Presidentja Osmani priti sot në takim Shefin e ri të Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim Shefin e ri të Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav. Presidentja i uroi mirëseardhje dhe sukses ambasadorit Orav përgjatë mandatit të tij, gjersa ritheksoi përkushtimin dhe angazhimin e vazhdueshëm të Republikës së Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Presidentja Osmani ka thënë se Kosova vazhdon të jetë në ballë të reformave në të gjitha fushat, duke harmonizuar legjislacionin e saj me atë të BE-së, si dhe duke qenë plotësisht e bashkërenduar me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së. Tutje, Presidentja theksoi se Kosova ka mbushur të gjitha kushtet për ta fituar statusin e vendit kandidat të BE-së. Në takim u diskutua edhe për zhvillimet e fundit në vend, duke përfshirë sigurinë, si dhe bashkëpunimin e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre të Bashkimit Evropian me qëllim të përmbushjes së objektivave të përbashkëta. Në këtë frymë, Presidentja Osmani ka përsëritur rëndësinë e madhe të trajtimit të shteteve aspiruese bazuar në merita dhe në përqafimin e vlerave që qëndrojnë në themelet e BE-së.
Urimi i Presidentes Vjosa Osmani për fillimin e vitit të ri shkollor

Fillimi i vitit të ri shkollor është ditë e veçantë për nxënësit, por po kaq shumë edhe për prindërit dhe mësuesit. Është dita kur oborret e shkollave gumëzhijnë nga zërat e gëzuar të nxënësve që kthehen nga pushimet verore, nga përqafimet mes shokëve dhe shoqeve që nuk janë parë për një kohë të gjatë, dhe nga sytë plot kuriozitet të atyre që hyjnë për herë të parë në tempullin e dijes. Ky gëzim, ky entuziazëm dhe kjo energji që ndihet në çdo kënd të shkollës na rikujton edhe një herë se shkolla është vendi ku formësohen ëndrrat, zhvillohen talentet dhe ngriten themelet për një të ardhme më të mirë. Por, përtej simbolikës së ditës së parë të shkollës, suksesi i arsimit varet nga angazhimi ynë i përbashkët për të krijuar një mjedis të sigurt dhe mbështetës për nxënësit dhe mësimdhënësit tanë. Shkolla mbetet investimi më i rëndësishëm për çdo shoqëri që e do përparimin dhe zhvillimin. Aty ku arsimi cilësor dhe përkushtimi janë prioritet, aty rriten gjeneratat që do të ndërtojnë të ardhmen e shëndoshë e përparimtare të shtetit tonë. Të dashur nxënës, sot nisë një kapitull i ri plot me mundësi dhe ëndrra për t’i realizuar. Të nderuar mësimdhënës, vazhdoni t’i frymëzoni zemrat dhe mendjet e reja me pasion dhe përkushtim. Urime për fillimin e vitit të ri shkollor! Qoftë ky vit një udhëtim i mbushur me suksese të panumërta, si dhe mësime të vlefshme që do t’ju udhëheqin gjatë gjithë jetës!
Presidentja Osmani u takua sot me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof

Presidentja e Republikës së Kosovës në kuadër të forumit global të sigurisë GLOBSEC 2024 në Pragë, është takuar sot me Zëvendës Ndihmës Sekretarin të SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof. Postimi i plotë i Presidentes: Kënaqësi të takoj në Pragë, Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA-ve, Alexander Kasanof. Diskutim përmbajtësor mbi zhvillimet e fundit, rëndësinë vendimtare të angazhimit proaktiv e të shtuar të Shteteve të Bashkuara për paqe të qëndrueshme në rajon, si dhe mbi dialogun Kosovë-Serbi.
Presidentja Osmani takoi Ministrin e ri britanik për Evropën, Stephen Doughty

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të forumit global të sigurisë, GLOBSEC 2024 në Pragë, ka zhvilluar një takim me Ministrin e ri britanik për Evropën, Stephen Doughty. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Në Pragë, ishte kënaqësi të takoj Ministrin e ri britanik për Evropën, Stephen Doughty. Për popullin e Kosovës, aleanca me Mbretërinë e Bashkuara është jashtëzakonisht e rëndësishme. Raportet e veçanta dhe historikisht të mira në mes të dy vendeve tona shërbejnë si themel i paluhatur për avancimin tutje të bashkëpunimit bilateral.
Presidentja Osmani: Për herë të parë në historinë e raporteve midis Kosovës dhe Çekisë, realizuam takimin e parë bilateral në nivel presidentësh

