U.d. Presidentja Haxhiu priti në takim Ambasadorin e Gjermanisë, Rainer Rudolph

U.d. Presidentja e Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, priti sot në takim Ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph. U.d. Presidentja Haxhiu e falënderoi Ambasadorin Rudolph për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë ndaj Republikës së Kosovës, në shtetndërtim, zhvillim demokratik dhe integrim evropian. Në takim u theksua rëndësia e partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, si dhe roli i veçantë që Gjermania ka pasur në momente kyçe për vendin. U.d. Presidentja Haxhiu vlerësoi se Gjermania mbetet një nga aleatët më të rëndësishëm të Kosovës dhe theksoi përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, përfshirë integrimin evropian, ekonominë, sigurinë, sundimin e ligjit, arsimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Ajo ritheksoi se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj vlerave evropiane, demokracisë dhe bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, ndërsa vlerësoi mbështetjen e Gjermanisë si të rëndësishme për avancimin e mëtejshëm të Republikës së Kosovës në proceset evropiane dhe ndërkombëtare.
U.d. Presidentja Haxhiu priti në takim Shefin e Misionit të Ambasadës së Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz

U.d. Presidentja e Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, priti sot në takim Shefin e Misionit të Ambasadës së Dukatës së Madhe të Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz. U.d. Presidentja Haxhiu e falënderoi z. Dietz për mbështetjen e vazhdueshme të Luksemburgut ndaj Kosovës, veçanërisht në zhvillim, fuqizim institucional, arsim profesional, ekonomi të qëndrueshme dhe avancim të kapaciteteve digjitale. Në takim u theksua rëndësia e marrëdhënieve miqësore ndërmjet Kosovës dhe Luksemburgut, si dhe gatishmëria për thellimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, përfshirë integrimin evropian, zhvillimin ekonomik dhe digjitalizimin. U.d. Presidentja Haxhiu vlerësoi se Luksemburgu ka qenë partner i qëndrueshëm i Kosovës dhe se mbështetja e tij ka dhënë kontribut konkret në forcimin e mundësive për qytetarët dhe institucionet e vendit. Ajo ritheksoi përkushtimin e Kosovës për ta thelluar partneritetin me Luksemburgun dhe për të vazhduar bashkëpunimin në rrugën evropiane të Republikës së Kosovës.
U.D. Presidentja Haxhiu me rastin e Ditës së Fëmijëve, vizitoi Klinikën e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, sot, me rastin e Ditës së Fëmijëve, së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, kanë vizituar Klinikën e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, për të qenë pranë fëmijëve që po trajtohen dhe familjeve të tyre. “Kujdesi dhe ndjeshmëria nuk janë shtesë e trajtimit mjekësor ato janë pjesë e tij. Çdo fëmijë që kalon ditë të vështira larg shtëpisë ka nevojë jo vetëm për terapi, por edhe për ngrohtësi dhe praninë e njerëzve që u kushtojnë vëmendje”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo, ka shprehur mirënjohje të sinqertë për të gjithë stafin e Klinikës së Pediatrisë, mjekët, infermierët dhe të gjithë ata që punojnë me përkushtim çdo ditë. “Humanizmi dhe profesionalizmi që ata demonstrojnë janë shembull i vërtetë i shërbimit publik”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. U.D. Presidentja Haxhiu ka thënë se fëmijët meritojnë më të mirën prej nesh, ky është detyrimi që e kemi të gjithë, si individë dhe si institucione. Në fund, U.D. Presidentja Haxhiu, ka uruar shëndet dhe gëzim për secilin prej tyre.
U.D. Presidentja Haxhiu priti në Presidencë fëmijë nga të gjitha komunitetet në Kosovë me rastin e 1 Qershorit

