Faleminderit shumë,
I nderuar kryetar i Prishtinës, z. Rama,
I nderuar ambasador i Shteteve të Bashkuara, z. Hovenier
I nderuar ambasador i Shqipërisë,
Aktivistë të hershëm të çështjes kombëtare,
Të nderuar të pranishëm,
Tridhjetë e katër vjet më parë, kur delegacioni i senatorëve amerikanë vizitoi Prishtinën, ishte po ky shesh me mijëra protestues, zëri i të cilëve kumbonte “Liri… liri” dhe “USA…USA”, në kërkim të lirisë e kundër shkeljes flagrante të të drejtave të njeriut nga regjimi i atëhershëm i Millosheviqit.
Regjimi brutal i Millosheviqit u përpoq ta shtypë dhunshëm protestën, por nuk arriti asnjëherë ta shtypë shpirtin e popullit tonë për liri dhe demokraci e pavarësi.
29 gushti i vitit 1990 shënoi fillimin e rrugëtimit tonë drejt lirisë dhe pavarësisë. Dhe siç kishte thënë pas asaj proteste senatori Bob Dole: Liria po vjen, demokracia po vjen!
Të prirë nga senatori Dole, delegacioni i përbërë nga John Warner, Jake Garn, Don Nickles, Al D’Amato, Steve Symms dhe Connie Mack, në Prishtinë, panë, evidentuan dhe siç e dëgjuat edhe vetë u tmerruan nga brutaliteti i regjimit të Millosheviqit. Sot ky shesh është i qetë, njerëzit e Kosovës janë të lirë, Kosova është shtet i pavarur e demokratik e SHBA-të janë këtu me ne.
Nga sallat e Kongresit amerikan e deri te Shtëpia e Bardhë, nga rrugët e Uashingtonit ku ecte, brohoriste dhe na mbështeste diaspora jonë, e deri te zemrat e popullit amerikan, thirrja jonë për drejtësi dhe liri u dëgjua atëherë, dhe e vërteta jonë u ndërkombëtarizua.
Më tepër se tri dekada më pas, ky shesh ruan kujtimin historik. Një pllakë përkujtimore e vendosur para hotelit “Grand” e ka përjetësuar këtë datë, një bust i senatorit Bob Dole dhe pastaj edhe i sekretares së Shtetit Madeleine Albright pak metra tutje dhe një shtatore e ikonës së popullit të Kosovës, presidentit Bill Clinton janë një histori e ngërthyer në 34 vjet. Dhe natyrisht kjo histori as nuk do të nisej e as nuk do të kishte sukses pa ikonën, arkitektin dhe atin themeltar të shtetit tonë e të pavarësisë sonë, fotografia e të cilit është afër këtu, presidentit historik, Dr.Ibrahim Rugovës.
Faleminderit gjithsecilit për kontributin e jashtëzakonshëm për popullin dhe shtetin e Kosovës, faleminderit SHBA-ve që edhe sot vazhdojnë të jenë përkrah Republikës sonë dhe popullit tonë!
Në njërin cep të sheshit “Zahir Pajaziti”, ndodhet dëshmia më autentike e protestës së vitit ‘90, kur senatorët amerikanë ndodheshin në Prishtinë. Shtatorja e protestuesit Faik Rexhepi, të cilin e pamë në video, i cili akoma është gjallë dhe është dëshmia e asaj kohe, por edhe dëshmi e shpirtit të paepur të popullit të Kosovës për liri. Pa Amerikën dhe pa luftën çlirimtare të Kosovës dhe shpirtin e paepur të popullit të Kosovës për liri, pavarësi e demokraci, as atëherë e as sot, Kosova nuk do të ishte e lirë dhe e pavarur.
Përballë një kapitulli të errët, shpresa jonë sikurse gjithnjë erdhi nga përtej Atlantikut. Delegacioni i senatorëve amerikanë erdhi me mision të qartë, për ta kuptuar të vërtetën dhe për ta ndërkombëtarizuar atë.
Ky delegacion i mbështetur fuqishëm nga aktivistët tanë të devotshëm, siç është Jim Jema, Joe DioGuardi, Lidhja Shqiptaro- Amerikane dhe shumë e shumë aktivistë të mërgatës sonë në SHBA bënë që zëri ynë të dëgjohej, bënë që kauza jonë për liri dhe pavarësi të marrë mbështetjen e të gjithë personave që vendosnin atëherë në SHBA.
Në këtë përvjetor, populli i Kosovës është i lirë dhe Kosova është shtet i pavarur, siç është që nga viti 2008, ndaj nderojmë kujtimin e asaj vizite historike, por edhe të miqësisë së qëndrueshme ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.
Shtetet e Bashkuara dhe parimet për të cilat lufton dhe parimet mbi të cilat na ndihmoi, ishin dhe mbesin udhërrëfyesi ynë dhe shpresa jonë.
Në SHBA-të, ne shohim mishërimin e vlerave që i kemi të shtrenjta: lirinë dhe demokracinë, vlera këto që na frymëzojnë për të vazhduar punën tonë, për t`i kapërcyer sfidat dhe për Kosovën shtet të pavarur në miqësi të përhershme me miqtë tanë, ashtu siç kërkoi dhe punoi tërë jetën e tij, presidenti ynë historik, dr.Ibrahim Rugova.
Zoti e bekoftë Kosovën!
Zoti i bekoftë aleatët tanë!
Zoti e bekoftë miqësinë tonë me SHBA-të!
Ju faleminderit!
Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN