U.D. Presidentja Haxhiu vizitoi Shoqatën e Familjeve të të Pagjeturve në Mitrovicë

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka vizituar sot Shoqatën e Familjeve të të Pagjeturve në Mitrovicë, ku është takuar me familjarë të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës. Në këtë vizitë, U.D. Presidentja Haxhiu, e shoqëruar nga deputetja Arjeta Fejza, ka dëgjuar nga afër shqetësimet, kërkesat dhe dhimbjen e familjeve që ende presin përgjigje për më të dashurit e tyre. “Në Komunën e Mitrovicës janë ende 104 persona të zhdukur me dhunë, për fatin e të cilëve familjet nuk kanë asnjë informacion. Kjo është plagë e rëndë për familjet, për Mitrovicën dhe për gjithë Republikën e Kosovës”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo ka thënë se institucionet e Republikës së Kosovës kanë detyrim të vazhdojnë punën për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë, ndërsa pengesa kryesore në këtë proces mbetet mungesa e bashkëpunimit nga Serbia. “Problemi kryesor vazhdon të jetë Serbia, e cila nuk po jep informacionet e nevojshme për fatin e personave të zhdukur me dhunë. Kërkesat e familjeve dhe të nënave që ende presin përgjigje do t’i adresojmë tek institucionet përgjegjëse. Kjo çështje duhet të mbetet në qendër të punës institucionale”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. Gjatë vizitës, ajo ka falënderuar Shoqatën e Familjeve të të Pagjeturve në Mitrovicë për punën shumëvjeçare në mbajtjen gjallë të zërit të familjarëve dhe në kërkimin e së vërtetës për të pagjeturit. “Kjo është vizita ime e parë në këtë shoqatë dhe dua t’i falënderoj për punën e madhe që kanë bërë ndër vite. Për shumë kohë, një pjesë të barrës që duhej ta mbanin institucionet pas luftës e kanë mbajtur shoqatat dhe organizatat e familjarëve, përfshirë edhe këtë shoqatë në Mitrovicë”, ka theksuar ajo. U.D. Presidentja Haxhiu ka përmendur edhe hapat institucionalë të ndërmarrë për trajtimin e krimeve të luftës dhe për forcimin e drejtësisë tranzicionale në Kosovë. “Për familjarët e viktimave të luftës dhe për familjet e personave të zhdukur me dhunë, drejtësia mbetet kërkesë e përhershme. Prandaj janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm, si mundësimi i gjykimit në mungesë, themelimi i Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës, rritja e kapaciteteve në polici e prokurori dhe miratimi i Strategjisë për Drejtësi Tranzicionale. Këto janë veprime që tregojnë përkushtimin institucional për adresimin e krimeve të luftës dhe për mbështetjen e familjeve”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.

U.D. Presidentja Haxhiu fton Bashkimin Evropian të dërgojë Mision Vëzhgues për zgjedhjet e 7 qershorit

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, i ka dërguar letër Presidentes së Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, dhe Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, njëherësh Zëvendëspresidente e Komisionit Evropian, Kaja Kallas, përmes së cilës ka ftuar Bashkimin Evropian të dërgojë Mision Vëzhgues të Zgjedhjeve për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të caktuara për datën 7 qershor 2026. Në letrën e saj, U.D. Presidentja Haxhiu ka theksuar se, në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese, ka nxjerrë vendimin për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme. Duke pasur parasysh rëndësinë e këtij procesi, ajo ka ftuar Bashkimin Evropian që, përmes një Misioni të pavarur Vëzhgues, të përcjellë dhe vlerësojë zhvillimin e zgjedhjeve. U.D. Presidentja Haxhiu ka theksuar se prania e Misionit Vëzhgues të BE-së do të kontribuonte në transparencën, kredibilitetin dhe integritetin e procesit zgjedhor, në përputhje me përkushtimin e vazhdueshëm të Republikës së Kosovës për standarde demokratike dhe zgjedhje të lira. Republika e Kosovës e ka vlerësuar vazhdimisht rolin e Bashkimit Evropian në mbështetjen e institucioneve demokratike dhe në avancimin e standardeve zgjedhore. Ftesa për dërgimin e Misionit Vëzhgues është vazhdim i kësaj praktike institucionale dhe shprehje e përkushtimit të Kosovës për një proces zgjedhor të hapur, transparent dhe të besueshëm.

