U.D. Presidentja Haxhiu vizitoi Bashkësinë Islame të Kosovës: Festa e Kurban Bajramit është festë e shenjtë e besimit islam dhe kjo na kujton vlerat e sakrificës, solidaritetit, mirësisë, respektit e përkushtimit për vendin

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka vizituar Bashkësinë Islame të Kosovës, me rastin e Festës së Kurban Bajramit. Me këtë rast, U.D. Presidentja Haxhiu ka uruar myftiun Naim Tërnava dhe bashkëpunëtorët e tij, për Festën e Kurban Bajramit. “Me këtë rast, më lejoni që të shpreh urimet e mia edhe për të gjithë besimtarët myslimanë, por po ashtu edhe për shqiptarët kudo që janë brenda Kosovës, por edhe jashtë saj për Festën e Kurban Bajramit”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo më tej tha se Festa e Kurban Bajramit është festë e shenjtë e besimit islam dhe kjo na kujton vlerat e sakrificës, solidaritetit, mirësisë, respektit e përkushtimit për vendin. “Vlera këto, të cilat duhet t’i mbajmë lart e më lart dhe rreth së cilave duhet të jemi të bashkuar edhe si institucione, edhe si qytetarë, por edhe si shoqëri”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo ka falënderuar Bashkësinë Islame të Kosovës, myftiun Naim Tërnava, për rolin pozitiv që kanë pasur në vazhdimësi në shoqërinë tonë, për ndikimin pozitiv, për të luftuar dukuri negative me të cilat përballet shoqëria jonë, por gjithashtu edhe për ndihmën e qytetarëve në nevojë. “Është pikërisht Bashkësia Islame e Kosovës, përmes Shoqatës “Bereqeti”, përmes bashkëpunëtorëve e partnerëve, që kanë ndihmuar mijëra familje gjatë gjithë kësaj periudhe kohore”, pohoi U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo më tej tha se Myftiu e dha sot edhe një mesazh dhe më njoftoi që ka pasur një ligjëratë, me të cilën ka kërkuar që gjuha e urrejtjes, sulmet, gjuha linçuese të ndalohet, sepse ajo nuk ka vend në shoqërinë tonë, prandaj, e falënderova edhe për këtë aspekt. “Më lejoni që t’ju uroj edhe një herë të gjithëve, edhe juve mediave, sot për Festën e Kurban Bajramit, uroj më të mirat për qytetarët dhe për secilën familje!”, tha U.D. Presidentja Haxhiu.
U.D. Presidentja Haxhiu mori pjesë në shënimin e Ditës Kombëtare të Republikës së Kroacisë: Kroacia ka qenë mike e qëndrueshme e Kosovës përgjatë kapitujve të ndryshëm të historisë së saj

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë sonte në pritjen e organizuar nga Ambasada e Republikës së Kroacisë në Republikën e Kosovës, me rastin e shënimit të Ditës Kombëtare të Republikës së Kroacisë. Në një fjalë para të pranishmëve, U.D. Presidentja Haxhiu, ka thënë se Kroacia ka qenë mike e qëndrueshme e Kosovës përgjatë kapitujve të ndryshëm të historisë së saj. “Në vitet kur kauza jonë kishte nevojë për miq, në çastin e njohjes së pavarësisë sonë, dhe sot, kur punojmë për të ardhmen tonë evropiane dhe euroatlantike”, është shprehur U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo më tej ka thënë se shumë përpara marrëdhënieve tona moderne diplomatike, midis dy popujve tanë kanë ekzistuar ura njerëzore. “Mjafton të kujtojmë Milan Šufflay-n, dijetarin kroat që i dha historisë shqiptare një vend të veçantë në mendimin evropian, si dhe shqiptarët që qëndruan përkrah Kroacisë në vitet e saj më të vështira, miqësia jonë mbështetet në kujtesë, sakrificë dhe respekt të ndërsjellë. Mes Arbëneshëve të Zarës, shërbyesve publikë si Ermina Lekaj Prljaskaj, dhe natyrisht futbollistëve si Ardian Kozniku e Kujtim Shala, mund të themi se shqiptarët kanë qenë të pranishëm në Kroaci në të gjitha vendet serioze: në histori, në parlament dhe në futboll”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. U.D. Presidentja Haxhiu ka falënderuar Ambasadoren Barišić, ngrohtësia dhe energjia e së cilës, sipas U.D. Presidentes Haxhiu, i kanë dhënë kësaj miqësie edhe më shumë gjallëri. U.D. Presidentja Haxhiu në emër të popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës, i ka përcjell urimet më të përzemërta popullit të Kroacisë. “Uroj që miqësia mes Kosovës dhe Kroacisë të vazhdojë të forcohet, dhe që rajoni ynë të ecë me më shumë besim, me demokraci më të qëndrueshme dhe me më shumë qartësi në rrugën evropiane”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.
U.D. Presidentja Haxhiu: Lajme të bukura për artin shqiptar

