U.D. Presidentja Haxhiu ngushëllon familjen Jashari pas ndarjes nga jeta të Sahit Jasharit

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka vizituar sot familjen Jashari në Skenderaj, për t’i shprehur ngushëllime pas ndarjes nga jeta të Sahit Jasharit. U.D. Presidentja Haxhiu ka thënë se Sahit Jashari i përkiste brezit të njerëzve që në ditët më të vështira për Kosovën iu përgjigjën thirrjes së lirisë me guxim, përkushtim dhe sakrificë. Në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës, U.D. Presidentja Haxhiu i shprehu familjes Jashari ngushëllimet më të sinqerta, duke theksuar se Sahit Jashari do të kujtohet me nderim për jetën dhe veprimtarinë e tij në shërbim të lirisë.
U.D. Presidentja Haxhiu në pritjen shtetërore me rastin e Ditës së Çlirimit: Liria e Kosovës është gëzim i përbashkët i mbarë kombit shqiptar

Nën patronatin e Ushtrueses së Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, dhe të kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, u mbajt pritja shtetërore, me rastin e 12 Qershorit – Ditës së Çlirimit, në të cilën përveç personaliteteve vendore, ishte i pranishëm edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj. U.D. Presidentja Haxhiu, në fjalën e saj para të pranishmëve tha se njëzet e shtatë vjet më parë, më 12 qershor 1999, Kosova hyri në një epokë të re lirie. “Pas një periudhe të gjatë shtypjeje dhe pas krimeve që nuk i harron asnjë brez, lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe intervenimi i NATO-s detyruan makinerinë e dhunës serbe të tërhiqej përgjithmonë nga vendi ynë. Atë ditë mori fund okupimi dhe nisi rruga e Kosovës së lirë, që ndërton vetë të ardhmen e saj me dinjitet”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo më tej tha se kush e ka përjetuar atë qershor, e mban mend se si u kthye jeta në Kosovë. “Kolonat e gjata që muaj më parë largoheshin nga vendi, tani po ktheheshin drejt shtëpive. Njerëzit dilnin nëpër rrugë për të përqafuar njëri-tjetrin, për të kërkuar të afërmit dhe për të nisur jetën nga e para, mes shtëpive të djegura, por me kokën lart e me dinjitet. Ishte gëzimi më i madh i një populli, i përzier me dhimbjen më të thellë të tij”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu. Sipas saj, ajo dhimbje nuk i përkiste vetëm një familjeje apo vetëm një brezi, ajo ishte e të gjithëve. “Sepse liria u fitua me gjakun e dëshmorëve dhe të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me sakrificën e familjeve që dhanë gjithçka, me sakrificën e Komandantit legjendar, Adem Jashari dhe familjes së tij, me vuajtjen e atyre që mbijetuan dhe me qëndresën e një populli të tërë që nuk u përkul as në ditët më të rënda e më të vështira. Dhe kjo rrugë nuk nisi në vitin 1998. Ajo kaloi nëpër ilegalen që e mbajti gjallë idealin e lirisë, ku për të paguhej me burg e me jetë. Nëpër rezistencën e Adem Demaçit, të cilin 28 vjet qeli nuk e thyen dot. Nëpër demonstratat e vitit 1981, që nisën nga studentët dhe u bënë zëri i një populli të tërë. Dhe, nëpër lëvizjen paqësore të viteve të ‘90-ta me Presidentin Ibrahim Rugova. Para të gjithë atyre përulemi sot me nderim të thellë”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo më tej ka thënë se krahas tyre kujtojmë edhe ata që lufta i plagosi në heshtje. “Disa prej tyre i kemi edhe në mesin tonë. Të mbijetuarat dhe të mbijetuarit e dhunës seksuale të luftës bartën një padrejtësi që nuk ishte e tyre, por e kryerësve të krimit. Republika i nderon dhe qëndron pranë tyre. Kujtojmë po ashtu gratë e luftës dhe të eksodit, luftëtaret e lirisë dhe nënat që mbajtën familjet gjallë në ditët më të vështira”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu. U.D. Presidentja Haxhiu tha se liria jonë ka edhe miq që nuk i harrojmë edhe këta janë sot në mesin tonë. “Falënderojmë Aleancën Veriatlantike dhe shtetet që intervenuan për të ndaluar gjenocidin e Serbisë në Kosovë, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Falënderojmë Shqipërinë, e cila në vitin më të vështirë të popullit tonë hapi dyert, shtëpitë dhe zemrën e saj për qindra e mijëra të dëbuar. Prania e Presidentit të Shqipërisë, z. Bajram Begaj, sot këtu dëshmon atë që e dimë të gjithë: liria e Kosovës është gëzim i përbashkët i mbarë kombit shqiptar”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu U.D. Presidentja Haxhiu, në fund të fjalës së saj tha se institucionet e Republikës së Kosovës tani po punojnë me përkushtimin maksimal që ta kemi një shtet edhe më të fortë, edhe më të drejtë e edhe më të denjë.
U.D. Presidentja Haxhiu dekoroi komandant Adem Shehin me “Urdhrin e Lirisë”