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, me rastin e 1 Qershorit, Ditës së Fëmijëve, ka pritur në Presidencë fëmijë nga të gjitha komunitetet në Kosovë. “Një takim i veçantë, i mbushur me buzëqeshje, gëzim dhe energji pozitive, ku fëmijët sollën me vete ëndrrat, talentin dhe shpresën për të ardhmen e vendit tonë”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.
U.D. Presidentja Haxhiu: Fëmijët kanë nevojë për 365 ditë vëmendje, mbrojtje por po ashtu edhe për kujdes

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë sot në Konferencën e Nëntë të Shëndetit, Mirëqenies, Edukimit dhe të Drejtave të Fëmijëve. Sipas saj, pavarësisht përparimeve, pavarësisht përmirësimeve, arritjeve që kemi pasur gjatë kësaj periudhe kohore, fëmijët ende përballen me shumë sfida. “Prandaj, të drejtat e fëmijëve janë një nga fushat, ku dallimi ndërmjet asaj që shkruhet dhe asaj që zbatohet shihet shumë shpejt. Fëmijët nuk kërkojnë gjëra të pamundura. Ata kërkojnë të ndihen të sigurt. Të mos përbuzen. Të mos përjashtohen. Të mos stigmatizohen për varfërinë e familjes. Të mos mbeten pa ndihmë kur kanë vështirësi në të folur, në sjellje, në mësimnxënie apo në shëndet mendor. Të mos u thuhet “hajt se kalon” për diçka që kërkon kujdes profesional”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo tutje ka thënë se një nga gabimet tona më të mëdha si shoqëri është se ndonjëherë presim që fëmija ta tejkalojë vetë atë, që as të rriturit nuk do të mund ta kalonin. “Presim që të jetë i fortë, i qetë, i dëgjueshëm, i suksesshëm, pra presim që të përshtatet. Por, fëmija ka të drejtë edhe të ketë frikë. Ka të drejtë të jetë i hutuar. Ka të drejtë të mos dijë si ta shpjegojë atë që ndien përbrenda. Dhe mbi të gjitha, ka të drejtë të marrë ndihmë me kohë. Këtu fillon përgjegjësia jonë. Te aftësia për ta dëgjuar fëmijën para se të na flasë me krizë. Te aftësia për ta mbështetur prindin pa e gjykuar. Te aftësia për t’i dhënë mësuesit mjete, për t’i kthyer ligjet në shërbime dhe shërbimet në qasje të barabartë për secilin fëmijë”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. Sipas U.D. Presidentes Haxhiu, Kosova ka ndërtuar një bazë të rëndësishme ligjore për mbrojtjen e fëmijëve, por, sipas saj, sistemi nuk matet me numrin e dokumenteve që prodhon, sistemi matet me atë që ndodh kur një fëmijë ka nevojë për ndihmë. “A e di familja ku duhet të drejtohet kur ka nevojë? A reagon shkolla me kohë? A ka psikologë të mjaftueshëm? A ka shërbime të qasshme në komunë? A dëgjohet mendimi i fëmijës? A trajtohet fëmija me dinjitet? A mbrohet nga dhuna në shtëpi, në shkollë, në rrugë apo në hapësirën digjitale? Këto janë pyetje shumë konkrete dhe pikërisht për këtë arsye, puna juaj ka rëndësi. Hulumtimi psiko-social, përvoja klinike, puna me familje, puna me fëmijë, puna në shkolla dhe në komunitet, të gjitha këto e ndihmojnë shtetin të shohë më qartë dhe po ashtu të veprojë më drejt”, është shprehur U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo ka thënë se të dhënat, hulumtimi, vlerësimi profesional dhe përvoja në terren janë mjete pune për një shtet edhe më të përgjegjshëm. “Shteti jonë shihet edhe aty ku një fëmijë mëson se fjala e tij dëgjohet. Aty ku dhuna nuk quhet edukim. Aty ku kërkimi i ndihmës nuk është turp. Aty ku shkolla është vend ku fëmija rritet, jo vend ku fëmija frikësohet. Aty ku shteti nuk i shfaqet si ndërtesë e largët, por si prani e afërt, e kujdesshme dhe e besueshme. Dhe për këtë ju garantoj që po punohet në vazhdimësi edhe me përgjegjësi të plotë”, ka pohuar U.D. Presidentja Haxhiu. U.D. Presidentja Haxhiu ka thënë se 1 Qershori duhet të jetë ditë gëzimi, por edhe ditë përgjegjësie, sidomos për institucionet e Republikës së Kosovës. “Fëmijët kanë nevojë për 365 ditë vëmendje, mbrojtje por po ashtu edhe për kujdes”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo ka falënderuar Qendrën për Hulumtime Psiko-Sociale, Klinikën “Empatia”, për organizimin e kësaj konference dhe për punën e vazhdueshme në një fushë që sipas U.D. Presidentes Haxhiu kërkon profesionalizëm po ashtu kërkon ndjeshmëri por edhe këmbëngulje. “I falënderoj të gjithë profesionistët që punojnë me fëmijët, shpesh larg vëmendjes publike, por shumë afër nevojave reale të shoqërisë! Uroj që nga kjo konferencë të dalin ide të dobishme, propozime konkrete dhe bashkëpunime që vazhdojnë edhe pas përfundimit të saj! Në fund, urimi më i mirë për fëmijët në 1 Qershor është që sot, nesër, por edhe çdo ditë pas saj, të jemi më të përgjegjshëm dhe të jemi gjithmonë pranë tyre”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.
U.d. Presidentja Haxhiu priti në takim Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha

