U.D. Presidentja Haxhiu priti sot Komisioneren e Bashkimit Evropian për Zgjerim, znj. Marta Kos

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim Komisioneren e Bashkimit Evropian për Zgjerim, znj. Marta Kos, në vizitën e saj të parë zyrtare në Kosovë. “Biseduam për rrugën evropiane të Republikës së Kosovës, për reformat që duhet të çohen përpara dhe për rëndësinë që procesi i zgjerimit të jetë i drejtë, i besueshëm dhe i bazuar në merita”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo, më tej ka thënë se Kosova e sheh të ardhmen e saj në Bashkimin Evropian. Sipas, U.D. Presidentes Haxhiu, ky është orientim i qytetarëve tanë, projekt shtetëror dhe zgjedhje strategjike. Prandaj, ka shtuar ajo, presim që përkushtimi ynë ndaj demokracisë, sundimit të ligjit dhe vlerave evropiane të gjejë përgjigje të qartë edhe nga Bashkimi Evropian. “E falënderova Komisioneren Kos për vizitën dhe për angazhimin e saj në procesin e zgjerimit. Kosova mbetet e përkushtuar për bashkëpunim të ngushtë me institucionet e BE-së, në interes të qytetarëve tanë dhe të një Evrope më të plotë, më të sigurt dhe më demokratike”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.
U.D. Presidentja Haxhiu priti në takim lamtumirës Ambasadorin e Australisë jorezident në Kosovë, Richard Rodgers

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim lamtumirës Ambasadorin e Australisë jorezident në Kosovë, Richard Rodgers. Me këtë rast, U.D. Presidentja Haxhiu e ka falënderuar ambasadorin Rodgers për angazhimin e tij gjatë mandatit, për miqësinë ndaj Kosovës dhe për kontributin në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Australisë. “Kosova e vlerëson partneritetin me Australinë dhe mbështetjen e saj për paqen, demokracinë dhe bashkëpunimin”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. U.D. Presidentja Haxhiu i ka uruar suksese Ambasadorit Rodgers në angazhimet e tij të ardhshme.
U.D. Presidentja Haxhiu: Qyshku, Zahaqi dhe Pavlani mbeten dëshmi e një mizorie të planifikuar, e një aparati shtetëror që e ktheu vrasjen e shqiptarëve në metodë lufte dhe dëbimin në qëllim politik

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se sot, në 27-vjetorin e Masakrës së Qyshkut, kujtojmë me nderim martirët e Qyshkut, Zahaqit dhe Pavlanit, 82 civilë shqiptarë të vrarë më 14 maj 1999 nga forcat serbe. “Atë mëngjes, Qyshku, Zahaqi dhe Pavlani u goditën si pjesë e një operacioni të organizuar të forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe. Gratë, fëmijët dhe të moshuarit u dëbuan nga shtëpitë, ndërsa burrat u ndanë, u plaçkitën, u mbyllën në shtëpi dhe u vranë. Më pas, shtëpitë u dogjën për t’i mbuluar gjurmët e krimit”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo më tej ka thënë se në këto fshatra u goditën njerëz të paarmatosur, banorë e mysafirë që lufta i kishte gjetur aty. “U shuan jetë, u prekën familje të tëra, u dogjën shtëpi dhe u dëbuan civilë shqiptarë nga vendi i tyre. Qyshku, Zahaqi dhe Pavlani mbeten dëshmi e një mizorie të planifikuar, e një aparati shtetëror që e ktheu vrasjen e shqiptarëve në metodë lufte dhe dëbimin në qëllim politik”, ka pohuar U.D. Presidentja Haxhiu. Sipas saj, drejtësia për këto masakra është detyrim ndaj familjeve, ndaj të mbijetuarve dhe ndaj Republikës sonë. “I përhershëm qoftë kujtimi për martirët e Qyshkut, Zahaqit dhe Pavlanit”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.
U.D. Presidentja Haxhiu: Sot përkulemi me respekt para kujtimit të martirëve të masakrës së Korishës, një nga ngjarjet më të rënda të luftës në Kosovë

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë homazhe sot në Korishë. Ajo, ka thënë se sot përkulemi me respekt para kujtimit të martirëve të masakrës së Korishës, një nga ngjarjet më të rënda të luftës në Kosovë. “Me 13 maj në Korishë humbën jetën 77 civilë shqiptarë, mes tyre 30 fëmijë, si dhe 11 martirë të tjerë të rënë gjatë periudhës 24 mars 1999 deri në qershor 1999”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo ka thënë se në Korishë dhe në fshatrat përreth, civilët shqiptarë u dëbuan, u ndaluan gjatë dëbimit, u grumbulluan dhe u mbajtën nën trysninë e forcave serbe. “Një numër civilësh u morën peng dhe u detyruan t’i shërbejë forcave sërbe, të cilët i përdoren për të bërë roje dhe ndërtuar gardhe. Aty takuam edhe një ndër të mbijetuarit e masakrës, Genc Ahmetaj i cili na rrëfeu tmerrin e asaj nate”, ka pohuar U.D. Presidentja Haxhiu. Sipas saj, Korisha është dëshmi e rëndë e asaj që regjimi serb bëri mbi popullsinë civile shqiptare: i dëboi nga shtëpitë, i ndali në rrugë, i mori peng, i përdori për nevoja ushtarake dhe pastaj u përpoq ta shtrembëronte të vërtetën. “Familjet e viktimave kanë të drejtë për drejtësi, dhe institucionet e Republikës së Kosovës do të jenë pranë tyre deri në zbardhjen e plotë të krimeve të luftës. I përhershëm qoftë kujtimi për martirët e Korishës”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.
U.D. Presidentja Haxhiu: Agroni me shokë mori përsipër punë që nuk dukeshin gjithmonë para syve të njerëzve, por pa të cilat lufta nuk mund të ecte

