...

U.D Presidentja Haxhiu: E nisëm ditën pranë Memorialit “Heroinat” për të nderuar sakrificën dhe dinjitetin e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë

U.D. Presidentja e Republikës së Kosovës, njëherit Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, së bashku me kryeministrin Albin Kurti, me znj. Vasfije Krasniqi Goodman, z. Ramadan Nishori dhe znj. Feride Rushiti si dhe me ministra, me deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës e përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile kanë bërë nderime tek Memoriali “Heroinat”, për nder të 14 prillit, Ditës të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale në luftën e fundit në Kosovë.

U. D Presidentja Haxhiu ka thënë se së bashku me kryeministrin Kurti, me Vasfijen, me Feriden, me Danin, me ministra, me deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, përfaqësuesit e institucioneve në Republikën e Kosovës dhe përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile, e nisëm ditën pranë Memorialit “Heroinat” për të nderuar sakrificën dhe dinjitetin e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

“Janë histori të thella të dhimbjes, por edhe të qëndresës dhe forcës së jashtëzakonshme”, ka thënë u.d Presidentja Haxhiu.

Ajo, më tej ka theksuar se vajzat dhe gratë sikurse edhe djemtë e burrat, që i mbijetuan kësaj dhune na tregojnë që kemi edhe shumë punë për adresimin e përgjegjësive tona si institucione të Republikës së Kosovës e sidomos në adresimin e drejtësisë.

“Kur jemi këtu më lejoni t’ju njoftoj që gjatë kohës së fundit janë ngritur edhe 12 aktakuza për dhunën seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Kemi edhe tri vendime të gjykatave, vendime dënuese për rastet e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, ku dy prej tyre janë në Gjykatën Themelore, ndërsa një ka marrë vendimin, pra të formës së prerë. Si institucione të Republikës së Kosovës gjatë këtyre ditëve dhe gjatë kësaj periudhe kemi adresuar përgjegjësitë në raport me adresimin e krimeve të luftës në përgjithësi”, ka theksuar u.d Presidentja Haxhiu.

Ajo, ka thënë se do të angazhohemi që të gjitha nevojat e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë t’i adresojmë sipas përgjegjësive që kemi.

“Këtu jam edhe me Feriden, jam me Danin e me Vasfijen. Unë falënderoj organizatat e shoqërisë civile, që për më shumë se dy dekada prej pas përfundimit të luftës kanë mbajtur lart moralin, por edhe kanë adresuar dëmet dhe krimet që Serbia i ka bërë në Republikën e Kosovës përfshirë edhe rastet e krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit, por edhe gjenocidin e këtu përfshihet edhe dhuna seksuale. Vasfija e Dani sikurse edhe Shyretja sikurse edhe Marte Tunaj, kanë folur për këto krime dhe kjo dëshmon që këta nuk janë fajtorë, fajtorë janë kriminelët që i kanë kryer këto krime”, ka thënë u.d Presidentja Haxhiu.

U.D. Presidentja Haxhiu ka bërë thirrje edhe një herë që partnerët tanë ndërkombëtarë t’i bëjnë presion Serbisë që t’i dorëzojë kriminelët para institucioneve të Republikës së Kosovës.

“Prandaj, unë thërras sot edhe një herë që partnerët tanë ndërkombëtarë t’i bëjnë presion Serbisë që t’i dorëzoj kriminelët para institucioneve të Republikës së Kosovës, sepse siç e dini Serbia është bërë strehë e kriminelëve të luftës, por po ashtu edhe atyre terroristëve që kryen krime në kohë të paqes”, ka theksuar ajo.

Sipas, u.d Presidentes Haxhiu, është e rëndësishme që institucionet e drejtësisë po e zbatojnë gjykimin në mungesë, sepse si pasojë e asaj që përmenda, që Serbia nuk i dorëzon kriminelët e luftës ne jemi të detyruar që të mundësojmë gjykimin në mungesë, që sadopak të zbusim dhimbjen e familjarëve, por edhe të mbijetuarve.

Ndërkaq, znj. Vasfije Krasniqi Goodman, ka thënë se për të sot është shumë e vështirë, sepse “para 27 viteve kur isha vetëm 16-vjeçare, isha në dorën e armikut, por sot jam këtu për të folur për drejtësinë”.

Ajo më tej ka thënë se sot e kam gjithë popullin shqiptar pas vetes, sepse për shumë vite e kisha vetëm familjen.

“Dua t’i falënderoj institucionet, organizatat, shoqërinë, familjen për përkrahje, për mbështetje! Ju bëj thirrje viktimave që të na bashkangjiten sa më shumë, për të dalë për të folur publikisht, por gjëja kryesore është të kërkohet drejtësi, sepse është diçka që nuk i falet Serbisë për krimet që i ka bërë në Kosovë. Kur unë kam ditur të kërkoj drejtësi kur i kam pasur vetëm 17 vjet, pse të mos kërkojnë edhe sot të gjithë drejtësi?”, ka thënë znj, Vasfije Krasniqi Goodman.

Thirrje çdo të mbijetuari dhe të mbijetuarës që të vijnë sa më shumë nëpër organizata për të kërkuar ndihmë, por edhe të bëjnë padi kundër shtetit serb, ka bërë edhe z. Ramadan Nishori

“Sot është bërë një vit, kur kam dalë të flas publikisht. Unë prej këtij vendi, ju bëj thirrje çdo të mbijetuari dhe të mbijetuarës që të vijnë sa më shumë nëpër organizata, le të kërkojnë ndihmë, por edhe të bëjnë padi kundër shtetit serb”, ka thënë Nishori.

Kurse, për znj. Ferdie Rushiti kjo ditë për të gjithë shoqërinë kosovare, por mbi të gjitha për të mbijetuarit, për familjarët e tyre, për historinë e Kosovës, shënon memorien kolektive të Kosovës.

“Neve na vjen mirë që, përtej ne si organizata krah i kemi edhe institucionet e Kosovës, të cilat me aktivitete të ndryshme po e lansojnë dhe po e ngrisin zërin për të mbijetuarit e dhunës seksuale. Dua të them që kjo ditë koinçidon me datën e Vasfije Krasniqit, në momentin kur kjo si e re i është nënshtruar torturës masive në vendin ku i ka ndodhur krimi, dhe nga ai vend vite më parë, Vasfija ka kërkuar që kjo ditë të jetë ditë institucionale, ditë memoriale për të mbijetuarit e dhunës seksuale të luftës”, ka thënë znj. Rushiti.

Ajo më tej ka shtuar se sot ne i respektojmë dhe nderojmë zërin e Vasfijes, zërin e Danit, zërin e Shyretes, por edhe me mijëra e qindra të mbijetuar, që të cilët ende nuk flasin dhe kanë frikë nga stigma dhe paragjykimi që historitë e tyre t’i ndajnë në publik.

“Sot, po ashtu, dua t’ju them që kemi një konferencë të madhe rajonale, që ndërlidhet pikërisht me procesin e drejtësisë dhe kompensimin. Për faktin që për herë të parë po e hapim një temë që ka të bëjë me kompensimin gjatë proceseve penale. Mendojmë se drejtësia e pakompletuar për të mbijetuarit e dhunës seksuale është e përgjysmuar, kështu që jemi në proces të ngritjes së këtij debati, në mënyrë që rastet të cilat kanë marrë drejtësi, por edhe aktakuzat të cilat janë në pritje dhe mbi 100 raste të cilat janë nën proces të investigimit, të arrijnë ta marrin drejtësinë e plotë në Kosovë”, ka theksuar znj. Rushiti.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.