U.D. Presidentja Haxhiu mori pjesë në Kuvendin Vjetor të 23-të të Anëtareve të Rrjeti i Grave të Kosovës

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, mori pjesë sot në Kuvendin Vjetor të 23-të të Anëtareve të Rrjetit të Grave të Kosovës, ku vlerësoi rolin shumëvjeçar të këtij rrjeti në avancimin e të drejtave të grave, forcimin e demokracisë dhe ngritjen e standardeve të barazisë në vend. Në fjalën e saj, U.D. Presidentja Haxhiu theksoi se kontributi i grave të Kosovës nuk matet vetëm në momente të mëdha historike, por edhe në punën e përditshme që ka mbajtur në këmbë familjen, komunitetin dhe vetë shoqërinë. Duke kujtuar marshin “Bukë për Drenicën” në pranverën e vitit 1998, ajo ndau një kujtim personal nga fëmijëria, kur pa nënën e saj dhe gratë e lagjes duke dalë me bukë në dorë në solidaritet me qytetarët e Drenicës. “E kuptova se dhimbja e tjetrit nuk është e huaj, se kohëve të vështira u bëhet ballë, dhe se kur gratë përfshihen, shoqëria përparon”, tha znj. Haxhiu. Ajo vlerësoi Rrjeti i Grave të Kosovës si një prej shembujve më të qartë të organizimit qytetar që ka kthyer forcën e heshtur të grave në ndikim publik, duke qenë për dekada zë i qartë për barazinë, mbrojtjen nga dhuna, pjesëmarrjen e grave në vendimmarrje dhe politika më të drejta. U.D. Presidentja Haxhiu theksoi se institucionet përfitojnë kur bashkëpunojnë me shoqërinë civile dhe me organizata që sjellin dije, hulumtime serioze dhe përvojën reale të qytetarëve në proceset vendimmarrëse. “Ligjet bëhen më të mira kur mbështeten në dije. Politikat bëhen më të drejta kur mbështeten në përvojë”, u shpreh ajo. Në fund, znj. Haxhiu falënderoi anëtaret e rrjetit për punën dhe këmbënguljen ndër vite, duke theksuar se sa herë që një grua përfaqësohet dhe dëgjohet, demokracia e Kosovës bëhet më e plotë.
U.D. Presidentja Haxhiu: Sot foli rendi kushtetues i Kosovës të cilin rreshteri Afrim Bunjaku e mbrojti deri në fund

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se me aktgjykimin e shpallur sot nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq u dënuan me burgim të përjetshëm, ndërsa Dushan Maksimoviq me 30 vjet burgim për sulmin terrorist në Banjskë. U.D. Presidentja Haxhiu ka thënë se sot foli rendi kushtetues i Kosovës të cilin rreshteri Afrim Bunjaku e mbrojti deri në fund. “Ky vendim është dëshmi se sulmi ndaj Policisë së Kosovës, ndaj rendit kushtetues dhe ndaj sigurisë së vendit tonë nuk do të mbetet pa ndëshkim”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo më tej ka thënë se, drejtësia për sulmin terrorist në Banjskë nuk përfundon këtu, duke shtuar tutje se ajo përmbyllet vetëm kur të gjithë përgjegjësit në krye me terroristin Millan Radoiqiq të dalin para drejtësisë. U.D. Presidentja Haxhiu, në fund ka thënë Lavdi Afrim Bunjakut, heroit tonë!
