Presidentja Osmani ngushëllon familjen Metaj, për ndarjen nga jeta të profesorit universitar, Kadri Metaj

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka ngushëlluar familjen Metaj, për ndarjen nga jeta të profesorit universitar, Kadri Metaj. Ngushëllimi i Presidentes Osmani: E nderuar familje Metaj, Jam thellësisht e pikëlluar nga shuarja e filozofit e profesorit universitar, Kadri Metaj. Puna dhe kontributi i tij në sferën akademike, do të mbetet testament dhe kujtim i përhershëm për të. Ju shpreh ngushëllime të sinqerta familjes, miqve, Universitetit të Prishtinës dhe Shoqatës së Filozofëve të Kosovës! Në këto çaste të rënda për familjen, bashkëndjej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes. I përhershëm qoftë kujtimi për profesor Kadri Metajn!
Presidentja Osmani priti në takim Ambasadorin Hovenier

Presidentja e Republikës së Kosovë, Vjosa Osmani, priti sot në takim të rregullt ambasadorin e SHBA-ve, Jeffrey Hovenier. Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në vend, përfshirë zhvillimet në dialogun Kosovë-Serbi, si dhe përgatitjet që po bëhen lidhur me kërkesën për zgjedhje të reja në veri të vendit. Presidentja Osmani dhe Ambasadori Hovenier diskutuan edhe për një sërë çështjesh në rrafshin e bashkëpunimit bilateral, edicionin e sivjetëm të forumit ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, si dhe çështje të tjera të interesit të ndërsjellë.
Presidentja Osmani vizitoi kompaninë “Magic Ice”, në Lipjan

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka vizituar sot kompaninë “Magic Ice”, në Lipjan. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Bizneset e udhëhequra nga gratë si Syzana dëshmojnë më së miri lidershipin dinamik dhe shpirtin sipërmarrës të grave në këtë industri. Akullore, kos, djathë, speca me ajkë e kaçkavall, të gjitha produkte “Made in Kosova”. 🇽🇰 Me mbi 100 të punësuar, nga të cilët 90% janë gra, kompanitë si Magic Ice janë model për zhvillim të qëndrueshëm, në funksion të mirëqenies qytetare, por edhe të shtetit.
Fjalimi i Presidentes Osmani në ngjarjen e organizuar për Ditën e Përkujtimit të Holokaustit

Presidentja Osmani priti në takim kryetarin e KQZ-së, Kreshnik Radoniqi

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi. Në takim u diskutua lidhur me përgatitjet që po bëhen lidhur me kërkesën për zgjedhje të reja në veri të vendit, nëpërmjet mbledhjes së 20% të nënshkrimeve të trupit votues, ashtu siç parashihet në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale dhe Udhëzimin Administrativ të hartuar për këtë çështje. Presidentja shprehu besimin e saj se KQZ-ja, si institucion përgjegjës për administrimin e votimit, do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura dhe brenda afateve që ky proces të realizohet duke respektuar këtë të drejtë të qytetarëve në përputhje me procedurat dhe legjislacionin në fuqi.
Presidentja: Zahiri, Hakifi dhe Edmondi ishin nismëtarë të lirisë, frymëzues të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë homazhe tek shtatorja e Zahir Pajazitit, në 27 vjetorin e rënies së heronjve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha. Presidentja Osmani ka thënë se sot nderojmë heronjtë tanë, heronjtë e lirisë sonë Zahir Pajazitin, Hakif Zenjullahun dhe Edmond Hoxhën në 27 vjetorin e rënies së tyre në altarin e lirisë. “Ata ishin nismëtarë të lirisë, ata ishin frymëzues të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe nëpërmjet guximit të tyre, trimërisë së tyre dhe sakrificës së tyre inspiruan me mijëra djem e vajza të UÇK-së që të luftojnë për lirinë e Kosovës dhe ndërtuan themelet e forta për shtetin e pavarur dhe sovran të Republikës që e gëzojmë sot”, ka thënë Presidentja Osmani. Presidentja Osmani ka thënë se Zahiri, Hakifi dhe Edmondi dëshmuan se çmimi i lirisë është shumë i lartë. “Nëpërmjet luftës së tyre ndaj okupatorit serb, Zahiri, Hakifi dhe Edmondi dëshmuan se çmimi i lirisë është shumë i lartë. Por, është çmim të cilin populli i Kosovës nëpërmjet sakrificës së vet e pagoi duke e ditur që liria dhe pavarësia dhe shteti që e trashëguam nëpërmjet trimërisë dhe guximit të tyre është shtet i cili do të rrojë përgjithmonë, është shtet i cili do të vazhdojë të përparojë dhe është shtet që udhërrëfyes të vetëm e ka pikërisht trimërinë dhe sakrificën e heronjve, të cilët dhanë më të shtrenjtën e tyre, dhanë jetën e tyre për vendin tonë në mënyrë që brezat që janë sot me ne dhe brezat që do të vijnë pas nesh të jetojnë të lirë nga okupimi dhe të jetojnë të lirë nga regjimi gjenocidal i cili në atë kohë vrau edhe më të pafajshmit, edhe fëmijët në djep”, ka theksuar Presidentja. Më tej, Presidentja Osmani ka thënë se sot nderojmë këtë sakrificë pa të cilën asnjëri prej nesh nuk do të mund ta gëzonte të arriturën më të madhe të kombit tonë që është shteti i Kosovës.
Presidentja Osmani priti në takim ambasadorin e Gjermanisë, Jörn Rohde

