Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar sot kolonel Tahir Zemaj, së bashku me të birin, Enisin dhe kushëririn, Hasanin në njëzet e një vjetorin e vrasjes.
Në vijim gjeni të plotë postimin e Presidentes Osmani:
Njëzet e një vjet më parë u vra pabesisht kolonel Tahir Zemaj, së bashku me të birin, Enisin dhe kushëririn, Hasanin.
Vrasja e tyre qe njëra ndër ngjarjet më të rënda të pasluftës në Kosovë. Duke e privuar nga jeta veprimtarin e shquar të
çështjes kombëtare, ushtarakun profesionist e njeriun që i doli zot atdheut në orën më të ligë të tij, u krye sulm jo vetëm ndaj tij e ndaj një familjeje, por edhe ndaj lirisë së vendit tonë, ndaj idealeve për të cilin kishin sakrifikuar breza të tërë e ndaj së ardhmes së Kosovës.
Beteja e lavdishme e Loxhës, të cilën kolonel Zemaj e udhëhoqi me profesionalizëm e vetëmohim të pashoq, mbetet ndër betejat më të fuqishme kundër ushtrisë serbe.
Në këtë përvjetor, u bëjmë sërish thirrje organeve të drejtësisë që të punojnë intensivisht në zbardhjen e vrasjes së kolonel Zemajt dhe të gjithë bashkëveprimtarëve të tij.