Presidentja: Ushtria e Kosovës po fuqizohet dita-ditës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se Ushtria e Kosovës po fuqizohet dita-ditës, si partnere e besueshme e ushtrive aleate në NATO. “Ushtria e Kosovës po fuqizohet dita-ditës, si partnere e besueshme e ushtrive aleate në NATO. Sot përgëzova Ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe Komandantin e FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari për angazhimin e institucioneve tona të mbrojtjes në misionin e shenjtë që kanë”, ka shkruar Presidentja Osmani.

Presidentja: Jusuf e Bardhosh Gërvalla, bashkë me Kadri Zekën, ndoqën rrugën e së vërtetës, nderit dhe lirisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca dhe zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, kanë bërë homazhe te varret e Jusuf dhe Bardhosh Gërvallës, në Dubovik. Më pas, Presidentja Osmani dhe kryetari Konjufca kanë vendosur kurorë lulesh te busti i Kadri Zekës, në Prishtinë. Në vijim gjeni të plotë përkujtimin e Presidentes Osmani: Në guximin e tyre e gjejmë frymëzimin, në sakrificën e tyre, heroizmin! Në 42-vjetorin e vrasjes, sot nderojmë tri personalitete të guximshme, të cilat ishin cak i një atentati politik. Me veprën e tyre ata u përjetësuan në heronj. Jusuf e Bardhosh Gërvalla, bashkë me Kadri Zekën, ndoqën rrugën e së vërtetës, nderit dhe lirisë! Të tre kolosët punuan me nder, ndaj sot e përherë do të jenë të nderuar nga ne dhe brezat që do të vijnë. Qoftë i përjetshëm kujtimi për Jusufin, Bardhoshin e Kadriun!

Përkujtimi i Presidentes për deputetin Smajl Hajdaraj

22 vjet më parë u vra deputeti i Kuvendit të Kosovës, Smajl Hajdaraj. Smajli ishte aktivist shumëvjeçar për lirinë e Kosovës dhe më pas luftëtar për lirinë e saj, si komandant i UÇK-së për rajonin e Rugovës. Me veprimin e tij të pashkëputur atdhetar ai dha shembullin e njeriut të përkushtuar ndaj vendit të tij. Kujtimi për patriotin dhe luftëtarin e pathyeshëm do të mbetet i përjetshëm, sikundër që thirrja jonë drejtuar organeve të drejtësisë për t’i sjellë autorët e krimit para drejtësisë do të jetë e vazhdueshme.

Presidentja Osmani kujton përvjetorin e vdekjes së heroit të kombit, Gjergj Kastrioti

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar përvjetorin e heroit të shqiptarëve, strategut luftarak e projektuesit të parë të shtetit europian të shqiptarëve, Gjergj Kastrioti. Përkujtimi i plotë: Sot kujtojmë përvjetorin e vdekjes së heroit të shqiptarëve, strategut luftarak e projektuesit të parë të shtetit europian të shqiptarëve, Gjergj Kastriotit, njeriut që orientimin perëndimor të shqiptarëve e kultivoi në vendosmërinë për ta ruajtur e mbrojtur atdheun e vet e për të krijuar aleanca të fuqishme me perëndimin. I përjetësuar në qindra vepra arti, ai e njohu për të gjallë madhështinë e të bëmave të veta, jehona e së cilave u rrit me kalimin e kohës, duke u shndërruar në busullë orientuese për ne. Lavdi, Gjergj Kastrioti!

Presidentja Osmani ngushëllon familjen, komunitetin e gazetarëve dhe shkrimtarëve për ndarjen nga jeta të gazetarit e shkrimtarit Adem Gashi

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani iu ka shprehur ngushëllime familjes, komunitetit të gazetarëve dhe shkrimtarëve për ndarjen nga jeta të gazetarit e shkrimtarit Adem Gashi. Ngushëllimi i plotë i Presidentes Osmani: Me dhimbje të thellë e pranuam lajmin për ndarjen nga jeta të gazetarit e shkrimtarit Adem Gashi. Ai dëshmoi përkushtim për fjalën e shkruar, ndaj la gjurmë dhe trashëgimi të pashlyeshme në fushën e krijimtarisë letrare, duke bërë që disa nga tekstet e tij të shndërrohen në këngë ikonike. Ju shpreh ngushëllime të sinqerta familjes, komunitetit të gazetarëve dhe shkrimtarëve! I përhershëm qoftë kujtimi për Adem Gashi!

