U.D. Presidentja Haxhiu: Lufta e drejtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, qëndresa e popullit tonë dhe mbështetja e partnerëve tanë ndërkombëtarë, kanë bërë që Kosova edhe të çlirohet, edhe të jetë e lirë, edhe të jetë e pavarur

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, së bashku me Ministrin në detyrë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, kanë bërë homazhe në 27-vjetorin e Masakrës në Bukosh. U.D. Presidentja Haxhiu, tha se më tre maj të vitit 1999, pra para 27 viteve, nga kolona e familjeve shqiptare u ndanë 25 civilë të pafajshëm, burra e djem nga mosha 85 vjeçe deri në atë 5 vjeçare. “Ata u morën dhunshëm nga familjet e tyre. Familjet e tyre në anën tjetër u detyruan që ta vazhdojnë rrugën e dëbimit. Ndërsa civilët e pafajshëm u sollën në këtë shkollë, u vendosën pranë mureve të kësaj shkolle dhe u pushkatuan. Pra, jo në një betejë, jo në një përballje të armatosur, por u vranë dhe u pushkatuan mizorisht, ftohtësisht e qëllimshëm”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu. Sipas saj, kjo çfarë ka ndodhur para 27 viteve këtu në Bukosh nuk është rast i izoluar, por është dëshmi e gjenocidit dhe spastrimit etnik që Serbia e ka bërë në Republikën e Kosovës. “Por, qëndresa e shqiptarëve të Kosovës, guximi dhe po ashtu bindja që duhet të qëndrojmë të fortë, e ka detyruar Serbinë që të zmbrapset. Pra, lufta e drejtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, qëndresa e popullit tonë dhe mbështetja e partnerëve tanë ndërkombëtarë, kanë bërë që Kosova edhe të çlirohet, edhe të jetë e lirë, edhe të jetë e pavarur”, është shprehur U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo më tej tha se sot i nderojmë martirët civilë të pafajshëm, por jemi edhe pranë familjeve, shumë prej tyre janë të mbijetuar të kësaj masakre, dhe përkundër dhimbjes ata qëndruan të fortë. Kjo pra është dëshmia që populli jonë është i fortë pavarësisht sfidave që i kalon. U.D. Presidentja Haxhiu tha se si institucione të Republikës së Kosovës do të angazhohemi në vazhdimësi që t’i adresojmë përgjegjësitë që kemi e sidomos në rastet kur kanë të bëjnë me drejtësinë, sepse nuk mund të vazhdojmë tutje pa pasur drejtësi për krimet e luftës, kudo që po shkojmë, kërkesa e familjarëve është që të ketë drejtësi për këto raste. “Ju e dini që së fundmi janë ndërmarrë shumë veprime, përfshirë edhe gjykimin në mungesë, sepse Serbia nuk i dorëzon kriminelët e luftës. Prandaj, edhe përkundër faktit që së fundmi ka pasë përparime në këtë drejtim, kaq shumë krime ka pasë në Kosovë që janë bërë nga Serbia, sa që përparimet duken pak. Prandaj, i thërrasim institucionet e drejtësisë që të vazhdojnë punën dhe angazhimin në hetimin, pra ndjekjen penale dhe gjykimin e kriminelëve të luftës”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. Më pas, Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu dhe Ministri në detyrë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, bënë homazhe tek shtatorja e Heroit Besim Ndrecaj, në Therandë.

U.D. Presidentja Haxhiu mori pjesë në Akademinë Përkujtimore në 27-vjetorin e Masakrës në Studime: Do të jemi pranë jush në mbledhjen e dëshmive, në prokurori, në gjykatë, në arkiv, në kujtesën publike, në shkollë dhe në diplomaci

