...

U.D. Presidentja Haxhiu mori pjesë në pritjen e organizuar me rastin e Ditës së Shtetësisë së Republikës së Sllovenisë

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë sonte në pritjen e organizuar me rastin e Ditës së Shtetësisë së Republikës së Sllovenisë.

U.D. Presidentja Haxhiu tha se për Slloveninë, 25 qershori është një ditë lirie dhe pavarësie, e që sipas saj, për popullin e Kosovës, kjo histori është e lehtë për t’u kuptuar.

“Ne e dimë se sa guxim, qartësi dhe përgjegjësi kërkohet kur njerëzit zgjedhin lirinë dhe shtetësinë”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu.

Ajo më tej tha se shumë kohë para se marrëdhëniet tona të bëheshin marrëdhënie zyrtare diplomatike, ato ishin marrëdhënie njerëzore.

“Lubjana ishte një vend ku shumë shqiptarë nga Kosova studiuan, punuan, u organizuan dhe e mbajtën gjallë lidhjen e tyre me atdheun. Shoqata Kulturore Shqiptare “Migjeni”, e themeluar në Lubjanë në vitin 1989, zë një vend të veçantë në këtë histori. Ajo i bashkoi shqiptarët rreth kulturës, identitetit dhe kauzës së lirisë, dhe përmes botimeve të tilla si “Alternativa” dhe “Republika” ndihmoi t’i jepte zë Kosovës”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu.

Ajo ka thënë se poashtu kujtojmë me mirënjohje intelektualët, shkrimtarët, gazetarët dhe figurat publike sllovene që i qëndruan pranë popullit të Kosovës në kohë të vështira, duke shtuar tutje se përmes angazhimit qytetar, avokimit publik dhe solidaritetit me të drejtat e njeriut, ata ndihmuan në sjelljen e së vërtetës së Kosovës në hapësirën publike sllovene.

“Mbi këtë themel njerëzor, bashkëpunimi ynë institucional është rritur vazhdimisht. Kosova vlerëson mbështetjen e Sllovenisë shtetësisë sonë, rrugës sonë evropiane dhe konsolidimin tonë ndërkombëtar. Ne gjithashtu e vlerësojmë thellësisht kontributin e gjatë të Sllovenisë dhënë paqes dhe sigurisë në Kosovë përmes KFOR-it, si dhe punën e diplomatëve, ekspertëve, bizneseve dhe aktorëve kulturorë sllovenë të cilët kanë kontribuar në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona”, ka pohuar U.D. Presidentja Haxhiu.

Në emër të popullit të Republikës së Kosovës, U.D. Presidentja Haxhiu i ka shprehur urimet e sinqerta Qeverisë dhe popullit të Sllovenisë për Ditën e Shtetësisë.

“Uroj që miqësia midis Kosovës dhe Sllovenisë të vazhdojë të bëhet më e fortë, më e afërt dhe më kuptimplote për të dy popujt tanë”, tha U.D. Presidentja Haxhiu.

This site is registered on wpml.org as a development site.