Presidentja: Shtatorja e Presidentit historik, Dr.Ibrahim Rugova, e zbuluar sot në Podujevë, nuk është vetëm një monument prej bronzi, por një testament i idealeve

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë pjesë sot në ceremoninë e zbulimit të shtatores së Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova, në Podujevë. “Shtatorja e Presidentit historik, Dr.Ibrahim Rugova, e zbuluar sot në Podujevë, nuk është vetëm një monument prej bronzi, por një testament i idealeve për të cilat punoi deri në vdekje ati themeltar i Republikës sonë: për Kosovën e lirë, të pavarur e demokratike”, ka shkruar Presidentja Osmani.
Fjalimi i Presidentes Osmani në ceremoninë e përurimit të shtatores së Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova në Podujevë

Faleminderit shumë të dashur llapjan, I nderuar president Sejdiu, Kryeministër Kurti, I nderuar kryetar i komunës, Shpejtim Bulliqi, Të nderuar deputetë e ministra, Shumë e dashur familje Rugova, Të dashur bashkëveprimtarë të Presidentit Rugova, ju që tërë jetën i qëndruat besnik vizionit të arkitektit të shtetit tonë, Të nderuara zonja e zotërinj, Jam e nderuar që sot ndodhem në Podujevë, respektivisht në Llap, në mesin e njerëzve, të cilët në kohët më të vështira u radhitën pas liderit tonë vizionar, pas njeriut që farkëtoi aleanca dhe miqësi me liderët e gjithë botës, pas atit themeltar të Republikës sonë, presidentit historik dr. Ibrahim Rugova. Sot, Rugova po i kthehet Llapit në bronz, duke u bërë banor i përhershëm i Podujevës. Njësoj sikurse kur u pat kthyer nga Itaia në Kosovën e lirë, në vitin 2000 kur i gjithë Llapi u ngrit në këmbë për ta pritur atë me një tubim madhështor përpara objektit të komunës së vjetër, shumë afër me vendin në të cilin ai sot i përjetësuar në shtatore do të mbetet përgjithmonë në mesin tuaj. Shtatorja e Presidentit Rugova po përjetësohet dhe po përurohet në 7 shtatorin historik. Në të njëjtën datë, 34 vjet më parë, u miratua Kushetuta e Kaçanikut, një moment historik në udhëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë për të cilën gjë tërë jetën ia kushtoi Presidenti ynë historik. Shtatorja e Presidentit Rugova nuk është vetëm një monument prej bronzi, por një testament i idealeve për të cilat ai punoi deri në vdekje, për Kosovën të lirë, të pavarur dhe demokratike. Prandaj sot, po nderojmë kujtimin për udhëheqësin e madh, vizionarin e pashoq, për njeriun, i cili me guxim dhe mençuri e orientoi Kosovën drejt vizionit euroatlantik dhe solli vëmendjen e gjithë botës demokratike pikërisht në Kosovë. Përballë shtypjes dhe dhunës së Millosheviqit, ai zgjodhi rezistencën paqësore. Kur rruga përpara ishte e pasigurt, vendosmëria dhe qëndrueshmëria e tij ishte e palëkundur. Ai ishte njeri i dijeve dhe prijës, siç thoshte at Zef Pllumi “ma i dijuni dhe ma i urti i të gjithëve”. Presidenti Rugova ishte simbol i shpresës, një njeri që besonte në fuqinë e fjalës. Në ditët më të errëta të historisë sonë, ai qëndroi i palëkundur me vizionin e tij pavarësi dhe asgjë më pak! Në ditët më të errëta ai dëshmoi se forca e kombit tonë është përbashkimi dhe vullneti i pathyeshëm për liri, paqe, demokraci dhe pavarësi. Presidenti