U.D. Presidentja Haxhiu: Mirënjohje dhe falënderim i përzemërt për gjithë stafin e Presidencës së Republikës së Kosovës që me përkushtim dhe përgjegjësi punojnë çdo ditë

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, takoi stafin civil të Presidencës së Republikës së Kosovës, pak ditë para shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Shërbyesve Civilë. “Mirënjohje dhe falënderim i përzemërt për gjithë stafin e Presidencës së Republikës së Kosovës që me përkushtim dhe përgjegjësi punojnë çdo ditë për të siguruar funksionimin dhe përmbushjen e mandatit kushtetues të Zyres së Presidentes në shërbim të të gjithë qytetarëve”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. Në këtë koktej të organizuar në shenjë falënderimi, U.D. Presidentja Haxhiu ka folur për rolin e pazëvendësueshëm dhe kontributin e çmuar të shërbyesve civilë në forcimin e institucioneve, shtetit të së drejtës, transparencës dhe vlerave demokratike.

U.D. Presidentja Haxhiu priti në takim znj. Vasfije Krasniqi Goodman, z. Ramadan Nishori dhe përfaqësueset e Medica Kosova, Medica Gjakova, KRCT-së dhe Qendrës për Promovimin e të Drejtave të Grave në Drenas

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale gjatë luftës, bashkë me zëvendëskryeministren dhe ministren Gërvalla, u takuan me znj. Vasfije Krasniqi Goodman, z. Ramadan Nishori dhe përfaqësueset e Medica Kosova, Medica Gjakova, KRCT-së dhe Qendrës për Promovimin e të Drejtave të Grave në Drenas. “Për vite me radhë, këto organizata u kanë qëndruar pranë të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës, me kujdes, dokumentim, mbështetje ligjore e psikologjike dhe me përkushtim të pandërprerë për drejtësinë dhe dinjitetin e tyre. Sot i falënderova për këtë punë të çmuar dhe për rolin që vazhdojnë ta kenë në mbështetje të të mbijetuarave”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. Gjithashtu, u diskutua për hapat që institucionet duhet t’i ndërmarrin për ta bërë më të lehtë dhe më dinjitoze rrugën e të mbijetuarve drejt njohjes e drejtësisë. “Diskutuam për rishikimin e afateve për aplikim, lirimin nga taksat gjyqësore, një hapësirë më të qasshme për Komisionin e Verifikimit, si dhe garancitë e një procesi të verifikimi ku të mbijetuarit trajtohen me dinjitet”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. Sipas saj, këto masa do të kontribuonin në një sistem më të drejtë, më human dhe më të ndjeshëm ndaj nevojave dhe realitetit të të mbijetuarve.

U.D. Presidentja Haxhiu mori pjesë në pritjen e organizuar me rastin e Ditës së Shtetësisë së Republikës së Sllovenisë

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë sonte në pritjen e organizuar me rastin e Ditës së Shtetësisë së Republikës së Sllovenisë. U.D. Presidentja Haxhiu tha se për Slloveninë, 25 qershori është një ditë lirie dhe pavarësie, e që sipas saj, për popullin e Kosovës, kjo histori është e lehtë për t’u kuptuar. “Ne e dimë se sa guxim, qartësi dhe përgjegjësi kërkohet kur njerëzit zgjedhin lirinë dhe shtetësinë”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo më tej tha se shumë kohë para se marrëdhëniet tona të bëheshin marrëdhënie zyrtare diplomatike, ato ishin marrëdhënie njerëzore. “Lubjana ishte një vend ku shumë shqiptarë nga Kosova studiuan, punuan, u organizuan dhe e mbajtën gjallë lidhjen e tyre me atdheun. Shoqata Kulturore Shqiptare “Migjeni”, e themeluar në Lubjanë në vitin 1989, zë një vend të veçantë në këtë histori. Ajo i bashkoi shqiptarët rreth kulturës, identitetit dhe kauzës së lirisë, dhe përmes botimeve të tilla si “Alternativa” dhe “Republika” ndihmoi t’i jepte zë Kosovës”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo ka thënë se poashtu kujtojmë me mirënjohje intelektualët, shkrimtarët, gazetarët dhe figurat publike sllovene që i qëndruan pranë popullit të Kosovës në kohë të vështira, duke shtuar tutje se përmes angazhimit qytetar, avokimit publik dhe solidaritetit me të drejtat e njeriut, ata ndihmuan në sjelljen e së vërtetës së Kosovës në hapësirën publike sllovene. “Mbi këtë themel njerëzor, bashkëpunimi ynë institucional është rritur vazhdimisht. Kosova vlerëson mbështetjen e Sllovenisë shtetësisë sonë, rrugës sonë evropiane dhe konsolidimin tonë ndërkombëtar. Ne gjithashtu e vlerësojmë thellësisht kontributin e gjatë të Sllovenisë dhënë paqes dhe sigurisë në Kosovë përmes KFOR-it, si dhe punën e diplomatëve, ekspertëve, bizneseve dhe aktorëve kulturorë sllovenë të cilët kanë kontribuar në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona”, ka pohuar U.D. Presidentja Haxhiu. Në emër të popullit të Republikës së Kosovës, U.D. Presidentja Haxhiu i ka shprehur urimet e sinqerta Qeverisë dhe popullit të Sllovenisë për Ditën e Shtetësisë. “Uroj që miqësia midis Kosovës dhe Sllovenisë të vazhdojë të bëhet më e fortë, më e afërt dhe më kuptimplote për të dy popujt tanë”, tha U.D. Presidentja Haxhiu.

