Presidentja uron kryeministrin Xhaferi: Dita e sotme shënon një moment të rëndësishëm për të gjithë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar kryeministrin e sapozgjedhur të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Urime, Kryeministër Talat Xhaferi! Dita e sotme shënon një moment të rëndësishëm për të gjithë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, duke reflektuar kontributin e tyre jetik në shtetësinë e vendit dhe rrugëtimin drejt integrimit euroatlantik. I uroj qeverisë dhe të gjitha institucioneve të Maqedonisë së Veriut suksese.

Presidentja Osmani u shpreh ngushëllime familjes dhe miqve për ndarjen nga jeta të akademik Feriz Krasniqit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani iu ka shprehur ngushëllime familjes, miqve, Universitetit të Prishtinës dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, për ndarjen nga jeta të akademik Feriz Krasniqit. Ngushëllimi i plotë i Presidentes Osmani: Jam thellësisht e pikëlluar nga shuarja e akademik Feriz Krasniqit, ish-rektor e prorektor i Universitetit të Prishtinës, si dhe ligjërues universitar. Kontributi i tij për themelimin e Universitetit të Prishtinës është tejet i çmuar, sikurse edhe puna e tij e palodhshme në sferën akademike, e cila mbetet testament për brezat dhe kujtim i përhershëm për të. Ju shpreh ngushëllime të sinqerta familjes, miqve, Universitetit të Prishtinës dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës!

Presidentja Osmani priti në takim ambasadoren greke Heleni Vakali

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim shefen e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Kosovë, ambasadoren Heleni Vakali. Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në vend, procesin e dialogut Kosovë-Serbi si dhe për thellimin e bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Greqisë në sfera të interesit të ndërsjellë. Presidentja Osmani foli edhe për rëndësinë e antarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, i cili është në interes të të gjithë qytetarëve pa dallim. Tutje, Presidentja ritheksoi nevojën e heqjes së masave të BE-së ndaj Kosovës, të cilat janë të padrejta dhe krijojnë mungesë ekuilibri në dialog.

Presidentja Osmani priti në takim presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në vizitë pune presidentin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski. Në takim me homologun e saj, Presidentja Osmani rikonfirmoi përkushtimin për vazhdimin e marrëdhënieve të shkëlqyeshme me Maqedoninë e Veriut. Shqiptarët në Maqedonisë së Veriut, sipas Presidentes Osmani janë urë lidhëse ndërmjet të dy shteteve dhe shtyllë e stabilitetit, por edhe e procesit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut. Presidentja Osmani ka falënderuar presidentin Pendarovski për përkushtimin e tij personal për raportet e shkëlqyeshme ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Sipas Presidentes Osmani, të dy shtetet kanë vizion të përbashkët për një Ballkan Perëndimor stabil dhe të integruar në BE. Më tej, Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen për mbështetjen dhe bashkëpunimin nga Maqedonia e Veriut, duke theksuar rëndësinë e përpjekjeve të përbashkëta për stabilitetin rajonal. Presidentja Osmani tha se me mbështetjen e shteteve mike sikurse Maqedonia e Veriut, Kosova mund të avancojë në rrugën e integrimit evropian. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani tha se anëtarësimi në Këshillin e Evropës është në funksion të mbrojtjes së të drejtave të njeriut të të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim. Sipas Presidentes Osmani, Kosova ka dëshmuar angazhim serioz në procesin e reformave rrënjësore, ndaj meriton ta marrë statusin e vendit kandidat në BE. Presidentja Osmani ka theksuar se Maqedonia e Veriut nuk është vetëm fqinje e Kosovës, por edhe partnere në shumë procese. “Procesi i integrimit evropian është prioritet që na bashkon dhe në këtë rrugë ne do të vazhdojmë ta ndihmojmë njëra-tjetrën”, ka theksuar Presidentja. Në këtë kontekst, sipas Presidentes Osmani, përfshirja e Kosovës në PfP, e më pas në NATO ka një rëndësi strategjike dhe gjithashtu është garanci për stabilitet jo vetëm të Kosovës, por edhe të rajonit. Të dy liderët pohuan se ekziston potenciali për thellimin e bashkëpunimit në fushën e shkëmbimit tregtar, kulturor, të shëndetësisë, arsimit, bujqësisë, turizmit, teknologjisë informative dhe fusha të tjera të interesit të përbashkët.

