Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim Raportuesen e Parlamentit Evropian për Kosovë, Viola von Cramon.
Në takim u diskutua për zhvillimet më të fundit në vend me fokus të veçantë në fushën e sigurisë, si dhe punën e institucioneve të Kosovës për sa i përket rrugëtimit të integrimit në BE.
Me këtë rast, Presidentja Osmani foli për rëndësinë që BE-ja të lëvizë përpara në raport me Kosovën përmes dhënies së statusit të vendi kandidat. Po ashtu, Presidentja Osmani potencoi edhe njëherë rëndësinë e largimit të masave të BE-së, të cilat janë ende në fuqi, duke ritheksuar padrejtësinë e këtij vendimi si dhe disbalancin të cilin e krijojnë ato në pozicionimin e palëve në dialog. Ndërlidhur me këtë çështje, Presidentja Osmani konfirmoi se Kosova mbetet palë e përkushtuar për zbatimin e plotë të marrëveshjeve.
Në takim u diskutua po ashtu për faktin që ky do të jetë një vit elektoral në nivel të Bashkimit Evropian, me ç’rast u fol për implikimet potenciale të rezultateve të këtyre zgjedhjeve në vendin tonë, në rajon dhe përtej.