Rugova i dha siç themi gjithmonë politikës dimensionin më të rëndësishëm të saj, dimensionin human. Shalli i tij i mëndafshtë u bë simbol i stilit të tij unik të udhëheqjes së liderit të qetë, të përmbajtur e dinjitoz. Kjo shtatore është një nderim për burrështetasin, për kryearkitektin e shtetit tonë, i cili na priu në kohët më të rënda për ne. Ishte mjeshtëria diplomatike e Presidentit Rugova ajo që forcoi lidhjet tona me miqtë dhe aleatët tanë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai e kuptoi se rrugëtimi drejt shtetësisë nuk mund të bëhej i vetëm, ndaj besoi fort në idenë se shtëpia mbahet me miq. Ai ndërtoi ura besimi me liderët anekënd globit, të bazuar në respektin reciprok dhe vlerat e përbashkëta, e këto miqësi janë bërë shtyllat mbi të cilat tani qëndron edhe shteti ynë i ri. Ajo që bëri Presidenti Rugova nuk ishte vetëm vizioni i tij politik, por edhe integritet i tij. Ai kurrë askujt nuk i punoi pas shpine. Presidenti Rugova ishte transparent, i ndershëm dhe thellësisht i përkushtuar ndaj punës së bazuar në vlera. Për të, parimet nuk ishin thjesht ideale, por forca udhëheqëse pas çdo vendimi dhe çdo veprimi që ai ndërmori për Kosovën. Ai besonte në unitet nëpërmjet vlerave të përbashkëta, ndaj udhëhoqi me çiltërsi dhe pastërti morale. Presidenti Rugova nuk ishte i vetëm në këtë mision. Ai iu kishte të gjithë juve prapa tij, dhe natyrisht të gjithë neve që besonim në vizionin e fortë të Kosovës së lirë e të pavarur. Lidhja e tij e fuqishme me Llapin u dëshmua edhe nga bashkëveprimi me dy personalitete të shquara e të paharrueshme nga kjo anë të cilat i qëndruan afër deri në frymën e fundit. Xhemail Mustafa dhe Enver Maloku ishin njerëzit më të afërt të tij dhe bashkë me të cilët në kohët më të vështira qëndruan në ballë të rezistencës duke mobilizuar popullin në kërkim të lirisë, paqes, demokracisë dhe pavarësisë. Kësisoj, Presidenti Rugova u bë lideri të cilit i besuan, e ai nuk e shpërdoroi këtë besim asnjëherë. Shtatorja e tij në Podujevë duhet të na shërbejë si një kujtesë për të gjithë ne – për udhëheqësit, për qytetarët dhe për brezat e ardhshëm për një Kosovë, e cila e nderon të kaluarën e saj, ruan dhe kultivon aleancat me miqtë dhe përqafon të ardhmen me të njëjtën forcë shpirtërore, të cilën e mishëroi edhe vet Presidenti Rugova. Vizioni i tij është më aktual se kurrë. Si udhëheqës dhe përfaqësues të popullit tonë, ne duhet të mbetemi të bashkuar dhe të fokusuar në realizimin e ëndrrës së plotë të Presidentit Rugova. Lidhja ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk është vetëm një aleancë strategjike – por është po ashtu edhe themeli i sigurisë, prosperitetit dhe të ardhmes sonë. Le të na frymëzojë gjithnjë kujtimi për Presidentin Rugova dhe le të qëndrojë kjo shtatore si simbol i përkushtimit tonë të përbashkët ndaj vlerave që na përcaktojnë si shtet, si popull dhe si komb! Zoti e bekoftë Kosovën! Zoti i bekoftë miqtë tanë! Zoti e bekoftë arkitektin e shtetit tonë, liderin tonë historik dhe atin themeltar të Republikës, Dr. Ibrahim Rugova! Faleminderit!
Presidentja Osmani priti në takim të Ngarkuarën me Punë të misionit të SHBA-ve në Kosovë, Anu Prattipati