U.D. Presidentja Haxhiu mori pjesë në hapjen e Ekspozitës “Sy më sy”

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, mori pjesë sot në hapjen e Ekspozitës “Sy më sy”. Në fjalën e saj para të pranishmëve, U.D. Presidentja Haxhiu tha se në ekspozitën “Sy më Sy”, shikimi është sjellë para nesh në formën më të veçantë të tij: nëpërmjet irisit. “Irisi është shenjë e papërsëritshme e njeriut. E kemi në sy gjithë jetën, por rrallë ndalemi ta mendojmë. Këtu irisi është nxjerrë nga përditshmëria dhe është sjellë para publikut si shenjë e pranisë së njeriut, me aq afërsi sa kërkon arti dhe me aq përmbajtje sa kërkon dinjiteti”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo, tutje tha se kjo është edhe fuqia e konceptit krijues të “Sy më Sy”. “Ngase nuk e shpalos njeriun deri në fund. Na jep një shenjë të syrit, pra një gjurmë identifikuese aq sa duhet për t’u ndalur. Kaq mjafton për ta ndier praninë e tij. Pjesa tjetër, ajo që nuk thuhet dhe nuk shfaqet, mbetet e tij, dhe pikërisht kjo përmbajtje e bën edhe më dinjitoze”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu. U.D. Presidentja Haxhiu duke iu drejtuar të pranishmëve ka thënë se pas kësaj ekspozite qëndron puna e gjatë e QKRMT-së dhe poashtu edhe e organizatës “Pro Peace” me dëshmi e rrëfime të të mbijetuarave, të mbijetuarve, familjarëve dhe njerëzve të prekur nga dhuna seksuale gjatë luftës në Kosovë. “Këto rrëfime nuk flasin vetëm për periudhën e vështirë, atë të luftës. Flasin edhe për vitet pas saj që për shumë të mbijetuar të dhunës seksuale në Kosovë, kanë qenë më të vështira, sepse dhimbjes iu shtua heshtja, mosbesimi, gjykimi dhe poashtu frika për të treguar”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo tha se këtu duhet folur edhe për stigmën, e që sipas saj “Për shumë të mbijetuara dhe të mbijetuar, stigma ka qenë pjesë e rëndë e viteve pas luftës. Ajo ka jetuar në turpin që u është vënë padrejtësisht mbi supe. Një shoqëri që do drejtësi për personat e dhunuar gjatë luftës, duhet së pari të mësojë t’i shohë me respekt dhe mirënjohje për forcën me të cilën kanë vazhduar jetën”. Në këtë drejtim, U.D. Presidentja Haxhiu ka falënderuar Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës për këtë ekspozitë, poashtu organizatën “Pro Peace”, por poashtu edhe për punën e gjatë me të mbijetuarat dhe të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë periudhës së luftës. Sipas U.D. Presidentes Haxhiu, kjo është punë që bëhet me durim, me besim të fituar ngadalë, me kujdes profesional dhe me shumë përgjegjësi. “Si Ushtruese e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, dua të them se personat e dhunuar seksualisht gjatë luftës janë pjesë e historisë sonë dhe e përgjegjësisë sonë shtetërore. Ata nuk mund të mbeten në skaj të kujtesës, as të përmenden vetëm në ditë të caktuara. Republika u ka borxh njohje, kujdes, drejtësi dhe jetë me dinjitet”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu.

