Presidentja pranon letër-falënderimi nga Presidenti Erdoğan: Përpjekjet e ekipit tuaj të kërkimit dhe shpëtimit për të shpëtuar jetët e njerëzve të bllokuara në rrënojat do të kujtohen gjithmonë me mirënjohje

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pranuar letër-falënderimi nga Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, për ndihmën dhe mbështetjen e dhënë për tërmetet në Turqi. “Do të doja t’ju falënderoja në emër të kombit tim dhe emrin tim personal që keni ndarë dhimbjen tonë dhe keni dhënë mbështetje në një kohë të shkurtër duke dërguar mesazh ngushëllimi për tërmetet në Kahramanmaraş, të cilët prekën drejtpërdrejt dhjetë provinca me një fuqi shkatërruese që shkaktuan dhimbje të thellë për vendin tonë. Fakti që vendet mike na qëndrojnë pranë në raste të tilla të fatkeqësive natyrore na jep forcën për të duruar”, thuhet në letrën e Presidentit Erdoğan. Më tej në letrën e Presidentit Erdogan thuhet se ndihma e Republikës së Kosovës ka dhënë një kontribut të madh për njerëzit që po luftojnë me efektet tronditëse të tërmetit, “Ndihma juaj ka dhënë një kontribut të madh për njerëzit tanë që po luftojnë me efektet tronditëse të tërmetit në këto ditë të vështira dimri. Përpjekjet e ekipit tuaj të kërkimit dhe shpëtimit për të shpëtuar jetët e njerëzve të bllokuara në rrënojat do të kujtohen gjithmonë me mirënjohje”. “Me këtë rast përsëris urimet e mia më të mira për shëndetin dhe lumturinë tuaj, si dhe për mirëqenien dhe prosperitetin e popullit mik e vëllazëror të Kosovës”, përfundon letra e presidentit Erdoğan.
Presidentja kujton 40 burra, gra e fëmijë të lagjes “Dardania” në Pejë, të vrarë nga forca të regjimit gjenocidal të Serbisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar 40 burra, gra e fëmijë të lagjes “Dardania” në Pejë, të vrarë barbarisht nga forca të regjimit gjenocidal të Serbisë. Deklarata e plotë e Presidentes: Më 27 mars të vitit 1999, 40 burra, gra e fëmijë të lagjes “Dardania” në Pejë, u vranë barbarisht nga forca të regjimit gjenocidal të Serbisë. Sot i nderojmë të gjithë ata që u vranë në këtë ditë të trishtë dhe bashkëndjejmë me familjet e tyre. Ne jemi të vendosur që kujtimin për ta dhe betejën për drejtësi të mos i ndalojmë asnjëherë!
Presidentja Osmani përkujton 24 vjetorin e masakrës ndaj familjes Berisha

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar 24 vjetorin e masakrës ndaj familjes Berisha. Deklarata e plotë e Presidentes Osmani: 24 vjet më parë ndodhi masakra e tmerrshme ndaj një familjeje të tërë. 46 anëtarë të familjes Berisha u masakruan në pragun e shtëpisë, ndërsa kufomat iu bartën gjetiu. Fati deshi që tre nga ta, Vjollca me të birin dhe Shyhretja të shpëtonin. Sot ata e mbajnë gjallë kujtimin për anëtarët e vrarë dhe kujtesën për gjenocidin ndaj nesh. Ata janë kujtesa e dëshmia e këtij gjenocidi ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Presidentja: Zemrat e copëtuara të nënave, të grave, të motrave e të fëmijëve të krushjanëve ende kërkojnë drejtësinë e munguar

