presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Osmani priti në takim përfaqësuesin Special të BE-së, Miroslav Lajčák

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani ka pritur sot në takim Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajčák.

Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në procesin e dialogut me Serbinë, me ç’rast Presidentja Osmani ritheksoi përkushtimin e Kosovës si palë konstruktive në këtë proces. Presidentja theksoi se marrëveshja e Brukselit e 27 shkurtit 2023 dhe aneksi i Ohrit i 18 marsit 2023 duhet të zbatohen në plotni.

Presidentja Osmani ritheksoi nevojën e heqjes së masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, të cilat janë të padrejta dhe krijojnë mungesë ekuilibri në dialog. Në këtë drejtim, ajo përsëriti se Kosova ka ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës, duke miratuar edhe udhëzimin administrativ, ndërkaq theksoi pritjet e saj që kjo e drejtë e qytetarëve të realizohet pa vonesa e në përputhje me procedurat dhe legjislacionin në fuqi.

Në këtë takim u përshëndetën të arriturat e fundit sa i përket zbatimit të marrëveshjes për energji si dhe asaj për targa, si hapa drejt normalizimit të raporteve ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Sa i përket draftit të statutit të Asociacionit, Presidentja ritheksoi se institucioni i vetëm që mund ta interpretojë përfundimisht përputhshmërinë e këtij akti me Kushtetutën është Gjykata Kushtetuese e Kosovës, gjersa poashtu i shprehu shqetësimet e saj lidhur me disa dispozita të këtij drafti, të cilat mund të jenë sfiduese gjatë zbatimit në praktikë.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.