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, sot, në Ditën e Çlirimit, ka dekoruar komandant Adem Shehin me “Urdhrin e Lirisë”. “Nga Farka e Tiranës, Adem Shehi erdhi në Kosovë në kohën kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte nevojë për njerëz që dinin ta kthenin vullnetin në rend, guximin në qëndresë dhe luftëtarin e ri në ushtar të përgatitur”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. Sipas saj, ai solli dijen e oficerit, përvojën e ushtrisë dhe seriozitetin e njeriut që e kupton peshën e detyrës. “Para se të hynte drejtpërdrejt në luftë, ai ndihmoi në organizimin dhe stërvitjen e qindra vullnetarëve e ushtarëve të UÇK-së. Më pas, si komandant i Brigadës 153 “Hyzri Talla” në Zonën Operative të Llapit, u bë pjesë e forcimit të njësive që vepruan në Llap e Gollak”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo ka thënë se si shumë oficerë e vullnetarë nga Shqipëria, ai e dinte se kur Kosova ishte në rrezik, kufiri nuk mund të ishte arsyetim për të qëndruar larg. “Ky nderim është për shërbimin e tij, për dijen e vënë në punë, për rrezikun e marrë mbi vete dhe për atë rreshtim shqiptar që në orët e vështira i doli zot Kosovës. Mirënjohje komandant Adem Shehit dhe të gjithë atyre që i dhanë Kosovës dije, armë, besë dhe jetë”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.
U.D. Presidentja Haxhiu ngushëllon familjen Jashari për ndarjen nga jeta të Sahit Jasharit

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të Sahit Jasharit. Në këto çaste të rënda për familjen, U.D. Presidentja Haxhiuju ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes Jashari. “Sahit Jashari i përkiste brezit të njerëzve që në ditët më të vështira të Kosovës iu përgjigjën thirrjes së lirisë me guxim, përkushtim dhe sakrificë. Si bashkëluftëtar i hershëm dhe një prej figurave të para të organizimit çlirimtar, ai mbeti i lidhur përjetësisht me Prekazin, me Drenicën dhe me historinë e qëndresës sonë kombëtare”, thuhet në telegramin e U.D. Presidentes Haxhiu. Ajo më tej ka thënë se jeta e tij ishte e lidhur me idealin e lirisë dhe me rrugën e gjatë të Kosovës drejt çlirimit. “Në kujtesën e familjes, të bashkëluftëtarëve dhe të qytetarëve që e njohën, Sahit Jashari do të mbetet njeri i qëndresës, i besës dhe i përkushtimit ndaj atdheut”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. U.D. Presidentja Haxhiu ka thënë se në këto ditë dhimbjeje, bashkëndjej me familjen Jashari, me të afërmit, bashkëluftëtarët e miqtë e tij për këtë humbje. “Në emrin tim dhe të Presidencës së Republikës së Kosovës, pranoni ngushëllimet më të sinqerta”, thuhet në telegramin e U.D. Presidentes Haxhiu.
U.D. Presidentja Haxhiu: Sot më 12 Qershor, në Ditën e Çlirimit, jemi këtu në Prekaz në vendin ku filloi gjithçka

