U.D. Presidentja Haxhiu së bashku me Ministrin Xhelal Sveçla dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Gazmend Hoxha, inauguruan nënstacionin e ri policor në Junakë të Zveçanit

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, së bashku me Ministrin Xhelal Sveçla dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Gazmend Hoxha, kanë inauguruar sot nënstacionin e ri policor në Junakë të Zveçanit. Sipas U.D. Presidentes Haxhiu, ky nënstacion forcon praninë institucionale, rrit sigurinë dhe fuqizon sovranitetin e Republikës së Kosovës. “Vendosja e institucioneve të sigurisë në terren është dëshmi e shtrirjes së shtetit dhe e përkushtimit ndaj rendit, ligjit dhe sigurisë për të gjithë qytetarët, pa dallim. Prania e policisë mundëson reagim më të shpejtë, ofrim më efikas të sigurisë dhe forcim të besimit në institucionet shtetërore, si themel i stabilitetit dhe sigurisë së qëndrueshme”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo më tej ka thënë se do të vazhdojmë investimet në Policinë e Kosovës, në siguri dhe në forcimin e institucioneve tona shtetërore, për të mbrojtur sovranitetin, rendin kushtetues dhe për të ndërtuar një Kosovë më të zhvilluar e më të sigurt në çdo cep të saj.
U.D. Presidentja Haxhiu përuroi strehimoren e parë institucionale në veri

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka përuruar sot strehimoren e parë institucionale në veri, të renovuar me një investim prej 634 mijë eurosh. U.D. Presidentja Haxhiu ka thënë se vizitën në pjesën veriore të Mitrovicës e nisëm aty ku shihet qartë dallimi mes shtetit që rikthen ligjin dhe krimit që ka dashur ta mbajë peng. “Kjo është strehimorja e parë në rajon sipas standardeve të Konventës së Stambollit. Asokohe si ministre e Drejtësisë, bashkë me ish-kryetarin e Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, dhe ministrin Xhelal Sveçla, e ridestinuam këtë objekt në strehimore për viktimat e dhunës në familje”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. U.D. Presidentja Haxhiu ka thënë se sot çelësat iu dorëzuan Ministrit, Andin Hoti, që kjo hapësirë të vihet plotësisht në shërbim të atyre që kanë nevojë për siguri, kujdes dhe dinjitet.
U.D. Presidentja Haxhiu priti në takim Ambasadorin e Bullgarisë në Kosovë, Hristo Kraevski

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, priti sot në takim Ambasadorin e Republikës së Bullgarisë në Kosovë, z. Hristo Kraevski. Ambasadori Kraevski i përcolli U.D. Presidentes Haxhiu ftesën e Sh.S. znj. Iliana Iotova, Presidente e Republikës së Bullgarisë, për pjesëmarrje në Samitin e 30-vjetorit të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP). Në takim u diskutua për zhvillimet aktuale në vend dhe në rajon, si dhe për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, dialogut politik dhe fqinjësisë së mirë si parakushte për stabilitet, siguri dhe përparim të qëndrueshëm në Evropën Juglindore. U.D. Presidentja Haxhiu vlerësoi marrëdhëniet e mira ndërmjet Kosovës dhe Bullgarisë, si dhe mbështetjen e Bullgarisë për perspektivën evropiane të Republikës së Kosovës.
U.D. Presidentja Haxhiu priti në takim Ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guérot

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, priti sot në takim Ambasadorin e Francës në Kosovë, z. Olivier Guérot. Në takim u diskutua për zhvillimet aktuale politike në vend, me theks të veçantë në rëndësinë e funksionalizimit të institucioneve pas procesit zgjedhor. U.D. Presidentja Haxhiu theksoi se institucionet e Republikës së Kosovës mbeten të përkushtuara për garantimin e një procesi të rregullt, kredibil dhe gjithëpërfshirës, si themel i funksionimit demokratik të vendit. Në takim u vlerësuan marrëdhëniet e mira ndërmjet Kosovës dhe Francës, si dhe rëndësia e vazhdimit të bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët, përfshirë forcimin e institucioneve demokratike, sundimin e ligjit dhe perspektivën evropiane të Republikës së Kosovës.
U.D. Presidentja Haxhiu vizitoi Ministrinë e Mbrojtjes: Forca e Sigurisë së Kosovës është një nga dëshmitë më të qarta të rrugës që ka bërë Republika jonë