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të forumit global të sigurisë, GLOBSEC 2024 në Pragë, ka zhvilluar një takim me presidentin çek, Petr Pavel. Postimi i plotë i Presidentes: Për herë të parë në historinë e raporteve midis Kosovës dhe Çekisë, sot, realizuam takimin e parë bilateral në nivel presidentësh. Takimi i sotëm me Presidentin çek Petr Pavel u fokusua në angazhimin tonë të përbashkët për paqe dhe siguri afatgjate në Evropë, si dhe në forcimin e partneritetit midis dy shteteve tona.
Presidentja Osmani përfaqëson Republikën e Kosovës në GLOBSEC në Pragë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Pragë të Republikës Çeke, për të marrë pjesë në forumin global të sigurisë, GLOBSEC 2024. Presidentja Osmani do të jetë në mesin e liderëve global të cilët do të mblidhen në Pragë me qëllim të diskutimit të sfidave të ndryshme gjeopolitike dhe rëndësisë së bashkëpunimit në tejkalimin e tyre. Presidentja Osmani do t’i drejtohet audiencës ndërkombëtare në një diskutim mbi perspektivën e Kosovës karshi zhvillimeve gjeopolitike, gjersa do të realizojë edhe takime të tjera bilaterale.
Presidentja Osmani: E vërteta është një dhe e vetme: në vitin 2024, Serbia ende fle mbi varreza masive të civilëve të pafajshëm

Postimi i plotë i Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në Ditën Ndërkombëtare për Përkujtimin e Viktimave të Zhdukur me Dhunë: Mbi 1600 të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë, shumë prej tyre fëmijë, ende mbesin plaga më e thellë e Kosovës. Synim i regjimit gjenocidal të Serbisë ishte shfarosja dhe shkatërrimi i identitetit tonë, i të ardhmes sonë. Duke e mohuar të vërtetën, Serbia po e përsëritë vazhdimisht krimin. Duke mbajtur arkivat e mbyllura, pavarësisht dakordimit të Brukselit që e kërkon të kundërtën, Serbia po shkel edhe marrëveshjet e arritura. E vërteta nuk mund të fshihet prapa propagandës se kinse Serbia qenka pro paqes dhe pro integrimit në BE. E vërteta është një dhe e vetme: në vitin 2024, Serbia ende fle mbi varreza masive të civilëve të pafajshëm.
Fjalimi i Presidentes Vjosa Osmani në shënimin e 34 vjetorit të vizitës historike të senatorëve amerikanë në Prishtinë