U.D. Presidentja Haxhiu: Dhuna seksuale gjatë luftës ishte një prej krimeve që u mbajt shumë gjatë në heshtje

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë sot Konferencën në shënimin e Ditës Ndërkombëtare për Eleminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt: “Së bashku për njohje dhe mbështetje”. Në fjalën e saj para pjesëmarrësve të kësaj konference, U.D. Presidentja Haxhiu, ka thënë se në Kosovën e pasluftës, shumë gjëra u numëruan: shtëpitë e djegura, masakrat, njerëzit e vrarë, të pagjeturit, dëmet, varret, kolonat e gjata, u numërua ajo që shihej, por sipas saj, ajo që kishte mbetur brenda njeriut, mbeti pa emër dhe pa vend në rrëfimin tonë publik. “Dhuna seksuale gjatë luftës ishte një prej krimeve që u mbajt shumë gjatë në heshtje. U bë strehë për një dhimbje që njeriu e mban me vete, edhe kur mbaron lufta. Për këtë krim, fjala erdhi vonë ngase rrethohej me shumë frikë, shumë turp dhe shumë gjykim. Për këtë arsye, sot duhet të flasim me shumë kujdes. Rrëfimi u takon personave të dhunuar gjatë luftës. Ne jemi këtu për ta thënë qartë se Republika e Kosovës, Republika jonë, u ka borxh njohje, drejtësi dhe kujdes shtetëror”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu. U.D. Presidentja Haxhiu tha se ata që e kryen këtë krim dhe urdhëruan duhet të ndëshkohen nga sistemi jonë i drejtësisë, e që sipas U.D. Presidentes Haxhiu është bërë shumë pak në këtë drejtim pas përfundimit të luftës. “Fatkeqësisht, misionet ndërkombëtare që erdhën në Kosovë për këtë qëllim, asnjëherë nuk u morën seriozisht me adresimin e krimeve, që Serbia i ka bërë në vendin tonë. E kam thënë edhe më herët dhe po e përsëris edhe sot: misionet që kishin përgjegjësi të merreshin me krimet e luftës, në fakt, nuk u morën me to. Viteve të fundit ka pasur përparime në këtë drejtim, besoj se për këtë pajtohemi të gjithë. Por krimet e kryera nga Serbia në Kosovë kanë qenë aq të shumta e aq të rënda, sa edhe hapat e ndërmarrë së fundmi, sado të rëndësishëm, ende duken të pamjaftueshëm”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. Me këtë rast, U.D. Presidentja Haxhiu iu ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë, që të ndërmarrin veprime dhe të mos ndalin angazhimin për adresimin e krimeve të luftës. “Tashmë, fatmirësisht, ka edhe dënime ndaj personave që kanë kryer dhunë seksuale gjatë luftës, siç ka edhe shumë hetime e aktakuza. Me këtë rast, duhet ta falënderoj znj. Feride Rushitipër punën e madhe që ka bërë në këtë drejtim, por edhe të gjitha organizatat që, në fakt, e kanë zëvendësuar shtetin. Sepse është shteti ynë ai që është dashur të merret me këtë çështje që nga përfundimi i luftës. Megjithatë, veprimet që ndërlidhen me fuqizimin e institucioneve të drejtësisë, me rritjen e numrit të policëve, me Strategjinë për Drejtësi Tranzicionale, si dhe me gjykimin në mungesë, janë ndërmarrë shumë vonë”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo më tej tha se puna e institucioneve të Republikës së Kosovës do të vazhdojë, sepse krimet e luftës, siç e dimë, as nuk falen, pra nuk amnistohen dhe as nuk parashkruhen. “Ndëshkimi i kriminelëve, përveç tjerash dërgon edhe mesazh të qartë se shkeljet e rënda të drejtave të njeriut nuk do të mbeten pa ndëshkim. Prandaj edhe është jashtëzakonisht e rëndësishme që të mos ndalet puna dhe angazhimi. Por, edhe me rastin e aktgjykimeve dënuese për krimet e luftës shtohet edhe besimi në institucione dhe njihet vuajtja e personave të dhunuar gjatë luftës”, ka pohuar U.D. Presidentja Haxhiu. U.D. Presidentja Haxhiu tha se shteti nuk mund ta zhbëjë atë që ka ndodhur, por shteti është i pranishëm me mekanizma, me njerëz dhe me institucione që po e bëjnë rrugën më të lehtë për të mbijetuarit dhe të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës. “Unë i bashkohem thirrjes së Komisionit, që të aplikohet për njohje të statusit, sepse kësisoj edhe evidentohet një krim i rëndë që ka ndodhur në periudhën e luftës, por edhe shteti tregon kujdes për personat e dhunuar seksualisht gjatë luftës”, tha U.D. Presidentja Haxhiu.

