Presidentja Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadori jorezident i Norvegjisë, Andreas Gaarder

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pranoi sot letrat kredenciale nga ambasadori jorezident i Norvegjisë për Republikën e Kosovës, Andreas Gaarder, të cilin e ka uruar për detyrën. Sipas Presidentes Osmani, marrëdhëniet ndërmjet të dy shteteve janë shumë të mira, ndaj në këtë kontekst, shfaqi besimin se ato do të intensifikohen edhe më tej gjatë mandatit të ambasadorit Gaarder. Në takim me ambasadorin Gaarder, Presidentja Osmani ka folur edhe për zhvillimet aktuale politike dhe të sigurisë në vend dhe ka theksuar se Kosova do të punojë së bashku me aleatët ndërkombëtar për të vazhduar kontributin për paqe, siguri, stabilitet të qëndrueshëm, si dhe për ta fuqizuar pozitën ndërkombëtare të Kosovës. Presidentja Osmani dhe ambasadori Gaarder kanë diskutuar për thellim të bashkëpunimit mes dy shteteve në fushën e politikës së jashtme, ekonomisë dhe fusha të tjera të interesit reciprok.
Presidentja Osmani priti në takim ambasadorin jorezident të Japonisë në Kosovë, Ryuta Mizuuchi

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ambasadorin jorezident të Japonisë në Kosovë, Ryuta Mizuuchi, me të cilin konfirmuan raportet e shkëlqyera midis dy shteteve, të cilat këtë vit shënojnë 15 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Në takim me ambasadorin Mizuuchi, Presidentja Osmani tha se Japonia mbetet një partnere e Kosovës dhe mbështetëse e vazhdueshme, teksa falënderoi ambasadorin Mizuuchi për projektet e shumta, të cilat Japonia po i realizon në Kosovë përmes Agjencisë Japoneze të Bashkëpunimit Ndërkombëtar (JICA). Presidentja Osmani potencoi përkushtimin e Kosovës në rrugëtimin euroatlantik, duke theksuar domosdoshmërinë e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, por edhe të afirmimit ndërkombëtarë të saj. Me ambasadorin Mizuuchi, Presidentja Osmani diskutoi edhe për një sërë çështjesh në fushën e bashkëpunimit bilateral, edicionin e sivjetëm të Forumit ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë dhe çështje tjera me rëndësi të interesit të përbashkët. Të dy bashkëbiseduesit shtruan nevojën e thellimit të raporteve bilaterale dhe intensifikimit të bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, edukimit, dhe shëndetësisë.
Presidentja Osmani priti në takim lamtumirës ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim lamtumirës ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott, të cilin e ka falënderuar për bashkëpunimin dhe kontributin e vazhdueshëm në thellimin e marrëdhënieve ndërmjet të dy shteteve. Në takim, Presidentja Osmani vlerësoi lart angazhimin personal të ambasadorit Abott, i cili përveç rolit në promovimin e marrëdhënieve reciproke, mbështeti edhe shumë kauza të rëndësishme për shoqërinë kosovare. “Ambasadori Abbott, për ne ju jeni më shumë se një përfaqësues diplomatik. Ju jeni një mik i vërtetë i Kosovës, një bashkëpunëtor i çmuar dhe një mbështetës i palëkundshëm i aspiratave tona për një shoqëri të lirë, të hapur dhe të drejtë. Përkrahja juaj e vazhdueshme për të drejtat e njeriut, paqen dhe integrimin e Kosovës në familjen euroatlantike, si dhe fuqizimin e përgjithshëm ndërkombëtar të saj tregon përkushtimin tuaj ndaj Kosovës”, është shprehur Presidentja Osmani. Presidentja Osmani i ka uruar ambasadorit Abbott sukses në angazhimet e mëtejme, duke e konsideruar një mik të Kosovës, i cili do të jetë gjithnjë i mirëseardhur në shtetin tonë. Në takim, u shpreh gatishmëria e të dy bashkëbiseduesve që Kosova dhe Mbretëria e Bashkuar të vazhdojnë edhe më tej bashkëpunimin në fusha të ndryshme, duke përfshirë çështjet e sigurisë, zhvillimin ekonomik, arsimin, kulturën dhe përforcimin e lidhjeve njerëzore ndërmjet qytetarëve të dy shteteve.
Presidentja Vjosa Osmani priti në takim ambasadorin e Gjermanisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ambasadorin e Gjermanisë, Jörn Rohde. Në takim u diskutua për raportet bilaterale dhe partneritetin e dalluar në aspektin e bashkëpunimit zhvillimor. Tutje, ata kanë diskutuar edhe për vizitën produktive dhe të rëndësishme të Ministrit të mbrojtjes të Gjermanisë në Kosovë, me ç’rast u konfirmua përkushtimi i përbashkët për thellim të metejmë të raporteve bilaterale. Me këtë rast, Presidentja Osmani dhe ambasadori Rohde diskutuan edhe për zhvillimet e fundit në vend, për përgatitjet për shënimin e 16 vjetorit të pavarësisë si dhe për hapat e institucioneve përkatëse ndërlidhur me planin e tranzicionit për zbatimin e rregullores së fundit të BQK-së.
Presidentja Osmani priti në takim Ambasadorin Hovenier

