U.D. Presidentja Haxhiu udhëton në Sofje për të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP)

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, do të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), i cili mbahet në Sofje të Bullgarisë. Samiti mbledh udhëheqësit e vendeve të Evropës Juglindore për të diskutuar për bashkëpunimin rajonal, sigurinë, lidhshmërinë, integrimin evropian dhe zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit. Në këtë samit, U.D. Presidentja Haxhiu do të përfaqësojë Republikën e Kosovës dhe do të riafirmojë përkushtimin e vendit për bashkëpunim rajonal të barabartë, trajtim të drejtë në procesin e integrimit evropian, si dhe forcimin e sigurisë, paqes dhe stabilitetit në rajon.
U.D. Presidentja Haxhiu priti në takim Auditoren e Përgjithshme të Suedisë

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, priti sot në takim Auditoren e Përgjithshme të Suedisë, Christina Gellerbrant Hagberg, e shoqëruar nga delegacioni i Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë. Në takim u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Suedisë, si dhe mbështetja e vazhdueshme suedeze për forcimin e institucioneve të Republikës së Kosovës. U.D. Presidentja Haxhiu theksoi rëndësinë e auditimit të pavarur për transparencën, llogaridhënien dhe menaxhimin e përgjegjshëm të parasë publike. Ajo vlerësoi punën e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës dhe rolin e saj në forcimin e besimit të qytetarëve në institucionet publike. Në veçanti, U.D. Presidentja shprehu mirënjohje për mbështetjen që Zyra Kombëtare e Auditimit e Suedisë i ka dhënë ZKA-së ndër vite, duke kontribuar në ngritjen e kapaciteteve profesionale, zhvillimin institucional dhe avancimin e praktikave të auditimit në përputhje me standardet ndërkombëtare. Në takim u nënvizua rëndësia e vazhdimit të bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve të auditimit, me fokus në forcimin e kapaciteteve profesionale, shkëmbimin e përvojave dhe zbatimin e standardeve ndërkombëtare të auditimit. U.D. Presidentja Haxhiu rikonfirmoi përkushtimin e Kosovës për qeverisje të mirë, transparencë, integritet institucional dhe llogaridhënie publike.
U.D. Presidentja Haxhiu: Sa më e lartë pjesëmarrja në këto zgjedhje, aq më e fortë është demokracia jonë

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka votuar sot në shkollën “Meto Bajraktari”, në Prishtinë. Me këtë rast, U.D. Presidentja Haxhiu ka ftuar të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që sot, ditë e diel, 7 qershor, të dalin dhe ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës. “Sa më e lartë pjesëmarrja në këto zgjedhje, aq më e fortë është demokracia jonë”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo ftoi të gjitha palët dhe të gjithë qytetarët që kjo ditë zgjedhjesh të kalojë me maturi, respekt të ndërsjellë dhe dashuri për vendin. “Unë ftoj të gjitha palët, ftoj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, që në këtë ditë të bukur me diell të dëshmojnë maturi, të dëshmojnë respekt për njëri-tjetrin, si dhe dashuri për vendin”. Në fund, u.d. Presidentja Haxhiu falënderoi qytetarët, mediat dhe të gjithë ata që gjatë ditës janë të angazhuar në procesin zgjedhor, duke uruar që dita të kalojë sa më lehtë dhe sa më mbarë.
U.d. Presidentja Haxhiu në Samitin BE-Ballkani Perëndimor: Kosova është e gatshme për hapin e radhës në rrugën evropiane

