseseve të jashtëzakonshme dhe vazhdojnë karrierën e tyre globale.

Ka edhe shumë e shumë shqiptarë, gjithandej nëpër botë që po shkëlqejnë në të gjitha profesionet pa dallim. Nga biznesi në art e nga politika në sport. Të gjithë këta e lartësojnë emrin e shtetit të tyre, emrin e atdheut të tyre, ndaj faleminderit secilit për kontributin për atdheun dhe për shtetin tonë!
Të nderuar pjesëmarrës,

Mërgata jonë është dëshmi e vlerave që na karakterizojnë si komb dhe si shtet. Ata kanë treguar se çdo gjë është e mundur kur punojmë së bashku dhe kur mbetemi të përkushtuar ndaj qëllimeve tona të përbashkëta. Prandaj, platformat si kjo sot janë mundësi e shkëlqyer për të nxitur bashkëpunimin dhe ndërveprimin mes nesh, por mbi të gjitha, për ta mbështetur njëri-tjetrin.

Tashmë, jemi dëshmitarë të shumë iniciativave të bashkëkombësve tanë që po lënë gjurmë në çdo cep të botës, duke qenë përkrahës të ndryshimeve pozitive dhe inovacioneve globale. Mërgata jonë ka themeluar biznese, ka udhëhequr hulumtime të rëndësishme, ka dhënë kontribut në fushën e artit, kulturës, ka luajtur rolet kyçe në politikë dhe në diplomaci anë e kënd botës. Ata kanë qenë, dhe vazhdojnë të jenë, një urë e rëndësishme ndërlidhëse mes Kosovës dhe botës, duke përfaqësuar vendin me dinjitet dhe krenari.

Mërgata është pjesë integrale e historisë sonë, e kulturës dhe çdo procesi shtetëror përgjatë viteve, e mbi të gjitha, pjesë e pandashme e vizionit tonë të përbashkët për të ardhmen. Keni mbështetjen, admirimin dhe mirënjohjen tonë për gjithçka që keni bërë për Kosovën, dhe për shqiptarët gjithandej dhe për gjithçka që vazhdoni të bëni për Kosovën dhe shqiptarët gjithandej. Ju me të vërtetë përfaqësoni më të mirën tonë, andaj të përkushtuar ndaj qëllimit të përbashkët, është e domosdoshme që bashkëpunimi ynë i çmueshëm të intensifikohet edhe më tej. Bashkë mund të ndërtojmë një të ardhme edhe më të mirë për të gjithë bashkëkombësit tanë, kudo që të jenë.

Sot, përballë sfidave të shumta në kontinenti tonë, është jetike që të vazhdojmë të qëndrojmë krah njëri tjetrit dhe të jemi të përkushtuar në vlerat të cilat na përcaktojmë neve si komb. Shteti i Kosovës ka krijuar kushte të favorshme për investime nga mërgata, ndaj është me rëndësi që përvojën dhe kapitalin ta investoni edhe këtu. Në këtë mënyrë mërgata do të mund të integrohet sa më shumë në ekonominë kosovare, ngase edhe ashtu është pjesë e pashkëputshme e saj.

Mërgata jonë sjell në Kosovë talent, ekspertizë dhe shpirt sipërmarrësie. Duke transferuar njohuritë, aftësitë dhe praktikat më të mira, mërgata ndihmon ekonominë tonë, rritë produktivitetin dhe promovon diversitetin ekonomik.

Është thelbësore që ne si shtet, e si shoqëri ta çmojmë mërgatën tonë si pjesë integrale të shoqërisë, të bashkëpunojmë ngushtë me ta për ta fuqizuar potencialin e tyre për të mirën tonë të përbashkët.

Dua ta kujtomë përherë, që ashtu siç mbetet Kosova përherë shtëpia juaj, për ne secili prej jush jeni një copëz shtëpi, një copëz Kosove anë e kënd botës, deri tek arbëreshët. Mbase nuk ua themi mjaftueshëm e me raste as fjalët nuk mjaftojnë, por ne e kuptojmë mallin tuaj, por edhe sakrificën e gjithsecilit prej jush. Në fakt, këto janë motiv shtesë i ynë i çdoditshëm që na shtyjnë përpara në qëllimin tonë për të punuar sa më mirë për Kosovën. Shumëçka që jemi sot është rezultat i asaj se çfarë keni bërë ju për vendin tonë. Andaj, çdo sukses i Kosovës, që ta dini është sukses edhe i juaji, është sukses i përbashkët. Prandaj, çdo sukses edhe në të ardhmen mund ta arrijmë vetëm e vetëm kur jemi të bashkuar dhe punojmë në sinkron me qëllim të zhvillimit të vazhdueshëm, e të qëndrueshëm të Republikës sonë.

Ju faleminderit për çdo gjë nga zemra dhe uroj që rrugët tona të gërshetohen përherë e të vijomë së bashku rrugëtimin tonë drejt majave gjithnjë e më të larta.

Ju uroj një konferencë të suksesshme!

 

This site is registered on wpml.org as a development site.