Presidentja Osmani dekretoi 15 gjyqtarë me mandat fillestar

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me propozim të Këshillit Gjyqësor të Kosovës ka dekretuar sot 15 gjyqtarë me mandat fillestar. Në ceremoninë e betimit para Presidentes së Republikës, gjyqtarët e rinj janë betuar se: “do t’i qëndrojnë besnik Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe do të respektojnë rregullat e etikës profesionale, si dhe do të kryejnë me besnikëri në mënyrë të pavarur, profesionale dhe të paanshme detyrat e tyre”. Presidentja Osmani ka potencuar se integriteti dhe profesionalizmi i gjyqtarëve janë elemente thelbësore për një sistem të drejtësisë që garanton barazi për të gjithë dhe besim qytetar.

Presidentja Osmani priti në takim ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, me të cilin përpos zhvillimeve të fundit politike dhe ato të sigurisë u diskutua edhe nevoja për koordinimin e vazhdueshëm ndërshtetëror në politikën e jashtme. Shqipëria, sipas Presidentes Osmani e ka mbështetur Kosovën përgjatë periudhave të rënda për popullin e saj, sikurse edhe në procesin e shteformimit dhe shtetndërtimit, ndaj ka falënderuar ministrin Hasani dhe shtetin shqiptar. Në takim me ministrin Hasani, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova ka nevojë edhe më tej për mbështetjen e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, sidomos në organizatat në të cilat nuk është e përfaqësuar. “Përtej lidhjes historike e partneritetit strategjik, Kosova dhe Shqipëria duhet të kenë synime të përbashkëta dhe strategji të harmonizuara në interes të dy shteteve”, ka theksuar Presidentja Osmani. Presidentja Osmani ka potencuar se forcimi i shtetit të Kosovës dhe konsolidimi i pozicionit ndërkombëtar është synim i vazhdueshëm, i cili ka nevojë edhe për mbështetjen e Shqipërisë. “Pozita e Kosovës në arenën ndërkombëtare ka nevojë për kontribut të vazhdueshëm të politikës së jashtme të Shqipërisë”, është shprehur Presidentja Osmani, duke theksuar se për Kosovën, Shqipëria është jo vetëm një partner strategjik, por edhe shtet me të cilin ka lidhje vëllazërore, kulturore e kombëtare. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani dhe ministri Hasani diskutuan edhe për koordinimin për çështjen e njohjeve të reja, përfshirjen në Partneritetin për Paqe si një hap paraprirës i anëtarësimit në NATO, por edhe në organizata të tjera ndërkombëtare. Në raport me zhvillimet e fundit me situatën politike dhe të sigurisë, Presidentja Osmani ka theksuar se institucionet e Kosovës janë te përkushtuara për koordinim dhe bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar dhe vendet mike të rajonit në adresimin e sfidave të sigurisë. Sipas Presidentes Osmani, zhvillimet e fundit në veriun e Kosovës dhe veprimet armiqësore të Serbisë dhe lidershipit të saj, kërkojnë angazhim dhe vëmendje të shtuar të faktorit ndërkombëtar por edhe të vendeve të rajonit në funksion të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit.