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë homazhe sot në Krushë të Madhe dhe Krushë të Vogël, në 24 vjetorin e masakrave të kryera në këto fshatra. Në vijim gjeni të plotë fjalimin e Presidentes Osmani: Shumë të nderuara familje të Krushës së Madhe, I nderuar kryetar Latifi, I nderuar kryetar i Komisionit qeveritar z. Andin Hoti, I nderuar kryetar i fshatit, Përfaqësues të familje të dëshmorëve dhe veteranëve të UÇK-së, Të nderuar përfaqësues të Organizatave të dala nga lufta, Të nderuar të pranishëm, I nderuar z. Gashi nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, Është vështirë të gjenden fjalë për të përshkruar dhembjen që e kaplon gjithë popullin e Kosovës, por në veçanti familjet e Krushës së Madhe dhe të fshatrave përreth ku sikurse çdo vit ne i përkujtojmë 241 burra e djem, 7 fëmijë e 5 gra, në mesin e të cilave njëra shtatzënë, të vrarë mizorisht në mënyrë më makabre nga regjimi gjenocidal i Serbisë. Teksa kujtojmë këtë ditë tmerri, plagët e Krushës së Madhe ende janë të hapura. Prej më tepër se njëzetë vjetësh, fati i intelektualit Ukshin Hoti ende mbetet i pazbardhur. I tillë mbetet edhe fati i 64 banorëve të Krushës së Madhe, të cilët ende figurojnë në listat e të zhdukurve me dhunë. Zemrat e copëtuara të nënave, të grave, të motrave e të fëmijëve të krushjanëve ende kërkojnë drejtësinë e munguar. Krimet e luftës asnjëherë nuk vjetërsohen njësoj sikurse edhe gjenocidi që kishte për qëllim shfarosjen e popullit shqiptar, ndaj sot dhe gjithnjë nuk do të ndalemi së kërkuari që autorët të vihen para drejtësisë dhe që fati i patriotit të madh Ukshin Hotit dhe i të gjithë krushjanëve të tjerë të zbardhet. Asnjëherë nuk duhet të heshtim, e as të dorëzohemi, ngase besojmë ende se shpirti human i botës demokratike nuk do të hesht në kërkim të drejtësisë për jetërat e pafajshme dhe familjarët e tyre të mbijetuar vetëm fizikisht, por me shpirt, me mendje e me zemër të dërmuar nga dhimbja e nga trishtimi i vazhdueshëm. Ne duhet të besojmë e të angazhohemi të gjithë së bashku për ta mbrojtur të vërtetën e cila po tentohet të tjetërsohet, dhe për ta vendosur drejtësinë. Ne vërtetë jemi të përkushtuar për paqen, por ua kemi borxh gjeneratave të ardhshme, që ta mbrojmë të vërtetën e patjetërsueshme. Dhe e vërteta është një, e vetëm një. Kosova bëri luftë të drejtë e çlirimtare, ndërkaq Serbia kreu gjenocid mbi popullin tonë. Këtë borxh e kemi ndaj lirisë e ndaj paqes, të cilat qëndrojnë mbi fatin e dhimbshëm të viktimave të Krushës dhe mijëra viktimave të tjera anekënd Kosovës. Krusha e Madhe është ndër rrëfimet më të tmerrshme të luftës sonë. Por, fatkeqësisht rrëfimi për Krushën e Madhe ende nuk ka mbaruar. Na duhet ende punë që krushjanët dhe të gjithë qytetarët tanë ta gjejnë paqen. Ideja e intelektualit Ukshin Hoti për lirinë, republikën dhe demokracinë ende nuk është përmbushur, sepse ende nuk kemi drejtësi për viktimat. Pra, na mbetet ta shlyejmë borxhin edhe ndaj tij. Nuk mund të ketë paqe e stabilitet në rajon pa zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë, sikurse edhe pa vënien e autorëve para drejtësisë. Të vërtetën për Krushën, të zhdukurit me dhunë dhe masakrat e tjera gjithandej Kosovës do ta mbrojmë me vendosmëri e do ta themi kudo e kurdo, e do ta bartim ndër breza. Ne synojmë paqen, por nuk do të heshtim asnjëherë duke mbajtur të gjallë kujtesën për krimet që ka bërë Serbia në Kosovë. Të nderuar banorë të Krushës, Të dashura familje, Ky përvjetor përkon edhe me fillimin e bombardimeve të NATO-s në Kosovë, e cila këtu dëshmohet më shumë se çdokund tjetër se sa e drejtë dhe e domosdoshme ka qenë. Heroizmi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ndihma nga Aleanca Veri-Atlantike e bën të mundshme realizimin e ëndrrës së shumë brezave për liri e për shtet. Sot Krusha frymon lirshëm sikurse e gjithë Kosova, por me plagë akoma të hapura. Liria ishte synimi i djemve e vajzave të UÇK-së, ndaj përulemi para sakrificës, vetëmohimit dhe guximit të gjithsecilit prej tyre. Siç dëshmuan ata në luftë, ju dëshmuat me kurajon tuaj, duke e ribërë e ringjallur Krushën, duke i dhënë jetë fshatit dhe duke dëshmuar motiv për secilin që ka pësuar nga lufta. Sot Krusha ruan në vete dy kujtime: atë për tmerrin e përjetuar më 26 mars ‘99, por edhe rrëfimin e besimit, vullnetit dhe të së ardhmes. Gratë e Krushës tashmë janë bërë personifikim i guximit, sakrificës dhe forcës duke e shndërruar dhimbjen në forcë për të tashmen dhe të ardhmen. Ato janë motiv për të ecur përpara. Rrëfimi jetësor i gjithë grave të Krushës është inspirim për të gjithë ne. Është e vërteta juaj, por edhe e vërteta jonë, e mbi të gjitha frymëzim për të gjithë qytetarët e Kosovës. Teksa shikojmë përpara, asnjëherë nuk do ta harrojmë të kaluarën, por të përpiqemi ta transformojmë atë në mundësi për brezat e ardhshëm. Ne nuk mund ta ndryshojmë tashmë të kaluarën, por kemi mundësi ta ndryshojmë të ardhmen duke e ndërtuar atë mbi respektin që kemi për të gjithë ata që dhanë jetën për liri! Krushjanë të nderuar, nderim i jashtëzakonshëm për sakrificën tuaj, qoftë i paharruar kujtimi për të vrarët dhe dëshmorët! Lavdi gjithë të rënëve!
Presidentja: Zemrat e copëtuara të nënave, grave, motrave e fëmijëve të Krushës së Madhe dhe asaj të Vogël, ende kërkojnë drejtësinë e munguar

