presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i Presidentes Vjosa Osmani në Kosova Business Forum

Mirëmëngjesi të gjithëve,

 

Të nderuar organizatorë,

I nderuar zoti Panxha,

Të nderuar sipërmarrës,

Të dashura gra dhe vajza të jashtëzakonshme,

Ju falënderoj për ftesën!

 

Më vjen shumë mirë që po e fillojmë këtë ditë së bashku, ne faktikisht e kishim një mëngjes me disa gra dhe burra sipërmarrës që vërtetë besojnë në kauzën e barazisë gjinore dhe mendoj që në mesin tuaj dhe tek vet ju ka një forcë jashtëzakonisht pozitive shtytëse që qëndron në vet themelet e zhvillimit ekonomik.

Përderisa ne po takohemi në kuadër të “Kosova Business Forum”, në një format të tillë, natyrshëm se fokusi im siç e përmendi edhe Astriti do të jetë tek pjesëmarrja e vajzave dhe grave në biznes dhe në tregun e punës në përgjithësi.

Po konfirmohet çdo ditë e më shumë që janë pikërisht vajzat dhe gratë përmes së cilave mund të arrihet potenciali i plotë ekonomik, të eksplorohen mundësitë e pashfrytëzuara e të kapitalizohen në plotni objektivat tona zhvillimore. Të dhënat, hulumtimet, raportet po e bëjnë gjithnjë e më të qartë se angazhimi i grave në biznes ndikon në rritje më të madhe ekonomike, në prosperitet dhe në zhvillim për të gjithë.

Përderisa shpeshherë kjo temë trajtohet nën petkun e barazisë gjinore apo të drejtësisë sociale, duhet ta kuptojmë përfundimisht se përfshirja e barabartë e vajzave dhe grave nuk është thjeshtë gjëja më e drejtë për ta bërë, por është poashtu edhe çelësi kryesor për zhbllokimin e potencialit të plotë zhvillimor në vendin tonë e kudo tjetër.  Respektivisht, është parakusht për përmirësimin e mirëqenies së gjithmbarshme.

Një gjë është e sigurt – kur gratë përparojnë dhe janë aktive në shoqëri, vet shoqëritë përparojnë dhe gëzojnë mirëqenie më të lartë. Gratë sjellin perspektivë; gratë sjellin risi; gratë sjellin progres.

Bota jonë po përjeton një transformim të jashtëzakonshëm dhe në krye të këtij ndryshimi janë pikërisht gratë vizionare, të cilat po thyejnë barrierat dhe po riformësojnë peizazhin e biznesit dhe jo vetëm.

Konsideroj se po përjetojmë një kohë vendimtare; një kohë kur talentet, aftësitë dhe vendosmëria e grave po njihen dhe po vlerësohen gjithnjë e më shumë. Jam e bindur se çdo ditë e më shumë, gjithëpërfshirja dhe mundësitë e barabarta nuk do të jenë thjeshtë fjalë, por parime bazë dhe parime udhëheqëse për çdo institucion, organizatë dhe kompani.

Mirëpo, rruga drejt barazisë gjinore është e gjatë dhe ne duhet me ngulm të vazhdojmë të sfidojmë stereotipet, të luftojmë paragjykimet dhe të krijojmë mjedise ku çdo grua ndihet e fuqizuar për të shpalosur potencialin e saj të plotë.

Në fakt, gratë kanë qenë gjithmonë shtylla kurrizore e shoqërive tona duke marrë për bazë rolin vendimtar që ato tradicionalisht kanë pasur në familje. Por, gratë janë shumë më shumë se kaq, janë burim i një energjie transformuese për shtetin dhe shoqërinë tonë. Ato po luajnë rol gjithnjë e më aktiv në shoqëritë tona. Dhe tashmë kjo po dëshmohet edhe përmes lidershipit të tyre të shquar në drejtim të korporatave, startup-eve, organizatave ekonomike dhe jo vetëm.

Megjithatë, rrugëtimi i grave në biznes është i mbushur me sfida. Nga paragjykimet sistemike dhe mundësitë e pabarabarta, deri tek ajo që njihet si sfida e krijimit të balancit në mes të angazhimit profesional në njërën anë dhe jetës private në anën tjetër, një fenomen fatkeqësisht shumë pak i njohur për gjininë tjetër.

Në këtë rrugëtim, krijimi i infrastrukturës së politikave publike mbështetëse është esencial. Kjo përfshin oraret fleksibile të punës, politikat e duhura të lejes prindërore dhe kujdesin e përballueshëm për fëmijët siç u tha edhe më herët nëpërmjet mundësisë së çerdheve të mjaftueshme në mënyrë që gratë të jenë të nxitura edhe më shumë të angazhohen në biznes, por edhe në jetën publike. Duke krijuar një mjedis ku gratë nuk duhet të zgjedhin midis karrierës dhe familjes së tyre, sepse mund t’i kenë të dyja, ne jo vetëm se ua lehtësojmë atyre angazhimin, por edhe i rrisim mundësitë dhe i fuqizojmë ato për sukses më të madh në çdo sektor dhe në çdo aspekt.

Sot, në botën e biznesit, gjejmë veten të rrethuar nga histori frymëzuese të grave, të cilat kanë sfiduar shanset; kanë kthyer sfidat në mundësi; dhe i kanë shndërruar zhgënjimet apo ndonjë dështim eventual në hapa që i sjellin ato gjithnjë e më afër suksesit. Këto histori po aq sa janë të rëndësishme në rrafshin personal, ato shërbejnë si burim frymëzimi për të tjera vajza e gra që vijnë pas tyre.

Vajzave të reja që hyjnë në botën e biznesit, unë dua t’ju them këtë: ju e keni rastin të bëheni pjesë e një transformimi shoqëror. Një transformim që beson fuqishëm në gjithpërfshirje dhe i cili përmes mundësive të barabarta hap dyert edhe për ato që mund të hezitojnë të përfshihen fillimisht ose që e shohin sipërmarrjen si një ëndërr të largët.

Ndërsa, për profesionistet me përvojë në këtë sallë, dua të shpreh vlerësimin më të lartë për qëndrueshmërinë, mençurinë dhe shpirtin tuaj fitimtar. Ju keni hapur rrugën për shumë e shumë vajza dhe gra të tjera për të cilat dyert dikur ishin të mbyllura e mundësitë dukeshin të largëta. Por, puna juaj nuk është kryer. Trashëgimia juaj nuk duhet të jetë asnjëherë vetëm ajo që ju keni arritur. Arritja më e madhe është rruga që ju do të trasoni për të tjerat që vijnë pas jush në mënyrë që ato të  ecin më lirshëm e gjithnjë me më pak pengesa përpara.

Ky forum sot dhe bashkëbisedimet që do të pasojnë janë momente për të festuar arritjet dhe punën e grave dhe vajzave anë e mbanë Kosovës e përtej, të cilat kanë punuar me ngulm për të  riformësuar narrativen e suksesit në botën e bizneseve.

Ky aktivitet sot dhe puna juaj e çdoditshme na sjellin një hap më afër qëllimit tonë të përbashkët për krijimin e një mjedisi gjithëpërfshirës ku mundësitë janë të barabarta, dyert janë të hapura, dhe dëshira, puna e përkushtimi për rritje dhe zhvillim janë shtytësit kryesor drejt hapjes së  kapitujve të ri të suksesshëm të historisë zhvillimore të vendit tonë.

 

Faleminderit shumë për mundësinë dhe ju uroj suksese gjatë forumit!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.