Presidentja Vjosa Osmani ka pritur këtë javë në takim të Ngarkuarën me Punë të misionit të SHBA-ve në Kosovë, Anu Prattipati, me të cilën bisedoi për zhvillimet e fundit në vend, me fokus të veçantë në zhvillimet e sigurisë, si dhe tema të tjera të interesit të përbashkët. Në takim u diskutua edhe për rëndësinë e bashkërendimit me partnerët e Republikës me qëllim të suksesit të qëndrueshëm në përmbushjen e objektivave të përbashkëta. Tutje, pothuajse një vit pas aktit të agresionit të Serbisë ndaj Kosovës, Presidentja Osmani theksoi se mungesa e llogaridhënies dhe drejtësisë për personat përgjegjës është në dëm të paqes e sigurisë jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon. Ajo potencoi po ashtu se ekzistimi i strukturave ilegale në veri e mbanë peng integrimin e plotë të komunitetit serb, dhe se luftimi i strukturave ilegale është në dobi të vet qytetarëve në atë pjesë dhe të sundimit të ligjit.
Presidentja Osmani: Miratimi i Kushtetutës së Kaçanikut hodhi themelet juridike të Republikës së Kosovës dhe hapi rrugën drejt pavarësisë më 2008

Presidentja e Republikës së Kosovës ka kujtuar sot 7 shtatorin, Ditën e miratimit të Kushtetutës së Kaçanikut. 7 shtator i vitit 1990, dita kur është miratuar Kushtetuta e Kaçanikut është moment historik në udhëtimin e Kosovës drejt lirisë. Ky akt historik simbolizon guximin, unitetin dhe vendosmërinë e popullit të Kosovës në luftën e pandërprerë për liri e pavarësi. Në këtë ditë nderojmë vizionarët, ligjvënësit dhe patriotët që rrezikuan gjithçka për të ardhmen e Kosovës. Miratimi i Kushtetutës së Kaçanikut hodhi themelet juridike të Republikës së Kosovës dhe hapi rrugën drejt pavarësisë më 2008. Guximi i atyre që miratuan këtë kushtetutë do të mbahet mend përgjithmonë si një kapitull kyç në rrugën e gjatë dhe të vështirë të popullit të Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë.
Presidentja Osmani priti sot në takim Ministrin e Jashtëm të Turqisë, Hakan Fidan

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Hakan Fidan. Postimi i plotë i Presidentes: Në takim me ministrin e Jashtëm të Turqisë, Hakan Fidan, e falënderova për miqësinë dhe mbështetjen e shtetit turk për Republikën e Kosovës në çdo etapë e proces. Me ministrin diskutuam për potencialin e bashkëpunimit përfshirë fushën e politikës së jashtme dhe mbrojtjes, si dhe fusha të tjera të interesit të ndërsjellë. Forcimi i partneritetit midis Kosovës dhe Turqisë mbetet përkushtim i përbashkët! 🇽🇰🇹🇷
Fjalimi i Presidentes Vjosa Osmani në ceremoninë qëndrore për nder të Ditës së Themelimit të Policisë së Kosovës

