Presidentja Osmani priti në takim Raportuesen e Parlamentit Evropian për Kosovë, Viola von Cramon

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim Raportuesen e Parlamentit Evropian për Kosovë, Viola von Cramon. Në takim u diskutua për zhvillimet më të fundit në vend me fokus të veçantë në fushën e sigurisë, si dhe punën e institucioneve të Kosovës për sa i përket rrugëtimit të integrimit në BE. Me këtë rast, Presidentja Osmani foli për rëndësinë që BE-ja të lëvizë përpara në raport me Kosovën përmes dhënies së statusit të vendi kandidat. Po ashtu, Presidentja Osmani potencoi edhe njëherë rëndësinë e largimit të masave të BE-së, të cilat janë ende në fuqi, duke ritheksuar padrejtësinë e këtij vendimi si dhe disbalancin të cilin e krijojnë ato në pozicionimin e palëve në dialog. Ndërlidhur me këtë çështje, Presidentja Osmani konfirmoi se Kosova mbetet palë e përkushtuar për zbatimin e plotë të marrëveshjeve. Në takim u diskutua po ashtu për faktin që ky do të jetë një vit elektoral në nivel të Bashkimit Evropian, me ç’rast u fol për implikimet potenciale të rezultateve të këtyre zgjedhjeve në vendin tonë, në rajon dhe përtej.
Presidentja Osmani ka dekretuar formalisht hapjen e Misionit të Posaçëm të Republikës së Kosovës në Selinë e Shenjtë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka dekretuar formalisht hapjen e Misionit të Posaçëm të Republikës së Kosovës në Selinë e Shenjtë. “Pas dy vitesh pune intensive me Selinë e Shenjtë, kam dekretuar formalisht hapjen e Misionit të Posaçëm të Republikës së Kosovës në Selinë e Shenjtë. Ky është hap i rëndësishëm për Kosovën dhe raportet tona me Selinë e Shenjtë, të cilat do të vazhdojmë t’i thellojmë”, ka shkruar Presidentja Osmani.
Deklaratë e Presidentes Vjosa Osmani pas aprovimit të Departamentit amerikan të Shtetit të kërkesës së Kosovës për blerjen e sistemeve mbrojtëse të armëve Javelin

Republika jonë po hyn në një fazë të re dhe vendimtare të fuqizimit të kapaciteteve shtetërore të mbrojtjes. Kjo përfshinë zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës konform standardeve të NATO-s dhe thellimin e marrëdhënieve me partnerin tonë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Si Presidente e Republikës dhe Komandante Supreme e FSK-së shprehë mirënjohjen time për institucionet tona të mbrojtjes të cilat për vite me radhë punuan për përmbushjen e kritereve për kualifikim në Programin e Shitjeve Ushtarake të Departamentit të Shtetit të SHBA-ve. Shpreh falënderim të veçantë për Sekretarin Blinken me të cilin kemi diskutuar mbi miratimin e programit të Shitjeve Ushtarake të Huaja (FMS) në korrik 2022, për Departamentin e Mbrojtjes së SHBA-ve dhe Kongresin e Shteteve të Bashkuara, i cili tashmë është njoftuar zyrtarisht për synimin e Kosovës për të blerë sisteme mbrojtëse armësh përmes programit FMS. Siç u tha në Deklaratën thelbësore të Qeverisë amerikane: “Kjo shitje e propozuar do t’i mbështesë qëllimet e politikës së jashtme dhe sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara duke përmirësuar sigurinë e një partneri evropian që është një forcë e rëndësishme për stabilitetin politik dhe ekonomik në Evropë. Shitja e propozuar gjithashtu do ta rrisë kapacitetin afatgjatë mbrojtës të Kosovës për ta mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial, si dhe për t`i përmbushur kërkesat shtetërore në sferën e mbrojtjes.” Kam besim të plotë se Kongresi do ta mbështesë këtë shitje të mundshme për vendin më proamerikan në botë, si një akt i cili do ta rrisë sigurinë në Kosovë, në rajonin tonë, si dhe në kontinentin evropian.
Presidentja Osmani priti në takim të Ngarkuarën me Punë të misionit të SHBA-ve në Kosovë, Alyson Grunder