U.D. Presidentja Haxhiu: Eliot Engel e deshi Kosovën, prandaj Kosova nuk do ta harrojë kurrë atë

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka mbajtur fjalim në seancën solemne në shenjë nderimi për kongresistin amerikan, Eliot Engel. Me këtë rast, U.D. Presidentja Haxhiu, ka thënë se sot, në këtë seancë solemne, kujtojmë dhe nderojmë një njeri që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kosovës, duke shtuar më tej se sot e nderojmë dhe e kujtojmë mikun besnik, por edhe ligjvënësin e drejtë amerikan, i cili në ditët më të vështira të historisë sonë të re, bashkë edhe me shumë kongresistë dhe senatorë të tjerë amerikanë, ngriti zërin fuqishëm kundër shkeljes së të drejtave tona, represionit dhe persekutimit nga regjimi serbo-jugosllav. “Për 32 vite, 16 mandate me radhë, ai shërbeu me ndershmëri dhe vendosmëri në Kongresin Amerikan. E drejtoi Komitetin për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve. Përgjatë gjithë karrierës së tij politike ai nuk reshti së kërkuari drejtësi për popullin e Kosovës, duke shpërfaqur kështu virtyte të larta njerëzore të një politikani të rrallë dhe të një njeriu të madh”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo më tej tha se në vitet e errëta, kur shqiptarët e Kosovës po vuanin nën regjimin e Millosheviqit dhe bota ende hezitonte të vepronte, Eliot Engel ngriti zërin. “Ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara shtrihen oqeane dhe mijëra kilometra. Në hartë jemi larg, në madhësi dhe në fuqi jemi të pakrahasueshëm, por në jetën e kombeve të shtypura, largësia më e madhe është qëndrimi larg vëmendjes dhe vendimmarrjes. Vendet e vogla shpesh duhet të trokasin gjatë në dyert e botës që të dëgjohen. Në shumë raste ato dyer mbeten të mbyllura deri sa bëhet tepër vonë. Rajoni jonë e njeh mirë këtë pritje, por kur ke miq sikurse kongresisti Eliot Engel hapja e dyerve të tilla është e mundshme dhe është historike”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. Në fjalën e saj në Kuvendin e Kosovës, U.D. Presidentja Haxhiu tha se më 11 qershor të vitit 1996, kongresisti demokrat arriti ta sigurojë mbështetjen e demokratëve dhe të republikanëve për çështjen e Kosovës. U.D. Presidentja Haxhiu, tha se ata ia dërguan Presidentit Bill Klinton një letër, në të cilën ndër të tjera, thuhej: “Ne besojmë se ka ardhur koha që gjendjes në Kosovë t’i kushtohet vëmendja që e meriton. Kjo do të thotë se Shtetet e Bashkuara duhet t’i kushtojnë Kosovës nivelin më të lartë të vëmendjes që tani, në mënyrë që situata atje të mos përkeqësohet edhe më tej”. Ajo më tej shtoi se disa javë më vonë, më 26 korrik 1996, në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së u shqyrtua Rezoluta 155 për Kosovën, tekst të cilin vetë Engel e kishte hartuar dhe e cila dënonte represionin në Kosovë, kërkonte rikthimin e të drejtave qytetare e politike të popullit tonë dhe rikthente Kosovën në vëmendjen e Washingtonit. “Në raport me çështjen e Kosovës, Engel e kuptoi se kauzat e drejta kërkojnë unitet dhe bashkimin edhe të republikanëve edhe të demokratëve. Prandaj, suksesshëm arriti të sigurojë mbështetje të gjerë në Kongres. Dy vite pas rezolutës, më 17 mars 1998, në Kongresin amerikan, Engel foli për përshkallëzimin e dhunës në Kosovë dhe kërkoi që represioni nga regjimi gjenocidal i Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës të mos tolerohej në asnjë mënyrë. Ai e futi Kosovën në rend dite në Washington”, pohoi U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo më tej shtoi se në ato vite të rënda, Kosovës nuk i hynin në punë reagimet e vonshme, por njerëzit që flisnin me kohë dhe aty ku fjala ka peshë, e sipas U.D. Presidentes Haxhiu, Engel ishte