Urime të gjithëve 25 vjetori i Policisë së Kosovës! I nderuar Kryeministër, Të nderuar ministra, Udhëheqës të institucioneve, Shumë i dashur Baca Rifat, faleminderit që gjithmonë je me ne në këto momente historike për vendin tonë, Staf drejtues i Policisë së Kosovës dhe stafi akademik i Akademisë së Sigurisë Publike, Të dashur miq e aleatë, Të dashur zyrtarë e zyrtare të Policisë së Kosovës, Zëvendëskryeministre, ministra, deputetë, pjesëtarë të FSK-së dhe familjarë të policëve të rënë në detyrë, 6 shtatori shënon një moment tejet të rëndësishëm në historinë e Kosovës – ditën e themelimit të Policisë sonë. Sot jemi këtu për ta kremtuar 25 vjetorin e themelimit të Policisë, ditë kjo e cila nuk është thjesht një festë e një institucioni, por është një nderim për përkushtimin, guximin dhe sakrificën e grave dhe burrave që kanë shërbyer dhe vazhdojnë të shërbejnë si gardianë të rendit, sigurisë, integritetit dhe sovranitetit të Republikës sonë. Policia e Kosovës gjatë këtij çerekshekulli të punës së saj vazhdon të jetë një nga institucionet më të besuara dhe më të respektuara të vendit tonë. Që nga momenti i krijimit të saj, forcat policore kanë qenë në krye të mbrojtjes së qytetarëve tanë, respektimit të sundimit të ligjit dhe garantimit që rrugët, shtëpitë dhe gjithë qytetarët tanë pa dallim, në çdo cep të Kosovës, të jenë të sigurt. Puna juaj ka qenë e rëndësishme në ndërtimin e një shoqërie ku mbizotëron rendi e ligji dhe ku të drejtat dhe liritë e secilit qytetar mbrohen. Nuk mund të flasim për Policinë e Kosovës pa nderuar heronjtë që dhanë jetën në krye të detyrës. Në mesin e 23 policëve të rënë në detyrë, i fundit është heroi i Kosovës Afrim Bunjaku, trimëria dhe sakrifica e të cilit vazhdojnë të na frymëzojnë të gjithëve gjersa mbrojmë sovranitetin e vendit tonë. Afrimi, së bashku me shumë të tjerë, bëri sakrificën më të madhe për ta mbrojtur atdheun tonë, për të mbrojtur sovranitetin e shtetit dhe për të siguruar një mjedis të qetë dhe stabil për të gjithë qytetarët. Trashëgimia e atyre që dhanë jetën për liri jeton në vlerat që ju, pjesëtarët e Policisë së Kosovës, i bartni dhe i manifestoni çdo ditë. Kontributi juaj për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës është kyç. Në kohë krize dhe sfidash, duhet të qëndroni të patundur, duke demonstruar qëndrueshmëri, profesionalizëm dhe përkushtim të palëkundur për sigurinë e shtetit tonë të ndërtuar me aq shumë mund e sakrificë. Qoftë në linjën e parë të operacioneve, qoftë në punën e përditshme për ruajtjen e rendit publik, janë shtyllat e profesionalizmit, përkushtimit, integritetit dhe vendosmërisë që janë parakushte për një Kosovë të sigurt për të gjithë. Ndërsa reflektojmë për 25 vitet e fundit, duhet patjetër të shikojmë edhe kah e ardhmja, në mënyrë që të bëjmë hapa përpara. Bota po ndryshon me shpejtësi dhe arkitektura e sigurisë po evoluon duke u përballur me sfida të reja. Zhvillimet globale, duke përfshirë edhe tendencat për cenimin e paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë e më konkretisht edhe në Kosovë, kërkojnë që ne të mbetemi vigjilentë dhe që çdo ditë të forcojmë rradhët tona dhe kapacitetet tona mbrojtëse. Policia e Kosovës duhet të vazhdojë të zhvillohet, duhet të vazhdojë të përmirësojë çdo ditë me hapa të shpejt e të sigurt aftësitë e saj dhe të jetë e gatshme për t’iu përgjigjur edhe këtyre kërcënimeve të reja në një mjedis gjithnjë e më kompleks. Angazhimi juaj për të shërbyer dhe mbrojtur duhet të mbetet në qendër të gjithçkaje që bëni. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me reagimin ndaj kërcënimeve, por me të qenit proaktiv, inovativ dhe vigjilentë në qasjen tuaj ndaj zbatimit të ligjit dhe sigurisë publike. Në këtë përvjetor të veçantë, dua të shpreh mirënjohjen time më të thellë për secilin pjesëtar të Policisë së Kosovës që para gjithckaje ka vendosur interesin shtetëror dhe atë të qytetarëve tanë, që ka punuar me integritet e profesionalizëm. Rruga përpara duhet të vazhdojë duke ngritur vazhdimisht standardet e profesionalizmit, integritetit dhe paanshmërisë. Kosova shtet i sigurt me sovranitet të plotë në çdo cep të saj dhe në të cilin sundon rendi e ligji, dhe ku mbrohen të drejtat e të gjithë qytetarëve pa dallim është synim i yni i përbashkët nga i cili asnjëherë nuk heqim dorë. Në këtë synim, mos të harrojmë se për 25 vite rresht, që nga dita e parë e deri më sot, i kemi pasur në krah aleatët tanë. Prandaj, i falënderoj edhe një herë në emër të popullit të Kosovës jo vetëm për ekspertizën e trajnimet, për pajisjet e armatimin, por për gjithë përkrahjen e pashoq dhe mbi të gjitha për besimin e tyre në Policinë e Kosovës dhe për gjithçka tjetër që bën në mënyrë që sot policia e Kosovës të jetë storie suksesi. E një urim i veçantë shkon për të gjitha gratë e vajzat në polici, ju faleminderit për shërbimin, ju faleminderit për profesionalizmin, e mbi të gjitha faleminderit që vazhdoni të jeni shembull për çdo vajzë të re, të cilat synojnë që t’iu bashkohen në misionin për ta mbajtur Kosovën në paqe dhe të sigurt. Faleminderit Policisë së Kosovës për shërbimin tuaj, vazhdoni të shërbeni me nder dhe krenari edhe në vitet që vijnë! Urime!
Presidentja Osmani priti në takim nobelisten Nadia Murad

