Presidentja Vjosa Osmani, në Forumin Evropian Alpbach, foli për rëndësinë e mbështetjes së gjeneratës së ardhshme të grave udhëheqëse.

Me ftesë të Ministres Federale të Republikës së Austrisë për Bashkimin Evropian dhe Kushtetutën, Karoline Edtstadler, Presidentja Osmani ka mbajtur fjalim në kuadër të Forumit Evropian Alpbach, mbi rëndësinë e mbështetjes së gjeneratës së ardhshme të grave udhëheqëse. Presidentja Osmani tha se forca, mençuria dhe vizioni i grave janë thelbësore për të ardhmen dhe të tashmen tonë. Presidentja në fjalimin e saj theksoi rëndësinë e fuqizimit të grave për të udhëhequr, inovuar dhe frymëzuar, sepse siç u shpreh ajo: “kur gratë udhëheqin, të gjithë fitojmë”.

Presidentja Osmani në Alpbach në bashkëbisedim me të rinj nga Kosova, diaspora, rajoni dhe më gjerë

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani, në kuadër të Forumit Evropian Alpbach, ka bashkëbiseduar me të rinj nga Kosova, diaspora jonë dhe më gjerë. Në takim me të rinj është diskutuar se si mund të hapim rrugë për ndërtimin e një bote më të sigurtë dhe adresimin e sfidave kryesore të kohës sonë – si kërcënimet kibernetike , problemet në epokën dixhitale dhe dhunën ndaj grave në internet që është në rritje.

Presidentja Osmani në Forumin Evropian Alpbach në Austri në diskutim me pjesëmarrës nga mbarë bota, organizuar nga transmetuesi publik i Austrisë, ORF

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, po merr pjesë në edicionin e sivjetëm të Forumit Evropian Alpbach, e me ç’rast ka zhvilluar një diskutim me të rinj, të reja, e pjesëmarrës nga mbarë bota, organizuar nga transmetuesi publik i Austrisë, ORF. Në takim u trajtuan çështjet kyçe që ndikojnë në Kosovë dhe Evropë, të ardhmen euroatlantike të vendit tonë dhe rëndësinë e mbrojtjes dhe promovimit të vlerave tona të përbashkëta demokratike. Forumi Evropian Alpbach është ndër institucionet më prestigjioze në Evropë, i cili që nga viti 1945 mbledh çdo vit liderë, nobelistë, akademikë, shkencëtarë dhe personalitete të ndryshme nga mbarë bota për të diskutuar ide për një Evropë më të fortë dhe më demokratike.

Presidentja Osmani: Aleanca me Shtetet e Bashkuara, garancë për siguri, paqe e sukses

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka mirëpritur dje në Republikën e Kosovës Shefin e Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), Ambasadorin William Burns. “Aleanca me Shtetet e Bashkuara, garancë për siguri, paqe e sukses! Kënaqësi që mirëprita dje në Republikën e Kosovës Shefin e Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), Ambasadorin William Burns”, ka shkruar Presidentja Osmani.  

Presidentja Vjosa Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadorja e re e Mbretërisë së Holandës, Karin Boven

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim ambasadoren e re të Mbretërisë së Holandës, Karin Boven, me rastin e dorëzimit së letrave kredenciale. Presidentja Osmani e uroi ambasadoren për detyrën, gjersa potencoi raportet e shkëlqyera bilaterale midis Kosovës e Holandës. Në këtë frymë, Presidentja Osmani shprehu përkushtimin e saj për të vazhduar bashkëpunimin e shkëlqyer edhe gjatë mandatit të ambasadores. Presidentja po ashtu shprehu mirënjohjen e Kosovës për përkrahjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Holandës ndaj Republikës së Kosovës, përfshirë edhe mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në institucionet euroatlantike.

Presidentja Osmani priti në takim ambasadorin e Turqisë, Sabri Tunç Angılı

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ambasadorin e Republikës së Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı, me të cilin diskutuan për zhvillimet e fundit në vend. Në takim me ambasadorin Angılı, Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e thellë për donacionin prej 31 milionë lira (rreth 1 milion dollarë amerikanë) nga Republika e Turqisë për ngritjen e kapaciteteve ushtarake të FSK-së. Tutje, në takim u diskutua për aspekte të ndryshme të bashkëpunimit biltareal, me ç’rast u rikonfirmua përkushtimi i dyanshëm për hapje të vazhdueshme të kapitujve të rinj të bashkëpunimit.

Presidentja Osmani priti në takim ambasadorin e Gjermanisë, Jörn Rohde

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde. Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në vend, përfshirë çështjen e hapjes së urës së Ibrit. Presidentja Osmani ka ripotencuar rëndësinë që plani i zbatimit për hapjen e urës të bëhet në konsultim e koordinim midis institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë, dhe se hapja e saj është në interes të të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie. Në takim u diskutua edhe për zhvillime që ndërlidhen me Procesin te Berlinit, me ç’rast, Presidentja Osmani përsëriti mbështetjen e saj të plotë për marrëveshjet e dalura nga ky proces.

Presidentja Vjosa Osmani liderja e parë nga Ballkani që nderohet me Çmimin ndërkombëtar M100 nga Sanssouci Colloquium

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është nderuar nga M100 Sanssouci Colloquium me Çmimin M100 Media Award për përkushtimin e saj ndaj vlerave euroatlantike dhe për punën e saj të palodhur në reforma, forcimin e demokracisë, kursin proevropian, luftën kundër korrupsionit, si dhe për barazinë dhe të drejtat e grave. Në njoftimin e publikuar nga M100, thuhet se Presidentja Osmani: “është e përkushtuar për demokracinë dhe sundimin e ligjit, si dhe për integrimin e Republikës së Kosovës në strukturat euroatlantike. Ajo angazhohet për mbrojtjen e demokracisë dhe lirisë si arritje thelbësore, përkundër të gjitha kërcënimeve dhe pengesave”. Laureat i këtij çmimi është edhe Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk. Ceremonia e ndarjes së çmimit mbahet më 12 shtator në Orangery of Sanssouci Park në Potsdam. Fjalën kryesore me këtë rast do ta mbajë Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz.

Presidentja Osmani: Shtetet e Bashkuara, përmes kontributit të jashtëzakonshëm të USAID-it, vazhdojnë të jenë krah nesh

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka nënshkruar sot amandamentin e Marrëveshjes për Objektivat Zhvillimore me Shtetet e Bashkuara, në shumë shtesë prej 34.5 milion dollarësh. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Kisha nderin që sot ta nënshkruaj amandamentin e Marrëveshjes për Objektivat Zhvillimore me Shtetet e Bashkuara, në shumë shtesë prej 34.5 milion dollarësh. Kjo marrëveshje, e cila arrinë shumën totale prej 142.6 milion dollarësh, është rikonfirmim i vizionit tonë të përbashkët për një të ardhme më të mirë dhe më të qëndrueshme për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim. Mirënjohës që në të gjitha këto përpjekje, Shtetet e Bashkuara, përmes kontributit të jashtëzakonshëm të USAID-it, vazhdojnë të jenë krah nesh.  

This site is registered on wpml.org as a development site.