Faleminderit shumë, I nderuar kryetar i Prishtinës, z. Rama, I nderuar ambasador i Shteteve të Bashkuara, z. Hovenier I nderuar ambasador i Shqipërisë, Aktivistë të hershëm të çështjes kombëtare, Të nderuar të pranishëm, Tridhjetë e katër vjet më parë, kur delegacioni i senatorëve amerikanë vizitoi Prishtinën, ishte po ky shesh me mijëra protestues, zëri i të cilëve kumbonte “Liri… liri” dhe “USA…USA”, në kërkim të lirisë e kundër shkeljes flagrante të të drejtave të njeriut nga regjimi i atëhershëm i Millosheviqit. Regjimi brutal i Millosheviqit u përpoq ta shtypë dhunshëm protestën, por nuk arriti asnjëherë ta shtypë shpirtin e popullit tonë për liri dhe demokraci e pavarësi. 29 gushti i vitit 1990 shënoi fillimin e rrugëtimit tonë drejt lirisë dhe pavarësisë. Dhe siç kishte thënë pas asaj proteste senatori Bob Dole: Liria po vjen, demokracia po vjen! Të prirë nga senatori Dole, delegacioni i përbërë nga John Warner, Jake Garn, Don Nickles, Al D’Amato, Steve Symms dhe Connie Mack, në Prishtinë, panë, evidentuan dhe siç e dëgjuat edhe vetë u tmerruan nga brutaliteti i regjimit të Millosheviqit. Sot ky shesh është i qetë, njerëzit e Kosovës janë të lirë, Kosova është shtet i pavarur e demokratik e SHBA-të janë këtu me ne. Nga sallat e Kongresit amerikan e deri te Shtëpia e Bardhë, nga rrugët e Uashingtonit ku ecte, brohoriste dhe na mbështeste diaspora jonë, e deri te zemrat e popullit amerikan, thirrja jonë për drejtësi dhe liri u dëgjua atëherë, dhe e vërteta jonë u ndërkombëtarizua. Më tepër se tri dekada më pas, ky shesh ruan kujtimin historik. Një pllakë përkujtimore e vendosur para hotelit “Grand” e ka përjetësuar këtë datë, një bust i senatorit Bob Dole dhe pastaj edhe i sekretares së Shtetit Madeleine Albright pak metra tutje dhe një shtatore e ikonës së popullit të Kosovës, presidentit Bill Clinton janë një histori e ngërthyer në 34 vjet. Dhe natyrisht kjo histori as nuk do të nisej e as nuk do të kishte sukses pa ikonën, arkitektin dhe atin themeltar të shtetit tonë e të pavarësisë sonë, fotografia e të cilit është afër këtu, presidentit historik, Dr.Ibrahim Rugovës. Faleminderit gjithsecilit për kontributin e jashtëzakonshëm për popullin dhe shtetin e Kosovës, faleminderit SHBA-ve që edhe sot vazhdojnë të jenë përkrah Republikës sonë dhe popullit tonë! Në njërin cep të sheshit “Zahir Pajaziti”, ndodhet dëshmia më autentike e protestës së vitit ‘90, kur senatorët amerikanë ndodheshin në Prishtinë. Shtatorja e protestuesit Faik Rexhepi, të cilin e pamë në video, i cili akoma është gjallë dhe është dëshmia e asaj kohe, por edhe dëshmi e shpirtit të paepur të popullit të Kosovës për liri. Pa Amerikën dhe pa luftën çlirimtare të Kosovës dhe shpirtin e paepur të popullit të Kosovës për liri, pavarësi e demokraci, as atëherë e as sot, Kosova nuk do të ishte e lirë dhe e pavarur. Përballë një kapitulli të errët, shpresa jonë sikurse gjithnjë erdhi nga përtej Atlantikut. Delegacioni i senatorëve amerikanë erdhi me mision të qartë, për ta kuptuar të vërtetën dhe për ta ndërkombëtarizuar atë. Ky delegacion i mbështetur fuqishëm nga aktivistët tanë të devotshëm, siç është Jim Jema, Joe DioGuardi, Lidhja Shqiptaro- Amerikane dhe shumë e shumë aktivistë të mërgatës sonë në SHBA bënë që zëri ynë të dëgjohej, bënë që kauza jonë për liri dhe pavarësi të marrë mbështetjen e të gjithë personave që vendosnin atëherë në SHBA. Në këtë përvjetor, populli i Kosovës është i lirë dhe Kosova është shtet i pavarur, siç është që nga viti 2008, ndaj nderojmë kujtimin e asaj vizite historike, por edhe të miqësisë së qëndrueshme ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara. Shtetet e Bashkuara dhe parimet për të cilat lufton dhe parimet mbi të cilat na ndihmoi, ishin dhe mbesin udhërrëfyesi ynë dhe shpresa jonë. Në SHBA-të, ne shohim mishërimin e vlerave që i kemi të shtrenjta: lirinë dhe demokracinë, vlera këto që na frymëzojnë për të vazhduar punën tonë, për t`i kapërcyer sfidat dhe për Kosovën shtet të pavarur në miqësi të përhershme me miqtë tanë, ashtu siç kërkoi dhe punoi tërë jetën e tij, presidenti ynë historik, dr.Ibrahim Rugova. Zoti e bekoftë Kosovën! Zoti i bekoftë aleatët tanë! Zoti e bekoftë miqësinë tonë me SHBA-të! Ju faleminderit!
Presidentja Osmani dekretoi 31 gjyqtarë me mandat fillestar

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me propozim të Këshillit Gjyqësor të Kosovës ka dekretuar sot 31 gjyqtarë me mandat fillestar, pothuajse gjysma prej tyre gra. Në ceremoninë e betimit para Presidentes së Republikës, gjyqtarët e rinj janë betuar se: “do t’i qëndrojnë besnik Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe do të respektojnë rregullat e etikës profesionale, si dhe do të kryejnë me besnikëri në mënyrë të pavarur, profesionale dhe të paanshme detyrat e tyre”. Presidentja Osmani ka potencuar se integriteti, pavarësia, paanshmëria dhe profesionalizmi i gjyqtarëve janë elemente thelbësore për një sistem të drejtësisë që garanton barazi për të gjithë dhe besim qytetar.
Presidentja Osmani priti në takim lamtumirës shefin e misionit të OSBE-së, ambasadorin Michael Davenport

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim lamtumirës shefin e misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë, ambasadorin Michael Davenport. Në takim, Presidentja Osmani ka vlerësuar angazhimin e ambasadorit Davenport në krye të OSBE-së në mbështetje të përpjekjeve për forcimin e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimin e ligjit, për të cilat Kosova po tregon progres të vazhdueshëm. Me rastin e përfundimit të mandatit të tij, Presidentja e falënderoi ambasadorin për punën e deritanishme në Kosovë dhe në të njëjtën kohë i ka uruar sukses në angazhimet e tij të mëtejshme.