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim nobelisten Nadia Murad, një nga zërat më të fuqishëm në botë në luftën për drejtësi për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Nadia Murad është një nga zërat më të fuqishëm në botë në luftën për drejtësi për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës. Ajo sot ishte në Kosovë që t’i bashkojmë forcat për ta fuqizuar zërin e të gjitha të mbijetuarave në Kosovë e përtej. Bashkë, i vizituam të mbijetuarat si dhe organizatat të cilat punojnë afër me të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, e të cilat Presidenca ka vite që i mbështetë.
Presidentja Osmani takoi Ministren e Jashtme të Finlandës, Elina Valtonen: Në mbrojtjen e vlerave evropiane, Kosova dhe Finlanda janë partnere të palëkundura!

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka mirëpritur sot Ministren e Punëve të Jashtme të Republikës së Finlandës, Elina Valtonen. Postimi i plotë i Presidentes: Në mbrojtjen e vlerave evropiane, Kosova dhe Finlanda janë partnere të palëkundura! Në takim me ministren e Jashtme të Finlandës, Elina Valtonen, e falënderova për mbështetjen e shtetit të saj për Kosovën në çdo etapë, përfshirë procesin e shtetformimit, shtetëndërtimit dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare. Do të vazhdojmë angazhimin për forcimin e raporteve tona ndërshtetërore.
Presidentja Osmani kujton Shën Terezën në 27 vjetorin e ikjes në amshim: Jemi krenar që botës i dhamë nënën më të madhe që njohu njerëzimi, Gonxhe Bojaxhiun, të Shenjtën Terezë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar Shën Terezën, në 27 vjetorin e ikjes në amshim. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: “Me gjak unë jam shqiptare. Me shtetësi jam indiane. Me besim unë jam një murgeshë katolike. Sipas profesionit tim, unë i përkas botës…” – Shën Tereza Në Ditën e Humanizmit, nderojmë jo vetëm jetën dhe trashëgiminë e një gruaje të jashtëzakonshme, por edhe vlerat që ajo mishëroi – dhembshurinë, dashurinë dhe shërbimin ndaj njerëzimit. Nënë jonë Terezë mbetet një fanarë dhembshurie, përulësie dhe shërbimi vetëmohues ndaj njerëzimit. Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, me krenari e identifikoi veten si shqiptare, ndaj vepra e saj jetësore gjithnjë na mbushë zemrat me krenari e frymëzim. Përkushtimi i Nënë Terezës për më të varfrit, besimi i saj i palëkundur dhe dashuria për njerëzit, pavarësisht nga prejardhja e tyre, duhet të jenë udhërrëfyes për një botë më humane. Në 27 vjetorin e ikjes në amshim e kujtojmë me respekt dhe jemi krenar që botës i dhamë nënën më të madhe që njohu njerëzimi, Gonxhe Bojaxhiun, të Shenjtën Terezë.
Presidentja Osmani priti sot në takim ambasadorin e Suedisë, Jonas Westerlund

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ambasadorin e Suedisë, Jonas Westerlund, me të cilin diskutoi për zhvillimet e fundit në vend, përfshirë zhvillimet e sigurisë, si dhe raportet Kosovë-Suedi. Në takim, Presidentja dhe ambasadori Westerlund diskutuan edhe për integrimin euroatlantik të Kosovës, me ç’rast Presidentja theksoi rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme të Suedisë në këtë drejtim. Duke qenë se Kosova është 100% e linjëzuar me politikat e BE-së si dhe duke marrë parasysh reformat e kryera në vend, në veçanti në fushën e sundimit të ligjit, Presidentja potencoi domosdoshmërinë e vlerësimit të shteteve aspiruese, përfshirë Kosovën, bazuar në merita. Në takim poashtu u diskutua edhe për përpjekjet e Kosovës për avancimin e prezencës së saj ndërkombëtare si dhe për hapat tutje sa i përket anëtarësimit në organizata ndërkombëtare. Presidentja Osmani dhe ambasadori Westerlund diskutuan edhe për intensifikimin e bashkëpunimit bilateral midis Kosovës dhe Suedisë, përfshirë bashkëpunimin tregtar, investimet potenciale suedeze, bashkëpunimin në fushën e teknologjisë informative si dhe në fusha të tjera të interesit të dyanshëm.