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë sot në Akademinë Përkujtimore në 27-vjetorin e Masakrës në Studime. Me këtë rast, U.D. Presidentja Haxhiu ka thënë se jemi mbledhur sot këtu, në Studime, në vendin ku më 2 maj 1999 brenda dy orëve u ndërpre jeta e 116 civilëve shqiptarë. “116 civilë shqiptarë: fëmijë, të rinj, gra, burra e pleq. Njerëz të paarmatosur, të kapur në kolonën e të dëbuarve që vinte nga rajoni i Shalës, përmes Sllakocit e Cecelisë, drejt Studimes dhe Vushtrrisë. Ata po largoheshin nga fshatrat e rrethuara për të mbetur gjallë, por rruga e tyre u ndërpre nga forcat serbe. Një shtet i tërë e kishte kthyer aparatin e vet ushtarak, policor dhe paramilitar në makineri të spastrimit etnik dhe të vrasjeve e gjenocidit”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo më tej tha se pas masakrës së 2 majit, për familjet e Studimes nuk mbaroi as tmerri, as dhuna. “Masakra nuk ishte fundi i operacionit gjenocidal të Serbisë. Ishte njëra nga hallkat e tij. Të vrarët mbetën pas. Gratë, fëmijët dhe të moshuarit u nisën të dëbuar drejt Shqipërisë. Burrat e ndarë nga kolona u çuan në burgun e Smrekonicës, ku u rrahën, u morën në pyetje, u lanë në kushte çnjerëzore dhe u torturuan. Serbia nuk u mjaftua me vrasjen. Ajo deshi ta zbrazte vendin, ta thyente familjen, ta poshtëronte të mbijetuarin dhe ta linte krimin pa gjykim. Edhe sot e kësaj dite Serbia i strehon kriminelët e luftës, kështu vepron një shtet kur krimin e ka politikë”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. Sipas saj, kur flasim për Studimen, flasim edhe për Nabërgjanin, ku një ditë para Studimes u vranë 17 civilë shqiptarë, flasim edhe për Bukoshin, ku një ditë pas Studimes 25 burra dhe djem u morën nga kolona e të dëbuarve dhe u ekzekutuan në oborr të shkollës, flasim për Mejën, për Krushën, për Izbicën, Poklekun, Rezallën, Korenicën, edhe për shumë vende të tjera ku Serbia la njerëz të vrarë, la nëna pa fëmijë e fëmijë pa prindër. “Ju keni jetuar me mungesën më gjatë sesa me praninë e shumë prej më të dashurve tuaj. Keni jetuar me kujtime, me pritje, me shumë pyetje, të cilat ende s’kanë përgjigje. Por ju keni qëndruar. Keni ruajtur të vërtetën, kur të tjerët kanë provuar ta shtrembërojnë. Dhe më e rëndësishmja, keni folur kur është dashur të dëshmohet për krimet që Serbia i ka bërë në vendin tonë”, ka pohuar U.D. Presidentja Haxhiu. Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, në fjalën e saj para të pranishmëve ka thënë se shteti do të jetë pranë jush jo vetëm në përvjetore. “Do të jemi pranë jush në mbledhjen e dëshmive, në prokurori, në gjykatë, në arkiv, në kujtesën publike, në shkollë dhe në diplomaci. Këtë përgjegjësi e ndiej thellë edhe unë, në detyrën që mbaj sot, dhe zotohem se Studimja nuk do të mbetet vetëm në kujtimin e familjeve, por edhe në punën e përditshme të institucioneve përfshirë të institucioneve të drejtësisë, që kriminelët e luftës të mos mbesin pa u ndëshkuar. Sepse Studimja, përveç dhimbjes së familjarëve, është pjesë e historisë politike të Republikës së Kosovës”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo më tej ka thënë se njerëz të pafajshëm u vranë, sepse ishin shqiptarë dhe sepse Serbia e donte një Kosovë pa shqiptarë, duke shtuar më tej se sot ne jetojmë në Republikën e Kosovës, sepse ai projekt ka dështuar. Sipas saj, dështoi sepse qëndresa ishte e popullit, e popullit tonë, dështoi nga lufta çlirimtare, dështoi nga sakrifica e martirëve dhe e dëshmorëve tanë, dështoi nga ndërhyrja e aleatëve tanë perëndimorë, dështoi sepse vullneti për liri ishte më i fortë se terrori. “Sot, në përvjetorin e 27-të të masakrës së Studimes, me përulje dhe respekt i kujtojmë 116 civilët e vrarë më 2 maj 1999. Kujtojmë martirët e Nabërgjanit. Kujtojmë burrat dhe djemtë e Bukoshit. Kujtojmë të gjithë të vrarët, të zhdukurit me dhunë, të dëbuarit, të mbijetuarit, të burgosurit dhe të torturuarit e luftës së fundit në Kosovë. I kujtojmë sepse janë themel i lirisë sonë. I nderojmë sepse mbi sakrificën e tyre është ngritur Republika jonë. Dhe kërkojmë drejtësi sepse pa të, kujtesa mbetet e paplotë, familjarët mbeten të rënduar, dhe paqja mbetet e cunguar”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.