U.d. Presidentja e Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, priti sot në takim Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Ferit Hoxha. “Ju keni qenë zëri i Kosovës kur Kosova nuk kishte zë”, tha ajo, duke e uruar ministrin Hoxha për detyrën dhe duke vlerësuar përvojën e tij të gjatë diplomatike në përfaqësimin e Shqipërisë në organizata dhe forume ndërkombëtare. Në takim u bisedua për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, për koordinimin në politikën e jashtme, si dhe për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara ndërmjet dy vendeve. U.d. Presidentja Haxhiu theksoi se afërsia historike, gjuhësore dhe kombëtare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë mbetet një bazë e fortë për thellimin e bashkëpunimit institucional dhe për projekte që u shërbejnë drejtpërdrejt qytetarëve të të dyja vendeve. Një pjesë e takimit iu kushtua rrugës evropiane dhe euroatlantike të Kosovës. Presidentja Haxhiu kërkoi vazhdimin e mbështetjes së Shqipërisë për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, për marrjen e pyetësorit të Bashkimit Evropian, si dhe për afrimin e mëtejshëm të Kosovës me NATO-n dhe Partneritetin për Paqe. Presidentja Haxhiu theksoi se Kosova dhe Shqipëria duhet ta vazhdojnë koordinimin e ngushtë në të gjitha forumet ndërkombëtare, në shërbim të forcimit të pozitës së Kosovës dhe interesave të përbashkëta në rajon dhe në Evropë.
U.D. Presidentja Haxhiu: Ndonëse drejtësia ende mungon, kujtimi dhe sakrifica e të rënëve për liri mbeten të përjetshme

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë homazhe sot tek varrezat e qytetit të Pejës, në përkujtim të pesë anëtarë të familjes Kastrati, Sokol (Çelë) Kastrati, Xhafer (Çelë) Kastrati, Valdet (Sokol) Kastrati, Adrian (Xhafer) Kastrati dhe Alban (Xhafer) Kastrati, si dhe fqinji i tyre, Hasan (Emrush) Muratagiqi, të cilët u vranë mizorisht nga dora kriminale serbe, më 28 maj të vitit 1999. U.D. Presidentja Haxhiu ka thënë se ndonëse drejtësia ende mungon, kujtimi dhe sakrifica e të rënëve për liri mbeten të përjetshme.
U.d. Presidentja Haxhiu ngushëllon familjen Gagica