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, znj. Alyson Grunder. Në takim u bisedua për intensifikimin e bashkëpunimit me SHBA-të në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe për zhvillimet e fundit në vend. Presidentja Osmani e njoftoi znj. Grunder për prioritetet e Presidentes në muajt në vijim, me ç’rast u diskutua për rëndësinë e vazhdimit të komunikimit të rregullt me SHBA-të, me qëllim të arritjes së objektivave të përbashkëta. Në takim u diskutua edhe për zhvillimet më të fundit në sektorë të ndryshëm strategjik. Me këtë rast, Presidentja Osmani paralajmëroi edicionin e dytë të Forumit ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, për të cilin vlerësoi lartë bashkëpunimin e ngushtë dhe mbështetjen nga SHBA-të dhe Zyra e Sekretarit Antony Blinken, në veçanti.
Presidentja Osmani kujton veprimtarin e gazetarin Enver Maloku në 25 vjetorin e vrasjes

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar veprimtarin e gazetarin Enver Maloku, në 25 vjetorin e vrasjes. Përkujtimi i plotë i Presidentes Osmani: Sot mbushen 25 vjet nga vrasja tinëzare e Enver Malokut, veprimtarit e gazetarit të guximshëm, njeriut që e shndërroi fjalën e lirë e informimin e drejtë në parime të një shoqërie dhe e shënjoi një epokë të raportimit të guximshëm e profesional. Ai e kultivoi fjalën e lirë dhe informoi me guxim për tragjedinë e popullit të vet duke u shndërruar në zëdhënës të fuqishëm për lirinë e pavarësinë e Kosovës. Si zëdhënës i vullnetit politik e njerëzor të kombit të vet, ai mbetet shembull i njeriut të përkushtuar ndaj fjalës së lirë e lirisë së popullit të vet. Por, pikërisht në prag të arritjes së lirisë, Maloku u vra në hyrje të ndërtesës ku banonte. Fatkeqësisht, drejtësia ka dështuar deri më sot që t’i vendosë para drejtësisë përgjegjësit për këtë vrasje, sikur edhe për shumë të tjera, të kryera menjëherë pas luftës. Prandaj, sërish duhet ta përsërisim thirrjen për institucionet përgjegjëse që autorët e krimit të sillen para drejtësisë, duke përfshirë të gjitha vrasjet e pasluftës. I përjetshëm kujtimi për Enver Malokun!
Presidentja Osmani në takim me kryeministrin e Irlandës, Leo Varadkar: Kosova e meriton statusin e vendit kandidat për BE

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim kryeministrin e Irlandës, Leo Varadkar. Në takim u diskutua për zhvillimet aktuale politike dhe të fushës së sigurisë, interesat e përbashkëta dhe zgjerimin e mundësive për rritjen e bashkëpunimit. Me këtë rast u rikonfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyeshme ndërmjet Kosovës dhe Irlandës, teksa presidentja Osmani falënderoi kryeministrin Varadkar për mbështetjen e palëkundur në përpjekjet e vazhdueshme të Kosovës për paqe të qëndrueshme, stabilitet dhe zhvillim ekonomik. Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për mbështetjen e Irlandës në rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Tutje, ajo theksoi rëndësinë e vazhdimit të kësaj mbështetje drejt anëtarësimit final në Këshillin e Evropës, BE, por edhe në organizata ndërkombëtare. “Anëtarësimi në Këshillin e Evropës është në dobi të të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe mundëson mbrojtje të avancuar të të drejtave të njeriut”, ka theksuar Presidentja Osmani. Më tej, Presidentja Omani ka theksuar se është koha që edhe raportet e Kosovës me BE-në duhet të ngrihen në nivel tjetër. “Kosova e meriton statusin e vendit kandidat. Kosova mishëron vlerat evropiane, ndaj, në këtë frymë ka pas angazhim të vazhdueshëm që legjislacioni ynë është në harmoni me ligjet e BE-së. Është momenti i duhur që ta marrim statusin e vendit kandidat”, është shprehur Presidentja Osmani. Në raport me zhvillimet e fundit në vend, Presidentja Osmani theksoi se Kosova tashmë ka bërë hapa përmbajtësor në deeskalimin e situatës në veriun e vendit, ndaj i cilësoi masat e BE-së, joproporcionale dhe në dëm të qytetarëve të Kosovës. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për qëndrimin e Irlandës kundër këtyre masave dhe përsëriti thirrjen për heqjen e tyre, ngase masat aktuale në fuqi kundër Kosovës janë të padrejta dhe krijojnë mungesë ekuilibri në dialog. Kurse sa i përket situatës së sigurisë, Presidentja Osmani tha se mungesa e masave kundrejt Serbisë në lidhje me sulmin terrorist dhe aktin e agresionit të 24 shtatorit në Banjskë vetëm se e inkurajon atë për të bërë sërish veprime të ngjashme, që cenojnë jo vetëm stabilitetin e Kosovës, por edhe rajonin. Presidentja Osmani dhe Kryeministri Varadkar theksuan rëndësinë e bashkëpunimit në adresimin e sfidave globale dhe nxitjen e zhvillimit në të gjitha sferat e interesit të përbashkët, me fokus të veçantë në fushën e arsimit dhe shëndetësisë.
Presidentja falënderon Presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohamed Bin Zayed për pranimin e propozimit të saj për heqjen e vizave

