Presidentja Osmani: Presidenti Rugova punoi për Kosovën deri në frymën e fundit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në përvjetorin e 18-të të vdekjes së atit themeltar të shetit të Kosovës, Presidentit, dr.Ibrahim Rugova, ka vizituar familjen e tij, ka bërë homazhe te varri dhe më pas ka marrë pjesë në akademinë përkujtimore në kuadër të Flakës së Janarit, e cila u mbajt nën patronatin e Presidentes. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Sot në vizitë te familja Rugova, në homazhe te varri ku prehet prijësi ynë e me akademi përkujtimore në kuadër të Flakës së Janarit, nderuam arkitektin e pavarësisë dhe atin themeltar të Republikës sonë, Presidentin Ibrahim Rugova. Ai punoi për Kosovën deri në frymën e fundit, ndërkaq ne e kemi borxh ta qojmë deri në fund vizionin e tij për Kosovën shtet të integruar në BE e në NATO e në miqësi të përhershme me SHBA. I përjetshëm kujtimi për Presidentin historik!
Presidentja Osmani: Presidenti Rugova do të mbetet përherë në themelet e shtetit të Kosovës, sepse përfaqëson frymën e lëvizjes dhe përpjekjeve të gjata për pavarësi

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë pjesë në Akademinë Përkujtimore për Presidentin historik Dr. Ibrahim Rugova. Presidentja Osmani, në fillim të fjalimit përkujtues për presidentin historik, citoi vargun e famshëm të poetit Ali Podrimja: “Unë biri yt, Kosovë”. “Nuk mund të kishte përshkrim më të fuqishëm e më të thellë për karakterin e një Presidenti i cili nuk ishte vetëm President, por më shumë se kaq, një shqiptar i lidhur fort për rrënjët, për kulturën e trashëgiminë e vendit të vet; njeri i dijeve, i cili studioi kulturën dhe e bëri të dukshme trashëgiminë e popullit të vet; prijës nga ata që, sikur thoshte at Zef Pllumi, ishte “ma i dijuni e ma i urti i të gjithëve”, ka thënë Presidentja Osmani. Sipas Presidentes Osmani, asgjë më mirë nuk mund ta tipizonte Presidentin Rugova më mirë e më thellë sesa shprehja “Unë biri yt, Kosovë”, e cila e lidhë me vendin, me popullin, me vlerat e trashëgimisë, si dhe me përkushtimin për ta krijuar shtetin e ruajtur lidhjen me aleancën euroatlantike. “Ai qe vërtet biri i Kosovës, i shërbeu asaj deri në frymën e fundit dhe për këtë e mori dashurinë e përhershme të popullit të saj”, ka theksuar Presidentja Osmani. Më tej, Presidentja Osmani ka thënë se Kosova ishte me fat që kishte njeriun e urtë e vizionar, i cili u shndërrua shpejt në simbol të rezistencës, në frymë që nuk shuhet, në flamur që nuk bie kurrë. “Ai qe mobilizues i jashtëzakonshëm i një populli të tërë mbi vlerat e lirisë, sepse e pati aftësinë intelektuale e morale për ta kultivuar e mbrojtur pa frikë fjalën e lirisë, mendimin e lirë. Ai nuk ngurroi ta shprehte kërkesën për lirinë e individit e lirinë kolektive të popullit, krahas asaj të krijimit. E, duke e kërkuar atë u shndërrua në model të prijësit, i cili na mësoi se si duhet ta mëtojmë e ta mbërrijmë lirinë, atë të brendshmen, si parakusht për ta fituar lirinë e jashtme. Ai e dinte se, nëse e ke fituar lirinë e brendshme, nëse mund t’i kundërvihesh ideologjisë e mendimit të egër, do ta fitosh edhe lirinë fizike, ngase do të mund t’i kundërvihesh edhe armikut mësymës; nëse je në gjendje ta refuzosh konceptualisht dhunën e ideologjitë e rrezikshme, atëherë do t’i refuzosh edhe praktikisht ato”, ka pohuar Presidentja. Sipas Presidentes Osmani, Presidenti Rugova i dha politikës dimensionin më të çmueshëm të saj, atë human. “Në personalitetin e Dr. Rugovës është simbolizuar historia e një kombi të sprovuar ndër shekuj. Sa më shumë e ka njohur historinë e popullit të tij, ai e ka njohur dhe kultivuar edhe filozofinë e popullit të tij. Sa më shumë e ka kultivuar ndjenjën e refuzimit si koncept filozofik, aq më shumë e ka njohur e kultivuar sjelljen e urtë e të matur, por jashtëzakonisht të vendosur; sprovat për të kanë qenë provë qëndrueshmërie, sa më shumë është sprovuar në jetë, në politikë e në letra, është bërë aq më i durueshëm, e më këmbëngulës. Ai fliste shkurt, por fjalët i kumbonin shumë. Jehona e tyre u ndie larg, dhe atë jo vetëm në Kosovë. Ai e rizgjoi ndjenjën kombëtare e ndjenjën për liri dhe bashkoi