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka uruar për lajmet e bukura për artin shqiptar. “Ermonela Jaho nderohet nga Franca, Eliza Dushku nga Lesley University, Gjyljeta Berisha në ekipin e filmit Fjord, fitues i Palmës së Artë, ndërsa Elbenita Kajtazi rikthehet para publikut të Prishtinës. Urime!”, ka shkruar U.D. Presidentja Haxhiu.
U.d. Presidentja Haxhiu priti në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, z. Jonathan Hargreaves

U.d. Presidentja e Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, priti sot në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, z. Jonathan Hargreaves. Në takim u bisedua për zhvillimet e fundit politike në vend, me theks të veçantë në procesin zgjedhor, rëndësinë e mbarëvajtjes së tij dhe ruajtjen e stabilitetit institucional. U.d. Presidentja Haxhiu e falënderoi Mbretërinë e Bashkuar për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Republikës së Kosovës dhe theksoi rëndësinë e partneritetit të afërt mes dy vendeve.
U.D. Presidentja Haxhiu vizitoi “Bodrumin e Vjetër”, një nga veraritë më të njohura në vend

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se në qytetin e njohur për traditën e vreshtarisë dhe verës në Kosovë nuk mund të mungonte një ndalesë tek “Bodrumi i Vjetër”, një nga veraritë më të njohura në vend. “Me një traditë që daton që nga viti 1953, kjo verari ka arritur që përmes punës së palodhshme, përkushtimit dhe investimeve të vazhdueshme në cilësi e teknologji moderne, ta vendosë emrin e Kosovës në hartën evropiane të verërave më cilësore”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo më tej ka thënë se gjatë vizitës kishim mundësinë të shohim procesin e prodhimit, standardet e larta që aplikohen dhe kombinimin unik të teknologjisë bashkëkohore me potencialin e jashtëzakonshëm që ofron toka pjellore e Rahovecit. “Fakti që rreth 70% e prodhimit eksportohet jashtë vendit është dëshmi e qartë e cilësisë dhe një histori suksesi që meriton vlerësim”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.
U.D. Presidentja Haxhiu: Masakra e Dubravës ndodhi brenda një institucioni shtetëror, nën administrimin e shtetit serb, mbi njerëz të paarmatosur, të mbyllur dhe të pambrojtur

