Presidentja Osmani në takim me Sekretarin Cameron: Anëtarësimi i Kosovës në NATO, hap i domosdoshëm për paqen dhe stabilitetin në rajon

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Sekretarin e Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, Lordin David Cameron. Në takim u diskutua për raportet e shkëlqyera Kosovë-Mbretëri e Bashkuar, përkushtimin për thellim të bashkëpunimit ndërshtetëror, forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës, si dhe situatën e sigurisë në rajon e më gjerë. Presidentja Osmani falënderoi sekretarin Cameron për mbështetjen e palëkundur të Mbretërisë së Bashkuar përgjatë viteve, përfshirë edhe mbështetjen diplomatike në procesin e integrimit të Kosovës në institucione ndërkombëtare. Presidentja Osmani ritheksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO, duke filluar me përfshirjen në Partneritetin për Paqe, si hap i domosdoshëm për të siguruar paqe dhe siguri afatgjate në rajon dhe më gjerë. Ngjashëm, Presidentja Osmani potencoi rëndësinë e anëtarësimit në Këshillin e Evropës për fuqizimin dhe avancimin e mëtejmë të të drejtave të njeriut. Në takim u diskutua edhe për situatën e sigurisë në rajon dhe më gjerë, me ç’rast Presidentja Osmani e informoi sekretarin Cameron për përpjekjet e vazhdueshme destabilizuese të Serbisë, përfshirë aktin e agresionit dhe aktin terrorist kundër Republikës së Kosovës më 24 shtator. Presidentja falënderoi sekretarin Cameron për shtimin e trupave britanike në kuadër të KFOR-it, duke potencuar rëndësinë e bashkëpunimit për sigurinë e kufirit me Serbinë. Në këtë drejtim, Presidentja foli edhe për grupet terroriste, të mbështetura nga Beogradi, të cilat vazhdojnë të krijojnë frikë dhe intimidim brenda komunitetit serb. Pavarësisht kësaj, Presidentja Osmani theksoi se Kosova është shembull në rajon sa i përket të drejtave të komunitetit joshumicë, ndërsa riafirmoi përkushtimin e plotë të Kosovës për ta fuqizuar çdo qytetar, pa dallim.

Presidentja: Gëzuar Kosovë liberalizimi i vizave

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë një vit që fillon mbarë, që fillon me liri të lëvizjes. Postimi i plotë i Presidentes: Një vit që fillon mbarë! Një vit që fillon me liri të lëvizjes, liri që na u mohua shumë gjatë e padrejtësisht. Por si gjithnjë, me përkushtim të palëkundur, populli i Kosovës dëshmoi se nuk dorëzohet dhe nuk heq dorë kurrë nga vendi i merituar në familjen evropiane. Gëzuar Kosovë liberalizimi i vizave!

Urimi i Presidentes Osmani për Vitin e Ri 2024

Të dashur qytetarë, Në këtë ndërrim motesh, me optimizëm e shpresëplot ju dërgoj urimet e mia më të përzemërta secilit prej jush! Ky vit që po lëmë pas ishte një dëshmi e qëndrueshmërisë sonë dhe shpirtit të palëkundur kundrejt sfidave. Viti i ri që po vjen është mundësi e mirë për të hapur perspektivë të re për të gjithë, për ta rritur shpresën, besimin dhe angazhimin se krahas me ndryshimin e viteve, do të jemi më mirë se në vitin e mëparshëm! Të përkushtohemi që 2024-ta, të jetë vit në të cilin dëgjohet secili, vit në të cilin të gjithë do të ndihemi të vlerësuar e të përmbushur. Viti që po vjen, qoftë vit i përmbushjes së aspiratave tona si shoqëri dhe si shtet. Përpara sfidave nuk duhet të zbrapsemi, por duhet të synojmë t’i arrijmë lartësitë. Urojmë që ky vit i ri t’i sjell të gjitha të mirat për të gjithë qytetarët tanë. Më shumë dashuri për të vegjlit tanë, më shumë suksese për rininë tonë, më shumë begati për punëtorët e pensionistët tanë dhe më shumë kujdes, humanizëm e solidaritet për të pambrojturit dhe për ata që kanë më së shumti nevojë. Sonte, një falënderim të veçantë për të gjithë ata që në këtë natë ndërrimi të viteve kujdesen për shëndetin dhe sigurinë tonë, si dhe për të gjithë të tjerët në krye të detyrës. Viti 2024 qoftë i mbushur me shëndet, dashuri, suksese dhe shkëlqim në të gjitha fushat. Qoftë vit arritjesh pozitive, ku veprat flasin më shumë se fjalët, ku mundësitë janë pafund e ku gëzimi, mbarësia dhe hareja na rrethojnë në çdo anë! Shumë urime për vitin 2024! Gëzuar!

Për fundvit, Presidentja Osmani viziton Stacionin Policor Qendër

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani e shoqëruar nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, në prag të Vitit të Ri, vizitoi Stacionin Policor Qendër. Presidentja Osmani shprehu vlerësim të thellë për angazhimin profesional dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm të Policisë së Kosovës në mbrojtjen e sovranitetit të shtetit gjatë një viti sfidues për sigurinë kombëtare, përfshirë edhe në ndërrimin e motmoteve, larg familjeve të tyre. Presidentja përkujtoi edhe Heroin e Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili ra fli në mbrojtje të rendit, ligjit, integritetit territorial dhe sovranitetit të shtetit tonë, si dhe në mbrojtje të dinjitetit të Republikës sonë. Gjatë vizitës, Presidentja u informua edhe me dinamikat dhe aktivitetet e përditshme të Stacionit Policor Qendër dhe përgatitjet për ndërimin e moteve. Presidentja Osmani i inkurajoi të vazhdojnë me të njëjtën devotshmëri dhe integritet në shërbimin ndaj qytetarëve. Duke uruar një Vit të Ri të mbarë, Presidentja Osmani potencoi se puna e Policisë së Kosovës është thelbësore për mirëqenien dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve të Republikës.