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, së bashku me Kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, kanë bërë homazhe te varri i Heroit Agron Rrahmani, në 28 vjetorin e rënies. “Në 28-vjetorin e rënies, e kujtojmë me nderim Heroin e Kombit Agron Rrahmanin. Qysh i ri, nga Ballofci i Besianës deri në Prishtinë, ai u dallua për veprimtari atdhetare. Aktivitetin e tij e nisi herët si gjimnazist në Besianë, dhe më vonë e vazhdoi në ilegalitet, në Prishtinë, në Tiranë, në Tetovë e në shumë vise të tjera, ai u bë një nga njerëzit e veprimit të përditshëm”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. Sipas saj, Agroni me shokë mori përsipër punë që nuk dukeshin gjithmonë para syve të njerëzve, por pa të cilat lufta nuk mund të ecte: organizim, lëvizje, përgatitje, lidhje mes njerëzve dhe besim të plotë se Kosova duhej të çlirohej. “Agron Rrahmani ishte luftëtar i guximshëm, por më shumë se kaq ishte edhe njeri i organizimit ushtarak në qytet. Para se të merrte drejtimin e njësitit “Rexhep Mala” në Prishtinë, ai kishte marrë përsipër përgatitjen luftarake të anëtarëve të LKÇK-së dhe të vullnetarëve, si dhe kishte ndihmuar në ngritjen e qendrës stërvitore në Tiranë, ku u përgatitën mbi 300 vullnetarë”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo tha se në shkurt të vitit 1998, ai u caktua komandant i njësitit të parë ilegal luftarak në Prishtinë, njësit që mori emrin “Rexhep Mala”. “Agroni ra heroikisht me 12 maj 1998. Ajo ishte javë e kobshme për luftën tonë dhe një nga goditjet më të rënda të organizimit të hershëm të luftës çlirimtare. Para rënies së tij, kishte rënë me 7 maj Bahri Fazliu dhe me 9 maj Ilir Konushevci. Lavdi e përjetshme heroit Agron Rrahmani dhe të gjithë heronjëve dhe dëshmorëve të kombit!”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.
U.D. Presidentja Haxhiu: Ilir Konushevci ishte vetëm 20 vjeç kur filloi angazhimin për lirinë vendit

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, së bashku me Kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, kanë bërë homazhe sot te varri i heroit Ilir Konushevci dhe Dr. Hazir Malaj, në 28 vjetorin e rënies. Me këtë rast, U.D. Presidentja Haxhiu ka thënë se në 28 vjetorin e vrasjes së Ilir Konushevcit dhe të Hazir Malajt, sot kujtojmë dy figura të respektuara, dy heronj të Republikës së Kosovës dhe të kombit tonë. U.D. Presidentja Hahiu tha se Ilir Konushevci ishte vetëm 20 vjeç kur filloi angazhimin për lirinë vendit. “Në vitet e 90-ta, kur territori i Republikës së Kosovës, ishte i mbushur me dhunën policore, me shtypje, me diskriminim ndaj shqiptarëve të Kosovës, ai u bë pjesë e grupeve të para që po përgatitnin rezistencën e armatosur. Ishte pjesë e grupit “Shqiponja” dhe rreth tij kishte heronj si Zahir Pajaziti, si Hakif Zejnullahu, si Edmond Hoxha, të cilët zgjodhën rrugën e vështirë, rrugën e rrezikshme, vetëm e vetëm që Republika jonë të jetë e pavarur dhe vendi jonë asokohe të çlirohej”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. Sipas saj, Ilir Konushevci dhe Hazir Malaj janë dy figura shumë të rëndësishme të kombit tonë, duke shtuar tutje se, ata kanë shërbyer edhe si inkurajim për shumë gjenerata, që t’i bashkohen Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe pikërisht kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës u forcua në atë kohë, Ilir Konushevcit iu nda një detyrë aspak e lehtë. “E ajo ishte që të merrej me furnizim me armë dhe me municion. Disa herë e kishte bërë rrugën Kosovë-Shqipëri e Shqipëri-Kosovë, sepse ai e dinte që me çdo dërgesë mund të fitohej një betejë dhe me çdo vonesë të një dërgese mund të rrezikohej populli jonë. Pikërisht u vranë, në një moment tjetër kur planifikonin t’i sillnin dërgesë tjetër Kosovës, pra Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe rënia e Ilir Konushevcit dhe Hazir Malajt ishte goditje e rëndë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Prandaj, sot me respekt dhe nderim kujtojmë dy figura të çmuara të kombit tonë, të Kosovës sonë”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.
U.D. Presidentja Haxhiu ka dekretuar shpalljen e një sërë ligjesh të rëndësishme për qytetarët dhe për Republikën