Fjalimi i Presidentes Vjosa Osmani në Kosova Business Forum

Mirëmëngjesi të gjithëve,   Të nderuar organizatorë, I nderuar zoti Panxha, Të nderuar sipërmarrës, Të dashura gra dhe vajza të jashtëzakonshme, Ju falënderoj për ftesën!   Më vjen shumë mirë që po e fillojmë këtë ditë së bashku, ne faktikisht e kishim një mëngjes me disa gra dhe burra sipërmarrës që vërtetë besojnë në kauzën e barazisë gjinore dhe mendoj që në mesin tuaj dhe tek vet ju ka një forcë jashtëzakonisht pozitive shtytëse që qëndron në vet themelet e zhvillimit ekonomik. Përderisa ne po takohemi në kuadër të “Kosova Business Forum”, në një format të tillë, natyrshëm se fokusi im siç e përmendi edhe Astriti do të jetë tek pjesëmarrja e vajzave dhe grave në biznes dhe në tregun e punës në përgjithësi. Po konfirmohet çdo ditë e më shumë që janë pikërisht vajzat dhe gratë përmes së cilave mund të arrihet potenciali i plotë ekonomik, të eksplorohen mundësitë e pashfrytëzuara e të kapitalizohen në plotni objektivat tona zhvillimore. Të dhënat, hulumtimet, raportet po e bëjnë gjithnjë e më të qartë se angazhimi i grave në biznes ndikon në rritje më të madhe ekonomike, në prosperitet dhe në zhvillim për të gjithë. Përderisa shpeshherë kjo temë trajtohet nën petkun e barazisë gjinore apo të drejtësisë sociale, duhet ta kuptojmë përfundimisht se përfshirja e barabartë e vajzave dhe grave nuk është thjeshtë gjëja më e drejtë për ta bërë, por është poashtu edhe çelësi kryesor për zhbllokimin e potencialit të plotë zhvillimor në vendin tonë e kudo tjetër.  Respektivisht, është parakusht për përmirësimin e mirëqenies së gjithmbarshme. Një gjë është e sigurt – kur gratë përparojnë dhe janë aktive në shoqëri, vet shoqëritë përparojnë dhe gëzojnë mirëqenie më të lartë. Gratë sjellin perspektivë; gratë sjellin risi; gratë sjellin progres. Bota jonë po përjeton një transformim të jashtëzakonshëm dhe në krye të këtij ndryshimi janë pikërisht gratë vizionare, të cilat po thyejnë barrierat dhe po riformësojnë peizazhin e biznesit dhe jo vetëm. Konsideroj se po përjetojmë një kohë vendimtare; një kohë kur talentet, aftësitë dhe vendosmëria e grave po njihen dhe po vlerësohen gjithnjë e më shumë. Jam e bindur se çdo ditë e më shumë, gjithëpërfshirja dhe mundësitë e barabarta nuk do të jenë thjeshtë fjalë, por parime bazë dhe parime udhëheqëse për çdo institucion, organizatë dhe kompani. Mirëpo, rruga drejt barazisë gjinore është e gjatë dhe ne duhet me ngulm të vazhdojmë të sfidojmë stereotipet, të luftojmë paragjykimet dhe të krijojmë mjedise ku çdo grua ndihet e fuqizuar për të shpalosur potencialin e saj të plotë. Në fakt, gratë kanë qenë gjithmonë shtylla kurrizore e shoqërive tona duke marrë për bazë rolin vendimtar që ato tradicionalisht kanë pasur në familje. Por, gratë janë shumë më shumë se kaq, janë burim i një energjie transformuese për shtetin dhe shoqërinë tonë. Ato po luajnë rol gjithnjë e më aktiv në shoqëritë tona. Dhe tashmë kjo po dëshmohet edhe përmes lidershipit të tyre të shquar në drejtim