njëri prej atyre njerëzve. “Gjatë vizitës së tij në Kosovë, në shtator të vitit 1999, ai shprehi qartë dëshirën që populli jonë të jetojë i lirë dhe i pavarur. Kur e shpallëm pavarësinë më 17 shkurt 2008, ai ishte ndër mbështetësit më të vendosur të njohjes ndërkombëtare. Por, ajo që e bëri të veçantë nuk ishte vetëm ai moment historik, ishte fakti se nuk u largua pas tij. E dinte dhe e thoshte hapur, se pavarësia nuk është fundi i një rruge, por fillimi i një pune të vështirë. Kështu vazhdoi të qëndrojë pranë Kosovës, duke mbështetur forcimin e institucioneve demokratike, zhvillimin e forcave tona të sigurisë dhe thellimin e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Edhe në periudhat kur rruga jonë ishte e vështirë dhe sfidat ishin shumë të mëdha, zëri i tij mbeti i pandryshuar”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. Sipas saj, ky nuk ishte angazhim diplomatik i zakonshëm, ishte besnikëri ndaj një miqësie të përzemërt. “Eliot Engel nuk e donte Kosovën nga larg, nga deklarata të buta dhe nga vizita ceremoniale, ai e mbrojti atë me argumente, me votë, me prezencë dhe me besim të palëkundur në drejtësinë e kauzës sonë. Ishte i vetëdijshëm për çmimin e qëndrimeve të tilla dhe megjithatë qëndroi”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo më tej ka shtuar se sot, kur e kujtojmë, ne nuk e kujtojmë vetëm kongresmenin Engel, para së gjithash e kujtojmë njeriun, që zgjodhi të jetë në anën e së drejtës në kohë shumë të vështira për popullin, por edhe për vendin tonë. “Trashëgimia e Engel nuk do të qëndrojë vetëm në arkivat e historisë sonë. Ajo jeton në miqësinë e fortë dhe strategjike mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, miqësi që ai e kultivoi me durim dhe me bindje. Ai jeton para së gjithash, në kujtesën e qytetarëve tanë, të cilët e dinë se liria e tyre ka pasur mbrojtës të vërtetë përtej kufijve tanë”, theksoi U.D. Presidentja. Ajo tutje shtoi se jeta e tij u shua aty ku edhe u formësua, në Bronks, i rrethuar nga familja dhe nga njerëzit e tij të dashur. Por, sipas U.D. Presidentes, ndikimi i tij do të ndjehet gjatë në zemrën e çdo shqiptari dhe do të kujtohet përherë me nderim të thellë dhe me dinjitet, si njeri që Kosovës iu gjend pranë kur kishte më së shumti nevojë. U.D. Presidentja Haxhiu tha se Eliot Engel e deshi Kosovën, prandaj Kosova nuk do ta harrojë kurrë atë.
U.D. Presidentja Haxhiu mori pjesë në homazh përkujtimor dhe u shkrua në Librin e Zisë në nderim të jetës dhe veprës së akademik Rexhep Qosja

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, sot ka marrë pjesë në homazh përkujtimor dhe është shkruar në Librin e Zisë në nderim të jetës dhe veprës së akademik Rexhep Qosja. Në nderim të jetës dhe veprës së akademik Rexhep Qosja, me vendim të U.D. Presidentes Haxhiu, dita e sotme, e premte, 24 prill 2026, është shpallur Ditë zie shtetërore në Republikën e Kosovës. U.D. Presidentja Haxhiu ka thënë se me këtë vendim, shteti ynë shpreh nderimin dhe mirënjohjen për një personalitet që i dha kulturës shqiptare dije, vepër dhe autoritet.
U.D. Presidentja Haxhiu e shpallë të premten ditë zie shtetërore në Kosovë

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, në mbështetje të Kushtetutës së Kosovës, ka marrë vendim që dita e nesërme, e premte, 24 prill 2026, shpallet Ditë zie shtetërore në Republikën e Kosovës. “Në nderim të jetës dhe veprës së akademik Rexhep Qosja, dita e nesërme, e premte, 24 prill 2026, shpallet Ditë zie shtetërore në Republikën e Kosovës. Me këtë vendim, shteti ynë shpreh nderimin dhe mirënjohjen për një personalitet që i dha kulturës shqiptare dije, vepër dhe autoritet”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.