Ismet Krasniqi, emërohet këshilltar i Presidentes Osmani

Ismet Krasniqi, ish-sekretar i Përgjithshëm i Kuvendit të Republikës së Kosovës për afro 17 vite, është emëruar këshilltar i Presidentes Vjosa Osmani. Përgjatë angazhimit të tij, z.Krasniqi është shquar për përkushtim e profesionalizëm. Këshilltari Krasniqi ka qenë mbështetës profesional i të gjitha proceseve me rëndësi të veçantë për vendin tonë, duke filluar nga Pakoja e ish- Presidentit Ahtisari, përgatitja profesionale e teknike për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, përmbyllja e mbikëqyrjes së Pavarësisë, angazhimi teknik në përcjelljen dhe kompletimin e dokumentacionit për nevojat e delegacionit tonë në GJND, si dhe përgatitjet për amendamentet kushtetuese. Një kontribut të veçantë z. Krasniqi e ka dhënë edhe në sigurimin e prezencës së komunitetit të donatorëve në Kuvend dhe pjesëmarrjes së shoqërisë civile në punën e Kuvendit. Presidentja Osmani i ka uruar mirëseardhje z. Krasniqit dhe ka theksuar se angazhimi i tij është vlerë e shtuar për Kabinetin, ngase ai bart pas vetes një përvojë të gjatë institucionale e profesionale.

Fjalimi i Presidentes Vjosa Osmani në ceremoninë përkujtimore në 25 vjetorin e Masakrës së Reçakut

I nderuar kryetar i Kuvendit, z. Konjufca, I nderuar kryeministër Kurti, Shumë i nderuar mik i Kosovës, ambasador Walker, Të nderuar zëvendëskryeministra, ministra, Përfaqësues të institucioneve të Republikës sonë, Të nderuar ambasadorë e diplomatë, I nderuar kryetar Aliu, Të nderuara familje të viktimave të Masakrës së Reçakut, Të nderuar të mbijetuar të kësaj Masakre, Shumë të nderuar të pranishëm,   Në përvejtorin e 25-të, të Masakrës së Reçakut, jemi sërish këtu për t`i përkujtuar e nderuar të gjithë ata civilë, jeta e të cilëve u rrëmbye mizorisht nga regjimi serb më 15 janar të vitit ‘99. Jemi këtu, sepse Masakra e Reçakut është kujtesë e jona e përhershme për brutalitetin ndaj fëmijëve, grave e burrave, të cilët pësuan vetëm për shkak të përkatësisë së tyre, vetëm për shkak se ishin shqiptarë. Por sot, nuk jemi këtu vetëm për t`i kujtuar viktimat, e për ta shprehur dhimbjen për ta, jemi këtu mbi të gjitha për të kërkuar drejtësi. 15 janari i vitit ‘99, tronditi themelet e ndërgjegjes njerëzore kudo në botën demokratike, sepse bota përjetoi një nga masakrat më të tmerrshme që ka ndodhur në Evropë në fund të shekullit të XX-të. Kjo Masakër ka dëshmitarë të gjallë, të cilët përjetuan llahtarinë e asaj dite. Përveç banorëve të mbijetuar, dëshmitë e të cilëve janë thelbësore jo vetëm për kujtesën tonë historike, por edhe për zbardhjen e autorëve të krimit, kjo Masakër pati edhe një kryedëshmitar, i cili ndodhet me ne edhe në këtë përvjetor, ambasadorin Wiliam Walker. Ngjarjen më të trishtueshme në jetën e tij, ambasadori Walker, pa mëdyshje dhe bazuar në atë që pa në Kodrën e Bebushit, e cilësoi si masakër dhe krim kundër njerëzimit. Kjo dëshmi e fuqishme i dha kthesë gjithë përpjekjes sonë për liri kundër regjimit gjenocidal të Millosheviqit. Kjo masakër dinamizoi diplomacinë botërore, e cila intensifikoi përpjekjet për ndalimin e barbarisë ndaj popullit shqiptar të Kosovës e të njëjtën kohë fuqizoi edhe përpjekjet e vajzave e djemve të UÇK-së për lirinë e vendit. Sikurse atë ditë kur krimi në Reçak u cilësua si krim kundër njerëzimit, sot kemi nevojë që ta themi vazhdimisht e kudo se në këtë fshat të vogël me histori të madhe, u vranë civilë të pambrojtur e të paarmatosur, ndaj thirrja për drejtësi për ta është në funksion të mbrojtjes së dinjitetit njerëzor të viktimave dhe të familjeve të tyre. Kërkimi i drejtësisë nuk është thjeshtë një kërkesë, është një detyrë e shenjtë që kapërcen kufijtë, kapërcen etnitë dhe përkatësitë politike. Familjet e të  masakruarve të Reçakut, të cilët vazhdojnë të mbajnë barrën e humbjes dhe dhimbjes së anëtarëve të tyre, meritojnë që autorët e këtij krimi kundër njerëzimi të dalin para drejtësisë. Ata dhe shteti ynë janë në anën e së vërtetës. E kjo e vërtetë është e përmbledhur më së miri në fjalinë e ambasadorit Walker: Në Reçak ka ndodhur krim kundër njerëzimit! Në Reçak edhe njëherë sikurse edhe në çdo masakër kundër civilëve në vendin tonë është shpërfaqur qëllimi i regjimit të atëhershëm serb për të shfarosur popullin shqiptar në Kosovë. Thirrja për drejtësi riafirmon besimin tonë për triumfin e së vërtetës ndaj mizorisë, përgjegjësisë kundrejt pandëshkueshmërisë dhe njerëzores kundrejt urrejtjes. Të nderuar të pranishëm, Masakra e Reçakut, e cila është e mbushur me dhimbje të papërshkrueshme për familjet e viktimave dhe për gjithë popullin tonë, na kujton se liria dhe paqja ka pasur çmim jashtëzakonisht të lartë. Prandaj, sot jemi këtu për t`u thënë të gjitha familjeve që kanë humbur më të dashurit e tyre, të masakruarit e Reçakut janë edhe familja jonë, janë dhimbja jonë e përbashkët, janë dhimbja jonë e vazhdueshme. Familjet dhe të mbijetuarit shpërfaqin dinjitetin dhe kurajon e përballjes me këtë tragjedi, duke treguar shembull të guximit dhe qëndrueshmërisë njerëzore, gjithnjë duke kërkuar vetëm drejtësi. Faktet janë më të fuqishme se sa propagnada e vazhdueshme serbe, e vërteta është gjithnjë më e fuqishme se sa  gënjeshtra, ndaj për Reçakun ka vetëm një të vërtetë. Më 1999, civilët janë vrarë mizorisht nga një regjim gjenocidal, nga regjimi i Millosheviqit. Kjo e vërtetë ishte atëherë, kjo e vërtetë është edhe sot dhe do të mbetet përherë e tillë në analet e historisë. Pavarësisht se sa tenton ta mohojë regjimi vazhdimësi i Millosheviqit, ai i Vuçiqit, i cili sot burgos e turturon edhe vetë serbët të cilët e pranojnë këtë të vërtetë dhe vendosin lule mbi varret e fëmijëve të vrarë gjatë luftës. Prandaj, Reçaku ka nevojë për drejtësi, sepse drejtësia është garanci që krime makabër si kjo mos të përsëriten më asnjëherë! Vetëm drejtësia i jep kuptim paqes dhe lirisë.   Qoftë i paharruar kujtimi për të rënët në Reçak!   

