DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Osmani: Sot përkujtojmë njeriun i cila ia kushtoi çdo ditë të jetës së tij lirisë dhe pavarësisë së vendit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë homazhe te varri i Presidentit historik dr. Ibrahim Rugova, në 18 vjetorin e vdekjes së tij.

Presidentja Osmani ka thënë se sot përkujtojmë Presidentin historik të Republikës së Kosovës, Presidentin Ibrahim Rugova, atin themeltar dhe arkitektin e pavarësisë së vendit tonë.

“Njeriun i cili ia kushtoi çdo ditë të jetës së tij lirisë dhe pavarësisë së vendit dhe punoi në radhë të parë bashkë me popullin e Kosovës, e në radhë të dytë bashkë me aleatët tanë në mënyrë që sot ta gëzojmë këtë të vërtetë pas shumë e shumë sakrificash të popullit tonë”, ka thënë Presidentja Osmani.

Sipas Presidentes Osmani, Presidenti Rugova arriti që në një kohë jashtëzakonisht të vështirë për popullin tonë, të ndërtojë aleanca, të cilat edhe sot i duhen Kosovës.

“Prandaj, sot e përjetë do t’i ruajmë këto aleanca, të cilat do të na ndihmojnë që të ecim përpara drejt realizimit të plotë të vizionit të Presidentit historik për një Kosovë të pavarur, sovrane, të integruar në BE e në NATO dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.I përjetshëm qoftë kujtimi për të!”, ka thënë Presidentja Osmani.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.