DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i Presidentes Osmani në ceremoninë e përurimit të shtatores së Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova në Podujevë

Faleminderit shumë të dashur llapjan,

I nderuar president Sejdiu,

Kryeministër Kurti,

I nderuar kryetar i komunës, Shpejtim Bulliqi,

Të nderuar deputetë e ministra,

Shumë e dashur familje Rugova,

Të dashur bashkëveprimtarë të Presidentit Rugova, ju që tërë jetën i qëndruat besnik vizionit të arkitektit të shtetit tonë,

Të nderuara zonja e zotërinj,

 

Jam e nderuar që sot ndodhem në Podujevë, respektivisht në Llap, në mesin e njerëzve, të cilët në kohët më të vështira u radhitën pas liderit tonë vizionar, pas njeriut që farkëtoi aleanca dhe miqësi me liderët e gjithë botës, pas atit themeltar të Republikës sonë, presidentit historik dr. Ibrahim Rugova.

Sot, Rugova po i kthehet Llapit në bronz, duke u bërë banor i përhershëm i Podujevës. Njësoj sikurse kur u pat kthyer nga Itaia në Kosovën e lirë, në vitin 2000 kur i gjithë Llapi u ngrit në këmbë për ta pritur atë me një tubim madhështor përpara objektit të komunës së vjetër, shumë afër me vendin në të cilin ai sot i përjetësuar në shtatore do të mbetet përgjithmonë në mesin tuaj.

Shtatorja e Presidentit Rugova po përjetësohet dhe po përurohet në 7 shtatorin historik. Në të njëjtën datë, 34 vjet më parë, u miratua Kushetuta e Kaçanikut, një moment historik në udhëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë për të cilën gjë tërë jetën ia kushtoi Presidenti ynë historik.

Shtatorja e Presidentit  Rugova nuk është vetëm një monument prej bronzi, por një testament i idealeve për të cilat ai punoi deri në vdekje, për Kosovën të lirë, të pavarur dhe demokratike.

Prandaj sot, po nderojmë kujtimin për udhëheqësin e madh, vizionarin e pashoq, për njeriun, i cili me guxim dhe mençuri e orientoi Kosovën drejt vizionit euroatlantik dhe solli vëmendjen e gjithë botës demokratike pikërisht në Kosovë.

Përballë shtypjes dhe dhunës së Millosheviqit, ai zgjodhi rezistencën paqësore. Kur rruga përpara ishte e pasigurt, vendosmëria dhe qëndrueshmëria e tij ishte e palëkundur.

Ai ishte njeri i dijeve dhe prijës, siç thoshte at Zef Pllumi “ma i dijuni dhe ma i urti i të gjithëve”.

 

Presidenti Rugova ishte simbol i shpresës, një njeri që besonte në fuqinë e fjalës. Në ditët më të errëta të historisë sonë, ai qëndroi i palëkundur me vizionin e tij pavarësi dhe asgjë më pak!

Në ditët më të errëta ai dëshmoi se forca e kombit tonë është përbashkimi dhe vullneti i pathyeshëm për liri, paqe, demokraci dhe pavarësi.

Presidenti Rugova i dha siç themi gjithmonë politikës dimensionin më të rëndësishëm të saj, dimensionin human. Shalli i tij i mëndafshtë u bë simbol i stilit të tij unik të udhëheqjes së liderit të qetë, të përmbajtur e dinjitoz.

Kjo shtatore është një nderim për burrështetasin, për kryearkitektin e shtetit tonë, i cili na priu në kohët më të rënda për ne.

Ishte mjeshtëria diplomatike e Presidentit Rugova ajo që forcoi lidhjet tona me miqtë dhe aleatët tanë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai e kuptoi se rrugëtimi drejt shtetësisë nuk mund të bëhej i vetëm, ndaj besoi fort në idenë se shtëpia mbahet me miq.

Ai ndërtoi ura besimi me liderët anekënd globit, të bazuar në respektin reciprok dhe vlerat e përbashkëta, e këto miqësi janë bërë shtyllat mbi të cilat tani qëndron edhe shteti ynë i ri.

Ajo që bëri Presidenti Rugova nuk ishte vetëm vizioni i tij politik, por edhe integritet i tij. Ai kurrë askujt nuk i punoi pas shpine. Presidenti Rugova ishte transparent, i ndershëm dhe thellësisht i përkushtuar ndaj punës së bazuar në vlera.

Për të, parimet nuk ishin thjesht ideale, por forca udhëheqëse pas çdo vendimi dhe çdo veprimi që ai ndërmori për Kosovën.

Ai besonte në unitet nëpërmjet vlerave të përbashkëta, ndaj udhëhoqi me çiltërsi dhe pastërti morale.

Presidenti Rugova nuk ishte i vetëm në këtë mision. Ai iu kishte të gjithë juve prapa tij, dhe natyrisht të gjithë neve që besonim në vizionin e fortë të Kosovës së lirë e të pavarur. Lidhja e tij e fuqishme me Llapin u dëshmua edhe nga bashkëveprimi me dy personalitete të shquara e të paharrueshme nga kjo anë të cilat i qëndruan afër deri në frymën e fundit.

Xhemail Mustafa dhe Enver Maloku ishin njerëzit më të afërt të tij dhe bashkë me të cilët në kohët më të vështira qëndruan në ballë të rezistencës duke mobilizuar popullin në kërkim të lirisë, paqes, demokracisë dhe pavarësisë.

Kësisoj, Presidenti Rugova u bë lideri të cilit i besuan, e ai nuk e shpërdoroi këtë besim asnjëherë.

Shtatorja e tij në Podujevë duhet të na shërbejë si një kujtesë për të gjithë ne – për udhëheqësit, për qytetarët dhe për brezat e ardhshëm  për një Kosovë, e cila e nderon të kaluarën e saj, ruan dhe kultivon aleancat me miqtë dhe përqafon të ardhmen me të njëjtën forcë shpirtërore, të cilën e mishëroi edhe vet Presidenti Rugova.

Vizioni i tij është më aktual se kurrë. Si udhëheqës dhe përfaqësues të popullit tonë, ne duhet të mbetemi të bashkuar dhe të fokusuar në realizimin e ëndrrës së plotë të Presidentit Rugova.

Lidhja ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk është vetëm një aleancë strategjike – por është po ashtu edhe themeli i sigurisë, prosperitetit dhe të ardhmes sonë.

Le të na frymëzojë gjithnjë kujtimi për Presidentin Rugova dhe le të qëndrojë kjo shtatore si simbol i përkushtimit tonë të përbashkët ndaj vlerave që na përcaktojnë si shtet, si popull dhe si komb!

Zoti e bekoftë Kosovën!

Zoti i bekoftë miqtë tanë!

Zoti e bekoftë arkitektin e shtetit tonë, liderin tonë historik dhe atin themeltar të Republikës, Dr. Ibrahim Rugova!

Faleminderit!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.