Urimi i Presidentes Osmani për Kurban Bajram

Uroj që festa e Kurban Bajramit të sjellë gëzim, paqe dhe begati në familjet tuaja! Kjo festë bashkon njerëzit, ndaj në këtë ditë hapen jo vetëm dyert, por edhe zemrat për ta shpërfaqur traditën tonë, si dhe shpirtin solidar për të ndarë diçka nga vetja për ata që kanë nevojë. Kurban Bajrami është festë e sakrificës, mundësi për reflektim, dhembshuri dhe mirënjohje. Shtëpitë tuaja në këtë ditë feste qofshin të mbushura me gëzim, dashuri, mirëkuptim dhe tolerancë. Urime dhe gëzuar festa e Kurban Bajramit!

Presidentja Osmani takon Zëvendës Presidenten e Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë Samitit të Paqes për Ukrainën në Zvicër, ka takuar Zëvendës Presidenten e ShBA-ve, Kamala Harris. Postimi i plotë i Presidentes: Me Zëvendës Presidenten e Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris. I përcolla mirënjohjen e thellë të popullit të Kosovës për mbështetjen e palëkundur dhe miqësinë tonë të përjetshme!

Zotëria i Parë, Prindon Sadriu, mori pjesë në Ballon kushtuar ditëlindjes së 249-të të Ushtrisë Amerikane

Me ftesën e Komandës Amerikane të Kampit Bondsteel, Zotëria i Parë, Prindon Sadriu, mori pjesë në Ballon e Ushtrisë Amerikane (Army Ball) për të shënuar 249 vite të shërbimit të saj. Ushtria Amerikane u krijua më 14 qershor 1775 dhe mbajtja e ballos shërben për t’i nderuar të gjithë martirët që dhanë jetën duke shërbyer për vendin e tyre dhe njëkohësisht për të inkurajuar ushtarët e rinj që i bashkangjiten shërbimit ushtarak. Zotëria i Parë, si i deleguar i Presidentes Osmani në këtë ngjarje, shprehi mirënjohjen e thellë për shërbimin e të gjithë ushtarëve amerikan përgjatë viteve në Kosovë dhe anembanë botës për të garantuar paqe dhe siguri për të gjithë.  Në këtë ballo, e cila u mbajt për herë të parë në Kosovë, të pranishmit ngrenë dolli edhe për nder të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, për t’i shprehur mirënjohjen e ndërsjellë për bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve.

Presidentja Osmani takoi Presidenten e re të Maltës, Myriam Spiteri Debono

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është takuar në Zvicër me Presidenten e re të Maltës, Myriam Spiteri Debono. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Në Zvicër, realizova takimin e parë e të përzemërt me Presidenten e re të Maltës, Myriam Spiteri Debono. Malta është një vend vërtet mik, andaj i shpreha mirënjohjen e thellë Presidentes Spiteri Debono për mbështetjen e vazhdueshme që vendi i saj i ka dhënë Republikës tonë.

Presidentja Osmani takoi Presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatović

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në kuadër të Samitit të Paqës për Ukrainën, është takuar me Presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatović. “Në kuadër të Samitit të Paqës për Ukrainën, me Presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatović diskutuam për rëndësinë e aleancave dhe koordinimit në mbrojtje të demokracisë dhe paqes”, ka shkruar Presidentja Osmani.

Presidentja Osmani takoi Presidenten Amherd : Kosova është përherë mirënjohëse për mbështetjen e fortë të Zvicrës përgjatë çdo etape

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të Presidentes së Konfederatës Zvicerane, Viola Amherd, po qëndron në Zvicër, ku do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në Samitin e nivelit të lartë të Paqes për Ukrainë. Me këtë rast, Presidentja Osmani është takuar me Presidenten Amherd, të cilën e ka falënderuar për pritjen si dhe për ftesën për t’iu bashkuar Samitit të Paqes për Ukrainën. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Faleminderit për një pritje të përzemërt, Presidente Amherd, si dhe për ftesën për t’iu bashkuar Samitit të Paqes për Ukrainën. Kosova është përherë mirënjohëse për mbështetjen e fortë të Zvicrës përgjatë çdo etape. Në prag të Samitit, ishte kënaqësi të diskutojmë për mundësitë e pafundta të thellimit të bashkëpunimit, me ç’rast roli i mërgatës sonë në forcimin e partneritetit në mes të dy vendeve tona është i pazëvendësueshëm.  

Presidentja Osmani, në mesin e liderëve botëror, përfaqëson Kosovën në Samitin e nivelit të lartë të Paqes për Ukrainën

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të Presidentes së Konfederatës Zvicerane, Viola Amherd, ka udhëtuar për në Zvicër, ku do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në Samitin e nivelit të lartë të Paqes për Ukrainë. Në Samit, i cili do të mbahet më 15 dhe 16 qershor 2024 në Bürgenstock, afër Lucernit, Presidentja Osmani do të jetë krahas presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, Presidentes së Zvicrës, Viola Amherd, si dhe afër 100 liderëve e përfaqësuesve të tjerë nga e mbarë bota. Samiti i nivelit të lartë, i cili do t’i mbledhë liderët botëror për të diskutuar rëndësinë dhe mënyrat e vazhdimit të mbështetjes për Ukrainën, do të përqendrohet edhe në rëndësinë kritike të arritjes së paqes në Ukrainë. Presidentja Osmani do ta riafirmojë përkushtimin e Republikës së Kosovës për ta vazhduar mbështetjen për Ukrainën deri në fitore, si dhe do të flasë për rëndësinë e mbështetjes gjithëpërfshirëse globale për t’u arritur paqe afatgjate dhe e qëndrueshme. Përgjatë qëndrimit në Zvicër, Presidentja Osmani do të zhvillojë edhe takime bilaterale me liderë të tjerë botëror.

This site is registered on wpml.org as a development site.