Video përmbledhëse e përgatitur dhe e publikuar nga Presidenti Donald J. Trump për takimin e Bordit të Paqes

Përmbledhje e vizitës së Presidentes Osmani në Washington, D.C

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, mori pjesë në takimin inaugurues të Bordit të Paqes, me ftesë të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald J. Trump. Si shtet bashkëthemelues përkrah SHBA-ve, Republika e Kosovës u lartësua në arenën ndërkombëtare dhe u afirmua si shtet në shërbim të paqes dhe sigurisë globale. 🇺🇸 Përgjatë takimit inaugurues të Bordit të Paqes, Presidentja Osmani pati mundësi të diskutonte me Presidentin e Shteteve të Bashkuara tëAmerikës, Donald J. Trump dhe shumë zyrtarë të kabinetit të tij. 🇺🇸 Gjatë qëndrimit në Washington D.C., Presidentja u prit në takim nga Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, me të cilin diskutuan për hapa konkretë të bashkëpunimit bilateral, me fokus në forcimin e mëtejmë të partneritetit strategjik Kosovë–SHBA, avancimin e integrimit të Kosovës në NATO, dhe rëndësinë jetike të bashkëpunimit në mbrojtje e ekonomi. 🇺🇸 Presidentja Osmani, po ashtu, është takuar me Zyrtarin e Lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, Brendan Hanrahan. Ajo me ketë rast është takuar gjithashtu me Drejtorin e Lartë për Evropë dhe Rusi në Këshillin Kombëtar të Sigurisë dhe Këshilltarin Special të Presidentit Trump, Charles McLaughlin, si dhe me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit, Daniel J. Lawton. Në kuadër të takimit inaugurues të Bordit të Paqes, Presidentja zhvilloi bashkëbisedime me liderë të shumtë botërorë, përfshirë: 🇺🇸 Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald J. Trump 🇧🇭 Emirin e Bahreinit, L.T. Hamad bin Isa Al Khalifa 🇵🇾 Presidentin e Paraguajit, Santiago Peña 🇦🇿 Presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev 🇮🇩 Presidentin e Indonezisë, Prabowo Subianto 🇰🇿 Presidentin e Kazakistanit, Kassym-Jomart Tokayev 🇺🇿 Presidentin e Uzbekistanit, Shavkat Mirziyoyev 🇷🇴 Presidentin e Rumanisë, Nicușor Dan 🇦🇱 Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama 🇶🇦 Kryeministrin e Katarit, Mohammed bin Abdulrahman Al Thani 🇵🇰 Kryeministrin e Pakistanit, Shehbaz Sharif 🇭🇺 Kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orbán 🇦🇲 Kryeministrin e Armenisë, Nikol Pashinyan 🇮🇹 Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Italisë, Antonio Tajani 🇦🇪 Ministrin e Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan 🇯🇴 Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Jordanisë, Ayman Safadi 🇹🇷 Ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Hakan Fidan 🇸🇻 Ministren e Punëve të Jashtme të El Salvadorit, Alexandra Hill Tinoco 🇸🇦 Ministrin e Shtetit për Punë të Jashtme të Arabisë Saudite, Adel al-Jubeir 🇺🇸 Ambasadorin e SHBA-ve në Kombet e Bashkuara, Mike Waltz 🇺🇸 Të dërguarin e posaçëm të Presidentit Trump, Steve Witkoff 🇺🇸 Të dërguarin e posaçëm të Presidentit Trump, Jared Kushner Përfaqësuesin e lartë 🇬🇧 Ish-Kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar dhe anëtarin e Bordit Ekzekutiv të Bordit të Paqes, Tony Blair 🌍 Përfaqësuesin e Lartë për Gaza, Nikolay Mladenov 🌍 Presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino
Presidentja Osmani ka zhvilluar një bisedë telefonike me Presidentin e Finlandës, Alexander Stubb