të korporatave, startup-eve, organizatave ekonomike dhe jo vetëm. Megjithatë, rrugëtimi i grave në biznes është i mbushur me sfida. Nga paragjykimet sistemike dhe mundësitë e pabarabarta, deri tek ajo që njihet si sfida e krijimit të balancit në mes të angazhimit profesional në njërën anë dhe jetës private në anën tjetër, një fenomen fatkeqësisht shumë pak i njohur për gjininë tjetër. Në këtë rrugëtim, krijimi i infrastrukturës së politikave publike mbështetëse është esencial. Kjo përfshin oraret fleksibile të punës, politikat e duhura të lejes prindërore dhe kujdesin e përballueshëm për fëmijët siç u tha edhe më herët nëpërmjet mundësisë së çerdheve të mjaftueshme në mënyrë që gratë të jenë të nxitura edhe më shumë të angazhohen në biznes, por edhe në jetën publike. Duke krijuar një mjedis ku gratë nuk duhet të zgjedhin midis karrierës dhe familjes së tyre, sepse mund t’i kenë të dyja, ne jo vetëm se ua lehtësojmë atyre angazhimin, por edhe i rrisim mundësitë dhe i fuqizojmë ato për sukses më të madh në çdo sektor dhe në çdo aspekt. Sot, në botën e biznesit, gjejmë veten të rrethuar nga histori frymëzuese të grave, të cilat kanë sfiduar shanset; kanë kthyer sfidat në mundësi; dhe i kanë shndërruar zhgënjimet apo ndonjë dështim eventual në hapa që i sjellin ato gjithnjë e më afër suksesit. Këto histori po aq sa janë të rëndësishme në rrafshin personal, ato shërbejnë si burim frymëzimi për të tjera vajza e gra që vijnë pas tyre. Vajzave të reja që hyjnë në botën e biznesit, unë dua t’ju them këtë: ju e keni rastin të bëheni pjesë e një transformimi shoqëror. Një transformim që beson fuqishëm në gjithpërfshirje dhe i cili përmes mundësive të barabarta hap dyert edhe për ato që mund të hezitojnë të përfshihen fillimisht ose që e shohin sipërmarrjen si një ëndërr të largët. Ndërsa, për profesionistet me përvojë në këtë sallë, dua të shpreh vlerësimin më të lartë për qëndrueshmërinë, mençurinë dhe shpirtin tuaj fitimtar. Ju keni hapur rrugën për shumë e shumë vajza dhe gra të tjera për të cilat dyert dikur ishin të mbyllura e mundësitë dukeshin të largëta. Por, puna juaj nuk është kryer. Trashëgimia juaj nuk duhet të jetë asnjëherë vetëm ajo që ju keni arritur. Arritja më e madhe është rruga që ju do të trasoni për të tjerat që vijnë pas jush në mënyrë që ato të  ecin më lirshëm e gjithnjë me më pak pengesa përpara. Ky forum sot dhe bashkëbisedimet që do të pasojnë janë momente për të festuar arritjet dhe punën e grave dhe vajzave anë e mbanë Kosovës e përtej, të cilat kanë punuar me ngulm për të  riformësuar narrativen e suksesit në botën e bizneseve. Ky aktivitet sot dhe puna juaj e çdoditshme na sjellin një hap më afër qëllimit tonë të përbashkët për krijimin e një mjedisi gjithëpërfshirës ku mundësitë janë të barabarta, dyert janë të hapura, dhe dëshira, puna e përkushtimi për rritje dhe zhvillim janë shtytësit kryesor drejt hapjes së  kapitujve të ri të suksesshëm të historisë zhvillimore të vendit tonë.   Faleminderit shumë për mundësinë dhe ju uroj