U.D. Presidentja Haxhiu mori pjesë ne pritjen organizuar me rastin e ditëlindjes zyrtare të Madhërisë së Tij Mbretit Charles III

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë sonte në pritjen e organizuar me rastin e ditëlindjes zyrtare të Madhërisë së Tij Mbretit Charles III. Sipas saj, për Kosovën, miqësia e Mbretërisë së Bashkuar nuk ka qenë kurrë abstrakte, ajo ka qenë e pranishme në momente të rëndësishme të historisë sonë, në rrugën tonë drejt lirisë, në konsolidimin e shtetësisë sonë dhe në përpjekjet tona për të ndërtuar një vend demokratik, paqësor dhe të sigurt. Ajo më tej ka thënë se Mbretëria e Bashkuar i ka qëndruar përkrah Kosovës nëpërmjet mbështetjes politike, nëpërmjet bashkëpunimit në siguri, nëpërmjet zhvillimit, arsimit, kulturës dhe lidhjeve midis njerëzve, duke shtuar tutje se ushtarë britanikë, diplomatë, ekspertë, mësues, artistë, gazetarë dhe shumë miq të Kosovës kanë kontribuar në marrëdhënien që nderojmë sonte. “Kur flasim për lidhjet midis Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, emrat e Dua Lipës dhe Rita Orës nuk kanë nevojë për prezantim. Ato na kujtojnë se lidhja midis vendeve tona nuk është vetëm institucionale. Është gjithashtu njerëzore, kulturore, krijuese – dhe ndonjëherë dëgjohet edhe në çdo radio stacion në botë”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo më tej ka thënë se si një republikë e re, Kosova e kupton se institucionet nuk ndërtohen një herë e përgjithmonë, duke shtuar tutje se ato ndërtohen, forcohen dhe mbrohen çdo ditë: nëpërmjet shërbimit, nëpërmjet besimit, nëpërmjet durimit dhe nëpërmjet përgjegjësisë që mbajmë ndaj brezave që do të vijnë. “Në këtë punë, miqësitë kanë rëndësi. Dhe miqësia midis Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar ka qenë thellësisht e rëndësishme. Ajo ka qenë e pranishme në kohë të vështira, në momente vendimtare dhe tani, në punën e përbashkët të ndërtimit të një të ardhmeje më të sigurt, më demokratike dhe më të begatë”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.

U.D. Presidentja Haxhiu mori pjesë në zbulimin e muralit “Çast”, në komunën e Therandës

