presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja: Zahiri, Hakifi dhe Edmondi ishin nismëtarë të lirisë, frymëzues të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë homazhe tek shtatorja e Zahir Pajazitit, në 27 vjetorin e rënies së heronjve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha.

Presidentja Osmani ka thënë se sot nderojmë heronjtë tanë, heronjtë e lirisë sonë Zahir Pajazitin, Hakif Zenjullahun dhe Edmond Hoxhën në 27 vjetorin e rënies së tyre në altarin e lirisë.

“Ata ishin nismëtarë të lirisë, ata ishin frymëzues të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe nëpërmjet guximit të tyre, trimërisë së tyre dhe sakrificës së tyre inspiruan me mijëra djem e vajza të UÇK-së që të luftojnë për lirinë e Kosovës dhe ndërtuan themelet e forta për shtetin e pavarur dhe sovran të Republikës që e gëzojmë sot”, ka thënë Presidentja Osmani.

Presidentja Osmani ka thënë se Zahiri, Hakifi dhe Edmondi dëshmuan se çmimi i lirisë është shumë i lartë.

“Nëpërmjet luftës së tyre ndaj okupatorit serb, Zahiri, Hakifi dhe Edmondi dëshmuan se çmimi i lirisë është shumë i lartë. Por, është çmim të cilin populli i Kosovës nëpërmjet sakrificës së vet e pagoi duke e ditur që liria dhe pavarësia dhe shteti që e trashëguam nëpërmjet trimërisë dhe guximit të tyre është shtet i cili do të rrojë përgjithmonë, është shtet i cili do të vazhdojë të përparojë dhe është shtet që udhërrëfyes të vetëm e ka pikërisht trimërinë dhe sakrificën e heronjve, të cilët dhanë më të shtrenjtën e tyre, dhanë jetën e tyre për vendin tonë në mënyrë që brezat që janë sot me ne dhe brezat që do të vijnë pas nesh të jetojnë të lirë nga okupimi dhe të jetojnë të lirë nga regjimi gjenocidal i cili në atë kohë vrau edhe më të pafajshmit, edhe fëmijët në djep”, ka theksuar Presidentja.

Më tej, Presidentja Osmani ka thënë se sot nderojmë këtë sakrificë pa të cilën asnjëri prej nesh nuk do të mund ta gëzonte të arriturën më të madhe të kombit tonë që është shteti i Kosovës.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.