Presidentja Osmani priti në takim Raportuesen e Parlamentit Evropian për Kosovë, Viola von Cramon

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim Raportuesen e Parlamentit Evropian për Kosovë, Viola von Cramon. Në takim u diskutua për zhvillimet më të fundit në vend me fokus të veçantë në fushën e sigurisë, si dhe punën e institucioneve të Kosovës për sa i përket rrugëtimit të integrimit në BE. Me këtë rast, Presidentja Osmani foli për rëndësinë që BE-ja të lëvizë përpara në raport me Kosovën përmes dhënies së statusit të vendi kandidat. Po ashtu, Presidentja Osmani potencoi edhe njëherë rëndësinë e largimit të masave të BE-së, të cilat janë ende në fuqi, duke ritheksuar padrejtësinë e këtij vendimi si dhe disbalancin të cilin e krijojnë ato në pozicionimin e palëve në dialog. Ndërlidhur me këtë çështje, Presidentja Osmani konfirmoi se Kosova mbetet palë e përkushtuar për zbatimin e plotë të marrëveshjeve. Në takim u diskutua po ashtu për faktin që ky do të jetë një vit elektoral në nivel të Bashkimit Evropian, me ç’rast u fol për implikimet potenciale të rezultateve të këtyre zgjedhjeve në vendin tonë, në rajon dhe përtej.  

This site is registered on wpml.org as a development site.