një popull të tërë rreth kësaj kauze. Mbase poezia “Unë biri yt, Kosovë”, poezia që na kujton se dashuria për atdheun është e pafund, mund të mbante sot edhe një titull tjetër: Ne bijtë e bijat e tu, Ibrahim Rugova, ati themeltar i Republikës sonë”, ka thënë Presidentja. Ajo, më tej ka thënë Presidenti Rugova do të mbetet përherë në themelet e shtetit të Kosovës, sepse ai përfaqëson frymën e lëvizjes dhe përpjekjeve të gjata për pavarësi. “Trashëgimia e tij politike është e jashtëzakonshme. Roli i tij në udhëheqjen e popullit të Kosovës drejt lirisë ishte vendimtar. Ai e orientoi Kosovën drejt vizionit euro-atlantik dhe solli vëmendjen e tërë botës demokratike në Kosovë. Vdekja e tij, në datën e acartë të 21 janarit të vitit 2006, nuk e zbehu asnjëherë jehonën e veprës së tij e kumbimin e përhershëm të personalitetit të tij. Përkundrazi, sot ai është fanar që na udhëheq teksa punojmë për mirëqenien dhe suksesin e vazhdueshëm të vendit tonë dhe popullit tonë”, ka shtuar Presidentja Osmani. Sipas Presidentes Osmani, për Presidentin Rugova miqësia e besimi ishin vlerë. Prandaj, i kultivonte fort miqësitë e i forconte ato. Njohu respektin e personaliteteve më të mëdha botërore, sepse dinte ta shprehte mirënjohjen ndaj miqve dhe të punonte ngushtë me ta. Këto miqësi, ishin aty kur ju deshtën më së shumti popullit të Kosovës. Amerika qe busulla orientuese për veprimin e tij politik e për ndërtimin e jetës demokratike, modeli i vyer dhe udhërrëfyesja e tij për Kosovën e lirë. “Përfundimisht, presidenti Rugova do të mbetet njeriu të cilin njerëzit e deshën dhe i besuan, por edhe prijësi i cili kurrë nuk e shpërdori këtë besim të popullit të tij. Lidhjen e tij me popullin e dëshmoi edhe vargu i pafund i njerëzve të cilët në ditën e shkuarjes së tij në amshim, më 21 janar 2006, nuk iu nënshtruan acarit e të ftohtit por pritën me orë të tëra, për ta përcjellur prijësin e tyre historik. Ky lum i pafund i njerëzve, shprehte dashurinë e pafund të një populli për atë që i priu qytetarëve tanë në një mision, në një kauzë, por mbi të gjitha, në një rrugëtim: rrugëtim drejt Kosovës së pavarur e sovrane, e integruar në Bashkimin Evropian e në NATO e në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka theksuar ndër të tjera Presidentja Osmani.
Fjalimi i Presidentes Vjosa Osmani në Akademinë Përkujtimore për Presidentin dr. Ibrahim Rugova

Presidentja Osmani: Sot përkujtojmë njeriun i cila ia kushtoi çdo ditë të jetës së tij lirisë dhe pavarësisë së vendit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë homazhe te varri i Presidentit historik dr. Ibrahim Rugova, në 18 vjetorin e vdekjes së tij. Presidentja Osmani ka thënë se sot përkujtojmë Presidentin historik të Republikës së Kosovës, Presidentin Ibrahim Rugova, atin themeltar dhe arkitektin e pavarësisë së vendit tonë. “Njeriun i cili ia kushtoi çdo ditë të jetës së tij lirisë dhe pavarësisë së vendit dhe punoi në radhë të parë bashkë me popullin e Kosovës, e në radhë të dytë bashkë me aleatët tanë në mënyrë që sot ta gëzojmë këtë të vërtetë pas shumë e shumë sakrificash të popullit tonë”, ka thënë Presidentja Osmani. Sipas Presidentes Osmani, Presidenti Rugova arriti që në një kohë jashtëzakonisht të vështirë për popullin tonë, të ndërtojë aleanca, të cilat edhe sot i duhen Kosovës. “Prandaj, sot e përjetë do t’i ruajmë këto aleanca, të cilat do të na ndihmojnë që të ecim përpara drejt realizimit të plotë të vizionit të Presidentit historik për një Kosovë të pavarur, sovrane, të integruar në BE e në NATO dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.I përjetshëm qoftë kujtimi për të!”, ka thënë Presidentja Osmani.
Presidentja: Biznese të fuqishme për një Kosovë më të zhvilluar ekonomikisht dhe më prosperuese

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka vizituar sot kompaninë “S//Sprint”, në Podujevë. “Vizitë në S//Sprint, biznes familjar e prodhues i mbi 100 produkteve të veshjeve, eksportues edhe në vende të tjera të Evropës, e mbi të gjitha kompani që ka të punësuara kryesisht gra. Biznese të fuqishme për një Kosovë më të zhvilluar ekonomikisht dhe më prosperuese!”, ka shkruar Presidentja Osmani.