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë homazhe në Krushë të Madhe dhe në Krushë të Vogël, në 24 vjetorin e masakrave në këto fshatra. Deklarata e plotë e Presidentes: Zemrat e copëtuara të nënave, grave, motrave e fëmijëve të Krushës së Madhe dhe asaj të Vogël, ende kërkojnë drejtësinë e munguar, 24- vjet nga mizoria e regjimit gjenocidal të Serbisë. Ne asnjëherë nuk do të heshtim, nuk do të dorëzohemi derisa drejtësia të vihet në vend, derisa të zbardhet fati i intelektualit Ukshin Hoti dhe të të zhdukurve të tjerë me dhunë. Këtë ia kemi borxh të kaluarës, të tashmes dhe të ardhmes sonë. Këtë ia kemi borxh vlerave të lirisë dhe paqes, të cilat qëndrojnë mbi fatin e dhimbshëm të viktimave të Krushës dhe mijërave të tjerave anekënd Kosovës. Liria jonë është rezultat i të rënëve, heronjve dhe kontributit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Presidentja Osmani: Asnjëherë nuk do të lejojmë që të harrohet asnjë masakër, të vërtetën për to do ta themi dhe ta mbrojmë kudo

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar 24-vjetorin e masakrës në Tërrnje të Suharekës. Deklarata e plotë e Presidentes Osmani: 24 – vjet më parë, forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë u futën në fshatin Tërrnje të Suharekës në orët hershme të mëngjesit dhe masakruan 46 fëmijë, gra e burra. Kjo shpërfaqë egërsinë e regjimit kriminal serb, i cili pati për cak banorët civilë, pavarësisht moshës. Më shumë se dy dekada pas kësaj dite tmerri, kujtimi për ta mbetet i përhershëm. Asnjëherë nuk do të lejojmë që të harrohet kjo masakër, sikurse edhe të gjitha të tjerat në gjithë Kosovën. Të vërtetën për to do ta themi dhe ta mbrojmë kudo. Qoftë i përhershëm kujtimi për të vrarët e Tërrnjes!
Presidentja: Në këtë përvjetor, e kujtojmë secilin civil që ra për lirinë e vendit dhe të gjithë dëshmorët e UÇK-së që e bën të mundshme lirinë tonë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar 24-vjetorin e masakrave nga regjimi gjenocidal i Serbisë, në të cilat u vranë 75 civilë në Celinë, 68 në Fortesë dhe 49 në Brestoc të Rahovecit. Deklarata e plotë e Presidentes Osmani: Sot bëhen 24-vjet që kur forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë vranë 75 civilë në Celinë, 68 në Fortesë dhe 49 në Brestoc të Rahovecit. Në këtë ditë në mbrojtje të popullsisë civile, ranë edhe pesë dëshmorë të UÇK-së. Në këtë përvjetor, e kujtojmë secilin civil që ra për lirinë e vendit dhe të gjithë dëshmorët e UÇK-së që e bën të mundshme lirinë tonë. Nuk mund të ketë paqe e stabilitet pa drejtësi për krimet që ka bërë Serbia kudo në Kosovë. Sjellja e kriminelëve para drejtësisë është përpjekje e jona e çdoditshme. Qoftë i përhershëm kujtimi për civilët dhe dëshmorët!
Presidentja Osmani përkujton avokatin Bajram Kelmendi dhe dy djemtë e tij, Kastriotin dhe Kushtrimin