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka falënderuar Presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohamed Bin Zayed për pranimin e propozimit të saj për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës. “Falënderoj Presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Lartmadhërinë e Tij Mohamed Bin Zayed për pranimin e propozimit tim për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës. Marrëveshja e arritur gjatë takimit tonë muajin e kaluar tashmë është nënshkruar, duke hapur rrugë për më shumë mundësi bashkëpunimi midis vendeve tona dhe qytetarëve tanë”, ka shkruar Presidentja Osmani.
Presidentja: Nga Zvicra në Kosovë, kompania Speeex një shembull i suksesit e frymëzim për të gjithë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka vizituar sot kompaninë Speeex. Në vijim gjeni të plotë postimin e Presidentes Osmani: Nga Zvicra në Kosovë, kompania Speeex një shembull i suksesit e frymëzim për të gjithë! Sot takova vajza e djem të kësaj kompanie që operon në Prishtinë, Vushtrri, Prizren e Ferizaj dhe e cila ka hapur dyert për mbi 2 mijë të punësuar. Platforma dixhitale e inovative e Speeex, EEEXPLORE Kosova, i drejtohet mërgatës sonë, duke paraqitur mundësi të panumërta për kthimin e potencialit të të rinjve tanë kudo në botë dhe ofron jo vetëm vende pune, por edhe rrugë për zhvillimin e aftësive, si dhe shanse për të kontribuuar në përparimin e vazhdueshëm të shoqërisë dhe shtetit tonë.
Presidentja Osmani uron Krishtlindjen ortodokse

I uroj komunitetit ortodoks festën e Krishtlindjes! Në këtë ditë, shtëpitë tuaja qofshin të mbushura me ngrohtësi, paqe, dashuri dhe respekt. Mirëkuptimi, solidariteti, toleranca dhe shpresa qofshin udhërrëfyes të përhershëm për secilin! Gëzuar për shumë mot Krishtlindjen ortodokse!
Presidentja Osmani kujtoi kolonel Tahir Zemaj, së bashku me të birin, Enisin dhe kushëririn, Hasanin në njëzet e një vjetorin e vrasjes

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar sot kolonel Tahir Zemaj, së bashku me të birin, Enisin dhe kushëririn, Hasanin në njëzet e një vjetorin e vrasjes. Në vijim gjeni të plotë postimin e Presidentes Osmani: Njëzet e një vjet më parë u vra pabesisht kolonel Tahir Zemaj, së bashku me të birin, Enisin dhe kushëririn, Hasanin. Vrasja e tyre qe njëra ndër ngjarjet më të rënda të pasluftës në Kosovë. Duke e privuar nga jeta veprimtarin e shquar të çështjes kombëtare, ushtarakun profesionist e njeriun që i doli zot atdheut në orën më të ligë të tij, u krye sulm jo vetëm ndaj tij e ndaj një familjeje, por edhe ndaj lirisë së vendit tonë, ndaj idealeve për të cilin kishin sakrifikuar breza të tërë e ndaj së ardhmes së Kosovës. Beteja e lavdishme e Loxhës, të cilën kolonel Zemaj e udhëhoqi me profesionalizëm e vetëmohim të pashoq, mbetet ndër betejat më të fuqishme kundër ushtrisë serbe. Në këtë përvjetor, u bëjmë sërish thirrje organeve të drejtësisë që të punojnë intensivisht në zbardhjen e vrasjes së kolonel Zemajt dhe të gjithë bashkëveprimtarëve të tij.