Faleminderit shumë,
Faleminderit shumë i nderuar zoti Palushi dhe nismëtar i hapjes së kësaj fabrike, siç e thatë ju me të drejtë me një mision jashtëzakonisht të rëndësishëm,
I nderuar kryetar Imri Ahmeti,
I nderuar kryetar Bali Muharremaj,
Zoti Rafuna,
Nënkryetar i komunës dhe shumë të dashur përfaqësues të Handikos-it dhe ju që do të punoni dhe do të na bëni të gjithëve krenar me punën tuaj në këtë fabrikë,
Jam shumë e lumtur që ndodhem në mesin tuaj në hapjen e këtij biznesi, i cili do të jetë jo vetëm në funksion të mbështetjes dhe përfitimit të personave me nevoja të veçanta, por edhe ndërgjegjësimit të sektorit të bizneseve dhe gjithë shoqërisë sonë.
Me këtë veprim ju po dëshmoni atë që duhet të dëshmohet nga të gjithë ne si shoqëri që krah personave me nevoja të veçanta duhet të jemi çdo ditë të jetës sonë.
Secili nga qytetarët tanë është unik, zotëron talent dhe zotëron një potencial të jashtëzakonshëm dhe ka perspektiva të ndryshme.
Është thelbësore që ne të krijojmë një shoqëri ku të gjithë kanë mundësi të barabarta për ta realizuar këtë potencial dhe për të kontribuuar si për vetveten , për familjen e vet po ashtu edhe për shtetin tonë.
Prandaj, nisma sikurse kjo sot, është në dobi të të gjithëve, ngase personat me nevoja të veçanta e meritojnë të jenë pjesëmarrës aktive edhe në botën e biznesit.
Bizneset gjithëpërfshirëse nuk kanë të bëjnë vetëm me përgjegjësinë sociale, por edhe me shfrytëzimin e potencialit të pashfrytëzuar deri më tani të personave me nevoja të veçanta.
Një mjedis gjithëpërfshirës dhe divers ofron mundësi të barabarta për të gjithë, dhe po ashtu nxit edhe inovacionin, kreativitetin dhe rritjen ekonomike. Në këtë mënyrë ne i thyejmë barrierat, i thyejmë stereotipet dhe i transformojmë pozitivisht jetët e tyre. Njerëzit me nevoja të veçanta posedojnë talente të ndryshme, të cilat shpesh nuk njihen, por duke inkurajuar pjesëmarrjen e tyre në biznes secila ndërmarrje mund t’i shfrytëzojë këto aftësi në mënyrë pozitive e unike duke i lejuar ata që ta shfaqin talentin e tyre dhe të japin kontribut domethënës në ekonomi.
Pra, bizneset sikur ky, ofrojnë jo vetëm të ardhura dhe pavarësi financiare për personat me nevoja të veçanta, por kontribuojnë pozitivisht në përparimin e gjithë shoqërisë sonë. Prandaj dua t’i inkurajoj edhe të gjitha bizneset tjera që të ndjekin shembullin tuaj dhe të marrin shembullin tuaj.
Si shoqëri dhe si shtet duhet të bëjmë vazhdimisht përpjekje për sa më shumë gjithëpërfshirje, t’i sfidojmë stereotipet të thyejmë stigmat.
Duke mbështetur këto biznese, ne dërgojmë një mesazh të fuqishëm se secili ka të drejtë t`i ndjekë ëndrrat dhe aspiratat e veta.
Për më tepër, bizneset, sado të mëdha apo të vogla që janë, mund ta luajnë një rol vendimtar duke ofruar programe mentorimi, praktika dhe mundësi punësimi për personat me nevoja të veçanta.
Pra, le t’i thyejmë këto barriera që pengojnë shpirtin sipërmarrës që e kanë personat me nevoja të veçanta.
Duke iu ofruar mbështetjen dhe burime të nevojshme ne mund të krijojmë një të ardhme ku secili pavarësisht nga botëkuptimi i tyre mund të realizojë potencialin dhe të kontribuojë në përmirësimin e mirëqenies së shoqërisë.
Sa më shumë punësim i personave me nevoja të veçanta, e ardhme më e ndritshme për vendin tonë dhe më gjithëpërfshirëse për të gjithë!
Fabrikës i uroj shumë suksese e bilanc pozitiv, ndërkaq të punësuarve punë të mbarë!
Krenohemi me ju!