U.D. Presidentja Haxhiu në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve: Sot nderojmë punëtorët dhe punëtoret që, me mund, përgjegjësi e dinjitet, e mbajnë familjen, shoqërinë dhe Kosovën në këmbë

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se sot, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, nuk mjafton të shohim vetëm vendin e punës. Duhet ta shohim edhe shtëpinë. “Aty ku shumë gra e nisin ditën para se të zgjohen të gjithë dhe e mbyllin pasi të kenë fjetur të gjithë. Aty ku kujdesi për fëmijët, për të moshuarit, për të sëmurët, për ushqimin, për rrobat, për rendin e familjes, vazhdon të merret si detyrë e natyrshme. Por nuk është e natyrshme. Është angazhim, përkushtim, kohë dhe, mbi të gjitha, është punë që as paguhet e as njihet sa duhet”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo, tutje ka shtuar se në këtë 1 maj, duhet ta shohim punën në tërësinë e saj dhe t’u japim vendin që u takon punëtoreve dhe punëtorëve të Kosovës. “Atyre që dalin herët për ta fituar bukën me djersë, në kantier, në fabrikë, në arë, në zyrë, në dyqan, në rrugë a në mërgatë, por edhe atyre që e vazhdojnë punën brenda shtëpisë, shpesh pa pagë, pa orar dhe pa njohjen që meritojnë”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo ka thënë se sot nderojmë punëtorët dhe punëtoret që, me mund, përgjegjësi e dinjitet, e mbajnë familjen, shoqërinë dhe Kosovën në këmbë.

U.D. Presidentja Haxhiu: E mirëpres prezantimin e rezolutës në Kongresin Amerikan në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në NATO

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se e mirëpres prezantimin e rezolutës në Kongresin Amerikan në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në NATO. “Mirënjohje për Përfaqësuesit Keith Self, Ritchie Torres dhe Mike Lawler për lidershipin e tyre dhe për mbështetjen e vazhdueshme që Kosova ta zërë vendin që i takon në familjen euroatlantike”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.

U.D. Presidentja Haxhiu: Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës mbahen më 7 qershor

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se pas dështimit të Kuvendit për të zgjedhur Presidentin, bazuar edhe në Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi konsiderohet i shpërndarë dhe zgjedhjet duhet të mbahen brenda afatit prej 45 ditësh. Në linjë me përgjegjësitë kushtetuese, U.D. Presidentja Haxhiu, dje ka pritur në takim Kryesuesin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, z. Kreshnik Radoniqi, me të cilin ka diskutuar për aspektet organizative të procesit zgjedhor. Ndërsa sot, bazuar në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, është takuar me drejtues e përfaqësues të subjekteve politike. Në këtë takim, ajo ka dëgjuar propozimet e partive politike për datën e zgjedhjeve. “Pas vlerësimit të afateve kushtetuese, nevojave organizative të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe rëndësisë së pjesëmarrjes sa më të gjerë të qytetarëve në proces, kam vendosur që zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës të mbahen më 7 qershor”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu, në një konferencë të mbajtur për media. Ajo më tej ka thënë se Kosova ka dëshmuar se di të organizojë procese zgjedhore të lira, demokratike dhe të besueshme, këtë e konfirmojnë edhe vëzhguesit ndërkombëtarë. U.D. Presidentja Haxhiu, stafit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve iu ka uruar punë të mbarë e vullnet të hekurt për të mbrojtur vullnetin e qytetarëve. “Sikurse jam e bindur se edhe kësaj radhe qytetarët do ta thonë fjalën e tyre me dinjitet, qetësi dhe pjekuri demokratike. Subjekteve politike u uroj sukses në fushatë, ndërsa qytetarëve ushtrim të lirë dhe pa presion të së drejtës së votës”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. Në fund, U.D. Presidentja Haxhiu ka uruar që të kemi një fushatë korrekte, të përgjegjshme dhe në përputhje me standardet demokratike, siç ka dëshmuar Kosova edhe në proceset e kaluara zgjedhore.

