...

U.D. Presidentja Haxhiu vizitoi Shkollën Digjitale dhe OJQ-në “BONEVET”: Është jashtëzakonisht e rëndësishme që Kosova ka kaq shumë të rinj e të reja që kanë shumë potencial

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, me rastin e Ditës së Inovacionit, e cila ishte dje, ka vizituar sot Shkollën Digjitale dhe OJQ-në “BONEVET”.

Me këtë rast, U.D. Presidentja Haxhiu, ka thënë se ishte kënaqësi që sot e nisa ditën në kolegjin AAB në një konferencë shumë të rëndësishme për vajzat në ICT, pastaj vazhduam në Shkollën Digjitale, ku mësuam më tepër për zhvillimin e aftësive në teknologji dhe në digjitalizim, e tani jemi në hapësirat e “BONEVET”.

“Kemi pasur informacione për punën e “BONEVET”, por megjithatë sot për së afërmi u njoftuam edhe për programet mësimore që ndërlidhen me teknologji, matematikë, shkencë, art dhe të tjera. Pamë shumë nxënës që, me një energji shumë të madhe, po punojnë edhe në robotikë, fushë e rëndësishme edhe kjo. Ju urova suksese në çfarëdo gare që kanë në të ardhmen”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.

Ajo më tej ka shtuar se është jashtëzakonisht e rëndësishme që Kosova ka kaq shumë të rinj e të reja që kanë shumë potencial, e “BONEVET”  ua mundëson duke i inkurajuar ata të zhvillojnë sa më shumë kreativitetin, por edhe talentin e tyre.

“Gjithashtu, i ofrova edhe mbështetjen time, por edhe që të shërbejë si urë lidhëse me institucionet e tjera, duke pasur parasysh që gjatë kësaj periudhe institucionet kanë mbështetur projekte të organizatave që merren me këtë fushë”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.

Ajo më tej është zotuar që mbështetja do të vazhdojë dhe që do të ndihmojë aty ku mundet, që puna e tyre të bëhet sa më e lehtë dhe që të jetë sa më e dobishme.

Ndërkaq, Flatra Thaçi, drejtoreshë menaxhuese në “BONEVET”, derisa ka falënderuar U.D. Presidenten Haxhiu, ka thënë se është shumë kënaqësi të kemi në hapësirat tona, duke shtuar më tej se “BONEVET” është e hapur për të gjithë komunitetin, por normalisht për të gjithë qytetarët e këtij vendi.

“Ne me shumë dashuri dhe pasion e interpretojmë punën, të cilën e bëjmë çdo ditë, si ekip, si persona, të cilët e adhurojmë teknologjinë, e adhurojmë inovacionin dhe edukimin mbi të gjitha. Kështu që, për ne është shumë e rëndësishme të kemi mbështetjen e institucioneve për shkak se pa institucione edhe puna jonë nuk mundet të mbërrij aty ku e kemi qëllimin”, ka thënë Flatra Thaçi.

This site is registered on wpml.org as a development site.