Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë sonte në pritjen e organizuar me rastin e ditëlindjes zyrtare të Madhërisë së Tij Mbretit Charles III.
Sipas saj, për Kosovën, miqësia e Mbretërisë së Bashkuar nuk ka qenë kurrë abstrakte, ajo ka qenë e pranishme në momente të rëndësishme të historisë sonë, në rrugën tonë drejt lirisë, në konsolidimin e shtetësisë sonë dhe në përpjekjet tona për të ndërtuar një vend demokratik, paqësor dhe të sigurt.
Ajo më tej ka thënë se Mbretëria e Bashkuar i ka qëndruar përkrah Kosovës nëpërmjet mbështetjes politike, nëpërmjet bashkëpunimit në siguri, nëpërmjet zhvillimit, arsimit, kulturës dhe lidhjeve midis njerëzve, duke shtuar tutje se ushtarë britanikë, diplomatë, ekspertë, mësues, artistë, gazetarë dhe shumë miq të Kosovës kanë kontribuar në marrëdhënien që nderojmë sonte.
“Kur flasim për lidhjet midis Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, emrat e Dua Lipës dhe Rita Orës nuk kanë nevojë për prezantim. Ato na kujtojnë se lidhja midis vendeve tona nuk është vetëm institucionale. Është gjithashtu njerëzore, kulturore, krijuese – dhe ndonjëherë dëgjohet edhe në çdo radio stacion në botë”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.
Ajo më tej ka thënë se si një republikë e re, Kosova e kupton se institucionet nuk ndërtohen një herë e përgjithmonë, duke shtuar tutje se ato ndërtohen, forcohen dhe mbrohen çdo ditë: nëpërmjet shërbimit, nëpërmjet besimit, nëpërmjet durimit dhe nëpërmjet përgjegjësisë që mbajmë ndaj brezave që do të vijnë.
“Në këtë punë, miqësitë kanë rëndësi. Dhe miqësia midis Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar ka qenë thellësisht e rëndësishme. Ajo ka qenë e pranishme në kohë të vështira, në momente vendimtare dhe tani, në punën e përbashkët të ndërtimit të një të ardhmeje më të sigurt, më demokratike dhe më të begatë”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.












