Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, mori pjesë sot në zbulimin e muralit “Çast”, në komunën e Therandës.
Në fjalën e saj para të pranishmëve, U.D. Presidentja Haxhiu, tha se në qytetet e Kosovës, shumë gjëra së pari janë shfaqur në mure.
“Thirrjet për protesta, parullat “Kosova Republikë”, fotografitë e të zhdukurve, poezi. Muret e qyteteve tonë kanë qenë shenjë se ky vend ende merr frymë”, është shprehur ajo.
Sipas saj, Kosova i mban mend këto, edhe kur ne kalojmë shpejt pranë tyre. Ajo më tej tha se sot, me muralin “Çast”, një tjetër e vërtetë del në mur.
“Murali “Çast” i kushtohet të mbijetuarve dhe të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Në filozofi, çasti shpesh është parë si më shumë se një njësi kohe. Nietzsche flet për të si për një portë. Edhe sot, para këtij murali, fjala ‘Çast’ nuk na fton të mendojmë vetëm për një moment të kaluar. Na vendos në një prag: nga njëra anë kujtesa e një krimi që nuk duhet mbuluar asnjëherë; nga ana tjetër përgjegjësia jonë për drejtësi, për dinjitet dhe për përkujdesje shtetërore”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.
Ajo më tej ka thënë se si Ushtruese e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, dua të them qartë se Republika jonë nuk mund ta shohë këtë çështje vetëm si një kujtim të luftës.
“Është edhe çështje e drejtësisë, e shëndetit, e dinjitetit, e mënyrës si funksionojnë institucionet e Republikës së Kosovës. Por, është edhe çështje e mënyrës se si sillet familja, si sillet lagjja ndaj këtij krimi, mediat po ashtu, shkollat, institucionet e drejtësisë, dhe përfundimisht zyrtarët e Republikës së Kosovës”, ka pohuar U.D. Presidentja Haxhiu.
Sepse, sipas saj, drejtësia nuk nis vetëm kur jipet një aktgjykim, nis edhe në zyrën ku i mbijetuari dëgjohet pa dyshim, ku privatësia ruhet dhe ku shteti i bëhet mbështetje.
“Në këtë frymë, kam emëruar znj. Vasfije Krasniqi Goodman dhe znj. Shyrete Tahiri Sulimani si të dërguara të posaçme për çështjen e personave të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës. Ato po bëjnë një punë të jashtëzakonshme për ta mbajtur të gjallë kërkesën për drejtësi, për ta kthyer njohjen e të mbijetuarave dhe të mbijetuarve në detyrë shtetërore, dhe për t’i dhënë kësaj çështjeje vendin që i takon në ndërgjegjen publike të Kosovës. Po ashtu, në Presidencën e Republikës së Kosovës është hapur Zyra për Mbështetjen e të Mbijetuarave dhe të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë Luftës, si një hapësirë e sigurt për dëgjim, për këshillim, për orientim por po ashtu edhe për mbështetje”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.
Ajo i ka ftuar të gjithë personat që janë të dhunuar seksualisht gjatë luftës, që të vijnë në Presidencën e Republikës së Kosovës sa herë mendojnë që ky institucion mund të adresojë ndonjë shqetësim, kërkesë të tyre.
“Sigurisht që kjo mbështetje nuk ka nisur sot. E nderuar Presidente Jahjaga, ju dhe Fondacioni Jahjaga për vite me radhë e keni mbajtur të vërtetën e personave të dhunuar gjatë luftës, aty ku shpesh të tjerët kanë ngurruar ose kanë hezituar që ta çojnë. Në vende ku njerëzit e kanë më të vështirë ta shmangin: në art, në hapësirën publike dhe në biseda që nuk kanë qenë gjithmonë të lehta”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.
Sipas saj, murali “Çast” është vazhdim i kësaj pune, është nderim për personat e dhunuar gjatë luftës, mirënjohje për ata që kanë folur, respekt për ata që nuk kanë dashur ose nuk kanë mundur të flasin për arsye që dihen, dhe kujtesë për ne të tjerët se kjo e vërtetë nuk mund të mbahet më në skaj të ndërgjegjes publike.
“Për këtë dua ta falënderoj Fondacionin Jahjaga, komunën po ashtu, artistët dhe të gjithë ata që e kanë bërë të mundur këtë mural. Një vepër e tillë nuk e zëvendëson drejtësinë e as nuk e shëron dhimbjen por e bën më të vështirë harresën”, tha U.D. Presidentja Haxhiu.
Në fund, U.D. Presidentja Haxhiu tha se prej sot, ky mur nuk është vetëm një pjesë në një lagje në këtë komunë, është pjesë e kujtesës sonë.
“Kush kalon pranë tij, le ta dijë se këtu nderohen njerëz që nuk duhet të ishin lënë kurrë vetëm”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.