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, së bashku me Kryeministrin në detyrë Albin Kurti, me rastin e 12 qershorit, Ditës së Çlirimit të Kosovës, ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, te varri i ish-Presidentit Ibrahim Rugova, te varri i veprimtarit Adem Demaçi, te Varrezat e Dëshmorëve në Prishtinë, te shtatorja e Heroit Zahir Pajaziti, si dhe te Monumenti Përkujtimor i Ushtarëve të NATO-s. U.D. Presidentja Haxhiu ka thënë se më 12 qershor, në Ditën e Çlirimit, Prekazi mbetet vendi prej nga nis kujtesa e lirisë së Kosovës. “Nuk ka 12 qershor pa marsin e vitit 1998. Nuk ka 12 qershor pa qëndresën e Komandantit Adem Jashari, Hamzës, Shabanit dhe të mbi 50 anëtarëve të familjes Jashari, të cilët ranë dhe nuk u dorëzuan asnjëherë. Ata nuk mbrojtën vetëm pragun e shtëpisë, ata mbrojtën tokën, tokën e të parëve tanë që ishte, është dhe do të jetë përherë e shqiptarëve”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. U.D. Presidentja Haxhiu tha se sakrifica e tyre u bë themeli mbi të cilin qëndroi Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe Republika jonë e lirë. “Prandaj, çdo gëzim i kësaj feste fillon pikërisht këtu, pranë këtyre varreve. Liria që ne e gëzojmë sot është amaneti i tyre, që Kosovën tonë, edhe si institucione, edhe si shoqëri, ta duam, por edhe ta nderojmë përherë me veprimet që e fuqizojnë çdo ditë”, është shprehur U.D. Presidentja Haxhiu. U.D. Presidentja Haxhiu theksoi se liria e Kosovës është fryt i qëndresës së armatosur, rezistencës politike dhe sakrificës së shumë brezave. “Këta emra janë dëshmia se liria erdhi nga qëndresa dhe sakrifica e Komandantit Adem Jashari dhe familjes së tij, nga urtësia dhe këmbëngulësia politike e Presidentit Ibrahim Rugova, nga rezistenca e veprimtarit të çështjes kombëtare, Adem Demaçi, të cilit 28 vite burgim nuk ia zbehën dhe as nuk ia thyen besimin te liria, nga guximi e trimëria e Komandantit Zahir Pajaziti, por edhe nga gjaku i gjithë dëshmorëve të kombit”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo më tej tha se trashëgiminë që na lanë heronjtë dhe dëshmorët tanë duhet ta kemi si udhërrëfyes, që shtetin tonë ta bëjmë edhe më të drejtë, edhe më të fortë, edhe më të denjë. “Lavdi dëshmorëve të kombit dhe falënderim për të gjithë ata që kontribuuan që Kosova jonë, Republika e Kosovës, të jetë e çliruar, e lirë dhe e pavarur”, është shprehur U.D. Presidentja Haxhiu. Në fund, U.D. Presidentja Haxhiu, përmes mediave, uroi të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës dhe shqiptarët kudo që janë për Ditën e Çlirimit.
U.D. Presidentja Haxhiu takoi Presidenten e Bullgarisë, Iliana Iotova, në margjina të Samitit të SEECP-së në Sofje

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, zhvilloi takim me Presidenten e Republikës së Bullgarisë, Iliana Iotova, në margjinat e Samitit të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) në Sofje. U.D. Presidentja Haxhiu e uroi Presidenten Iotova për marrjen e detyrës dhe shprehu mirënjohjen e Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme të Bullgarisë ndaj shtetndërtimit, subjektivitetit ndërkombëtar dhe rrugës euroatlantike të Kosovës. Në takim u diskutua për hapat e ardhshëm të Kosovës në procesin e integrimit evropian, për mbështetjen në anëtarësimin në Këshillin e Evropës, si dhe për rëndësinë e një perspektive më të qartë të Kosovës drejt NATO-s. U.D. Presidentja Haxhiu theksoi po ashtu interesimin për thellimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, ekonomisë dhe arsimit, si dhe për forcimin e lidhjeve ndërmjet institucioneve, bizneseve dhe qytetarëve të dy vendeve. Në takim u përmend edhe komuniteti bullgar në Kosovë, për të cilin U.D. Presidentja Haxhiu ritheksoi përkushtimin e institucioneve të Kosovës për respektimin e të drejtave, përfshirjen dhe pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve në jetën publike.
U.D. Presidentja Haxhiu takoi Presidenten e Sllovenisë, Nataša Pirc Musar

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, zhvilloi takim me Presidenten e Republikës së Sllovenisë, Nataša Pirc Musar, në margjinat e Samitit të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) në Sofje. Në takim u diskutua për marrëdhëniet e mira ndërmjet Kosovës dhe Sllovenisë, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme sllovene ndaj rrugës evropiane dhe euroatlantike të Kosovës. U.D. Presidentja Haxhiu shprehu mirënjohjen e Kosovës për mbështetjen e Sllovenisë në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe theksoi rëndësinë që kjo mbështetje të vazhdojë deri në përmbylljen e suksesshme të këtij procesi. Në takim u trajtuan edhe hapat e ardhshëm të Kosovës në rrugën drejt Bashkimit Evropian, përfshirë nevojën që përparimi në reforma, rreshtimi me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, si dhe përkushtimi ndaj vlerave evropiane të pasohen me lëvizje konkrete në procesin e integrimit. U.D. Presidentja Haxhiu falënderoi Slloveninë edhe për kontributin e saj në KFOR, duke theksuar rëndësinë e këtij angazhimi për sigurinë e Kosovës dhe stabilitetin e rajonit.
U.D. Presidentja Haxhiu takoi Presidenten e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, në margjina të Samitit të SEECP-së në Sofje