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, gjatë ditës së sotme ka vizituar Ministrinë e Mbrojtjes, me ç’rast është takuar me Ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedoncin, dhe Komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jasharin. Gjatë vizitës, U.D. Presidentja Haxhiu u njoftua nga afër me zhvillimet në Ministri të Mbrojtjes dhe FSK, me punën e përditshme të ushtarakëve tanë dhe me prioritetet që lidhen me ngritjen e kapaciteteve mbrojtëse të vendit. “Forca e Sigurisë së Kosovës është një nga dëshmitë më të qarta të rrugës që ka bërë Republika jonë. Ëndrra e shumë brezave për ta mbrojtur shtëpinë tonë është bërë forcë e organizuar, e përgatitur dhe e rreshtuar me partnerët tanë. Përkushtimi i pjesëtarëve të saj është dëshmi e seriozitetit me të cilin Kosova po e ndërton sigurinë e vet, në bashkërendim me partnerët tanë ndërkombëtarë. Mirënjohje për secilën grua dhe secilin burrë në uniformë që i shërben Republikës me nder”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.
U.D. Presidentja Haxhiu mori pjesë në Gala Mbrëmjen e organizuar me rastin e njohjes së Agjencisë së Kosovës për Akreditim nga Këshilli për Akreditimin e Arsimit të Lartë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë sonte në Gala Mbrëmjen e organizuar me rastin e njohjes së Agjencisë së Kosovës për Akreditim nga Këshilli për Akreditimin e Arsimit të Lartë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. U.D. Presidentja Haxhiu, në fjalën e saj para të pranishmëve ka thënë se është kënaqësi të jem me ju sonte, të shënojmë bashkërisht një arritje të rëndësishme për Arsimin e Lartë në Republikën e Kosovës. Një arritje, që sipas U.D. Presidentes Haxhiu, jep besueshmëri punës akademike në vendin tonë, që e forcon besimin në institucionet tona dhe e vendos Kosovën denjësisht në hartën ndërkombëtare të cilësisë në arsim. “Njohja e Agjencisë së Kosovës për Akreditim nga Këshilli për Akreditimin e Arsimit të Lartë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është arritje e madhe për institucionet tona, për universitetet tona, për profesorët, për studentët dhe për secilën familje, që e sheh arsimin si udhën më të ndershme drejt përparimit”, është shprehur U.D. Presidentja Haxhiu. Sipas saj, arsimi i lartë është një prej mënyrave më fisnike, me të cilat një vend e përgatit të ardhmen e tij, duke shtuar tutje se në universitet shoqëria mëson të mendojë më kthjellët, të gjykojë më drejt dhe ta kthejë dijen në zhvillim. “Prandaj, besimi në arsimin e lartë është kaq i çmueshëm. Sepse, kur i besohet diplomës i besohet edhe mundit të studentit, edhe punës së profesorit, edhe institucionit që e ka dhënë atë diplomë. Ashtu matet edhe serioziteti i shtetit ndaj dijes, ndaj meritës por edhe ndaj cilësisë”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu. U.D. Presidentja Haxhiu tha se kjo është arsyeja pse kjo njohje ka rëndësi të veçantë. “Ajo është dëshmi se Agjencia e Kosovës për Akreditim ka hyrë në një rreth më të gjerë besueshmërie, ku cilësia nuk shpallet vetë, por vlerësohet nga të tjerët. Besimi i partnerëve ndërkombëtarë tregon se Kosova po ndërton standarde të krahasueshme me botën demokratike dhe akademike dhe kur flasim për standardet duket sikur po flasim për rregullat teknike, por ato janë gjuha me të cilën një shtet i thotë qytetarit: Mundi yt do të njihet dhe dija jote do të vlejë”, tha U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo, ka falënderuar Agjencinë e Kosovës për Akreditim, Këshillin Shtetëror të Cilësisë, ekipet profesionale dhe të gjithë ata që kanë punuar në këtë proces të rëndësishëm. Po ashtu, ka falënderuar Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e vazhdueshme në këtë proces të rëndësishëm. “Kosova dhe Shtetet e Bashkuara kanë ndërtuar një partneritet, që është dëshmuar në momentet më vendimtare të historisë sonë. Sot ky partneritet po shihet edhe në fusha, që ndërtojnë të ardhmen e Kosovës, në arsim, në cilësi, në kapacitete profesionale dhe në besimin që institucionet tona fitojnë jashtë vendit”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu. Në fund, U.D. Presidentja Haxhiu tha se le të jetë kjo arritje një hap tjetër drejt një Kosove, ku dija nderohet, merita mbrohet dhe arsimi i lartë bëhet një nga shtyllat më të sigurta të zhvillimit tonë kombëtar!
U.D. Presidentja Haxhiu mori pjesë në hapjen e Edicionit të Dhjetë të Festivalit Ndërkombëtarë të Teatrove Prishtina International Theater Festival “Burbuqe Berisha”