U.D. Presidentja Haxhiu dhe kryeministri Kurti bënë homazhe në Gllobar, Verboc, Shtuticë dhe në Kompleksin Memorial në Marinë

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, së bashku me kryeministrin, Albin Kurti, sot kanë bërë homazhe tek varrezat e dëshmorëve në Gllobar, në Verboc në Shtuticë si dhe në Kompleksin Memorial në Marinë. Me këtë rast, U.D. Presidentja Haxhiu tha se 27 vite më parë, Gllobari, Vërboci, Shtutica, Tresteniku, Baksi, Polluzha dhe fshatrat e tjera të Drenicës u përballën me sulmin e forcave okupatore serbe. “276 civilë të paarmatosur e të pafajshëm u masakruan. Disa prej trupave u dogjën, ndërsa të tjerë u dërguan në Rashkë të Serbisë, me qëllim që të fshihen gjurmët e krimit. Vrasjet e foshnjave, fëmijëve, vajzave, grave, pleqve janë dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë. Më 30 prill 1999, pra në po atë ditë, në mbrojtje të civilëve të paarmatosur e të pafajshëm, ranë 42 ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tash dëshmorë të kombit. Në mesin e tyre, edhe heroi Ilaz Kodra, i cili e udhëhoqi brigadën 114”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo, më tej tha se sot ne e nderojmë veprën e tyre sublime, nderojmë jetën e martirëve dhe veprën e dëshmorëve të kombit. “Falë tyre ne e kemi shtetin e Kosovës, lirinë e pavarësinë, të cilën duhet ta nderojmë me punë të vazhdueshme.”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu.  Gjatë ditës, Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu dhe kryeministri, Albin Kurti, kanë bërë homazhe edhe në Kompleksin Memorial në Marinë.  Me këtë rast, U.D. Presidentja Haxhiu, ka thënë se jemi këtu në Kompleksin Memorial në Marinë të Skënderajt, për të nderuar luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.  “Sapo vendosëm lule të freskëta në nderim të jetës dhe veprës së 42 dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët ranë heroikisht duke mbrojtur civilët e pafajshëm të fshatrave të Drenicës, të cilët përballeshin me sulme të egra nga forcat okupatore serbe. Në mesin e tyre ishte edhe komandanti Ilaz Kodra, i cili u rrit në Prekaz, në Prekazin e atdhedashurisë. Ai që në rini u frymëzua nga luftëtarë të guximshëm dhe nga idealistë që e dinin që liria nuk fitohet pa luftë”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu.  Ajo më tej tha se Ilaz Kodra ishte ndër pjesëtarët e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sipas saj, ai shërbeu edhe si frymëzim, edhe në stërvitje, edhe në mobilizim për shtimin e radhëve në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. “Pas rënies heroike të komandantit Fehmi Lladrovci, ai mori në udhëheqje Brigadën 114 dhe deri në fund të jetës së tij bëri gjithçka për liri dhe për vendin tonë”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.

U.d. Presidentja Haxhiu takoi Kryesuesin e KQZ-së, diskutuan për përgatitjet për zgjedhjet e reja

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, znj. Albulena Haxhiu, priti sot në takim Kryesuesin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, z. Kreshnik Radoniqi, me të cilin diskutoi për hapat institucionalë në kuadër të shpalljes së zgjedhjeve të reja. Në takim u theksua rëndësia e përgatitjes në kohë të të gjitha veprimeve që lidhen me organizimin e procesit zgjedhor, në përputhje të plotë me Kushtetutën, ligjin dhe standardet demokratike. Ajo vlerësoi rolin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në organizimin e një procesi të rregullt, të besueshëm dhe gjithëpërfshirës, duke theksuar se qytetarët e Kosovës kanë dëshmuar vazhdimisht pjekuri demokratike dhe besim në procesin zgjedhor. Gjatë takimit u diskutua për afatet ligjore, përgatitjet administrative, koordinimin ndërinstitucional, si dhe nevojën që procesi zgjedhor të zhvillohet pa vonesa dhe me standarde të larta profesionale.