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, zhvilloi takim me Presidenten e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, në margjinat e Samitit të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) në Sofje. Në takim u diskutua për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, si dy vende fqinje me interes të përbashkët për stabilitetin rajonal, lidhshmërinë dhe integrimin evropian. U.D. Presidentja Haxhiu theksoi rëndësinë e vazhdimit të mbështetjes së ndërsjellë në organizata ndërkombëtare, përfshirë mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe për një rrugë më të qartë drejt NATO-s. Një pjesë e bisedës iu kushtua edhe projekteve infrastrukturore që lidhin drejtpërdrejt dy vendet, përfshirë autostradën Bllacë-Shkup dhe projektin e tunelit Tetovë-Prizren, si projekte me rëndësi për lëvizjen e qytetarëve, tregtinë dhe zhvillimin ekonomik.
U.D. Presidentja në SEECP në Sofje: Kosova e meriton statusin e vendit kandidat, jemi të gatshëm për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, mori pjesë në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), të mbajtur në Sofje të Bullgarisë më 10 qershor 2026. Në fjalimin e saj, ajo theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, sigurisë dhe integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke vlerësuar rolin e SEECP-së si një platformë kyçe për stabilitetin e rajonit. Haxhiu dënoi ashpër agresionin rus kundër Ukrainës dhe nënvizoi se pasojat e tij po prekin sigurinë në gjithë Evropën, përfshirë edhe Evropën Juglindore. Ajo riafirmoi orientimin e plotë të Kosovës drejt Bashkimit Evropian dhe përkushtimin për reforma, sundim të ligjit, zhvillim ekonomik dhe rritje të qëndrueshme, duke theksuar progresin konkret të Kosovës në indekse ndërkombëtare dhe në procesin e integrimit evropian. Në këtë kontekst, U.D. Presidentja kërkoi avancim të mëtejshëm të procesit të integrimit, përfshirë marrjen e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në BE, duke theksuar se procesi duhet të jetë meritokratik dhe i bazuar në standarde. “Mbi 90 për qind e qytetarëve tanë e mbështesin anëtarësimin në Bashkimin Evropian, një nga nivelet më të larta të mbështetjes në rajon. Ky përparim është konkret, i matshëm dhe duhet të njihet. Prandaj kjo duhet të çojë në një vendim për statusin e vendit kandidat, dhe ne jemi të gatshëm ta nisim punën për hapjen e negociatave të anëtarësimit”, ka pohuar U.D. Presidentja Haxhiu. Po ashtu, ajo vuri theksin në rëndësinë e integrimit ekonomik rajonal, projekteve infrastrukturore strategjike, zbatimit të marrëveshjeve ekzistuese dhe respektimit të barabartë të të gjitha vendeve të rajonit në organizatat rajonale. U.D. Presidentja Haxhiu vlerësoi SEECP-në si një mekanizëm të rëndësishëm për bashkëpunimin rajonal dhe ritheksoi gatishmërinë e Kosovës për të kontribuar në forcimin e stabilitetit dhe perspektivës evropiane të rajonit.
U.D. Presidentja Haxhiu: Lidhja është gjallë!

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se sot kujtojmë me nderim një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, themelimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që bashkoi shqiptarët në mbrojtje të trojeve, të drejtave dhe identitetit kombëtar. “E themeluar më 10 qershor 1878, si përgjigje ndaj rrezikut të copëtimit të trojeve shqiptare pas vendimeve të Traktatit të Shën Stefanit dhe Kongresit të Berlinit, Lidhja shënoi organizimin e parë politik dhe ushtarak të shqiptarëve për mbrojtjen e interesave kombëtare. Nën udhëheqjen e Iljaz Pashë Dibrës dhe me kontributin e figurave si Abdyl Frashëri, Sami Frashëri, Pashko Vasa, Jani Vreto e shumë patriotëve të tjerë, u hodhën themelet e lëvizjes moderne kombëtare shqiptare”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. Sipas saj, Lidhja kishte tri synime kryesore: mbrojtjen e tërësisë territoriale shqiptare, bashkimin administrativ të trojeve në një vilajet të vetëm dhe afirmimin e shqiptarëve si komb më vete. Ajo ka thënë se veprimtaria e saj politike, diplomatike dhe rezistenca në Plavë, Guci, Hot e Grudë dëshmuan vendosmërinë e shqiptarëve për të mbrojtur trojet e tyre. “Megjithëse u shtyp me forcë më 1881, idealet e Lidhjes mbetën gjallë dhe u bënë themel i rrugës drejt Pavarësisë së Shqipërisë më 1912. Ajo mbetet simbol i bashkimit, qëndresës dhe vetëdijes kombëtare shqiptare”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo, më tej ka thënë se në këtë përvjetor, përulemi me respekt para veprës së patriotëve që sakrifikuan për kombin dhe kujtojmë se Lidhja Shqiptare e Prizrenit mbetet gurthemeli i ndërgjegjes sonë kombëtare dhe frymëzim i përhershëm për ruajtjen e identitetit dhe vlerave tona kombëtare.