...

Fjalimi i u.d. Presidentes Albulena Haxhiu në 27-vjetorin e Betejës së Koshares

E nderuar Zëvendëskryeministre dhe Ministre e Drejtësisë, znj. Gërvalla-Schwarz,
I nderuari z. Rrustem Berisha, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Koshare,
Të nderuar ministra e zëvendësministra të Qeverisë së Republikës së Kosovës,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës,
Të nderuar liderë dhe përfaqësues të partive politike, z. Ramush Haradinaj, z. Ali Ahmeti, që jeni këtu sot me ne,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës,
Të nderuara familje të dëshmorëve, veteranëve dhe invalidëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
Të nderuar pjesëtarë të ish-Brigadës 138 “Agim Ramadani”,
Të dashur qytetarë të Kosovës,
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuara media,

Mëngjesi i 9 prillit, 27 vjet më parë, nisi herët në Koshare. Njësitë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u nisën drejt vijës kufitare. Terreni ishte i vështirë dhe përballja filloi që në orët e para. Sypatrembur dhe plot guxim, ushtarët tanë avancuan hap pas hapi, derisa e thyen kufirin Shqipëri-Kosovë të vendosur padrejtësisht, pothuajse një shekull më parë, kufirin që i kishte ndarë shqiptarët që nga viti 1913.

Në ditën e parë të kësaj epopeje ranë dëshmorë Abush Loku, Bashkim Jasiqi, Ramiz Krasniqi dhe Rifat Çelaj. Luftimet vazhduan pandërprerë. Të nesërmen, Ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës arritën ta marrin nën kontroll pikën kufitare në Koshare. Njësiti “Kobra”, bashkë me batalionin e parë dhe policinë ushtarake ishin të parët që hynë në atë hapësirë, që deri atëherë mbahej nga ushtria e Serbisë.

Më 11 prill, gjatë përpjekjes për ta marrë Opllazin, pas dy ditë luftimesh të ashpra, në fushëbetejë ra strategu, piktori, poeti e artisti shumëdimensional, Agim Ramadani,
me emrin e të cilit më pas u pagëzua Brigada 138. Ai kishte udhëhequr sulmin që nga dita e parë. Ishte në vijën e parë të frontit kur kufiri u thye. Rënia e tij ishte humbje e madhe për Kosovën, por në të njëjtën kohë u bë forcë për ushtarët e tij, të cilët e çuan deri në fund amanetin e tij për ta hequr kufirin, që ndante atë kohë shqiptarët andej-këndej Drinit.

Ditëve në vijim përballja u bë edhe më e ashpër. Më 19 prill, në një ditë të vetme, ranë 13 ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
U përjetësua edhe njëri nga udhëheqësit kryesorë të betejës dhe brigadës, Sali Çekaj.
Në atë brez malor luftimet nuk pushuan. Përkundër ashpërsisë së sulmeve, ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk u dorëzuan, e mbajtën kufirin të hapur dhe nuk u tërhoqën me asnjë çmim.

Luftimet vazhduan deri në qershor, atëherë u përfshinë brigada të tëra, njësite speciale, grupe operative, luftëtarë nga të gjitha anët e Kosovës, nga të gjitha trojet shqiptare dhe nga mërgata jonë.
Betejës së Koshares iu bashkuan edhe vullnetarë të huaj, që zgjodhën të luftojnë këtu, disa prej tyre ranë në Koshare krah për krah me luftëtarët tanë.
Prandaj, sot nderojmë dhe përulemi edhe para dëshmorëve të Kosovës, italianit Francesco Bider, francezit Paillard Arnaud Pierre dhe algjerianit Murad Muhamet Ali. Kjo e dëshmon se lufta jonë për liri ishte e drejtë, ndaj pati jehonë aq të madhe e të gjerë, saqë mori përkrahje nga e gjithë bota demokratike.

Në Betejën e Koshares, 114 luftëtarë të UÇK-së u vranë dhe mbi 380 u plagosën.
Këta luftëtarë, që ia mësynë Koshares atë pranverë, e dinin mirë se ku po hynin, e dinin që kthimi nuk ishte i sigurt, por për liri hynë, për liri ranë dhe lirinë e sollën.
Ndaj, Beteja e Koshares është ndër betejat më të lavdishme të historisë sonë moderne.

Shteti i Kosovës është ndërtuar mbi këtë guxim, mbi vendime të marra në kushte thellësisht të rrezikshme dhe mbi sakrificë brezash të tërë.
Nderimi i heronjve dhe luftëtarëve të Brigadës 138 “Agim Ramadani”, në kuadër të manifestimit “Ditët e shqipes”, dëshmon vendosmërinë tonë për të punuar me përkushtim, që Kosova të bëhet ashtu siç e ëndërruan ata, që ranë për lirinë tonë.

Në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës, shpreh nderimin tim të thellë për të gjithë luftëtarët e Koshares!
Lavdi dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!
Qoftë i përjetshëm kujtimi për ta!
Faleminderit!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.