DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i Presidentes Vjosa Osmani në ceremoninë qëndrore për nder të Ditës së Themelimit të Policisë së Kosovës

Urime të gjithëve 25 vjetori i Policisë së Kosovës!

I nderuar Kryeministër,

Të nderuar ministra,

Udhëheqës të institucioneve,

Shumë i dashur Baca Rifat, faleminderit që gjithmonë je me ne në këto momente historike për vendin tonë,

Staf drejtues i Policisë së Kosovës dhe stafi akademik i Akademisë së Sigurisë Publike,

Të dashur miq e aleatë,

Të dashur zyrtarë e zyrtare të Policisë së Kosovës,

Zëvendëskryeministre, ministra, deputetë, pjesëtarë të FSK-së dhe familjarë të policëve të rënë në detyrë,

 

6 shtatori shënon një moment tejet  të rëndësishëm në historinë e Kosovës – ditën e themelimit të Policisë sonë.

 

Sot jemi këtu për ta kremtuar 25 vjetorin e themelimit të Policisë, ditë kjo e cila nuk është thjesht një festë e një institucioni, por është një nderim për përkushtimin, guximin dhe sakrificën e grave dhe burrave që kanë shërbyer dhe vazhdojnë të shërbejnë si gardianë të rendit, sigurisë, integritetit dhe sovranitetit të Republikës sonë.

Policia e Kosovës gjatë këtij çerekshekulli të punës së saj vazhdon të jetë një nga institucionet më të besuara dhe më të respektuara të vendit tonë.

Që nga momenti i krijimit të saj, forcat policore kanë qenë në krye të mbrojtjes së qytetarëve tanë, respektimit të sundimit të ligjit dhe garantimit që rrugët, shtëpitë dhe gjithë qytetarët tanë pa dallim, në  çdo cep të Kosovës, të jenë të sigurt. Puna juaj ka qenë e rëndësishme në ndërtimin e një shoqërie ku mbizotëron rendi e ligji dhe ku të drejtat dhe liritë e secilit qytetar mbrohen.

Nuk mund të flasim për Policinë e Kosovës pa nderuar heronjtë që dhanë jetën në krye të detyrës. Në mesin e 23 policëve të rënë në detyrë, i fundit është heroi i Kosovës Afrim Bunjaku, trimëria dhe sakrifica e të cilit vazhdojnë të na frymëzojnë të gjithëve gjersa mbrojmë sovranitetin e vendit tonë. Afrimi, së bashku me shumë të tjerë, bëri sakrificën më të madhe për ta mbrojtur atdheun tonë, për të mbrojtur sovranitetin e shtetit dhe për të siguruar një mjedis të qetë dhe stabil për të gjithë qytetarët.

Trashëgimia e atyre që dhanë jetën për liri jeton në vlerat që ju, pjesëtarët e Policisë së Kosovës, i bartni dhe i manifestoni çdo ditë.

Kontributi juaj për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës është kyç. Në kohë krize dhe sfidash, duhet të  qëndroni  të patundur, duke demonstruar qëndrueshmëri, profesionalizëm dhe  përkushtim të palëkundur për sigurinë e shtetit tonë të ndërtuar me aq shumë mund e sakrificë.

Qoftë në linjën e parë të operacioneve, qoftë në punën e përditshme për ruajtjen e rendit publik, janë shtyllat e profesionalizmit, përkushtimit, integritetit dhe vendosmërisë që janë parakushte për një Kosovë të sigurt për të gjithë.

Ndërsa reflektojmë për 25 vitet e fundit, duhet patjetër të shikojmë edhe kah e ardhmja, në mënyrë që të bëjmë hapa përpara. Bota po ndryshon me shpejtësi dhe arkitektura e sigurisë po evoluon duke u përballur me sfida të reja.

Zhvillimet globale, duke përfshirë edhe tendencat për cenimin e paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë e më konkretisht edhe në Kosovë, kërkojnë që ne të mbetemi vigjilentë dhe që çdo ditë të forcojmë rradhët tona dhe kapacitetet tona mbrojtëse.

Policia e Kosovës duhet të vazhdojë të zhvillohet, duhet të vazhdojë të përmirësojë çdo ditë me hapa të shpejt e të sigurt aftësitë e saj dhe të jetë e gatshme për t’iu përgjigjur edhe këtyre kërcënimeve të reja në një mjedis gjithnjë e më kompleks.

Angazhimi juaj për të shërbyer dhe mbrojtur duhet të mbetet në qendër të gjithçkaje që bëni. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me reagimin ndaj kërcënimeve, por me të qenit proaktiv, inovativ dhe vigjilentë në qasjen tuaj ndaj zbatimit të ligjit dhe sigurisë publike.

Në këtë përvjetor të veçantë, dua të shpreh mirënjohjen time më të thellë për secilin pjesëtar të Policisë së Kosovës që para gjithckaje ka vendosur  interesin shtetëror dhe atë të qytetarëve tanë, që ka punuar me integritet e profesionalizëm.

Rruga përpara duhet të vazhdojë duke ngritur vazhdimisht standardet e profesionalizmit, integritetit dhe paanshmërisë.

Kosova shtet i sigurt me sovranitet të plotë në çdo cep të saj dhe në të cilin sundon rendi e ligji, dhe  ku mbrohen të drejtat e të gjithë qytetarëve pa dallim është synim i yni i përbashkët nga i cili asnjëherë nuk heqim dorë. Në këtë synim, mos të harrojmë se për 25 vite rresht, që nga dita e parë e deri më sot, i kemi pasur në krah aleatët tanë. Prandaj, i falënderoj edhe një herë në emër të popullit të Kosovës jo vetëm për ekspertizën e trajnimet, për pajisjet e armatimin, por për gjithë përkrahjen e pashoq dhe mbi të gjitha për besimin e tyre në Policinë e Kosovës dhe për gjithçka tjetër që bën në mënyrë që sot policia e Kosovës të jetë storie suksesi.

E një urim i veçantë shkon për të gjitha gratë e vajzat në polici, ju faleminderit për shërbimin, ju faleminderit për profesionalizmin, e mbi të gjitha faleminderit që vazhdoni të jeni shembull për çdo vajzë të re, të cilat synojnë që t’iu bashkohen në misionin për ta mbajtur Kosovën në paqe dhe të sigurt.

Faleminderit Policisë së Kosovës për shërbimin tuaj, vazhdoni të shërbeni me nder dhe krenari edhe në vitet që vijnë!

Urime!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.