Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka vizituar sot Shoqatën e Lidhjes dhe Invalidëve të Viktimave Civile në Kosovë, ku është pritur nga Drejtori i kësaj Shoqate, Mustafë Prenku.
Me këtë rast, U.D. Presidentja Haxhiu ka thënë se kjo është vizita e saj e dytë në këtë Shoqatë.
“Vizitën e parë e kam bërë sa kam qenë Ministre e Drejtësisë, në kuadër të fushatës 16 ditë të aktivizmit kundër dhunës në familje dhe tani edhe si Ushtruese e Detyrës së Presidentes”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.
Ajo ka thënë se sot do të njoftohet për përparimet që kanë ndodhur prej asaj kohe dhe natyrisht për nevojat dhe sfidat që kjo qendër i ka.
“Pas këtij takimi do të kem mundësi ta takoj edhe Kryetarin e Komunës së Fushë Kosovës, z. Valon Prebreza, për të diskutuar edhe për mbështetjen e organizatave që merren me rastet e tilla përfshirë edhe për bashkëpunim me organizatën me të cilën jam sot këtu”, është shprehur U.D. Presidentja Haxhiu.
U.D. Presidentja Haxhiu, po ashtu, është takuar edhe me gratë që janë viktima të dhunës seksuale.
Ajo, nga vizita në këtë Shoqatë ka bërë thirrje gjithë personave që kanë qenë të dhunuar seksualisht gjatë luftës së fundit në Kosovë, që të aplikojnë për njohje të statusit.
“Me këtë rast më lejoni që të shfrytëzoj rastin, dhe t’i bëj thirrje të gjithë personave që kanë qenë të dhunuar seksualisht gjatë luftës së fundit në Kosovë, që të aplikojnë për njohje të statusit. Ju e dini që janë katër organizata të licencuara, që merren me ndihmën e personave të mbijetuar të dhunës seksuale, përfshirë pastaj edhe organizata në të cilën jemi, që në vazhdimësi kanë ndihmuar personat e dhunuar, që t’i tejkalojnë sfidat me të cilat ata përballen”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.
U.D. Presidentja Haxhiu ka thënë se sa ka qenë Ministre e Drejtësisë, kemi rritur buxhetin për organizatat që merren me çështje familjare dhe me çështje sociale.
“Ka pasur shumë organizata, ku në atë kohë Ministria e Drejtësisë i ka mbështetur projektet e tyre dhe qëllimi ka qenë që të jemi pranë sfidave që kanë organizatat, në mënyrë që me mbështetjen tonë të tejkalohen ato. Shumë më tepër do të njoftohemi nga takimi që kemi me gratë, sepse do t’i marrim, si me thënë aty për aty, sfidat me ato të cilat ballafaqohen. Në të kaluarën kanë pasur aspektet shëndetësore që i kanë trajtuar, ne i kemi ngritur ato me Ministrinë e Shëndetësisë dhe natyrisht që në bazë të përgjegjësive të gjitha institucionet do t’i adresojnë përgjegjësitë që kanë”, është shprehur U.D. Presidentja Haxhiu.