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Presidentin e Finlandës, Alexander Stubb. Presidentja Osmani ka shkruar: Është gjithmonë kënaqësi të bisedosh me mikun e dashur të Kosovës, Presidentin finlandez Alexander Stubb. Diskutuam zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë, si dhe partneritetin midis dy vendeve tona. E falënderova për mbështetjen e palëkundur të Finlandës për të ardhmen euroatlantike të Kosovës.
Presidentja Osmani u prit në takim nga Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio

Në kuadër të vizitës zyrtare në Washington, D.C., dhe në shënim të 18-vjetorit të lidhjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, u prit në Departamentin e Shtetit në takim me Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio. Në një takim të shkëlqyeshëm dhe të përzemërt, Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e thellë për ftesën që Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ia bëri Kosovës për të qenë shtet bashkëthemelues i Bordit të Paqes dhe pjesë e takimit inaugurues. Ajo po ashtu shprehu falënderimet për garancat e fuqishme që Presidenti Trump i dha dje për paqen në rajonin tonë dhe, me këtë rast, e falënderoi edhe Sekretarin Rubio për lidershipin dhe bashkëpunimin e tij në këtë proces. Në këtë takim u diskutuan çështje të partneritetit strategjik, nga fusha e sigurisë rajonale dhe diplomacisë, deri te ekonomia dhe mbrojtja. Ajo, në veçanti, theksoi disa procese me rëndësi jetike për stabilitetin në rajon: fuqizimin e partneritetit strategjik Kosovë–SHBA, anëtarësimin e Kosovës në NATO, rëndësinë strategjike të pranisë ushtarake amerikane në Kosovë, si dhe hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit në ekonomi dhe mbrojtje. Presidentja e falënderoi Sekretarin Rubio për mbështetjen e fuqishme amerikane për sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës. Në këtë frymë, Presidentja theksoi rolin historik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në çlirimin, shtetndërtimin dhe konsolidimin e paqes në Kosovë, si dhe rëndësinë e veçantë të pranisë ushtarake amerikane dhe të aleatëve në kuadër të misionit të NATO-s, si faktor kyç për stabilitetin dhe sigurinë në rajon. Në këtë frymë, ajo nënvizoi se rruga natyrore e këtij partneriteti strategjik është anëtarësimi i Kosovës në NATO, proces ky i domosdoshëm për të siguruar paqe afatgjatë në rajonin tonë. Presidentja gjithashtu theksoi rëndësinë e avancimit të dialogut strategjik bilateral Kosovë–SHBA si mekanizëm për koordinimin e prioriteteve të përbashkëta dhe hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit në fusha të ndryshme. Për më tepër, ajo theksoi se partneriteti ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës përbën interes jetik kombëtar dhe është ekzistencial për Republikën e Kosovës, duke vënë në pah prioritetet strategjike për thellimin e bashkëpunimit bilateral në fushën e mbrojtjes dhe zhvillimit ekonomik.
Lartmadhëria e Tij, Mbreti i Belgjikës, i uron Presidentes Osmani 18-vjetorin e Pavarësisë

Lartmadhëria e Tij, Mbreti Philippe i Belgjikës, i ka dërguar një telegram urimi Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Në mesazhin e tij, Lartmadhëria e Tij shpreh urimet e sinqerta për Presidenten Osmani dhe për popullin e Kosovës me rastin e përvjetorit të shpalljes së pavarësisë. Ai përcjell gjithashtu urimet më të mira për shëndet dhe lumturi për Presidenten dhe për të gjithë qytetarët e Kosovës. 🇽🇰🇧🇪
Presidenti i Letonisë, Edgars Rinkēvičs ka uruar Presidenten Osmani për 18-vjetorin e Pavarësisë