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, mori pjesë sot në seancën plenare të Samitit BE-Ballkani Perëndimor, në Tivat të Malit të Zi. Në fjalën e saj para udhëheqësve të Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor, u.d. Presidentja Haxhiu theksoi se zgjerimi i Bashkimit Evropian duhet të shihet si domosdoshmëri strategjike për paqen, sigurinë dhe stabilitetin e kontinentit, veçanërisht në kontekstin e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës dhe shtimit të kërcënimeve hibride në Evropë dhe në rajon. “Kosova është ndër shoqëritë më proevropiane në rajon. Ne kemi dëshmuar përkushtimin tonë përmes reformave, përputhjes së plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Evropian, si dhe kontributit tonë për paqen dhe stabilitetin rajonal”, theksoi u.d. Presidentja Haxhiu. Ajo nënvizoi se përparimi i Kosovës duhet të njihet edhe në procesin e integrimit evropian, duke shtuar se më shumë se tri vjet pas aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, është koha që Bashkimi Evropian të bashkohet rreth vendimit për statusin e vendit kandidat për Kosovën dhe hapjen e negociatave të anëtarësimit. “Kosova nuk kërkon rrugë të shkurtra. Kërkojmë një proces të drejtë, të besueshëm dhe të bazuar në meritë. Procesi i anëtarësimit ka fuqi transformuese për demokracinë, institucionet dhe ekonominë, prandaj është koha që Kosova të marrë hapin e radhës”, tha u.d. Presidentja Haxhiu. Në fjalën e saj, u.d. Presidentja Haxhiu mirëpriti edhe vendimin e Bashkimit Evropian për hapjen e negociatave për integrim në zonën “Roam Like at Home”, si dhe hapat drejt integrimit gradual në kuadër të Planit të Rritjes dhe Tregut të Përbashkët Rajonal. Ajo theksoi se integrimi gradual duhet t’i shërbejë qëllimit përfundimtar: anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian. U.d. Presidentja Haxhiu po ashtu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, zbatimit të marrëveshjeve të arritura dhe trajtimit të barabartë të të gjitha shteteve në rrugën evropiane, pa pengesa politike kur standardet e Bashkimit Evropian janë përmbushur. Duke folur për sigurinë rajonale, ajo theksoi se sfidat e sigurisë në Ballkanin Perëndimor duhet të trajtohen me qartësi dhe përgjegjësi. Në këtë kontekst, u.d. Presidentja Haxhiu rikujtoi se pothuajse tri vjet pas sulmit terrorist në Banjskë, ende nuk ka drejtësi për policin e vrarë të Kosovës, ndërsa kryesi kryesor dhe grupi i tij paramilitar vazhdojnë të jenë të lirë dhe të mbrojtur nga Serbia. Në përmbyllje, u.d. Presidentja Haxhiu riafirmoi se Kosova është e gatshme të vazhdojë reformat, të thellojë bashkëpunimin me Bashkimin Evropian dhe të kontribuojë në një Ballkan Perëndimor më të sigurt, më demokratik dhe më të integruar në familjen evropiane. Ajo theksoi se trajtimi i barabartë i pakicave është vlerë evropiane, e sanksionuar në traktatet e Bashkimit Evropian, dhe se të gjitha shtetet duhet t’u përmbahen standardeve evropiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të pakicave.
U.d. Presidentja Haxhiu takohet me Kryeministrin e Çekisë, Andrej Babiš

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, në margjinat e Samitit BE, Ballkani Perëndimor në Tivat, u takua me Kryeministrin e Çekisë, Andrej Babiš. Gjatë takimit, u.d. Presidentja Haxhiu e falënderoi Çekinë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës në shtetndërtim, në proceset euroatlantike dhe në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës. Ajo vlerësoi marrëdhëniet e mira ndërmjet Kosovës dhe Çekisë, duke theksuar se avancimi i përfaqësimit diplomatik me ambasadorë të plotë pasqyron nivelin e bashkëpunimit dhe besimin e ndërsjellë ndërmjet dy vendeve. Në takim u diskutua për rrugën evropiane të Kosovës dhe për rëndësinë e një procesi të besueshëm të zgjerimit. U.d. Presidentja Haxhiu shprehu mirënjohje për mbështetjen e Çekisë ndaj perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe kërkoi mbështetjen e saj edhe për hapat e ardhshëm të Kosovës, përfshirë dërgimin e Pyetësorit të Komisionit Evropian dhe ecjen drejt statusit të vendit kandidat. U.d. Presidentja Haxhiu theksoi se Kosova e sheh Çekinë si partnere të rëndësishme edhe në fushën ekonomike, me mundësi të reja bashkëpunimi në energji, teknologji të gjelbra, inovacion, digjitalizim, shëndetësi, infrastrukturë dhe industri të avancuar. Ajo po ashtu shprehu mirënjohjen e Kosovës për kontributin e Çekisë në KFOR dhe për angazhimin e saj të vazhdueshëm në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë dhe në rajon. U.d. Presidentja Haxhiu riafirmoi përkushtimin e Kosovës për thellimin e marrëdhënieve me Çekinë dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.
U.d. Presidentja Haxhiu përfaqëson Kosovën në takimin e liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, do të marrë pjesë në Samitin BE, Ballkani Perëndimor, i cili mbahet më 5 qershor në Tivat të Malit të Zi. Samiti mbledh udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor për të diskutuar për perspektivën evropiane të rajonit, Planin e Rritjes, si dhe çështjet e sigurisë dhe stabilitetit. Në këtë samit, u.d. Presidentja Haxhiu do të përfaqësojë Republikën e Kosovës dhe do të riafirmojë përkushtimin e vendit për integrim evropian, trajtim të drejtë dhe të barabartë në procesin e zgjerimit, si dhe bashkëpunim rajonal në funksion të paqes dhe stabilitetit
U.D. Presidentja Haxhiu: Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ngjarjen tragjike të ndodhur sot në bregdetin shqiptar