U.D. Presidentja Haxhiu: Më 27 prill të vitit 1999, në Mejë dhe në Korenicë u krye një nga masakrat më të rënda gjatë luftës së fundit në Kosovë

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë homazhe sot në Kompleksin Memorial në Mejë. U.D. Presidentja Haxhiu me këtë rast ka thënë se më 27 prill të vitit 1999, pra para 27 viteve, në Mejë dhe në Korenicë u krye një nga masakrat më të rënda gjatë luftës së fundit në Kosovë. “376 civilë shqiptarë të paarmatosur u vranë dhe me qëllim që të fshehen gjurmët e krimeve, ata u zhvendosën në varreza masive në Serbi, në Batajnicë, Rudnicë dhe në vende të tjera”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo, tutje ka thënë se sot nderojmë dhe kujtojmë 376 martirët e këtyre masakrave, sot nderojmë e kujtojmë po ashtu edhe nënën Pashkë, nënën e cila u flijua, pra i dha fund jetës pas rivarrimit të dy djemve të saj. Sot po ashtu nderojmë kontributin, sakrificën dhe qëndresën e nënave të Gjakovës, sikurse edhe të gjitha nënave, që kanë humbur më të dashurit e tyre gjatë periudhës së luftës. “Në këtë rast, siç jeni në dijeni, para dy vite e gjysmë është ngritur aktakuzë për mbi 50 persona, për këtë masakër të madhe”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu, derisa u ka bërë thirrje “institucioneve të drejtësisë, që pa vonesa ta trajtojnë këtë masakër, që siç e përmenda është një nga masakrat më të rënda gjatë luftës së fundit në Kosovë, por edhe t’i adresojmë përgjegjësitë në raport me krimet e shumta që Serbia i ka bërë në Kosovë”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.

U.D. Presidentja Haxhiu: Rexhep Qosja si intelektual, në vitet vendimtare për popullin e Kosovës, ishte zë i qartë kundër shtypjes, kundër padrejtësisë dhe kundër përpjekjeve për mohimin e identitetit tonë kombëtar