U.D. Presidentja Haxhiu priti nxënësit që përfaqësuan Kosovën në EMO 2026 dhe ndau mirënjohje për ta dhe Shoqatën e Matematikanëve

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, priti sot në takim ekipin e Kosovës në matematikë, pas pjesëmarrjes në Olimpiadën Evropiane të Matematikës, EMO 2026. Ekipi u udhëhoq nga prof. asoc. dr. Valdete Rexhebeqaj-Hamiti, kryetare e Shoqatës së Matematikanëve të Kosovës, ndërsa Kosova u përfaqësua nga nxënësit Ajan Hajrullahu, Lyron Celina, Vesa Xhymshiti, Ari Juniku, Shpendi Deva dhe Lekë Nikçi. Në këtë garë, Ajan Hajrullahu fitoi medaljen e bronztë, ndërsa Lyron Celina dhe Vesa Xhymshiti fituan mirënjohje nderi. U.D. Presidentja Haxhiu i përgëzoi nxënësit për rezultatin e arritur dhe për përfaqësimin e Kosovës në një garë të rëndësishme ndërkombëtare të matematikës. “Pjesëmarrja në gara të këtij niveli është sukses në vete. Kur kësaj i shtohen edhe rezultatet e arritura, medalja e bronztë e Ajanit dhe mirënjohjet e nderit për Lyronin dhe Vesën, atëherë ky sukses merr kuptim edhe më të madh. Ai flet për përkushtimin, disiplinën dhe potencialin e të rinjve tanë në matematikë. Suksesi i tyre është edhe sukses i Republikës së Kosovës”, tha U.D. Presidentja Haxhiu. Me këtë rast, ajo ndau mirënjohje për gjashtë nxënësit përfaqësues të Kosovës dhe për Shoqatën e Matematikanëve të Kosovës. Gjatë takimit u diskutua edhe për sfidat me të cilat përballet Shoqata e Matematikanëve të Kosovës në përgatitjen e nxënësve për gara ndërkombëtare. U.D. Presidentja Haxhiu shprehu gatishmërinë që Presidenca të ndihmojë, qoftë drejtpërdrejt, qoftë duke shërbyer si urë lidhëse me institucionet përkatëse. Po ashtu, në takim u theksua se Kosova në vitin 2027 do të jetë organizatore e Olimpiadës Evropiane të Matematikës, ku Prishtina do të mirëpresë të rinj të talentuar nga vende të ndryshme të Evropës. U.D. Presidentja Haxhiu theksoi se mbështetja për nxënësit e talentuar është investim në dije, shkencë dhe në të ardhmen e Kosovës.  

U.D. Presidentja Haxhiu mori pjesë në ceremoninë e hapjes së Gjykatës Administrative: Është një ditë e rëndësishme për sistemin tonë të drejtësisë