Presidentja Osmani priti në takim ambasadorin francez Olivier Guérot

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ambasadorin e Republikës Franceze në Kosovë, Olivier Guérot. Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në vend, procesin e dialogut Kosovë-Serbi si dhe bashkëpunimin bilateral në mes të Kosovës dhe Francës. Presidentja foli edhe për rëndësinë e avancimit të Kosovës në rrugëtimin e saj të integrimit evropian, si një vend që ka dëshmuar angazhim serioz përmes reformave rrënjësore. Në këtë takim, Presidentja ritheksoi përkushtimin e Kosovës për bashkëpunim të vazhdueshëm në mes të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Francës, në të mirë të qytetarëve të të dyja vendeve.

Presidentja Osmani në takim me ministrin për Çështje Evropiane të Republikës Çeke, Martin Dvořák: Anëtarësimi në Këshillin e Evropës në interes të të gjithë qytetarëve pa dallim

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim ministrin për Çështje Evropiane të Republikës Çeke, Martin Dvořák. Në fokus të diskutimit ndërmjet Presidentes Osmani dhe ministrit Dvořák, ishte situata aktuale politike dhe e sigurisë, forcimi i marrëdhënieve dypalëshe dhe stabiliteti rajonal. Presidentja Osmani, nënvizoi përkushtimin e palëkundur të Kosovës në rrugëtimin euroatlantik, duke theksuar domosdoshmërinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, i cili është në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim, përfshirjen në Partneritetin për Paqe, anëtarësimin në NATO, BE dhe organizata ndërkombëtare. Mëtej, Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Çekisë në forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës. Duke nënvizuar vazhdimin e mbështetjes së Republikës Çeke në këtë rrugëtim, Presidentja Osmani potencoi rëndësinë strategjike të përfshirjes së Kosovës në PfP, e më pas në NATO, si një garanci për stabilitet jo vetëm të Kosovës, por edhe të rajonit. Ndërlidhur më këtë, Presidentja Osmani, gjithashtu tha se Kosova meriton ta marrë statusin e vendit kandidat në BE, si vend që ka realizuar reforma rrënjësore. Në takim me ministrin Dvořák, Presidentja Osmani theksoi se sulmi terrorist dhe agresioni i 24 shtatorit në Banjskë, i mbështetur dhe sponzorizuar nga Serbia ishte përpjekje për ta minuar paqen dhe stabilitetin, jo vetëm të Kosovës, por të gjithë Ballkanit Perëndimor. Tutje, Presidentja Osmani theksoi nevojën e heqjes së masave të BE-së ndaj Kosovës, të cilat janë të padrejta dhe krijojnë mungesë ekuilibri në dialog. Duke spikatur marrëdhëniet e kahershme pozitive ndërmjet Kosovës dhe Republikës Çeke, të dy bashkëbiseduesit diskutuan edhe për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme të interesit të përbashkët.  

Presidentja Osmani priti në takim Shefin e Zyrës së BE-së, z. Tomas Szunyog

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, z. Tomas Szunyog. Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në vend, duke përfshirë sigurinë, si dhe bashkëpunimin e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre të Bashkimit Evropian me qëllim të përmbushjes së objektivave të përbashkëta.

Presidentja Osmani: Rritja ekonomike, punësimi dhe fuqizimi i prodhimit vendor janë çelës i suksesit për prosperitetin e familjeve dhe shtetit tonë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka vizituar biznesin “Albi Mall”, në Gjilan. Në vijim gjeni të plotë postimin e Presidentes Osmani: Rritja ekonomike, punësimi dhe fuqizimi i prodhimit vendor janë çelës i suksesit për prosperitetin e familjeve dhe shtetit tonë. Albi Mall në Gjilan, biznes familjar, i cili përfaqëson frymën sipërmarrëse të popullit dhe shtetit tonë, ka krijuar 500 vende të reja pune vetëm në Gjilan e mbi 1700 vende të reja në mënyrë indirekte nëpërmjet bashkëpunimit me biznese të tjera e prodhues vendor. Duke ndërtuar lidhje të forta ekonomike me qytetarët nga Lugina e Preshevës, biznese si Albi Group po i hapin rrugë bashkëpunimit dhe zhvillimit të përbashkët.

Presidentja Osmani: Presidenti Rugova punoi për Kosovën deri në frymën e fundit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në përvjetorin e 18-të të vdekjes së atit themeltar të shetit të Kosovës, Presidentit, dr.Ibrahim Rugova, ka vizituar familjen e tij, ka bërë homazhe te varri dhe më pas ka marrë pjesë në akademinë përkujtimore në kuadër të Flakës së Janarit, e cila u mbajt nën patronatin e Presidentes. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Sot në vizitë te familja Rugova, në homazhe te varri ku prehet prijësi ynë e me akademi përkujtimore në kuadër të Flakës së Janarit, nderuam arkitektin e pavarësisë dhe atin themeltar të Republikës sonë, Presidentin Ibrahim Rugova. Ai punoi për Kosovën deri në frymën e fundit, ndërkaq ne e kemi borxh ta qojmë deri në fund vizionin e tij për Kosovën shtet të integruar në BE e në NATO e në miqësi të përhershme me SHBA. I përjetshëm kujtimi për Presidentin historik!

This site is registered on wpml.org as a development site.