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se me dhimbje të thellë morëm lajmin për ngjarjen tragjike të ndodhur sot në bregdetin shqiptar, ku dy të rinj, shtetas të Republikës sonë, humbën jetën, ndërsa tre të tjerë, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën, ndodhen ende në gjendje të rënduar. “Institucionet tona janë në kontakt të vazhdueshëm dhe të ngushtë me autoritetet e Republikës së Shqipërisë, duke ofruar mbështetjen e nevojshme”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. U.D. Presidentja Haxhiu, familjeve të viktimave dhe të afërmve të tyre iu ka shprehur ngushëllimet e saj më të sinqerta. Ndërsa të lënduarve, U.D. Presidentja Haxhiu, iu ka uruar forcë, rikuperim dhe shërim sa më të shpejtë.
U.d. Presidentja Haxhiu priti në takim Presidentin e Këshillit Evropian, António Costa

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, priti sot në takim Presidentin e Këshillit Evropian, António Costa, në kuadër të vizitës së tij në Ballkanin Perëndimor dhe përpara Samitit BE-Ballkani Perëndimor, i cili do të mbahet në Tivat. U.d. Presidentja Haxhiu e falënderoi Presidentin Costa për vizitën në Kosovë dhe për vëmendjen e vazhdueshme të Këshillit Evropian ndaj rajonit. Ajo theksoi se për Republikën e Kosovës, anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet orientim strategjik, zgjedhje politike e qytetarëve dhe interes afatgjatë shtetëror. U.d. Presidentja Haxhiu nënvizoi se Kosova mbetet një nga shoqëritë më proevropiane në rajon. Për qytetarët e saj, Bashkimi Evropian është bashkësi e demokracisë, sundimit të ligjit, paqes dhe dinjitetit. Në një kohë ndikimesh të dëmshme në rajon, orientimi i qartë dhe i rrënjosur evropian i Kosovës duhet të shihet si vlerë për vetë Bashkimin Evropian. Në takim u diskutua për rrugën evropiane të Kosovës, për nevojën e avancimit të procesit të integrimit, si dhe për rëndësinë e zbatimit të reformave që lidhen me Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor. U.d. Presidentja Haxhiu theksoi se Kosova e sheh këtë Plan si mundësi konkrete për zhvillim ekonomik, për afrim me tregun e përbashkët evropian dhe për përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët. Presidenti Costa theksoi se çështjet që lidhen me integrimin në Bashkimin Evropian dhe zbatimin e Planit të Rritjes kërkojnë pajtim ndërpartiak dhe konsensus kombëtar në Kosovë, përtej dallimeve politike dhe partiake. Në këtë frymë, u.d. Presidentja Haxhiu theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar për ta çuar përpara agjendën evropiane përmes reformave, koordinimit institucional dhe bashkëpunimit të ngushtë me Bashkimin Evropian. Ajo shtoi se Kosova ka dëshmuar përkushtim ndaj demokracisë, sundimit të ligjit, të drejtave themelore dhe bashkëpunimit me Bashkimin Evropian. Në takim u diskutua edhe për zhvillimet në rajon, për rëndësinë e sigurisë dhe stabilitetit, si dhe për nevojën që perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor të shoqërohet me hapa konkretë, të drejtë dhe të barabartë për të gjitha vendet që zbatojnë reformat dhe respektojnë vlerat evropiane. U.d. Presidentja Haxhiu ritheksoi se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për marrëdhënie të ngushta me Bashkimin Evropian dhe për një proces integrues që vlerëson meritat, përmbushjen e kritereve dhe përparimin e Kosovës.
U.D. Presidentja Haxhiu mori pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasada e Italisë në Kosovë, me rastin e Ditës së Republikës së Italisë