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar avokatin Bajram Kelmendi dhe dy djemtë e tij, Kastriotin dhe Kushtrimin. Deklarata e plotë e Presidentes: Në ditën kur NATO vendosi t’i japë fund regjimit gjenocidal të Sllobodan Millosheviqit me fillimin e sulmeve ajrore, avokati Bajram Kelmendi dhe dy djemtë e tij, Kastrioti dhe Kushtrimi u rrëmbyen nga forcat serbe dhe u ekzekutuan në mënyrë barbare. Ekzekutimi i avokatit Kelmendi dhe djemve të tij ishte i planifikuar dhe shpërfaqje e egërsisë së regjimit kriminal serb në kohën kur liria jonë nisi të dukej në horizont. Do ta kujtojmë avokatin Kelmendi për angazhimin e palodhshëm në fushën e drejtësisë dhe nuk do të ndalojmë asnjëherë që vrasësit e tij dhe të dy djemve të vihen para drejtësisë. Qoftë i përjetshëm kujtimi për avokatin dhe bijtë e tij!
Presidentja Osmani përkujton Latif Berishën e Agim Hajrizin

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar humanistët Latif Berisha e Agim Hajrizi. Deklarata e plotë e Presidentes: Kur lufta jonë për çlirim mori hov dhe në të njëjtën ditë nisën bombardimet e NATO-s kundrejt caqeve të regjimit gjenocidal serb, Kosova humbi dy humanistë: shkrimtarin e intelektualin Latif Berisha dhe veprimtarin sindikal Agim Hajrizi së bashku më nënën dhe djalin. Që të dytë ishin veprimtarë të devotshëm të përpjekjes për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe që të dytë u vranë në të njëjtën ditë nga regjimi gjenocidal serb. Le të ruajmë kujtimin për ta krahas admirimit e respektit për punën dhe kontributin e tyre. Ata do të mbeten gjithmonë në kujtesën tonë dhe do të jenë frymëzuese për brezat e ardhshëm!
Presidentja: Epopeja e Dukagjinit është një nga ngjarjet më heroike të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për lirinë e vendit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar Epopenë e Dukagjinit. Presidentja Osmani ka thënë se Epopeja e Dukagjinit është një nga ngjarjet më heroike të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për lirinë e vendit. Në vijim gjeni të plotë deklaratën e Presidentes Osmani: Epopeja e Dukagjinit është një nga ngjarjet më heroike të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për lirinë e vendit. Më 24 mars 1998 forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë sulmuan Gllogjanin, teksa familja Haradinaj me qëndresën heroike tregoi se liria ishte e panegociueshme. Dëshmorët Himë Haradinaj, Gazmend e Agron Mehmetaj në këtë ditë ranë në altarin e lirisë, ndaj sot e përherë i kujtojmë me respekt, sikurse edhe të gjithë ata që luftuan dhe që përmbushën ëndrrën e brezave për shtet. Epopeja u zhvillua në të njëjtën ditë kur nisën bombardimet e NATO-s kundrejt caqeve të regjimit gjenocidal të Serbisë, ndaj ajo paraqet fillet e lirisë, vulën e së cilës ia dhanë veprimet ushtarake të Aleancës veri-Atlantike. Respekt dhe kujtim i përhershëm për të gjithë luftëtarët e UÇK-së dhe të gjithë miqtë tanë që mbështetën luftën tonë për liri dhe shtetndërtim!