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë sonte në hapjen solemne të Edicionit të Dhjetë të Festivalit Ndërkombëtarë të Teatrove Prishtina International Theater Festival “Burbuqe Berisha”. Në fjalën e saj para të pranishmëve, U.D. Presidentja Haxhiu tha se prej herës së parë që kam hy në teatër, atëbotë isha vajzë e vogël në teatrin Dodona, e kam ndje magjinë që ka teatri, duke shtuar më tej se edhe sot, si e rritur e me shumë angazhime të reja në jetën publike, teatri mbetet hapësira ime e preferuar. “Për ato dy apo tri orë sa zgjat një shfaqje, salla të largon nga zhurma e ditës, nga politika, nga përgjegjësitë shtetërore, nga presioni i vendimeve dhe të vendos përballë njeriut. Përballë dilemave, dhimbjes, humorit, frikës, dashurisë por edhe guximit”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. Sipas saj, në kohët më të vështira për Kosovën, arti ishte mënyra jonë e mbijetesës. “Në teatër veçanërisht, fjala shqipe merrte jehonë dhe njeriu e shihte veten ende të plotë e me dinjitet. Falë angazhimit të gjithë atyre njerëzve, aktorëve, regjisorëve, dramaturgëve, shkrimtarëve e muzikantëve, të cilët punuan shpesh në kushte jashtëzakonisht të rënda, por me shumë vullnet, qytetarët tanë i ruajtën aftësitë jetike. E ruajtën të folurit, humorin, kundërshtimin e debatin dhe kështu ecën e kështu e ruajtën njeriun e plotë edhe kur i gjithë sistemi ishte kundër”, ka pohuar U.D. Presidentja Haxhiu. Edhe sot, sipas U.D. Presidentes Haxhiu teatri ka një vlerë të pazëvendësueshme. “Ai na mbledh në një sallë dhe na bën të shohim së bashku atë që kur jemi vetëm e shmangim. Na mëson të dëgjojmë edhe kur nuk pajtohemi, të qeshim edhe kur jeta është shumë e rëndë, të ndiejmë edhe kur jemi lodhur nga lajmet dhe nga zhurma e përditshme. Këtu njeriu hyn si shikues, por del si dëshmitar i një të vërtete që të prek thellë”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu. U.D. Presidentja Haxhiu tha se që nga themelimi i tij, ky festival ka qenë i lidhur me vizionin dhe punën e Burbuqe Berishës. “Burbuqja ishte krijuese e rrallë që e kuptoi artin edhe si punë, edhe si përkushtim por edhe si përgjegjësi. Ajo la gjurmë në teatër, në film, në formimin e shumë brezave dhe në jetën artistike të vendit. Prandaj, sa herë që ky festival hap siparin, Buqja është pranë nesh në skenë gjithnjë”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo uroi që ky edicion jubilar të sjellë shfaqje të mira, biseda të gjata, miqësi të reja dhe atë heshtjen magjike të sallës, kur publiku e kupton se diçka e vërtetë sapo ka ndodhur. Në fund, U.D. Presidentja Haxhiu në emër të dy institucioneve të Republikës së Kosovës, Kuvendit të Republikës dhe Presidencës si dhe në emrin e saj i përgëzoi për këtë jubile dhe e shpalli të hapur Edicionin e Dhjetë të Prishtina International Theater Festival “Burbuqe Berisha”.
U.D. Presidentja Haxhiu: Besimi i qytetarëve në sistemin e drejtësisë ndërtohet pikërisht përmes proceseve të drejta, transparente dhe të bazuara në meritokraci