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, mori pjesë sot në zbulimin e muralit “Çast”, në komunën e Therandës. Në fjalën e saj para të pranishmëve, U.D. Presidentja Haxhiu, tha se në qytetet e Kosovës, shumë gjëra së pari janë shfaqur në mure. “Thirrjet për protesta, parullat “Kosova Republikë”, fotografitë e të zhdukurve, poezi. Muret e qyteteve tonë kanë qenë shenjë se ky vend ende merr frymë”, është shprehur ajo. Sipas saj, Kosova i mban mend këto, edhe kur ne kalojmë shpejt pranë tyre. Ajo më tej tha se sot, me muralin “Çast”, një tjetër e vërtetë del në mur. “Murali “Çast” i kushtohet të mbijetuarve dhe të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Në filozofi, çasti shpesh është parë si më shumë se një njësi kohe. Nietzsche flet për të si për një portë. Edhe sot, para këtij murali, fjala ‘Çast’ nuk na fton të mendojmë vetëm për një moment të kaluar. Na vendos në një prag: nga njëra anë kujtesa e një krimi që nuk duhet mbuluar asnjëherë; nga ana tjetër përgjegjësia jonë për drejtësi, për dinjitet dhe për përkujdesje shtetërore”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo më tej ka thënë se si Ushtruese e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, dua të them qartë se Republika jonë nuk mund ta shohë këtë çështje vetëm si një kujtim të luftës. “Është edhe çështje e drejtësisë, e shëndetit, e dinjitetit, e mënyrës si funksionojnë institucionet e Republikës së Kosovës. Por, është edhe çështje e mënyrës se si sillet familja, si sillet lagjja ndaj këtij krimi, mediat po ashtu, shkollat, institucionet e drejtësisë, dhe përfundimisht zyrtarët e Republikës së Kosovës”, ka pohuar U.D. Presidentja Haxhiu. Sepse, sipas saj, drejtësia nuk nis vetëm kur jipet një aktgjykim, nis edhe në zyrën ku i mbijetuari dëgjohet pa dyshim, ku privatësia ruhet dhe ku shteti i bëhet mbështetje. “Në këtë frymë, kam emëruar znj. Vasfije Krasniqi Goodman dhe znj. Shyrete Tahiri Sulimani si të dërguara të posaçme për çështjen e personave të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës. Ato po bëjnë një punë të jashtëzakonshme për ta mbajtur të gjallë kërkesën për drejtësi, për ta kthyer njohjen e të mbijetuarave dhe të mbijetuarve në detyrë shtetërore, dhe për t’i dhënë kësaj çështjeje vendin që i takon në ndërgjegjen publike të Kosovës. Po ashtu, në Presidencën e Republikës së Kosovës është hapur Zyra për Mbështetjen e të Mbijetuarave dhe të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë Luftës, si një hapësirë e sigurt për dëgjim, për këshillim, për orientim por po ashtu edhe për mbështetje”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo i ka ftuar të gjithë personat që janë të dhunuar seksualisht gjatë luftës, që të vijnë në Presidencën e Republikës së Kosovës sa herë mendojnë që ky institucion mund të adresojë ndonjë shqetësim, kërkesë të tyre. “Sigurisht që kjo mbështetje nuk ka nisur sot. E nderuar Presidente Jahjaga, ju dhe Fondacioni Jahjaga për vite me radhë e keni mbajtur të vërtetën e personave të dhunuar gjatë luftës, aty ku shpesh të tjerët kanë ngurruar ose kanë hezituar që ta çojnë. Në vende ku njerëzit e kanë më të vështirë ta shmangin: në art, në hapësirën publike dhe në biseda që nuk kanë qenë gjithmonë të lehta”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. Sipas saj, murali “Çast” është vazhdim i kësaj pune, është nderim për personat e dhunuar gjatë luftës, mirënjohje për ata që kanë folur, respekt për ata që nuk kanë dashur ose nuk kanë mundur të flasin për arsye që dihen, dhe kujtesë për ne të tjerët se kjo e vërtetë nuk mund të mbahet më në skaj të ndërgjegjes publike. “Për këtë dua ta falënderoj Fondacionin Jahjaga, komunën po ashtu, artistët dhe të gjithë ata që e kanë bërë të mundur këtë mural. Një vepër e tillë nuk e zëvendëson drejtësinë e as nuk e shëron dhimbjen por e bën më të vështirë harresën”, tha U.D. Presidentja Haxhiu. Në fund, U.D. Presidentja Haxhiu tha se prej sot, ky mur nuk është vetëm një pjesë në një lagje në këtë komunë, është pjesë e kujtesës sonë. “Kush kalon pranë tij, le ta dijë se këtu nderohen njerëz që nuk duhet të ishin lënë kurrë vetëm”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.