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka dekretuar shpalljen e një sërë ligjesh të rëndësishme për qytetarët dhe për Republikën. Disa prej tyre lidhen drejtpërdrejt me jetën e përditshme, me banimin social dhe të përballueshëm, kujdesin shëndetësor, shtetësinë, shërbimet e pagesave, resurset ujore dhe maturën shtetërore. “Po ashtu, kam dekretuar ligjin për ratifikimin e marrëveshjes për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Bordin e Paqes, ligjin për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, si dhe ligjet që lidhen me marrëveshjet financiare me Bashkimin Evropian dhe Agjencinë Franceze për Zhvillim”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo më tej ka shtuar se ligjet marrin peshë kur shndërrohen në shërbim për qytetarin dhe në forcim të Republikës.
U.D. Presidentja Haxhiu e ka dekoruar pas vdekjes akademik Rexhep Qosjen me titullin “Nderi i Republikës së Kosovës”

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, e ka dekoruar pas vdekjes akademik Rexhep Qosjen me titullin “Nderi i Republikës së Kosovës”. “Rexhep Qosja ishte një nga figurat më të rëndësishme të letërsisë, shkencës dhe mendimit shqiptar. Me veprën e tij të gjerë, me qëndrimin e tij publik dhe me përkushtimin ndaj çështjeve të mëdha të kombit, ai la gjurmë të thella në kulturën shqiptare dhe në vetëdijen tonë kombëtare”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. Sipas saj, ky titull është shenjë mirënjohjeje për një jetë të tërë në shërbim të dijes, lirisë dhe dinjitetit kombëtar. “I përjetshëm qoftë kujtimi për të”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.
U.D. Presidentja Haxhiu ngushëllon familjen Pëllumbi për ndarjen nga jeta të Profesor Servet Pëllumbit

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, në emër të Republikës së Kosovës, i ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes Pëllumbi për ndarjen nga jeta të Profesor Servet Pëllumbit. “Profesor Servet Pëllumbin do ta kujtojmë gjithmonë si një njeri të urtë, me një mprehtësi të pazakontë në analizën dhe shpjegimin e fenomeneve filozofike, politike dhe shoqërore. Përmes veprave të tij akademike, brezat e rinj mësojnë dhe përgatiten për të ardhmen, ndërsa përmes angazhimit të tij në jetën shoqërore, ai na mësoi të gjithëve se si duhet t’i shërbejmë vendit tonë me nder, krenari dhe përgjegjësi të lartë”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të U.D. Presidentes Haxhiu. Sipas saj, në vitet e vështira të tranzicionit në Republikën e Shqipërisë, ai vuri dijen dhe potencialin e tij akademik në funksion të demokratizimit dhe reformimit të sistemit. “Periudhat tranzitore shpesh nxjerrin figura të paharrueshme, dhe i tillë do të mbetet gjithmonë Profesor Servet Pëllumbi. Në vitet 2002–2005, si Kryetar i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, ai kontribuoi në forcimin e institucioneve demokratike, avancimin e legjislacionit dhe konsolidimin e parlamentarizmit në vend”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo ka thënë se humbja e tij është humbje për të gjithë kombin tonë, andaj bashkëndjejmë me ju dhimbjen për ndarjen e tij nga jeta. “Veprimtaria e tij do të mbetet e çmuar dhe udhërrëfyese për brezat që vijnë. I përjetshëm qoftë kujtimi për Profesor Servet Pëllumbin”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të U.D. Presidentes Haxhiu.
U.D. Presidentja Haxhiu dekretoi 17 gjyqtarë me mandat fillestar

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka dekretuar sot 17 gjyqtarë me mandat fillestar, në bazë të propozimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Nga gjyqtarët e dekretuar, 15 janë nga komuniteti shqiptar dhe 2 nga komuniteti serb. Gjatë ceremonisë së betimit në Presidencë, gjyqtarët e rinj u zotuan se do t’i qëndrojnë besnikë Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, do të respektojnë etikën profesionale dhe do ta ushtrojnë detyrën e tyre me integritet, profesionalizëm dhe paanshmëri. U.D. Presidentja Haxhiu theksoi se marrja e detyrës së gjyqtarit është përgjegjësi e madhe publike, sepse vendimet gjyqësore prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve. Ajo uroi që gjatë mandatit të tyre gjyqtarët të jenë të pavarur nga çdo ndikim politik, financiar apo personal, duke theksuar se drejtësia nuk negociohet.