presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i Presidentes Vjosa Osmani në ceremoninë e themelimit të Shoqatës së Miqësisë Kosovë-Austri

I nderuar kryeministër Kurti,

President Sejdiu,

I nderuar mik i Kosovës, eurodeputet Lukas Mandl

I nderuar ambasador i Austrisë në Kosovë,

Zoti Vranovci,

I nderuar ministër Peci,

Të nderuar të pranishëm,

Kryemyfti Tërnava dhe kryetar i Gjilanit,

Natyrisht miq e dashamir,

Të nderuar të pranishëm

Jam e nderuar që ndodhem në këtë akt solemn sot, për themelimin e Shoqatës së Miqësisë Kosovë-Austri.

Shteti i Kosovës është bërë edhe në saje të ndihmës dhe përkrahjes së pakusht nga miqtë e saj sikurse Austria, prandaj edhe themelimi i kësaj shoqate do të forcojë edhe më shumë miqësinë tashmë speciale ndërmjet të dy shteteve tona, e cila është edhe e hershme.

Në një kohë kur kontinenti ynë po përballet me rreziqe të shumta nga sistemet autokratike dhe hegjemoniste është tejet me rëndësi që shtetet tona të forcojnë lidhjet që popujt tanë po ashtu të forcojnë këto lidhje.

Fuqia e miqësisë midis vendeve është e pamatshme, ndërkaq dobia e popujve të të dy shteteve është jashtëzakonisht e madhe.

Ato ndërtohen mbi bazën e besimit, të vlerave dhe dëshirës për të punuar së bashku për të mirën e përgjithshme.
Ndërkaq bashkëpunimi i ndërsjellë ekonomik shërben edhe si një bazë për miqësitë afatgjata, duke promovuar kështu edhe stabilitetin dhe bashkëpunimin në shkallë globale.

Miqësia e Kosovës me Austrinë është sa e vjetër, po aq edhe e çmueshme. Duke u kthyer prapa në vitet e nëntëdhjeta, Otto von Habsburg, një mik i madh i Presidentit historik dr. Ibrahim Rugova dhe i gjithë popullit tonë, avokonte fuqishëm për t`i mbrojtur të drejtat dhe liritë e njeriut në Kosovë.

Ndërkaq në ditët e errëta të historisë sonë, kur regjimi gjenocidal i Serbisë mbylli shkollat dhe universitetin, ishte shteti i Austrisë dhe miku i Kosovës Erhard Busek, qysh u tha, që ju mundësoi të rinjve tanë që të vazhdojnë studimet atje duke qenë shteti i parë evropian që njohu diplomat tona.

Dëshmitë historike tregojnë se shteti i Austrisë vazhdimisht ndihmonte me shkollimin, shkencën, kulturën dhe pavarësinë e shqiptarëve, duke qenë po ashtu ndër shtetet e para që përkrahu të drejtën tonë për të qenë të lirë e të pavarur.

Ish-negociatori për statusin e Kosovës, diplomati austriak Albert Rohan, ishte po ashtu ndër mbështetësit më të mëdhenj të rrugës sonë drejt pavarësisë.

Prandaj një falënderim nga zemra për të gjithë miqtë austriak, që në periudha të ndryshme kohore na mbështetën në rrugëtimin tonë për liri, pavarësi dhe shtetndërtim, gjë që po dëshmohet edhe në ditët e sotme nëpërmjet zërit të fuqishëm të Lukas Mandl në Parlamentin Evropain dhe po ashtu zërit të deputetëve austriak në Parlamentin austriak.

Natyrisht se me Austrinë kemi edhe më shumë se lidhje historike, shumë e shumë referenca na bashkojnë nga e kaluara. Por, me Austrinë, mbi të gjitha na bashkon e ardhmja.

Duke qenë se ndajmë vlera të përbashkëta, sikurse identiteti evropian e vlerat evropiane, ne jemi të vendosur për të ecur në këtë rrugë.

Miqtë njihen në ditë të vështira, thotë populli ynë. Austria është shteti mik që na ka dalë në ndihmë vazhdimisht, ndaj themelimi i shoqatës së miqësisë është një domosdoshmëri, një respekt dhe një mirënjohje. Austria ishte me ne dje, është sot, e nuk kemi asnjë dyshim që do të jetë me ne edhe nesër!

Kjo shoqatë prandaj është një mundësi më shumë ndërmjet të dy vendeve tona për ta vazhduar traditën e miqësisë, e cila do t`i mbetet trashëgim brezave që do të vijnë pas nesh.

Miqësia ndërmjet nesh është një fanarë shprese në një botë gjithnjë e më të ndarë. Kjo miqësi është çelës për paqe, për prosperitetit dhe mirëkuptim ndërmjet kombeve dhe shteteve.

Teksa përpiqemi ta ndërtojmë një të ardhme më të mirë, le të kujtojmë fuqinë e miqësive dhe të punojmë drejt forcimit të lidhjeve mes popujve dhe shteteve tona.

Së bashku, ne mund ta bëjmë të mundshme një botë në të cilën triumfon miqësia dhe ku mirëkuptimi, bashkëpunimi e solidariteti përbëjnë fatin tonë!

Zoti e bekoftë miqësinë ndërmjet Kosovës dhe Austrisë!

Ju faleminderit!

 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.