U.D. Presidentja Haxhiu: Në ditëlindjen e profesor Ukshin Hotit, bëra homazhe në Shtëpinë Muze të tij, për të nderuar jetën dhe veprën e një prej mendjeve më të ndritura dhe patriotëve më të përkushtuar të kombit tonë

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, sot në ditëlindjen e profesor Ukshin Hotit, ka bërë homazhe në Shtëpinë Muze të tij, për të nderuar jetën dhe veprën e një prej mendjeve më të ndritura dhe patriotëve më të përkushtuar të kombit tonë. “Profesor Ukshin Hoti ishte shembulli më i mirë i intelektualit që dijen e vuri në shërbim të lirisë dhe të interesit të përgjithshëm. Me guxim të rrallë, mençuri të thellë dhe përkushtim të palëkundur, ai qëndroi gjithmonë pranë popullit, duke mbrojtur të drejtën tonë për vetëvendosje dhe dinjitet kombëtar”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. Sipas saj, ai e kuptoi dhe e artikuloi qartë se liria nuk dhurohet e as nuk kërkohet me përulje, për lirinë veprohet. “Kjo ide u bë frymëzim për breza të tërë dhe mbetet edhe sot udhërrëfyes për rrugëtimin e Republikës së Kosovës”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.

U.D. Presidentja Haxhiu mori pjesë në hapjen e Panairit të Librit: Një Republikë që kujdeset për leximin, kujdeset për lirinë e qytetarit

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, mori pjesë sot në hapjen e Panairit të Librit. U.D. Presidentja Haxhiu, në një fjalë para të pranishmëve tha se Panairi i Librit është ndër ngjarjet e rralla kur libri del në qendër të vëmendjes publike. “Për disa ditë, flitet për botime, për autorë, lexues, për përkthime, për punën e botuesve dhe për njerëzit që ende e kultivojnë një nga punët më të vështira e më të domosdoshme të kulturës sonë”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo, më tej ka falënderuar të gjithë ata që e bëjnë të mundur këtë panair dhe të gjithë ata që punojnë me librin gjatë gjithë vitit, shkrimtarët, botuesit, përkthyesit, redaktorët, bibliotekistët, mësuesit dhe natyrisht lexuesit. Sipas, U.D. Presidentes Haxhiu kjo punë ka rëndësi të veçantë, sepse një vend që e vendos librin në hapësirën publike, qoftë edhe për disa ditë, tregon se ende e njeh peshën e fjalës së shkruar. “Por mirënjohja për këtë punë të madhe nuk na liron nga përgjegjësia për ta parë gjendjen me kujdes. Duhet të flasim edhe për vendin që libri nuk po e zë në jetën tonë të përditshme”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu. U.D. Presidentja Haxhiu tha se leximi është një nga mënyrat e para si njeriu mëson të kuptojë botën përtej vetes. “Një fëmijë që lexon me vëmendje, mëson ta ndjekë mendimin deri në fund dhe ta dallojë idenë kryesore. Mëson të bëjë pyetje, të krahasojë, të mos ngutet në përfundim. Mëson se jo çdo fjali që tingëllon e sigurt është e vërtetë. Një qytetar që lexon, e kupton më mirë lajmin, e kupton më mirë ligjin, premtimin politik, kontratën, historinë, dokumentin zyrtar dhe të drejtën e vet. Ai apo ajo ka më shumë mundësi të mendojë me kokën e vet, të kuptojë atë që i thuhet dhe të mos mbetet i varur nga të tjerët”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. Sipas U.D. Presidentes Haxhiu, edhe në Kosovë, sikurse në shumë vende të botës, leximi po përballet me rënie të vëmendjes, me ndryshim të shprehive, me trysninë e ekranit dhe me një ritëm jete që lë gjithnjë e më pak hapësirë për librin. “Por fakti që kjo po ndodh edhe diku tjetër nuk e bën çështjen më pak të rëndësishme për ne. Përkundrazi, na tregon se duhet të veprojmë me kohë por edhe me maturi. Jo duke fajësuar njëri-tjetrin, por duke e pranuar se leximi kërkon përgjegjësi të përbashkët por po ashtu edhe punë të koordinuar. Këtë e ndjejmë edhe ne si prindër, kur e shohim se sa e vështirë