U.d. Presidentja e Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, i ka dërguar telegram ngushëllimi familjes Gagica, me rastin e ndarjes nga jeta të veprimtarit të njohur të çështjes kombëtare, Hafiz Gagica. Në telegramin e saj, u.d. Presidentja Haxhiu ka shkruar se Hafiz Gagica ishte “një prej zërave të rëndësishëm të mërgatës shqiptare në Gjermani”. “Në vitet kur Kosova kishte nevojë që zëri i saj të dëgjohej jashtë vendit, z. Gagica ishte ndër njerëzit që punuan me përkushtim për ta organizuar mërgatën, për ta mbajtur gjallë lidhjen me atdheun dhe për ta afirmuar të drejtën e Kosovës për liri, demokraci dhe pavarësi”, thuhet në telegram. U.d. Presidentja ka vlerësuar edhe bashkëpunimin e tij të afërt me Presidentin historik Dr. Ibrahim Rugova, si dhe angazhimin e tij në organizimin politik të mërgatës. Ajo u ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes Gagica, miqve, bashkëveprimtarëve dhe të gjithë atyre që e njohën dhe e çmuan punën e tij.
U.d. Presidentja Haxhiu priti në takim Kryesuesin dhe Sekretaren e Përgjithshme të Këshillit Konsultativ për Komunitete

U.d. Presidentja e Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, priti sot në takim Kryesuesin dhe Sekretaren e Përgjithshme të Këshillit Konsultativ për Komunitete Në takim u diskutua për rolin e Këshillit si mekanizëm i rëndësishëm i komunikimit ndërmjet komuniteteve dhe institucioneve të Republikës, si dhe për nevojën që shqetësimet, propozimet dhe prioritetet e komuniteteve të trajtohen me kujdes të rregullt institucional. U.d. Presidentja Haxhiu theksoi se barazia merr kuptim kur qytetarët kanë qasje në institucione, në shërbime dhe në vendimmarrje. Ajo konfirmoi përkushtimin e Presidencës për bashkëpunim të vazhdueshëm me Këshillin, në shërbim të të drejtave, përfaqësimit dhe pjesëmarrjes së të gjitha komuniteteve në jetën publike të Republikës së Kosovës.
U.d. Presidentja Haxhiu priti në takim kongresistët Keith Self dhe Suhas Subramanyam

U.d. Presidentja e Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, priti sot në takim kongresistin republikan Keith Self dhe kongresistin demokrat Suhas Subramanyam, pjesë e delegacionit të Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. U.d. Presidentja Haxhiu shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara dhe të Kongresit Amerikan ndaj Republikës së Kosovës, duke theksuar se për popullin e Kosovës kjo mbështetje ka pasur rëndësi historike, politike dhe njerëzore. “Për Kosovën, miqësia me Shtetet e Bashkuara është edhe institucionale por edhe personale. Populli ynë e mban mend kush qëndroi pranë nesh në momentet më përcaktuese të historisë sonë moderne”, theksoi U.d. Presidentja Haxhiu. Ajo falënderoi kongresmenin Self për mbështetjen e tij të qartë ndaj rrugës së Kosovës drejt NATO-s, si dhe për vëmendjen ndaj të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. U.d. Presidentja Haxhiu theksoi se për Kosovën, anëtarësimi në NATO është çështje e sigurisë afatgjatë, paqes rajonale dhe vendit të natyrshëm të Kosovës mes shteteve demokratike. U.d. Presidentja Haxhiu vlerësoi gjithashtu praninë e kongresistit Subramanyam në këtë delegacion, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit në fusha si teknologjia, siguria kibernetike, arsimi, inovacioni dhe shërbimi publik. Në takim, U.d. Presidentja Haxhiu tha se Kosova mbetet e përkushtuar për thellimin e partneritetit me Shtetet e Bashkuara në siguri, mbrojtje, ekonomi, diplomaci dhe integrim euroatlantik. Ajo theksoi se Kosova është mirënjohëse për mbështetjen amerikane dhe dëshiron ta nderojë këtë miqësi duke qëndruar përkrah Shteteve të Bashkuara si partnere e besueshme për paqe, siguri dhe përparim demokratik.