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë sot në Seancën e veçantë në shenjë nderimi për akademikun Rexhep Qosja. Në fjalën e saj, U.D. Presidentja Haxhiu ka thënë se sot, në këtë seancë përkujtimore, Kuvendi i Republikës së Kosovës nderon akademik Rexhep Qosjen, si njërin ndër njerëzit që e shndërroi kulturën shqiptare në hapësirë mendimi, polemike, vetëdijeje dhe përgjegjësie historike. “Rexhep Qosja jetoi dhe krijoi në një kohë kur shqiptarëve u kërkohej vazhdimisht ta dëshmonin gjuhën, historinë, përkatësinë dhe të drejtën e tyre politike. Kësaj kohe ai iu përgjigj me vepra, me studime, polemika, qëndrime publike dhe me një disiplinë intelektuale që rrallë shihet në jetën tonë publike. Ai e ndërtoi mendimin e tij mbi vlerat e Rilindjes Kombëtare, mbi trashëgiminë iluministe evropiane, mbi humanizmin dhe mbi figurat që shqiptarëve u dhanë drejtim historik”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo më tej tha se si shkrimtar, ai dëshmoi se letërsia mund të jetë njëkohësisht art dhe ndërgjegje, duke shtuar më tej se në veprat e tij artistike e solli njeriun përballë frikës, pushtetit, padrejtësisë dhe dilemave të kohës sonë. “Akademik Qosja e nxori studimin e letërsisë shqipe nga kufijtë e një disipline të ngushtë dhe e lidhi me pyetjen më të madhe të kohës së tij: si mbahet gjallë vetëdija e një populli të ndarë, të shtypur dhe të detyruar të mbrojë edhe gjuhën, edhe historinë, edhe të drejtën e vet politike. Me punën e tij kërkimore, me interpretimet e thella dhe me leximin e ri të autorëve tanë më të rëndësishëm, Qosja e bëri letërsinë shqipe pjesë të debatit të madh për identitetin, për vazhdimësinë historike dhe për të drejtën politike të shqiptarëve”, pohoi U.D. Presidentja Haxhiu. U.D. Presidentja Haxhiu, më tej tha se si intelektual, në vitet vendimtare për popullin e Kosovës, ai ishte zë i qartë kundër shtypjes, kundër padrejtësisë dhe kundër përpjekjeve për mohimin e identitetit tonë kombëtar. “Kontributi i tij shtrihet edhe në proceset politike të fundit të shekullit të kaluar, kur Kosova kërkonte liri dhe republikë. Rexhep Qosja e vuri autoritetin e tij intelektual në shërbim të kësaj të drejte, duke e artikuluar lirinë e Kosovës si të drejtë historike dhe si kauzë që kërkonte afirmim ndërkombëtar”, theksoi U.D. Presidentja. Sipas saj, në jetën kulturore të Kosovës, profesor Qosja zë vendin e atyre figurave të rralla që dalin përtej institucionit dhe shënojnë një epokë të tërë mendimi. “Instituti Albanologjik, Universiteti i Prishtinës, letërsia, teatri, filmi dhe debati publik mbajnë në themel punën, guximin dhe praninë e tij. Te Qosja, kultura kishte detyrë. Libri kishte detyrë. Intelektuali kishte detyrë. Prandaj vepra e tij doli përtej bibliotekës dhe hyri në historinë politike të Kosovës”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. Sipas saj, Qosja e ktheu argumentin në mjet mbrojtjeje për identitetin dhe të drejtën shqiptare, para se kjo e drejtë të merrte formë në tryezat politike. “Qysh në vitet e shtatëdhjeta, në veprën “Panteoni i rralluar”, ai kishte shkruar për fjalën dhe heshtjen si çështje etike, politike dhe intelektuale. Më vonë, në polemikat e viteve tetëdhjetë, në publicistikën e viteve nëntëdhjetë dhe në intervistat ku artikuloi të drejtën e Kosovës për vetëvendosje, dëshmoi se për krijuesin shqiptar heshtja nuk mund të ishte strehë në kohë shtypjeje. Fjala, te Qosja, ishte detyrim ndaj së vërtetës dhe ndaj popullit. Në vitin 1991, në një intervistë për shtypin beogradas, kur Jugosllavia po shpërbëhej dhe Kosova mbahej nën shtypje, akademik Qosja deklaronte se këmbëngulja dhe vendosmëria e popullit shqiptar do të vazhdonin përballë vuajtjeve, derisa Kosova ta arrinte të drejtën që i takonte: të drejtën për vetëvendosje politike dhe territoriale”, ka thënë U.D. Presidentja. Ajo më tej tha se Akademik Rexhep Qosja nuk kërkoi nderime për veten, por Republika ka detyrë t’i nderojë ata, që me veprën e tyre e kanë nderuar shtetin dhe e kanë nderuar kombin. “Kujtimi për të do të mbetet aty ku ai e vendosi gjithë veprën e tij: në kulturën shqiptare, në mendimin kritik, në gjuhën shqipe dhe në historinë politike e shpirtërore të Kosovës”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.

U.d. Presidentja Haxhiu shpreh solidaritet me popullin amerikan pas sulmit në Uashington

U.d. Presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Albulena Haxhiu, ka reaguar pas sulmit të ndodhur në Darkën e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë në Uashington. Në reagimin e saj, U.d. Presidentja Haxhiu shprehu solidaritet me popullin amerikan dhe lehtësim që Presidenti Donald Trump, Zonja e Parë dhe të gjithë të pranishmit janë jashtë rrezikut. “Pas sulmit shqetësues në Darkën e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, jemi pranë popullit amerikan. Të lehtësuar që Presidenti Trump, Zonja e Parë dhe të gjithë të pranishmit janë të sigurt. Zyrtarit të plagosur i urojmë shërim të plotë dhe qëndrojmë pranë Shteteve të Bashkuara në këtë moment të vështirë”, thuhet në reagimin e U.d. Presidentes. Republika e Kosovës dënon çdo akt dhune dhe qëndron pranë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, partnerit dhe aleatit të saj strategjik.

This site is registered on wpml.org as a development site.