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde. Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në vend, si dhe për mundësitë e thellimit tutje të bashkëpunimit Kosovë-Gjermani. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani dhe ambasadori Rohde biseduan për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, me ç’rast Presidentja Osmani potencoi rëndësinë e veçantë që ky proces të përmbyllet me sukses. Tutje, në takim u diskutua për një sërë nismash e projektesh të interesit të përbashkët, gjersa Presidentja Osmani foli edhe për edicionin e dytë të Forumit ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë si një platformë për ta avancuar bashkëpunimin bilateral në drejtim të përmbushjes së kësaj agjende.
Presidentja Osmani priti në takim përfaqësuesin Special të BE-së, Miroslav Lajčák

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani ka pritur sot në takim Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajčák. Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në procesin e dialogut me Serbinë, me ç’rast Presidentja Osmani ritheksoi përkushtimin e Kosovës si palë konstruktive në këtë proces. Presidentja theksoi se marrëveshja e Brukselit e 27 shkurtit 2023 dhe aneksi i Ohrit i 18 marsit 2023 duhet të zbatohen në plotni. Presidentja Osmani ritheksoi nevojën e heqjes së masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, të cilat janë të padrejta dhe krijojnë mungesë ekuilibri në dialog. Në këtë drejtim, ajo përsëriti se Kosova ka ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës, duke miratuar edhe udhëzimin administrativ, ndërkaq theksoi pritjet e saj që kjo e drejtë e qytetarëve të realizohet pa vonesa e në përputhje me procedurat dhe legjislacionin në fuqi. Në këtë takim u përshëndetën të arriturat e fundit sa i përket zbatimit të marrëveshjes për energji si dhe asaj për targa, si hapa drejt normalizimit të raporteve ndërmjet Kosovës e Serbisë. Sa i përket draftit të statutit të Asociacionit, Presidentja ritheksoi se institucioni i vetëm që mund ta interpretojë përfundimisht përputhshmërinë e këtij akti me Kushtetutën është Gjykata Kushtetuese e Kosovës, gjersa poashtu i shprehu shqetësimet e saj lidhur me disa dispozita të këtij drafti, të cilat mund të jenë sfiduese gjatë zbatimit në praktikë.
Presidentja Osmani pas takimit me ambasadoren Ziv: Arrihet dakordimi me Izraelin për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim ambasadoren e Shtetit të Izraelit në Republikën e Kosovës, Tamar Ziv. Në takim u diskutua për bashkëpunimin në mes të dy shteteve, si dhe për marrëveshjet ndërshtetërore në fusha të ndryshme të cilat pritet të nënshkruhen së shpejti. Ambasadorja Ziv e njoftoi Presidenten Osmani se pas kërkesës së Presidentes drejtuar institucioneve të Izraelit, qeveria e Izraelit ka shprehur pajtueshmërinë për miratimin e marrëveshjes për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës. Në këtë drejtim, të dy ministritë përkatëse do të vazhdojnë me procedurat e nënshkrimit të marrëveshjes dhe qytetarët do të njoftohen sapo vendimi të hyjë në fuqi. Përmes kësaj marrëveshje, qytetarëve të Kosovës do t’u mundësohet udhëtimi pa viza në Izrael për qëllime turistike. Presidentja Osmani e falënderoi ambasadoren Ziv për këtë vendim, si zhvillim pozitiv i cili do t’i hapë rrugë bashkëpunimit më të thelluar në mes të dy vendeve. Tutje, me rastin e përvjetorit të Ditës së Kujtimit të viktimave të Holokaustit, Presidentja Osmani përsëriti se Kosova kujton miliona njerëz të pafajshëm të humbur në një nga kapitujt më të errët të historisë së njerëzimit, dhe se kjo ditë shërben si rikujtim për pasojat shkatërruese që rrjedhin nga urrejtja dhe paragjykimi. Ambasadorja Ziv e informoi për situatën e sigurisë në Izrael, ndërsa Presidentja Osmani e informoi ambasadoren për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon.
Presidentja Vjosa Osmani përkujton 25 vjetorin e Masakrës në Rogovë të Hasit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar 25 vjetorin e Masakrës në Rogovë të Hasit. Përkujtimi i plotë i Presidentes Osmani: Më 27, 28 dhe 29 janar 1999, ndodhi një nga krimet më makabre në historinë e Kosovës – Masakra e Rogovës së Hasit. Forcat e regjimit gjenocidal të Millosheviqit, sulmuan brutalisht fshatrat Rogovë të Hasit, Goden e Bishtazhin të Gjakovës dhe masakruan 9 civilë, teksa në altarin e lirisë ranë edhe 21 luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nuk do t’i harrojmë asnjëherë jetët e pafajshme të marra në mënyrë brutale, sikurse edhe ata që ranë për lirinë tonë! Në përvjetorin e kësaj masakre, kërkesa për drejtësi është e domosdoshme në mënyrë që krime të tilla të mos përsëriten kurrë më! Qoftë i përhershëm kujtimi për dëshmorët dhe martirët e Rogovës së Hasit!