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë sot në ceremoninë e hapjes së Gjykatës Administrative, në të cilën morën pjesë edhe ministrja në detyrë e Drejtësisë Donika Gërvalla, Arjeta Sadiku zëvendëskryesuese e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Fejzullah Rexhepi Kryetar i Gjykatës Supreme të Kosovës, zëvendësministri në detyrë i Drejtësisë Genc Nimoni, u.d kryetari i Gjykatës Administrative Rexhep Gashi, shefi i EULEX-it në Kosovë Giovanni Pietro Barbano, Alfons Lentz nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë. Me këtë rast, U.D. Presidentja Haxhiu ka thënë se fillimi i punës së Gjykatës Administrative pa dyshim që është një ditë e rëndësishme për sistemin tonë të drejtësisë, por rëndësia e saj e vërtetë do të ndihet jashtë këtyre ambienteve. “Pra, në zyrat, në shtëpitë ku qytetarët presin përgjigje, në familjet që varen nga një vendim, në punën e përditshme të administratës dhe në besimin që njerëzit kanë në raport me shtetin dhe institucionet e Republikës së Kosovës. Ajo që për administratën mund të jetë një lëndë, për qytetarin është vendi i tij i punës, pensioni i prindit, paga e familjes, një ndihmë e domosdoshme, një licencë për të punuar, apo një e drejtë që e ka kërkuar me muaj apo me vite të tëra. Prandaj, duhet theksuar se vendimet administrative e prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, është shprehur U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo ka thënë se kur e kemi nisur këtë punë në Ministrinë e Drejtësisë, kemi pasur para vetes një problem të njohur për shumë qytetarë të Republikës: shteti vendos, kurse qytetari shpesh detyrohet të presë gjatë për ta kuptuar nëse vendimi i një institucioni është i drejtë apo i ligjshëm, nëse është i arsyetuar, nëse ka ku të ankohet dhe nëse ankesa e tij do të merret seriozisht. “Në një republikë demokratike, vendimi i administratës nuk mund ta lërë qytetarin pa rrugë. Ai duhet të mbështetet në ligj, të arsyetohet qartë dhe të mund të kundërshtohet kur qytetari mendon se i është cenuar një e drejtë. Edhe sot, në një kapacitet tjetër, e shoh këtë gjykatë me të njëjtën bindje. Reforma pra, nuk matet me momentin kur shkruhet në ligj, por atëherë kur qytetari fillon ta ndjejë në jetën e vet. Dhe sot me hapjen e Gjykatës Administrative, unë uroj fort që qytetari i Republikës ta ndjejë dorën e shtetit, dhe uroj po ashtu që çdo dorë që prek jetën e qytetarit të jetë e kujdesshme, e matur dhe e përgjegjshme”, ka theksuar U.D. Presidentja. Ajo më tej tha se Gjykata Administrative do të ketë rëndësi edhe për vetë administratën. Sipas saj, çdo vendim i saj do të jetë mësim për zyrën publike: si duhet të arsyetohet një akt, si duhet të respektohet afati, si duhet të trajtohet pala dhe si duhet të shmanget përsëritja e gabimit. Ajo më tej tha se Shteti bëhet më i mirë kur pranon të korrigjohet. “Puna e gjykatës nuk do të jetë e rëndësishme vetëm për qytetarin që e fiton një kontest. Por do të jetë e rëndësishme edhe për administratën që mëson nga ai kontest. Sepse çdo vendim i kësaj gjykate do t’i flasë edhe zyrës publike: t’i tregojë ku ka gabuar, si duhet të arsyetohet një vendim, si duhet të veprojë herën tjetër. Kështu ndërtohet edhe zakoni i përgjegjësisë në shtet”, shtoi U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo i ka falënderuar të gjithë ata që kanë punuar në këtë proces të rëndësishëm: grupin punuese, në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, Ministrinë e Drejtësisë, Kuvendin e Republikës së Kosovës, Këshillin Gjyqësor, gjyqtarët, sidomos administrativ që nuk kanë hezituar asnjëherë, që të jenë në grupe punuese të Ministrisë së Drejtësisë në atë kohë dhe të japin kontributin e tyre profesional. “Faleminderit shumë, sepse natyrisht që puna e zyrtarëve në Ministrinë e Drejtësisë në atë kohë ka qenë shumë e madhe, por ndryshe është kur merr mësime, komente, propozime nga ata që për çdo ditë merren me çështje të tilla! Prandaj, faleminderit për gjithë këtë angazhim që e keni bërë! E gjithashtu edhe partnerët që e kanë ndihmuar asokohe Ministrinë e Drejtësisë”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. Në fjalën e saj para të pranishmëve, ajo ka thënë se nga sot pra, kjo gjykatë do të flasë përmes vendimeve të saj, përmes lëndëve që i trajton pa zvarritje dhe përmes rasteve kur gabimi i administratës rregullohet dhe kur qytetari e sheh se nuk është i pambrojtur. “Pra, ky është kuptimi i saj. Uroj që puna e saj ta afrojë qytetarin me të drejtën dhe ta mbajë administratën më afër përgjegjësisë! Ju uroj punë të mbarë gjithë gjyqtarëve që do të jenë të angazhuar në këtë Gjykatë. Po ashtu stafit profesional, bashkëpunëtorëve, zyrtarëve ligjorë dhe gjithë stafit tjetër që do të angazhohet në të njëjtën”, ka thënë në fund të fjalës së saj U.D. Presidentja Haxhiu.  

