DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i Presidentes Vjosa Osmani në ceremoninë përkujtimore në 25 vjetorin e Masakrës së Reçakut

I nderuar kryetar i Kuvendit, z. Konjufca,

I nderuar kryeministër Kurti,

Shumë i nderuar mik i Kosovës, ambasador Walker,

Të nderuar zëvendëskryeministra, ministra,

Përfaqësues të institucioneve të Republikës sonë,

Të nderuar ambasadorë e diplomatë,

I nderuar kryetar Aliu,

Të nderuara familje të viktimave të Masakrës së Reçakut,

Të nderuar të mbijetuar të kësaj Masakre,

Shumë të nderuar të pranishëm,

 

Në përvejtorin e 25-të, të Masakrës së Reçakut, jemi sërish këtu për t`i përkujtuar e nderuar të gjithë ata civilë, jeta e të cilëve u rrëmbye mizorisht nga regjimi serb më 15 janar të vitit ‘99.

Jemi këtu, sepse Masakra e Reçakut është kujtesë e jona e përhershme për brutalitetin ndaj fëmijëve, grave e burrave, të cilët pësuan vetëm për shkak të përkatësisë së tyre, vetëm për shkak se ishin shqiptarë.

Por sot, nuk jemi këtu vetëm për t`i kujtuar viktimat, e për ta shprehur dhimbjen për ta, jemi këtu mbi të gjitha për të kërkuar drejtësi.

15 janari i vitit ‘99, tronditi themelet e ndërgjegjes njerëzore kudo në botën demokratike, sepse bota përjetoi një nga masakrat më të tmerrshme që ka ndodhur në Evropë në fund të shekullit të XX-të.

Kjo Masakër ka dëshmitarë të gjallë, të cilët përjetuan llahtarinë e asaj dite.

Përveç banorëve të mbijetuar, dëshmitë e të cilëve janë thelbësore jo vetëm për kujtesën tonë historike, por edhe për zbardhjen e autorëve të krimit, kjo Masakër pati edhe një kryedëshmitar, i cili ndodhet me ne edhe në këtë përvjetor, ambasadorin Wiliam Walker.

Ngjarjen më të trishtueshme në jetën e tij, ambasadori Walker, pa mëdyshje dhe bazuar në atë që pa në Kodrën e Bebushit, e cilësoi si masakër dhe krim kundër njerëzimit.

Kjo dëshmi e fuqishme i dha kthesë gjithë përpjekjes sonë për liri kundër regjimit gjenocidal të Millosheviqit.

Kjo masakër dinamizoi diplomacinë botërore, e cila intensifikoi përpjekjet për ndalimin e barbarisë ndaj popullit shqiptar të Kosovës e të njëjtën kohë fuqizoi edhe përpjekjet e vajzave e djemve të UÇK-së për lirinë e vendit.

Sikurse atë ditë kur krimi në Reçak u cilësua si krim kundër njerëzimit, sot kemi nevojë që ta themi vazhdimisht e kudo se në këtë fshat të vogël me histori të madhe, u vranë civilë të pambrojtur e të paarmatosur, ndaj thirrja për drejtësi për ta është në funksion të mbrojtjes së dinjitetit njerëzor të viktimave dhe të familjeve të tyre.

Kërkimi i drejtësisë nuk është thjeshtë një kërkesë, është një detyrë e shenjtë që kapërcen kufijtë, kapërcen etnitë dhe përkatësitë politike.

Familjet e të  masakruarve të Reçakut, të cilët vazhdojnë të mbajnë barrën e humbjes dhe dhimbjes së anëtarëve të tyre, meritojnë që autorët e këtij krimi kundër njerëzimi të dalin para drejtësisë. Ata dhe shteti ynë janë në anën e së vërtetës. E kjo e vërtetë është e përmbledhur më së miri në fjalinë e ambasadorit Walker: Në Reçak ka ndodhur krim kundër njerëzimit!

Në Reçak edhe njëherë sikurse edhe në çdo masakër kundër civilëve në vendin tonë është shpërfaqur qëllimi i regjimit të atëhershëm serb për të shfarosur popullin shqiptar në Kosovë.

Thirrja për drejtësi riafirmon besimin tonë për triumfin e së vërtetës ndaj mizorisë, përgjegjësisë kundrejt pandëshkueshmërisë dhe njerëzores kundrejt urrejtjes.

Të nderuar të pranishëm,

Masakra e Reçakut, e cila është e mbushur me dhimbje të papërshkrueshme për familjet e viktimave dhe për gjithë popullin tonë, na kujton se liria dhe paqja ka pasur çmim jashtëzakonisht të lartë.

Prandaj, sot jemi këtu për t`u thënë të gjitha familjeve që kanë humbur më të dashurit e tyre, të masakruarit e Reçakut janë edhe familja jonë, janë dhimbja jonë e përbashkët, janë dhimbja jonë e vazhdueshme.

Familjet dhe të mbijetuarit shpërfaqin dinjitetin dhe kurajon e përballjes me këtë tragjedi, duke treguar shembull të guximit dhe qëndrueshmërisë njerëzore, gjithnjë duke kërkuar vetëm drejtësi.

Faktet janë më të fuqishme se sa propagnada e vazhdueshme serbe, e vërteta është gjithnjë më e fuqishme se sa  gënjeshtra, ndaj për Reçakun ka vetëm një të vërtetë. Më 1999, civilët janë vrarë mizorisht nga një regjim gjenocidal, nga regjimi i Millosheviqit.

Kjo e vërtetë ishte atëherë, kjo e vërtetë është edhe sot dhe do të mbetet përherë e tillë në analet e historisë.

Pavarësisht se sa tenton ta mohojë regjimi vazhdimësi i Millosheviqit, ai i Vuçiqit, i cili sot burgos e turturon edhe vetë serbët të cilët e pranojnë këtë të vërtetë dhe vendosin lule mbi varret e fëmijëve të vrarë gjatë luftës.

Prandaj, Reçaku ka nevojë për drejtësi, sepse drejtësia është garanci që krime makabër si kjo mos të përsëriten më asnjëherë!

Vetëm drejtësia i jep kuptim paqes dhe lirisë.

 

Qoftë i paharruar kujtimi për të rënët në Reçak!

 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.