...

U.D. Presidentja Haxhiu: Qyshku, Zahaqi dhe Pavlani mbeten dëshmi e një mizorie të planifikuar, e një aparati shtetëror që e ktheu vrasjen e shqiptarëve në metodë lufte dhe dëbimin në qëllim politik

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se sot, në 27-vjetorin e Masakrës së Qyshkut, kujtojmë me nderim martirët e Qyshkut, Zahaqit dhe Pavlanit, 82 civilë shqiptarë të vrarë më 14 maj 1999 nga forcat serbe.

“Atë mëngjes, Qyshku, Zahaqi dhe Pavlani u goditën si pjesë e një operacioni të organizuar të forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe. Gratë, fëmijët dhe të moshuarit u dëbuan nga shtëpitë, ndërsa burrat u ndanë, u plaçkitën, u mbyllën në shtëpi dhe u vranë. Më pas, shtëpitë u dogjën për t’i mbuluar gjurmët e krimit”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.

Ajo më tej ka thënë se në këto fshatra u goditën njerëz të paarmatosur, banorë e mysafirë që lufta i kishte gjetur aty.

“U shuan jetë, u prekën familje të tëra, u dogjën shtëpi dhe u dëbuan civilë shqiptarë nga vendi i tyre. Qyshku, Zahaqi dhe Pavlani mbeten dëshmi e një mizorie të planifikuar, e një aparati shtetëror që e ktheu vrasjen e shqiptarëve në metodë lufte dhe dëbimin në qëllim politik”, ka pohuar U.D. Presidentja Haxhiu.

Sipas saj, drejtësia për këto masakra është detyrim ndaj familjeve, ndaj të mbijetuarve dhe ndaj Republikës sonë.

“I përhershëm qoftë kujtimi për martirët e Qyshkut, Zahaqit dhe Pavlanit”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.

This site is registered on wpml.org as a development site.