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, mori pjesë sot në pritjen e organizuar nga Ambasada e Italisë në Kosovë, me rastin e Ditës së Republikës së Italisë. U.D. Presidentja Haxhiu ka thënë se për Italinë, 2 qershori është ditë e kujtesës së demokracisë. “Ajo shënon momentin kur qytetarët, pas luftës dhe diktaturës, zgjodhën Republikën dhe hapën një kapitull të ri të lirisë dhe përgjegjësisë evropiane. Data të tilla kanë rëndësi sepse tregojnë historinë e përcaktimit të një populli. Ato na kujtojnë se shtetet demokratike lindin nga guximi”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo tutje ka shtuar se Adriatiku i ka lidhur popujt tanë për shekuj me radhë. “Ai ka bartur familje, fjalë, këngë, libra dhe kujtime. Në komunitetet arbëreshe dhe në figura siç ishte Jeronim de Rada i njohur në italisht si Girolamo De Rada, dhe në Papa Klementin XI, Giovanni Francesco Albani, shohim se sa thellë historitë shqiptare dhe italiane kanë prekur njëra tjetrën”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. U.D. Presidentja Haxhiu ka thënë se në historinë tonë më të fundit, Kosova e kujton Italinë si një mike dhe partnere në momente të vështira dhe vendimtare, duke shtuar tutje se Italia e njohu herët pavarësinë e Kosovës, mbështeti shtet-ndërtimin tonë dhe vazhdon të kontribuojë për paqe, siguri dhe stabilitet. Në emër të institucioneve dhe popullit të Republikës së Kosovës, U.D. Presidentja Haxhiu ka uruar popullin e Italisë. “Uroj që miqësia midis Kosovës dhe Italisë të vazhdojë të rritet brenda shtëpisë sonë të përbashkët evropiane”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.
Zyra e Presidentes sqaron se ftesa drejtuar Bashkimit Evropian për vëzhgimin ndërkombëtar të zgjedhjeve të 7 qershorit nuk është injoruar

Lidhur me raportimet e sotme për vëzhgimin ndërkombëtar të zgjedhjeve të 7 qershorit, Zyra e Presidentes sqaron se ftesa drejtuar Bashkimit Evropian nuk është injoruar. Zyra e Presidentes ka pranuar përgjigje zyrtare nga Bashkimi Evropian, në të cilën theksohet se, për shkak të kohës së shkurtër deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare, nuk është i mundur dërgimi i një Misioni Vëzhgues të Zgjedhjeve apo i një Misioni të Ekspertëve Zgjedhorë. Në të njëjtën përgjigje, BE-ja ka bërë të qartë se po shqyrton dhe koordinon një prani ndërkombëtare në ditën e zgjedhjeve përmes Zyrës së BE-së në Kosovë, shteteve anëtare të BE-së dhe partnerëve të tjerë të pranishëm në vend. Prandaj, paraqitja e kësaj çështjeje si “injorim” i kërkesës së u.d. Presidentes është e pasaktë dhe nuk pasqyron përmbajtjen e komunikimit zyrtar ndërmjet institucioneve. Ftesa e u.d. Presidentes Haxhiu për Bashkimin Evropian është bërë në frymën e transparencës, besueshmërisë dhe integritetit të procesit zgjedhor. Kjo mbetet qasje institucionale e Republikës së Kosovës: zgjedhje të lira, të ndershme, gjithëpërfshirëse dhe të vëzhguara sa më gjerësisht nga partnerët ndërkombëtarë. Zyra e Presidentes mirëpret praninë e Zyrës së BE-së në Kosovë, të shteteve anëtare, të partnerëve ndërkombëtarë dhe të të gjitha organizatave të akredituara për vëzhgimin e zgjedhjeve. Republika e Kosovës ka interes të plotë që procesi i 7 qershorit të zhvillohet me rregull, transparencë dhe në përputhje me standardet demokratike.