Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, së bashku me Kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, kanë bërë homazhe te varri i Heroit Agron Rrahmani, në 28 vjetorin e rënies.
“Në 28-vjetorin e rënies, e kujtojmë me nderim Heroin e Kombit Agron Rrahmanin. Qysh i ri, nga Ballofci i Besianës deri në Prishtinë, ai u dallua për veprimtari atdhetare. Aktivitetin e tij e nisi herët si gjimnazist në Besianë, dhe më vonë e vazhdoi në ilegalitet, në Prishtinë, në Tiranë, në Tetovë e në shumë vise të tjera, ai u bë një nga njerëzit e veprimit të përditshëm”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.
Sipas saj, Agroni me shokë mori përsipër punë që nuk dukeshin gjithmonë para syve të njerëzve, por pa të cilat lufta nuk mund të ecte: organizim, lëvizje, përgatitje, lidhje mes njerëzve dhe besim të plotë se Kosova duhej të çlirohej.
“Agron Rrahmani ishte luftëtar i guximshëm, por më shumë se kaq ishte edhe njeri i organizimit ushtarak në qytet. Para se të merrte drejtimin e njësitit “Rexhep Mala” në Prishtinë, ai kishte marrë përsipër përgatitjen luftarake të anëtarëve të LKÇK-së dhe të vullnetarëve, si dhe kishte ndihmuar në ngritjen e qendrës stërvitore në Tiranë, ku u përgatitën mbi 300 vullnetarë”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.
Ajo tha se në shkurt të vitit 1998, ai u caktua komandant i njësitit të parë ilegal luftarak në Prishtinë, njësit që mori emrin “Rexhep Mala”.
“Agroni ra heroikisht me 12 maj 1998. Ajo ishte javë e kobshme për luftën tonë dhe një nga goditjet më të rënda të organizimit të hershëm të luftës çlirimtare. Para rënies së tij, kishte rënë me 7 maj Bahri Fazliu dhe me 9 maj Ilir Konushevci. Lavdi e përjetshme heroit Agron Rrahmani dhe të gjithë heronjëve dhe dëshmorëve të kombit!”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.