U.D. Presidentja Haxhiu takoi Kryetarin e Komunës së Fushë Kosovës, Valon Prebreza

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, gjatë ditës së sotme është takuar me Kryetarin e Komunës së Fushë Kosovës, Valon Prebreza, me ç’rast është diskutuar për shumë projekte në shërbim të qytetarëve, e po ashtu edhe për mbështetjen e organizatave që punojnë me gratë. U.D. Presidentja Haxhiu dhe Kryetari Prebreza, biseduan për sfidat me të cilat përballen gratë çdo ditë, për nevojën që zëri i tyre të dëgjohet më shumë dhe për rëndësinë e krijimit të mundësive të barabarta për secilën prej tyre. Sipas U.D. Presidentes Haxhiu, është e domosdoshme që të jemi pranë këtyre iniciativave dhe t’i mbështesim ato vazhdimisht, në mënyrë që çdo grua të ketë hapësirën dhe përkrahjen që meriton.

U.D. Presidentja Haxhiu nënshkruan dekretin për hapjen e Misionit Konsullor të Republikës së Kosovës në Teksas

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka nënshkruar sot dekretin për hapjen e Misionit Konsullor të Republikës së Kosovës në Teksas. “Ky është një hap i rëndësishëm për bashkatdhetarët tanë në Teksas dhe në rajonin përreth, por edhe mirënjohje për mërgatën tonë në Amerikë, e cila për dekada ka punuar, ka ndihmuar, ka lobuar dhe ka qëndruar pranë Kosovës. Në çdo kapitull të rrugës sonë, prej rezistencës e deri te shtetndërtimi, mërgata ka pasur rol kyç”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. Sipas saj, me këtë mision, Kosova bëhet më e afërt për qytetarët e saj dhe më e pranishme në një nga qendrat më të rëndësishme ekonomike e shoqërore të Amerikës.

U.D. Presidentja Haxhiu vizitoi Shoqatën e Lidhjes dhe Invalidëve të Viktimave Civile në Kosovë

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka vizituar sot Shoqatën e Lidhjes dhe Invalidëve të Viktimave Civile në Kosovë, ku është pritur nga Drejtori i kësaj Shoqate, Mustafë Prenku. Me këtë rast, U.D. Presidentja Haxhiu ka thënë se kjo është vizita e saj e dytë në këtë Shoqatë. “Vizitën e parë e kam bërë sa kam qenë Ministre e Drejtësisë, në kuadër të fushatës 16 ditë të aktivizmit kundër dhunës në familje dhe tani edhe si Ushtruese e Detyrës së Presidentes”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo ka thënë se sot do të njoftohet për përparimet që kanë ndodhur prej asaj kohe dhe natyrisht për nevojat dhe sfidat që kjo qendër i ka. “Pas këtij takimi do të kem mundësi ta takoj edhe Kryetarin e Komunës së Fushë Kosovës, z. Valon Prebreza, për të diskutuar edhe për mbështetjen e organizatave që merren me rastet e tilla përfshirë edhe për bashkëpunim me organizatën me të cilën jam sot këtu”, është shprehur U.D. Presidentja Haxhiu. U.D. Presidentja Haxhiu, po ashtu, është takuar edhe me gratë që janë viktima të dhunës seksuale. Ajo, nga vizita në këtë Shoqatë ka bërë thirrje gjithë personave që kanë qenë të dhunuar seksualisht gjatë luftës së fundit në Kosovë, që të aplikojnë për njohje të statusit. “Me këtë rast më lejoni që të shfrytëzoj rastin, dhe t’i bëj thirrje të gjithë personave që kanë qenë të dhunuar seksualisht gjatë luftës së fundit në Kosovë, që të aplikojnë për njohje të statusit. Ju e dini që janë katër organizata të licencuara, që merren me ndihmën e personave të mbijetuar të dhunës seksuale, përfshirë pastaj edhe organizata në të cilën jemi, që në vazhdimësi kanë ndihmuar personat e dhunuar, që t’i tejkalojnë sfidat me të cilat ata përballen”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. U.D. Presidentja Haxhiu ka thënë se sa ka qenë Ministre e Drejtësisë, kemi rritur buxhetin për organizatat që merren me çështje familjare dhe me çështje sociale. “Ka pasur shumë organizata, ku në atë kohë Ministria e Drejtësisë i ka mbështetur projektet e tyre dhe qëllimi ka qenë që të jemi pranë sfidave që kanë organizatat, në mënyrë që me mbështetjen tonë të tejkalohen ato. Shumë më tepër do të njoftohemi nga takimi që kemi me gratë, sepse do t’i marrim, si me thënë aty për aty, sfidat me ato të cilat ballafaqohen. Në të kaluarën kanë pasur aspektet shëndetësore që i kanë trajtuar, ne i kemi ngritur ato me Ministrinë e Shëndetësisë dhe natyrisht që në bazë të përgjegjësive të gjitha institucionet do t’i adresojnë përgjegjësitë që kanë”, është shprehur U.D. Presidentja Haxhiu.