Në prag të vitit të ri, Presidentja Osmani viziton Qendrën Klinike Universitare të Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e shoqëruar nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në prag të Vitit të Ri, ka vizituar Klinikën Emergjente dhe atë të Kardiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Presidentja tha se puna e stafit mjekësor ndaj shëndetit të pacientëve edhe në kohë të ndërrimit të motmoteve, larg familjeve të tyre, tregon përkushtimin e tyre të jashtëzakonshëm. Gjatë vizitës, Presidentja Osmani u informua për punën e tyre përgjatë këtij viti, si dhe për sfidat me të cilat po përballet sektori i shëndetësisë. Presidentja shprehu mirënjohje të thellë për përkushtimin e të gjithë stafit në këto klinika, duke theksuar rolin e tyre në ruajtjen e shëndetit dhe jetës së qytetarëve. Tutje, Presidentja Osmani nënvizoi nevojën për vazhdimin e investimeve në sektorin e shëndetësisë, për të siguruar kushte më të mira pune për mjekët dhe shërbime më cilësore për pacientët, me ç’rast konfirmoi mbështetjen e plotë dhe përkushtimin për vazhdim të bashkëpunimit edhe me partnerë të shumtë në këtë drejtim. Presidentja Osmani ju ka uruar të gjithë profesionistëve shëndetësor mbarësi dhe suksese në vitin e ri 2024.

Ndarja e Medaljeve Presidenciale në fushën e Gjuhës, Letërsisë e Kulturës

Gjuha, letërsia e kultura përbëjnë gur të rëndësishëm në jetën e kombeve. Prandaj, Presidentja Osmani u ka ndarë Medaljen Presidenciale të Meritava krijuesve e artistëve të shumtë, nga më të hershmit, siç është bardi i letrave shqipe e frymëzuesi i madh i rilindjes kombëtare shqiptare, Jeronim de Rada e poeti i shquar arbëresh, Zef Serembe, e deri të klasikët e letërsisë sonë, Mitrush Kuteli e Lasgush Poradeci, por edhe shkrimtarët e mëvonshëm si Hajro Ulqinaku, Beqir Musliu e Xhevdet Bajraj. Nderuam poashtu etnologët tanë, si Mark Tirtën, por edhe Institutin Arkeologjik të Kosovës e Muzeun e Kosovës, që kanë hulumtuar, dokumentuar dhe ekspozuar trashëgiminë tonë kulturore, duke krijuar dritare që na lejojnë t’i kuptojmë dhe t’i vlerësojmë më mirë rrënjët tona historike dhe kulturore. Poashtu Presidentja ka dekoruar me medalje aktoren Melihate Qena, si dhe Shpresa Gashin, Drita Rudin, ansamblin “Kastiotët” , Fatmira Brecanin, rapsodët Riza Bllaca, Salih e Feriz Krasniqi e Sali Mani, Të Bijtë e Sefës, e deri te arbëreshët Antonio Belushi, Agostino Giordano e studiuesen e kulturës arbëreshe, Ornela Radovicka, si dhe grupin folklorik arbëresh “Shqiponjat”.

Ndarja e Medaljeve Presidenciale për Humanizëm, Kontribut Mjekësor e Shoqëror

Për kontribut të shquar në fushën e neurokirurgjisë dhe të arritura të larta shkencore, Presidentja Osmani dekoroi me Medaljen Presidenciale të Meritave doktorin e njohur shqiptar Dr. Mentor Petrela. Në fushën e humanizmit, Presidentja Osmani i ndau dekoratë të veçantë, SOS Fshatit duke theksuar mirënjohjen e thellë ndaj punonjëseve të këtij institucioni për ofrimin e përkujdesjes, dashurisë e përkrahjes për fëmijët pa kujdes prindëror. Mirënjohje i janë ndarë edhe SOS nënave dhe SOS tezeve, si dhe familjeve strehuese për fëmijët, për shembullin e shkëlqyeshëm të dashurisë dhe përkushtimit ndaj fëmijëve. Me Medaljen humanitare “Shën Tereza”, Presidentja Osmani dekoroi organizatën Linja e Jetës, organizatën Cure2Children, Fondin për të Drejtën Humanitare, si dhe znj.Sanije Desku.

Presidentja: Në Ditën e Veteranëve, shpreh mirënjohjen time të thellë për gratë dhe burrat trima të UÇK-së

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se në Ditën e Veteranëve, shpreh mirënjohjen time të thellë për gratë dhe burrat trima të UÇK-së, të cilët i kanë shërbyer me vetëmohim luftës për lirinë e Republikës së Kosovës. Në vijim gjeni të plotë postimin e Presidentes Osmani: Në Ditën e Veteranëve, shpreh mirënjohjen time të thellë për gratë dhe burrat trima të UÇK-së, të cilët i kanë shërbyer me vetëmohim luftës për lirinë e Republikës së Kosovës. Guximi, sakrifica dhe angazhimi i tyre i palëkundur meritojnë respektin tonë maksimal. Në krye me kryekomandantin Adem Jashari dhe familjen e tij, ata kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë. Trimëria dhe sakrifica e tyre do të na frymëzojë përherë!

This site is registered on wpml.org as a development site.