Presidenti i Letonisë Edgars Rinkēvičs, i ka dërguar një letër urimi Presidentes së Republikës së Kosovës Vjosa Osmani, me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Në mesazhin e tij, Presidenti i Letonisë shpreh urimet më të sinqerta për Presidenten Osmani dhe për popullin e Kosovës me rastin e Ditës së Pavarësisë. Ai vlerëson lart marrëdhëniet miqësore dhe bashkëpunimin konstruktiv ndërmjet dy vendeve, duke theksuar mbështetjen e fuqishme të Letonisë për procesin e integrimit evropian të Kosovës si dhe angazhimin e vazhdueshëm për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Presidenti letonez shpreh gjithashtu mirënjohje për shkëmbimet e rëndësishme të nivelit të lartë gjatë vitit të kaluar, të cilat kanë kontribuar në forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe, dhe riafirmon gatishmërinë për thellimin e dialogut dhe bashkëpunimit për çështje me interes të përbashkët. 🇽🇰🇱🇻
Presidentja Osmani: Sakrifica e minatorëve u kthye në kushtrim lirie dhe dëshmoi se rruga drejt lirisë hapet nga guximi i atyre që nuk dorëzohen

Sot kujtojmë grevën historike të urisë të minatorëve të Trepçës, të nisur më 20 shkurt 1989 nga rreth 1,350 minatorë, të cilët u ngritën kundër politikave shtypëse të regjimit hegjemonist serb. Të barrikaduar në thellësitë e minierës së Stan Tërgut për tetë ditë radhazi, ata u shndërruan në simbol të guximit dhe dinjitetit. Me rezistencën e tyre, minatorët krijuan solidaritet e unitet popullor në mbarë Kosovën. Sakrifica e tyre dridhi themelet e një pushteti që promovonte diferencim e pabarazi. Sakrifica e tyre u kthye në kushtrim lirie dhe dëshmoi se rruga drejt lirisë hapet nga guximi i atyre që nuk dorëzohen.
Intervista e Presidentes Vjosa Osmani në CLICK, RTV21
Presidentja Osmani takoi zyrtarë të lartë të Shteteve të Bashkuara gjatë vizitës zyrtare në Washington D.C.

Gjatë vizitës zyrtare në Washington, D.C., Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, zhvilloi takime të nivelit të lartë me përfaqësues të institucioneve kyçe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me fokus forcimin e partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve, si dhe avancimin e prioriteteve të përbashkëta në fushën e sigurisë, mbrojtjes dhe zhvillimit ekonomik. Presidentja Osmani takoi Zyrtarin e Lartë të Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara, Brendan Hanrahan. Në takim morën pjesë gjithashtu Drejtori i Lartë për Evropë dhe Rusi në Këshillin Kombëtar të Sigurisë të SHBA-ve dhe Këshilltari Special i Presidentit Donald Trump, Charles McLaughlin, si dhe Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit, Daniel J. Lawton. Gjatë takimit u diskutuan zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në Kosovë dhe rajon, si dhe rëndësia e koordinimit të vazhdueshëm me partnerët amerikanë për ruajtjen e stabilitetit dhe forcimin e arkitekturës së sigurisë euro-atlantike. Në këtë kontekst, u trajtua edhe rikthimi i Dialogut Strategjik Kosovë–SHBA, me fokus të veçantë në thellimin e bashkëpunimit në mbrojtje, siguri dhe zhvillim ekonomik. Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e avancimit të njohjeve ndërkombëtare të Kosovës, duke nënvizuar se zgjerimi i subjektivitetit ndërkombëtar mbetet prioritet strategjik, në bashkëpunim të ngushtë me aleatët amerikanë. Integrimi i Kosovës në NATO u riafirmua si objektiv strategjik dhe garanci për stabilitet afatgjatë dhe siguri rajonale. Në këtë frymë, u vlerësua lart prezenca e trupave ushtarake amerikane në Kosovë, e cila mbetet element kyç për sigurinë dhe stabilitetin në vend, si dhe dëshmi e partneritetit të palëkundur ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve. Pjesëmarrja e Kosovës në Bordin e Paqes u vlerësua si historike, duke reflektuar rolin gjithnjë e më aktiv të Kosovës si kontribuuese në paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, si dhe gatishmërinë për të marrë përgjegjësi më të mëdha në iniciativat globale të sigurisë.
Intervista e Presidentes Vjosa Osmani në Rubikon, Klan Kosova