U.D. Presidentja Haxhiu: Në Ditën Ndërkombëtare të Zjarrfikësve, mirënjohje për njerëzit e minutave të para

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, në Ditën Ndërkombëtare të Zjarrfikësve, ka shprehur mirënjohje për njerëzit e minutave të para. Sipas saj, në çastet kur të tjerët largohen nga rreziku, zjarrfikësit nisen drejt tij. “Në shpërthime zjarri, në përmbytje, në aksidente apo shpëtim ata janë aty ku sekondat vlejnë më shumë se çkado tjetër. Puna e tyre kërkon guxim të madh por edhe disiplinë”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. U.D. Presidentja Haxhiu ka falënderuar zjarrfikësit për shërbimin e tyre të përditshëm dhe për gatishmërinë që tregojnë në çastet kur qytetarët kanë më së shumti nevojë.

U.D. Presidentja Haxhiu takoi ushtruesen e detyrës së Kryesueses së Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Arjeta Sadiku

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, është takuar sot me ushtruesen e detyrës së Kryesueses së Këshillit Gjyqësor të Kosovës, znj. Arjeta Sadiku, me të cilën ka diskutuar mbi zhvillimet aktuale në sistemin gjyqësor, forcimin e sundimit të ligjit dhe rritjen e efikasitetit institucional. Në takim, gjithashtu u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërinstitucional në funksion të rritjes së besimit të qytetarëve në sistemin gjyqësor.

U.D. Presidentja Haxhiu: Gazetaria me integritet është shërbim për qytetarët dhe për Republikën

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, mirënjohje për të gjithë ata që punojnë me integritet për ta mbajtur të saktë dhe të ndershme hapësirën tonë publike. “Epoka jonë karakterizohet me ritëm të shpejtë informimi, ndaj sfidat për ta dalluar faktin nga interpretimi janë gjithnjë e më të mëdha. Roli i mediave profesionale dhe i gazetarëve të përkushtuar mbetet thelbësor për informimin e drejtë të qytetarëve sepse kur e vërteta cenohet, kur lajmi ngatërrohet me manipulim, kur gjysmë të vërtetat ia zënë vendin fakteve dhe kur interesat e fshehura flasin në emër të publikut, qytetari e humb orientimin dhe demokracia dobësohet”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. Sipas saj, hapësira publike ka nevojë për ndershmëri, për fakte, për verifikim dhe përgjegjësi, duke shtuar më tej se këto janë vlera që e forcojnë besimin dhe e mbajnë të shëndetshme demokracinë tonë. Ajo ka falënderuar të gjithë punonjësit e mediave që verifikojnë faktet, transmetojnë lajmet dhe i shërbejnë publikut me ndershmëri! “Gazetaria me integritet është shërbim për qytetarët dhe për Republikën”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.

This site is registered on wpml.org as a development site.