U.D. Presidentja Haxhiu: Kosova e humbi akademikun Rexhep Qosja, ndërkaq bota shqiptare humbi një nga personalitetet e saj më të mëdha të mendimit kritik, të letërsisë dhe të studimit

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se sot, Kosova e humbi akademikun Rexhep Qosja, ndërkaq bota shqiptare humbi një nga personalitetet e saj më të mëdha të mendimit kritik, të letërsisë dhe të studimit. “Humbëm një personalitet që për dekada me radhë ishte i pranishëm në jetën tonë kulturore, akademike dhe politike. Për më shumë se gjysmë shekulli, Akademik Qosja ishte i pranishëm në hapësirën shqiptare me libra, me studime, me debat dhe me qëndrim”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo më tej ka thënë se te ai bashkëjetonin studiuesi i letërsisë, kritiku, romancieri, eseisti, profesori dhe polemisti publik. “Në studimet letrare, ai la pas trashëgimi të çmuar për letërsinë shqipe dhe për periudhat e saj vendimtare. Në prozë, me romanin “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, solli një nga veprat që zgjeruan kufijtë e romanit shqiptar, duke e kthyer përvojën e frikës, pushtetit dhe shtypjes në letërsi me vlerë të qëndrueshme. Tek “Të fshehtat e treguara”, Qosja dëshmoi se edhe në fund të rrugëtimit krijues mbeti i mprehtë ndaj kohës, shoqërisë dhe ndaj rënies së vlerave”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. Sipas U.D. Presidentes Haxhiu, për shumë breza studentësh, lexuesish e studiuesish, Rexhep Qosja ishte shkollë më vete, duke shtuar tutje se përmes veprës së tij, shumëkush mësoi ta lexojë letërsinë si pasqyrim të shoqërisë, historinë dhe gjuhën si themel identiteti. “Rexhep Qosja, iku për në amshim, pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Librit, duke na kujtuar se krijuesi nderohet më së shumti me veprën që lë pas. Siç thoshte ai, heronjtë e mendjes i bëjnë ballë kohës më gjatë. Akademik Qosja ishte hero i mendjes, ndaj si i tillë do të jetë udhërrëfyes për brezat”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. Në fund, U.D. Presidentja Haxhiu iu ka shprehur ngushëllime të sinqerta familjes, miqve, bashkëpunëtorëve dhe lexuesve të shumtë.
U.D. Presidentja Haxhiu priti në takim Zëvendëskryeministrin Fikrim Damka dhe një delegacion përfaqësues të komunitetit turk, me rastin e shënimit të Ditës së Turqve, 23 prillit

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, me rastin e shënimit të Ditës së Turqve, 23 prillit, datë që përkon edhe me themelimin e Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë dhe rrugëtimin e shtetit modern turk, ka pritur sot në takim Zëvendëskryeministrin Fikrim Damka dhe një delegacion përfaqësues të komunitetit turk. “Shpreha mirënjohjen time për kontributin e çmuar që komuniteti turk ka dhënë ndër vite në ndërtimin e institucioneve demokratike, jetën publike dhe zhvillimin shoqëror të Kosovës”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. Në takim është diskutuar, për rolin dhe përfshirjen e tyre në arsim, kulturë dhe institucionet e vendit, si dhe për rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të identitetit të tyre. “Rikonfirmova gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit të mëtejmë dhe theksova rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve të shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Turqisë”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.
U.D. Presidentja Haxhiu vizitoi Shkollën Digjitale dhe OJQ-në “BONEVET”: Është jashtëzakonisht e rëndësishme që Kosova ka kaq shumë të rinj e të reja që kanë shumë potencial