Presidentja Osmani rithekson urgjencën për drejtësi për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në vazhdën e angazhimit dhe mbështetjes për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës, ka pritur në takim Shyrete Tahirin Sulimanin, e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës. Presidentja shprehu përkrahjen e saj të parezervë për të mbijetuarat e dhunës seksuale, duke theksuar rëndësinë e vënies së autorëve të këtyre krimeve të tmerrshme para drejtësisë. Më tej, ajo përsëriti thirrjen për një bashkëpunim të gjerë vendor dhe ndërkombëtar për garantimin e drejtësisë dhe përkrahjen ndaj viktimave. Presidentja Osmani përsëriti thirrjen për ta dënuar dhunën seksuale si armë të luftës në Kosovë e më gjerë. Ajo potencoi se nevojitet solidarizim dhe mbështetje e sinqertë përkrah të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës dhe falënderoi znj.Sylejmani për angazhimin e saj intensiv për këtë kauzë, si në Kosovë, ashtu edhe jashtë saj.
Presidentja Osmani priti në takim shefin e EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim shefin e EULEX-it, z. Giovanni Pietro Barbano. Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit të sigurisë dhe sundimit të ligjit. Presidentja Osmani dhe shefi i EULEX-it Barbano diskutuan edhe për bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe EULEX-it, brenda mandatit teknik të EULEX-it për monitorim, mentorim dhe këshillëdhënie.
Presidentja Osmani takoi të rinj nga mërgata pjesëmarrës në Programin për Diplomaci Qytetare në Kosovë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, u takua me të rinjtë nga mërgata të cilët janë pjesë e Programit për Diplomaci Qytetare. Presidentja u uroi mirëseardhje në Kosovë, duke i përgëzuar për përkushtimin e tyre për të përforcuar lidhjen e tyre me vendlindje, si dhe për angazhimin e vlefshëm përgjatë muajve në vijim në institucionet vendore. Tutje, Presidentja potencoi se përtej diplomacisë përfitimet e angazhimit të tyre janë shumëdimensionale, veçanërisht në sjelljen e ideve dhe perspektivave të reja. Presidentja përmendi angazhimin e grupeve të mëparshme të këtij Programi edhe me Zyrën e Presidentes, përfshirë Forumin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, si dhe iniciativën për mbjelljen e drunjve. Presidentja foli edhe për rëndësinë dhe kontributin jetik të mërgatës sonë në forcimin ekonomik, diplomatik dhe kulturor të Kosovës.
Presidentja Osmani priti në takim Ambasadorin Hovenier

Presidentja e Republikës së Kosovë, Vjosa Osmani, priti sot në takim të rregullt ambasadorin e SHBA-ve, Jeffrey Hovenier. Në këtë takim u diskutua për zhvillimet e fundit në vend, si dhe ato në rrafshin e bashkëpunimit bilateral. Në fokus të veçantë gjatë këtij takimi ishte miratimi i Programit të Shitjeve Ushtarake nga Departamenti i Shtetit të SHBA-ve. Me këtë rast, Presidentja Osmani e falënderoi ambasadorin Hovenier për angazhimin e tij të vazhdueshëm dhe vlerësoi lartë punën e institucioneve në të dyja anët. Presidentja Osmani dhe Ambasadori Hovenier diskutuan edhe për një sërë çështjesh të tjera të interesit të përbashkët dhe rikonfirmuan nevojën dhe gatishmërinë e bashkëpunimit dhe bashkrëndimit të vazhdueshëm me qëllim të përmbushjes së objektivave të përbashkëta.
Presidentja Osmani takoi komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka takuar komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, me të cilin diskutoi për situatën e sigurisë në vend. Ajo falënderoi KFOR-in për angazhimin e vazhdueshëm të kësaj force si reagues i tretë, për të garantuar siguri në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Në veçanti, ajo shprehu mirënjohje për KFOR-in, i cili ka shtuar numrin e trupave të cilat po mbështesin institucionet e Kosovës në patrullim të kufirit me Serbinë, në veçanti pas aktit të agresionit të Serbisë të 24 shtatorit. Presidentja Osmani në takim me komandantin Ulutaş, ka potencuar rëndësinë e vazhdimësisë së koordinimit në mes të KFOR-it dhe partnerit të saj primar të sigurisë, Policisë së Kosovës, si dhe koordinimit me të gjitha institucionet e sigurisë në Kosovë, në të mirë të stabilitetit e sigurisë për të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht etnisë. Presidentja po ashtu u informua rreth gjendjes së ushtarëve të forcës shumëkombëshe të lënduar në veri të Kosovës në maj. Ajo potencoi se bandat kriminale serbe të cilat sulmuan NATO-n fatkeqësisht akoma janë të lira dhe se pandëshkueshmëria ndaj atyre që kanë sulmuar KFOR-in në maj, është mesazh i keq dhe është inkurajim për Serbinë që të sulmojë prapë. Presidentja shprehu besimin e plotë se institucionet e Kosovës, në bashkëpunim me forcat aleate, do të frenojnë çdo sulm të mundshëm të Serbisë, duke ruajtur kështu paqen e stabilitetin në vend dhe në rajon.