është ta krijojmë një orë të qetë për fëmijën, larg ekranit dhe shpërqendrimit. Këtë e ndjejnë mësuesit, kur punojnë çdo ditë me nxënës që duhet të mësojnë jo vetëm të lexojnë, por edhe të kuptojnë atë që e lexojnë. Këtë e ndjejnë botuesit, përkthyesit por edhe autorët, të cilët punojnë në një treg të vogël, por me nevoja të mëdha kulturore”, ka pohuar U.D. Presidentja Haxhiu. Prandaj, shtoi ajo, na duhet përgjegjësi e përbashkët dhe e vazhdueshme, sepse leximi nuk ndërtohet në një vend të vetëm. “Ai fillon në familje, por vazhdon në shkollë, forcohet në bibliotekë, mbështetet nga komuna, nga institucionet publike, nga botuesit, nga mediat dhe nga vetë mënyra si ne e organizojmë jetën kulturore të vendit. Nëse duam që libri të jetë më i pranishëm në jetën e fëmijëve dhe të rinjve tanë, ai duhet t’i takojë ata më herët. Fëmija nuk bëhet lexues vetëm kur i jipet një listë librash për pushime. Ai bëhet lexues kur libri nuk i paraqitet si barrë, por si pjesë e përditshmërisë”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu. Sipas U.D. Presidentes Haxhiu, në veçanti, duhet t’i kushtojmë më shumë vëmendje librit për fëmijë dhe të rinj, aty, ku sipas saj fillon marrëdhënia e parë me leximin. “Fëmija aty e kupton nëse libri është diçka që i flet, apo diçka që i kërkohet vetëm si detyrë. Na duhen libra të shkruar mirë, të përkthyer mirë, të redaktuar mirë dhe të afërt me moshën, me gjuhën, me botën e lexuesit të ri. Në këtë përpjekje, secili ka pjesën e vet. Prindi, mësuesi, biblioteka, komuna, botuesi, media, organizatat kulturore dhe vetë shteti jonë. Kur këto pjesë lidhen me njëra-tjetrën, libri dhe leximi bëhen më të pranishëm në jetën e përditshme”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo më tej tha se Panairi e bën librin të dukshëm për disa ditë, por detyra jonë është ta bëjmë leximin të pranishëm edhe kur nuk ka panaire. “Nuk po kërkojmë që çdo njeri të lexojë librat e njëjtë. Nuk po kërkojmë që të gjithë të bëhen studiues, shkrimtarë apo edhe kritikë. Po kërkojmë diçka më themelore: që çdo fëmijë në Kosovë ta ketë mundësinë të bëhet lexues i mirë. Që çdo nxënës ta kuptojë tekstin. Që çdo qytetar të ketë mundësi ta kuptojë më mirë botën ku jeton dhe të mos mbetet i varur vetëm nga ajo që i thonë të tjerët”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu. Sipas U.D. Presidentes Haxhiu, një Republikë që kujdeset për leximin, kujdeset për lirinë e qytetarit. “Prandaj, hapja e këtij panairi nuk duhet të mbetet vetëm te urimi për botuesit dhe lexuesit. Le të jetë edhe thirrje për punë të përbashkët, të qartë por edhe të vazhdueshme”, tha U.D. Presidentja Haxhiu.

U.D. Presidentja Haxhiu vizitoi Muzeun “Eksodi ‘99”

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka vizituar sot Muzeun “Eksodi ‘99”, i themeluar nga “Reporting House”, kuruar nga Gazmend Ejupi, në Stacionin e Trenave në Prishtinë, një hapësirë e dedikuar për kujtesën e dëbimit masiv të shqiptarëve të Kosovës gjatë pranverës së vitit 1999. “E vendosur brenda një vagoni treni, kjo ekspozitë ofron një përjetim domethënës që kontribuon në ruajtjen e kujtesës kolektive dhe dokumentimin e një kapitulli të rëndësishëm të historisë sonë. Iniciativa të tilla kanë vlerë të veçantë në edukimin e brezave të rinj dhe në nderimin e përvojave të atyre që përjetuan ngjarjet e vitit 1999”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. U.D. Presidentja Haxhiu ka thënë se kishim mundësinë të shihnim se si përmes 48 rrëfimeve autentike të të mbijetuarve, të organizuara në katër tema kryesore, ekspozita sjell një dëshmi të fuqishme të përjetimeve, sfidave dhe qëndresës së qytetarëve tanë gjatë dhe pas luftës.

This site is registered on wpml.org as a development site.