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, me rastin e Ditës së Inovacionit, e cila ishte dje, ka vizituar sot Shkollën Digjitale dhe OJQ-në “BONEVET”. Me këtë rast, U.D. Presidentja Haxhiu, ka thënë se ishte kënaqësi që sot e nisa ditën në kolegjin AAB në një konferencë shumë të rëndësishme për vajzat në ICT, pastaj vazhduam në Shkollën Digjitale, ku mësuam më tepër për zhvillimin e aftësive në teknologji dhe në digjitalizim, e tani jemi në hapësirat e “BONEVET”. “Kemi pasur informacione për punën e “BONEVET”, por megjithatë sot për së afërmi u njoftuam edhe për programet mësimore që ndërlidhen me teknologji, matematikë, shkencë, art dhe të tjera. Pamë shumë nxënës që, me një energji shumë të madhe, po punojnë edhe në robotikë, fushë e rëndësishme edhe kjo. Ju urova suksese në çfarëdo gare që kanë në të ardhmen”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo më tej ka shtuar se është jashtëzakonisht e rëndësishme që Kosova ka kaq shumë të rinj e të reja që kanë shumë potencial, e “BONEVET” ua mundëson duke i inkurajuar ata të zhvillojnë sa më shumë kreativitetin, por edhe talentin e tyre. “Gjithashtu, i ofrova edhe mbështetjen time, por edhe që të shërbejë si urë lidhëse me institucionet e tjera, duke pasur parasysh që gjatë kësaj periudhe institucionet kanë mbështetur projekte të organizatave që merren me këtë fushë”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo më tej është zotuar që mbështetja do të vazhdojë dhe që do të ndihmojë aty ku mundet, që puna e tyre të bëhet sa më e lehtë dhe që të jetë sa më e dobishme. Ndërkaq, Flatra Thaçi, drejtoreshë menaxhuese në “BONEVET”, derisa ka falënderuar U.D. Presidenten Haxhiu, ka thënë se është shumë kënaqësi të kemi në hapësirat tona, duke shtuar më tej se “BONEVET” është e hapur për të gjithë komunitetin, por normalisht për të gjithë qytetarët e këtij vendi. “Ne me shumë dashuri dhe pasion e interpretojmë punën, të cilën e bëjmë çdo ditë, si ekip, si persona, të cilët e adhurojmë teknologjinë, e adhurojmë inovacionin dhe edukimin mbi të gjitha. Kështu që, për ne është shumë e rëndësishme të kemi mbështetjen e institucioneve për shkak se pa institucione edhe puna jonë nuk mundet të mbërrij aty ku e kemi qëllimin”, ka thënë Flatra Thaçi.
U.D. Presidentja Haxhiu mori pjesë në konferencën, “Future Makers: Girls in ICT”

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë sot në konferencën, “Future Makers: Girls in ICT”. U.D. Presidentja Haxhiu, me këtë rast ka thënë se kur bëhen bashkë industria, akademia, institucionet dhe shoqëria civile, e kuptojmë se sfidat e mëdha nuk përballohen ndaras, por vetëm kur jemi bashkë. Ajo tutje ka shtuar se me zhvillimin e inteligjencës artificiale, ky ndryshim po merr ritëm edhe më të madh. “Tregu i punës po ndryshon. Profesione të shumta po përshtaten, disa po shuhen, të tjera po lindin. Në kohë të tilla, përparojnë vendet që arsimin, dijen dhe teknologjinë i kthejnë në përparësi kombëtare”, ka theksuar ajo. U.D. Presidentja ka thënë se ne jemi vend i ri, me shumë të rinj e të reja që duan të ecin përpara. “Rruga jonë nuk ka qenë e lehtë. Shumë gjëra i kemi ndërtuar vetë, me mundin tonë, por prej kësaj kemi nxjerrë forcë, kemi nxjerrë dije, por po ashtu edhe besim se mund të ngrihemi sa herë që përballemi me sfida”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo më tej ka thënë se dikur pasuria e kombeve matej me tokë, me miniera, me fabrika, natyrisht që edhe këto janë shumë të rëndësishme, por sot ajo po matet gjithnjë e më shumë me dije, me inovacion dhe me aftësinë për të krijuar. “Kjo është mundësia jonë, por asnjë vend nuk ecën përpara duke lënë pas gjysmën e vetes. Prandaj, përfshirja e vajzave dhe grave në teknologji nuk lidhet vetëm me barazinë, gjithsesi me barazinë por jo vetëm me barazinë, lidhet edhe me zhvillimin e ekonomisë, me ecjen përpara të shoqërisë dhe me të ardhmen e vendit tonë”, ka pohuar U.D. Presidentja. Sipas saj, gratë dhe vajzat shqiptare, në çdo kohë kanë ditur ta gjejnë