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë sot në shënimin e 27 vjetorit të masakrës në Burgun e Dubravës. Në fjalën e saj para të pranishmëve, U.D. Presidentja Haxhiu ka thënë se burgu është vend ku shteti e mbyll derën nga jashtë. “Ai që gjendet brenda tij nuk ka as armë, as liri e as mundësi të mbrohet. Jeta e të burgosurit është në duart e institucionit që e ruan. Për këtë arsye, masakra e Dubravës, nuk mund të trajtohet si krim i zakonshëm lufte. Sepse masakra e Dubravës ndodhi brenda një institucioni shtetëror, nën administrimin e shtetit serb, mbi njerëz të paarmatosur, të mbyllur dhe të pambrojtur”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu. U.D. Presidentja Haxhiu tha se pesha e krimit bëhet edhe më e rëndë kur dihet se të burgosurit shqiptarë nuk ishin aty rastësisht. “Në pranverën e vitit 1999, në Dubravë u sollën njerëz nga burgje e qendra ndalimi, nga Kosova por edhe nga Serbia. Të dënuar politikë, të dënuar për vepra të ndryshme, të arrestuar në rrethanat e luftës u grumbulluan aty. Të gjithë u gjendën brenda atij burgu që ishte kthyer në instrument të krimit shtetëror”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu. Sipas saj, në Dubravë, shteti serb e ndërtoi krimin mbi një kurth të dyfishtë. “Së pari, i mbajti të burgosurit shqiptarë brenda një objekti që e kishte futur në logjikën e luftës. Pastaj, kur rreziku i bombardimit u bë i afërt, ata që mbanin çelësat u larguan për t’u fshehur, ndërsa shqiptarët e burgosur aty mbetën të mbyllur. Mbi atë braktisje të qëllimshme u ngrit edhe mashtrimi: që vrasjet t’i visheshin sulmeve të NATO-s. Më 19 maj u goditën objektet e burgut, përfshirë pavijonet, ndërsa më 21 maj pati sërish goditje gjatë ditës në objektet e burgut dhe rrethinë”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo tutje tha se disa prej të burgosurve shqiptarë, që ndodheshin jashtë pavijoneve për punët e zakonshme të burgut, morën veglat që kishin pranë dhe nisën t’i thyenin dyert e drynat për t’i nxjerrë shokët jashtë qelive. “Në mes të atij tmerri, të burgosurit gjetën mënyrë për t’i dërguar mesazh botës. Me copa plastike të bardha, në oborrin e burgut, shkruan fjalën “HELP”. Ishte një thirrje e thjeshtë, e shkurtër, por e kuptueshme për botën. Përmes kësaj thirrje të burgosurit treguan se janë gjallë. Dhe kjo pati sukses, ngase sulmet ajrore u ndalën. Por edhe ajo fjalë, “HELP”, u bë arsye për tërbimin e vrasësve. Sepse ajo e prishte skenarin e tyre. Ajo tregonte se brenda burgut kishte njerëz të gjallë, të burgosur dhe dëshmitarë”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu. U.D. Presidentja Haxhiu tha se pas kësaj, më 22 maj, të burgosurit u urdhëruan të rreshtoheshin, nën pretekstin se do të transferoheshin. “Në vend të transferimit, mbi ta u hap zjarr. Të rreshtuar, të paarmatosur, të pambrojtur, ata u qëlluan brenda oborrit të burgut. Dëshmitë e të mbijetuarve flasin për sulme të tjera gjatë asaj dite dhe ditës pasuese, për njerëz që kërkonin shpëtim në ndërtesat e dëmtuara, për të plagosur që nuk kishin ndihmë, për të burgosur që u përpoqën ta shpëtonin njëri-tjetrin. Në mekanizmin e krimit u përfshinë edhe të burgosurit serbë, të dënuar për krime të rënda, të cilët u armatosën dhe u vunë në shërbim të aparatit shtetëror serb. Më 23 maj, dhuna vazhdoi. Sulmet ndaj të burgosurve që kishin mbetur brenda kompleksit e shtuan edhe më shumë bilancin e vdekjes”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo, tutje tha se 116 të burgosur shqiptarë u vranë dhe qindra të tjerë u plagosën në Burgun e Dubravës, në një hapësirë ku shteti serb kishte përgjegjësi të plotë mbi ta. “Në prag të këtyre ditëve, më 16 maj 1999, nga Burgu i Dubravës u nxor edhe profesor Ukshin Hoti. Prej asaj dite ai mbetet i zhdukur. Një mendje politike e rrallë e Kosovës, një njeri që e kishte menduar lirinë si rend historik, u zhduk pikërisht aty”, ka pohuar U.D. Presidentja Haxhiu. U.D. Presidentja Haxhiu tha se në Dubravë, shteti serb veproi si aparat vrasës. “I kishte të burgosurit në regjistra, në pavijone, në rreshta, nën urdhra dhe të mbyllur. Kjo është arsyeja pse Dubrava ka peshë të veçantë juridike dhe morale. Aty krimi nuk ndodhi sepse shteti mungoi. Aty krimi ndodhi sepse shteti ishte i pranishëm në çdo hallkë: në komandë, në rojë, në armë, në mashtrim dhe në përpjekjen për ta fshehur të vërtetën”, pohoi U.D. Presidentja Haxhiu. Sipas U.D. Presidentes Haxhiu sot nuk mjafton ta përmendim Dubravën si datë. “Duhet ta kuptojmë si dëshmi për krimet monstruoze të Serbisë, kundër qytetarëve të pambrojtur shqiptar. Gjithashtu duhet ta kuptojmë edhe si dëshmi të detyrës sonë që emrat e të vrarëve, dëshmitë e të mbijetuarve dhe e vërteta e plotë e Dubravës të bëhet pjesë e ndërgjegjes shtetërore të Republikës së Kosovës”, ka thënë në fund të fjalës së saj U.D. Presidentja Haxhiu.
U.D. Presidentja Haxhiu priti në takim Federatën e Kickbox-it të Kosovës