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim të rregullt ambasadorin e SHBA-ve, Jeffrey Hovenier. Presidentja Osmani dhe Ambsadori Hovenier diskutuan për zhvillimet e fundit në vend, duke vënë në pah përkushtimin e përbashkët për të avancuar gjithnjë e më shumë demokracinë dhe sundimin e ligjit në vend. Në takim diskutuan edhe për hapat e fundit drejt fuqizimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë. Në prag të 16 vjetorit të pavarësisë, Presidentja Osmani vuri theks të veçantë tek rëndësia e thellimit të bashkëpunimit bilateral në çdo fushë në dobi të qytetarëve dhe më qëllim të konsolidimit të mëtutjeshëm të aleancës së përhershme me SHBA-të.
Presidentja Osmani priti në takim ambasadorin e Turqisë, Sabri Tunç Angılı

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ambasadorin e Republikës së Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı, me të cilin diskutuan për zhvillimet e fundit në vend, si dhe për raportet bilaterale Kosovë-Turqi. Presidentja Osmani tha se Turqia mbetet një partnere e Kosovës dhe mbështetëse e vazhdueshme. Në këtë kontekst, Presidentja potencoi përkushtimin e Kosovës në rrugëtimin euroatlantik, duke theksuar domosdoshmërinë e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe njohjes ndërkombëtare të saj, me ç’rast kërkoi mbështetjen e vazhduar të Turqisë. Në takim me ambasadorin Angılı, Presidentja Osmani ka theksuar edhe përkushtimin e Kosovës për thellimin e raporteve bilaterale dhe intensifikimit e bashkëpunimit ekonomik, si dhe atë në politikën e jashtme me Turqinë. Presidentja Osmani dhe ambasadori Angılı diskutuan edhe për një sërë çështjesh në fushën e bashkëpunimit bilateral, edicionin e sivjetëm të Forumit ndërkombëtar për Gratë, Paqën dhe Sigurinë, si dhe çështje tjera të interesit të ndërsjellë.
Konferenca e përbashkët për media e Presidentes Vjosa Osmani me ministrin federal të Mbrojtjes së Gjermanisë, Boris Pistorius
Presidentja Osmani: Ngjarjet e 3-4 shkurtit 2000 në Mitrovicë, kujtesë e trishtë e përpjekjes për mbijetesë dhe mbrojtje të lirisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar ditët e tmerrit të 3-4 shkurtit të vitit 2000 në Mitrovicë, kur nga bandat kriminale serbe u vranë 10 civilë, 25 u plagosën, ndërkaq 1564 familje me 11364 anëtarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Në kujtim të dy netëve të tmerrit të 3-4 shkurtit të vitit 2000, në Mitrovicë, sot nderojmë jetët e humbura të 10 qytetarëve të pafajshëm, mes tyre pleq, gra dhe fëmijë, të cilët u vranë mizorisht nga bandat kriminale, të nxitura nga Serbia. Respekt edhe për 25 të plagosur, të cilët mbijetuan dhe jetojnë ende me plagë fizike dhe emocionale nga nata e tmerrit. 1,564 familje me 11,364 anëtarë, të shpërngulur me forcë nga shtëpitë e tyre janë dëshmi e tendencës për spastrim etnik të kësaj pjesë të Mitrovicës nga grupet kriminale. Ngjarjet e atyre dy netëve të tmerrit, shërbejnë si një kujtesë e trishtë e përpjekjes për mbijetesë dhe për ta mbrojtur lirinë e arritur me gjak e sakrificë. Vënia e autorëve të krimit para drejtësisë është domosdoshmëri në funksion të paqes afatgjate! Qoftë i përhershëm kujtimi për të vrarët më 3-4 shkurt 2000 në Mitrovicë!
Presidentja Osmani u takua me Ministrin e Jashtëm të Sudanit Jugor, James Pitia Morgan

Me ftesë të Presidentit të Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, po merr pjesë në Forumin Diplomatik të Antalisë. Në kuadër të këtij Forumi, Presidentja Osmani është takuar Ministrin e Jashtëm të Sudanit Jugor, James Pitia Morgan. Presidentja Osmani ka thënë se gjatë takimit me Ministrin e Jashtëm të Sudanit Jugor, James Pitia Morgan, diskutuam potencialin për forcimin e bashkëpunimit midis vendeve tona. “Kosova është e përkushtuar të vazhdojë të ndërtojë partneritete të reja me shtete anembanë globit”, ka shkruar Presidentja Osmani.
Presidentja Osmani ngushëllon familjen Metaj, për ndarjen nga jeta të profesorit universitar, Kadri Metaj

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka ngushëlluar familjen Metaj, për ndarjen nga jeta të profesorit universitar, Kadri Metaj. Ngushëllimi i Presidentes Osmani: E nderuar familje Metaj, Jam thellësisht e pikëlluar nga shuarja e filozofit e profesorit universitar, Kadri Metaj. Puna dhe kontributi i tij në sferën akademike, do të mbetet testament dhe kujtim i përhershëm për të. Ju shpreh ngushëllime të sinqerta familjes, miqve, Universitetit të Prishtinës dhe Shoqatës së Filozofëve të Kosovës! Në këto çaste të rënda për familjen, bashkëndjej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes. I përhershëm qoftë kujtimi për profesor Kadri Metajn!