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka përshëndetur shpalljen e konkursit për Kryeprokuror të Shtetit. Sipas saj, ky veprim i Këshillit Prokurorial të Kosovës rikthen mundësinë për një proces të rregullt, transparent dhe të bazuar në meritë. “Është me rëndësi që i gjithë procesi të zhvillohet në mënyrë të paanshme, të besueshme dhe larg çdo ndikimi politik apo interesi të ngushtë, në mënyrë që në krye të Prokurorisë së Shtetit të zgjidhet kandidati më kompetent dhe me integritet të lartë profesional”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. U.D. Presidentja Haxhiu ka thënë se besimi i qytetarëve në sistemin e drejtësisë ndërtohet pikërisht përmes proceseve të drejta, transparente dhe të bazuara në meritokraci.
U.D. Presidentja Haxhiu: Përderisa fati i Ukshin Hotit mbetet i pandriçuar, drejtësia për të zhdukurit me forcë mbetet e paplotë

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se sot bëhen 27 vjet nga zhdukja me forcë e Prof. Ukshin Hotit, intelektualit të Republikës, mendimtarit politik dhe veprimtarit të çështjes kombëtare. “Ukshin Hoti ishte ndër zërat më të qartë të mendimit politik shqiptar, që kërkesën për Republikën e Kosovës e artikuloi me dije, guxim dhe bindje të palëkundur. Për këtë, u burgos disa herë nga regjimi jugosllav dhe serb”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo më tej ka thënë se më 16 maj 1999, pas daljes nga burgu i Dubravës, ai u zhduk nga aparati shtetëror serb. “Përderisa fati i Ukshin Hotit mbetet i pandriçuar, drejtësia për të zhdukurit me forcë mbetet e paplotë. E vërteta për të është detyrim ndaj familjes, ndaj historisë dhe ndaj Republikës që ai e mendoi para se ajo të bëhej shtet”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.
U.D. Presidentja Haxhiu ngushëllon familjen Gashi për ndarjen nga jeta të Prof. Dr. Alush Gashit

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se me pikëllim mora lajmin për ndarjen nga jeta të Prof. Dr. Alush Gashit, mjekut, profesorit universitar, veprimtarit politik dhe nënshkruesit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës. “Prof. Dr. Gashi i shërbeu vendit në shumë fusha dhe në periudha të rëndësishme të historisë sonë. Si profesor i Anatomisë, specialist i Kirurgjisë së Përgjithshme dhe ish-dekan i Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, ai dha kontribut të çmuar në arsimin e lartë dhe në shëndetësinë e Kosovës”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo ka thënë se në jetën publike, ai shërbeu si deputet i Kuvendit të Kosovës, duke shtuar më tej se me angazhimin e tij politik dhe institucional, ai ishte pjesë e proceseve që e çuan Kosovën drejt lirisë dhe shtetësisë së Republikës. U.D. Presidentja Haxhiu iu ka shprehur ngushëllime familjes Gashi, miqve, bashkëpunëtorëve, komunitetit akademik e mjekësor dhe të gjithë atyre që e njohën e punuan me të. “I përjetshëm qoftë kujtimi për Prof. Dr. Alush Gashin”, ka shkruar U.D. Presidentja Haxhiu.