rrugën e tyre. “Me punë, me dije e me qëndresë, kanë mbajtur familje, kanë ndërtuar shoqëri dhe kanë hapur shtigje të reja edhe kur ka qenë pothuajse e pamundur. Edhe sot, kjo frymë i karakterizon. Kemi plot shembuj që dëshmojnë këtë të vërtetë. Drena Kusari nga Gjakova, e emëruar para pak javësh në një nga pozitat më të larta drejtuese në Microsoft, na tregon se prej Kosovës mund të arrihet deri në majat e botës së teknologjisë. Çamërie Mazreku nga Malisheva, e angazhuar si inxhiniere softuerike në Netflix, dëshmon se talenti ynë mund të gjejë vend në kompanitë më të mëdha në botë. Mira Murati, ndër emrat më të njohur të inteligjencës artificiale sot, është tjetër dëshmi se dija dhe përkushtimi nuk njohin kufij”, ka theksuar U.D. Presidentja. Përveç këtyre emrave, sipas U.D. Presidentes Haxhiu, ka shumë gra e vajza të tjera që ndoshta ne edhe mund të mos i shohim, por që me punën e tyre po lënë gjurmë në universitete, në kompani, në startup-e, në laboratorë dhe në institucione. Ajo më tej ka thënë se çdo arritje e tyre është një derë e hapur për vajzat që vijnë pas tyre. Sipas U.D. Presidentes, këto histori na tregojnë se talenti ynë mund të arrijë larg kur gjen mbështetje dhe kur gjen mundësi. “Tani dua t’u drejtohem veçanërisht vajzave, që janë sot këtu në këtë konferencë. Rruga para jush nuk do të jetë gjithmonë e lehtë. Do të hasni në njerëz që do të dyshojnë në ju, që do t’ju paragjykojnë, madje edhe të tillë që ju thonë që kjo fushë nuk është për juve. Do të ketë lodhje, pasiguri do të ketë edhe sprova, por këto janë vështirësi të përkohshme, dhe nuk e përcaktojnë assesi aftësinë tuaj. Mos prisni që gjithçka të rregullohet për ta hedhur hapin e parë, sepse rruga shpesh qartësohet vetëm kur ecim. Mos mendoni se teknologjia i takon dikujt tjetër. Ajo ka nevojë për dijen tuaj, për idetë tuaja por edhe për guximin tuaj.Nëse dikush ju nënvlerëson, përgjigjjuni me punë. Nëse rruga ju duket e gjatë, ecni hap pas hapi. Nëse hasni vështirësi, mos u dorëzoni ngase aty fillon forca juaj”, ka theksuar U.D. Presidentja. Ajo më tej ka thënë se Kosova ka nevojë për vajza programere, për inxhiniere, për hulumtuese të inteligjencës artificiale, për ekspertë të sigurisë kibernetike, e këtu U.D. Presidentja Haxhiu ka falënderuar znj. Sahatqija, për punën, që po bën në këtë drejtim! “E ardhmja digjitale nuk e pret askënd. Çdo vajzë që ecën përpara, e çon edhe Kosovën përpara. Unë besoj fort se shumë prej atyre që do ta udhëheqin të ardhmen digjitale të Kosovës ndodhen sot në këtë sallë”, ka thënë U.D. Presidentja. Në fund, U.D. Presidentja Haxhiu ka thënë se ne e kemi tashmë edhe një ministër, që po merret me këtë çështje përditë. “Prandaj, e falënderoj edhe atë për angazhimin e madh që po bën në këtë drejtim dhe jam shumë e bindur duke e njohur Lulëzonin, që gjithnjë do t’ju qëndrojë pranë në raport me kërkesat që ju i keni”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.
U.D. Presidentja Haxhiu priti në takim Kryesuesin e Këshillit Prokurorial, z. Arian Gashi

U.D. Presidentja e Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim Kryesuesin e Këshillit Prokurorial, z. Arian Gashi, me të cilin ka diskutuar për arritjet dhe sfidat me të cilat përballet sistemi prokurorial në vend. “Folëm për reformat në drejtësi dhe domosdoshmërinë e përmbylljes sa më të shpejtë të procesit për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit”, ka thënë u.d. Presidentja Haxhiu. Po ashtu, në takim është folur edhe për nevojat buxhetore, infrastrukturën, si dhe nevoja për më shumë prokurorë dhe staf mbështetës, çështje që ndikojnë në efikasitetin institucional. “Riafirmova përkushtimin për pavarësinë institucionale dhe forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës”, ka theksuar u.d. Presidentja Haxhiu.