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu ka pritur sot në takim Federatën e Kickbox-it të Kosovës. Me këtë rast, U.D. Presidentja Haxhiu tha se Kosova u paraqit me sukses në Turkish WAKO World Cup në Antalya, një nga garat më të mëdha ndërkombëtare të kick box-it, me rreth 3 mijë garues nga mbi 40 shtete. “Sot, në shenjë vlerësimi institucional, ndava mirënjohje për Federatën e Kickbox-it të Kosovës, për medalistët Art Dulaj, Artor Mehmeti dhe Nart Mehmeti, si dhe për sportistët që përfaqësuan Republikën e Kosovës në këtë garë”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo më tej ka thënë se Art Dulaj fitoi medaljen e artë në Full Contact me tri fitore, të tria me nokaut. Artor Mehmeti dhe Nart Mehmeti siguruan medalje të bronzta në Lowkick, pas kualifikimit në gjysmëfinale me rezultat bindës 3:0. “Kosova u përfaqësua denjësisht edhe në referim, përmes Albin Musës, pjesë e panelit ndërkombëtar të gjyqtarëve. Mirënjohje edhe për Kryetarin Fatmir Makolli, si dhe për selektorët Nesret Salihaj dhe Ilir Menxhiqi, për drejtimin dhe punën me sportistët tanë”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. Sipas saj, nga garuesi te trajneri, nga gjyqtari te federata, ky sukses dëshmon se përfaqësimi dinjitoz i Kosovës ndërtohet me disiplinë, përkushtim dhe punë të përbashkët.
U.D. Presidentja Haxhiu priti në takim drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti. “Biseduam për zhvillimet aktuale të sigurisë në vend, sfidat me të cilat përballet Republika dhe rëndësinë e funksionimit profesional, ligjor dhe të përgjegjshëm të institucioneve tona të sigurisë”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. U.D. Presidentja Haxhiu më tej ka thënë se siguria e Republikës së Kosovës kërkon përkushtim të vazhdueshëm, vigjilencë dhe punë të palodhshme çdo ditë shpesh larg syrit të publikut, por gjithmonë në shërbim të qytetarëve dhe shtetit tonë.
U.d. Presidentja Haxhiu përkujton viktimat e Masakrës së Stagovës

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, përkujtoi sot viktimat e Masakrës së Stagovës së Kaçanikut, në 27-vjetorin e vrasjes së tyre nga forcat serbe. “Më 21 maj 1999, në Stagovë u vranë 13 civilë shqiptarë, në mesin e tyre edhe fëmija 7-vjeçar Fitim Gudaqi. Në mbrojtje të civilëve ra edhe dëshmori Ekrem Gudaqi. Kjo ditë mbetet një nga dëshmitë më të rënda të politikës së shfarosjes, dëbimit dhe djegies që Serbia ushtroi mbi popullsinë civile në Kosovë”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. U.D. Presidentja Haxhiu ka thënë se Masakra e Stagovës u përfshi në aktakuzat dhe hetimet e Tribunalit të Hagës për krimet e kryera në Kosovë nga forcat e RFJ-së dhe Serbisë. “Megjithatë drejtësia për Stagovën mbetet e paplotë, sepse ndonëse krimi u përfshi në hetimet dhe aktakuzat për krimet e kryera në Kosovë, autorët e drejtpërdrejtë dhe zinxhiri i plotë përgjegjës për këtë masakër nuk morën dënimin që kërkon pesha e krimit”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.
U.D. Presidentja Haxhiu: Rrugët nuk janë vetëm asfalt, ato janë lidhje midis njerëzve, mundësi për zhvillim dhe dëshmi e pranisë së shtetit atje ku duhet të jetë

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se rrugët nuk janë vetëm asfalt, ato janë lidhje midis njerëzve, mundësi për zhvillim dhe dëshmi e pranisë së shtetit atje ku duhet të jetë. “Me fillimin e asfaltimit të rrugës në Zveçan, mundësohet lëvizje më e lehtë, zhvillim, qasje më të shpejtë në shërbime dhe siguri më të madhe në rrugëtimin e përditshëm”, ka thënë U.D. Presidentja Hahxiu. Sipas saj, ky projekt, në gjatësi prej 22 kilometrave, ka rëndësi të veçantë sepse e lidhë këtë zonë me Liqenin e Ujmanit